GJYKIMI I KRIMEVE TË LUFTËS NË VEND

Transferimi i çështjeve gjyqësore nga gjykata e Hagës në vendet e ish Jugosllavisë shihet si tepër i rëndësishëm për procesin e vendosjes së drejtësisë për këto krime – por është edhe i mbushur me vështirësi të shumta.

GJYKIMI I KRIMEVE TË LUFTËS NË VEND

Transferimi i çështjeve gjyqësore nga gjykata e Hagës në vendet e ish Jugosllavisë shihet si tepër i rëndësishëm për procesin e vendosjes së drejtësisë për këto krime – por është edhe i mbushur me vështirësi të shumta.

Vendimi i komunitetit ndërkombëtar për të krijuar një gjykatë për krimet e luftës në Bosnje dhe Herzegovinë ka ngritur pikpyetje serioze mbi faktin nëse sistemi ligjor i vendit, burgjet dhe media janë të gatëshme për të përballuar këtë sfidë.


Transferimi i gjyqeve të rëndësisë së ulët dhe të mesme në vendet e Ballkanit është shumë i rëndësishëm për strategjinë përmbyllëse të gjykatës, e cila parashikon përfundimin e gjykimit të të gjitha çështjeve brenda fundit të vitit 2008, dhe mbylljen e gjykatës dy vjet më pas.


Gjykatësi Theodor Meron, kryetar i gjykatës, ka thënë se krijimi i Dhomës së Krimeve të Luftës, DKL, në gjykatën e Bosnjes “do të sigurojë gjykimin dhe dënimin e kriminelëve të luftës në mënyrë efikase dhe të ndershme në përputhje me standarded e pranuara ndërkombëtare të drejtësisë”.


Përfshirja e gjerë e komunitetit ndërkombëtar në krijimin dhe plotësimin me staf të DKL – e cila pritet të nisë punën në fillim të vitit – ka shkaktuar shumë diskutime në rajon. Por Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR – e cila është mbështetësja kryesore e kësaj inisiativa – ngul këmbë se kjo është e nevojëshme.


“Arësyeja për përfshirjen e madhe të komunitetit ndërkombëtar në periudhën fillestare të veprimtarisë së kësaj dhome është mbështetja për gjykatësit dhe prokurorët vendas, dhe për të siguruar përmbushjen e standardeve ndërkombëtare,” ka thënë një zëdhënës.


“Gjithashtu, për të siguruar të gjithë – se edhe kur gjykohen krimet e luftës – drejtësia është e njëjtë për të gjithë”.


Mbi 16 milion euro janë siguruar për të mbuluar shpenzimet e gjykatës për dy vjetët e parë të veprimtarisë, dhe një konferencë e donatorëve është planifikuar për vitin 2005 për të siguruar edhe 21 milion euro të tjera. Kjo shumë është e nevojëshme për të siguruar veprimtarinë e gjykatës deri në vitin 2008 – i cili shënon edhe përfundimin e “fazës tranzitore” të projektit, pas së cilës përfshirja ndërkombëtare do të pakësohet dhe drejtimi i gjykatës do të kalojë në duart e zyrtarëve lokal.


Me përfshirjen e kaq shumë parave dhe përpjekjeve – për të mos përmendur reputacionin e gjykatës – kjo gjykatë do të jetë shumë e rëndësishme.


A ËSHTË BOSNJA E GATËSHME?


Janë ngritur pikpyetje mbi gadishmërinë e Bosnjes për të gjykuar rastet e krimeve të luftës, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me paaftësinë e sistemit të drejtësisë, mungesën e burgjeve, dhe qëndrimin disi të pasigurtë ndaj mbrojtjes së dëshmitarëve, të shoqëruar me njoftimet shpesh të njëanëshme në shtypin e Federatës dhe Republika Srpska, RS.


Misioni i Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE,në Bosnje, ka njoftuar se mbi 90 gjyqe për krime lufte ndaj të pandehurve muslimanë, serb dhe kroatë të Bosnjes janë zhvilluar në Bosnje që prej përfundimit të luftës. Rreth 60 prej këtyre proceseve vazhdojnë ende.


Sipas rregullave të marrëveshjes së Rrugës – e cila është nënshkruar pas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit e cila i dha fund luftës në vitin 1995, hetuesit duhet të rishikonin çdo rast përpara se një prokuror vendas të lejohej të lëshonte një akuzë dhe të arrestonte një të dyshuar. Rreth 600 akuza janë miratuar në këtë mënyrë, por pjesa më e madhe e tyre kanë nisur në Federatë. Vetëm shumë pak prej tyre janë lëshuar në RS.


Procedurat e gjykimit të krimeve të luftës deri më tani janë kritikuar ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë.


Një raport i Human Rights Ëatch, pak kohë më parë, i titulluar Drejtësia në Rrezik, ka parë çështjen e dënimit të krimeve të luftës në ish Jugosllavi dhe ka paraqitur disa shqetësime. Raporti ka theksuar se njëanshmëria etnike, përgatitja e dobët e akuzave, mungesa e bashkëpunimit nga forcat policore lokale dhe ndërmjet shteteve fqinje po dëmtonin vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës në Ballkan.


Raporti ka theksuar veçanërisht rastet e gjyqeve ndaj kroatit të Bosnjes, Dominik Ilijaseviq dhe serbit të bosnjes, Tomo Mihajloviq, si të mbushur me parregullsi. Në procesin e parë prokurorët nuk kanë paraqitur asnjë provë për të mbështetur akuzat ndaj të pandehurit. Dhe në të dyja rastet Human Rights Ëatch ka parë se gjykatësit hetues kishin ndryshuar disa fraza të dëshmive të dëshmitarëve – një praktikë e cila nuk është kundërshtuar për shkak të mugesës së dijeve nga ata të cilët kanë dhënë këto deklarata.


Pavarësisht këtyre problemeve të dokumentuara mirë me sistemin lokal të drejtësië dhe atë ligjor, gjykata e ka ndryshuar statutin e saj këtë vit për të lejuar të gjitha çështjet më pak të rëndësishme të hetuara nga prokurorët e saj të transferohen në Ballkan ku do të zhvillohen proceset gjyqësore. Pika 11 fraksion dy e statutit të gjykatës është ndryshuar më 28 korrik, 2004 për të lehtësuar këtë proces. Sipas këtij neni, kryetari i gjykatës mund të caktojë një trup gjykues me qëllim referimin e një rasti autoriteteve të një shteti në territorin e të cilit është kryer krimi, në të cilin i pandehuri është arrestuar apo i cili ka juridiksionin dhe pranon të gjykojë këtë çështje.


Megjithatë, me qëllim për të bërë një gjë të tillë, gjykata duhet të jetë e bindur që i pandehuri do të ketë një proces gjyqësor të ndershëm dhe se nuk do të dënohet me vdekje.


Meqënëse gjykata e Hagës është e interesuar të pakësojë numrin e çështjeve për gjykim, tani ekziston një presion i vërtetë mbi dhomat e gjykatave në vendet e rajonit – në Kroaci dhe Serbi si edhe në Bosnje – për të nisur nga puna dhe për të ruajtur standarded e drejtësisë ndërkombëtare të zbatuara edhe në Hollandë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, njerëz të brendëshëm në Hagë shqetësohen se imazhi dhe trashëgimia e gjykatës mund të dëmtohet.


Dhoma e Krimeve të Luftës, DKL, do të ketë përgjegjësinë për të kryer hetimet e saj dhe të lëshojë akuzat, por fillimisht ajo do të shqyrtojë rastet e nisura nga Zyra e Prokurorisë së Gjykatës së Hagës, të cilat do ti transferohen gjykatës në Bosnje.


Vëzhguesit mendojnë se procesi i parë gjyqësor i cili do të transferohet në këtë mënyrë do të jetë ai i Zeljko Meakiq, Momcilo Gruban, Dusan Fustar, Pedrag Banoviq dhe Dusko Knezeviq, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe rregullave të luftës. Këta të akuzuar serbë të Bosnjes janë akuzuar për persekutim, dy akuza për vrasje dhe dy për veprime çnjerëzore dhe trajtimin mizor për trajtimin e civilëve muslimanë dhe kroat të Bosnjes në kampet e përqëndrimit në Omarska dhe Keraterm të ngritura në komunën e Prijedor në vitin 1992.


Kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte ka bërë një kërkesë zyrtare për transferimin e këtij procesi më 2 shtator, duke argumentuar se “Bosnja dhe Herzegovina do të ofrojë të gjtiha kushtet ligjore dhe teknike për zhvillimin e një procesi të ndershëm,” dhe është caktuar një trup gjykues.


Megjithatë, trupi gjykues – drejtuar nga kryetari i gjykatës Meron – ka shprehur dyshime mbi faktin që DKL në Bosnje nuk është ende e gatëshme të gjykojë çështjet e gjykatës së Hagës, dhe i ka kërkuar prokurorëve më tepër informacion për progresin e bërë. “Nuk është e kuptueshme se si një trup gjykues mund të marrë një vendim të tillë edhe përpara krijimit të DKL-së,” ka theksuar Meron


Megjithatë, Liam McDoëell, oficer për informimin në gjykatë, i ka thënë IWPR se gjykata është e interesuar të identifikojë dhe transferojë çështjet përpara krijimit të gjykatës në Bosnje. “Në këtë proces, duhet të kihen parasysh dy çështje. Së pari, duhet të kemi garanci të forta që proceset gjyqësore do të jenë të ndershme. Dhe do të duhet të ekzistojnë strukturat e nevojëshme”.


NDRYSHIMI I LIGJIT


Shqetësimi i parë është zgjidhur pas miratimit të disa reformave ligjore të menduara për të sjellë ligjet e Bosnjes në përputhje me standarded ndërkombëtare. Ky legjislacion është miratuar vetëm pak kohë më parë pas një farë përplasjeje, dhe ende ka probleme për tu zgjidhur përpara se ai të fillojë të zbatohet.


Deri pak kohë më parë, sistemi ligjor në Bosnje kishte ndryshuar shumë pak nga ai i përdorur në ish Jugosllavi. Reformat kanë qenë të nevojëshme për sjelljen e legjislacionit në një linjë me ligjet e përziera të procedurave civile dhe të përbashkëta të përdorua në gjykatën e Hagës. Ky sistem, me shumë elementë nga sistemi i përbashkët i përdorur në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kuptohet shumë thjeshtë në Ballkan, dhe ka shkaktuar konfuzion ndërmjet analistëve lokal dhe publikut në përgjithësi. “Shih artikullin “Përralla e Dy Sistemeve” nga Rachel S. Taylor në adresën: http://www.IWPR.net/index.pl?archive/tri/tri_368_2_eng.txt)


Katër ligje të rëndësishme për krijimin e DKL janë aprovuar nga dhoma e ulët e parlamentit shtetëror të Bosnjes në shtator 2004 – por vetëm dy prej tyre janë miratuar nga dhoma e lartë më 30 shtator pasi përfaqësuesit serbë të Bosnjes nuk kanë pranuar të mbështesin ndryshimet.


Një prej ligjeve të bllokuara ka pasur të bëjë me transferimin e butë në DKL të dy çështjeve të nisura nga gjykata e Hagës dhe provave të mbledhura nga hetuesit e saj. Ligji tjetër ka pasur të bëjë me krijimin e një zyre regjistrimi – organizëm administrativ – në dhomën e re, e cila do të drejtohet nga një figurë ligjore ndërkombëtare dhe do të punësojë shumë zyrtarë të huaj, të cilët do të qëndrojnë në këtë zyrë për rreth pesë vjet gjatë periudhës së tranzicionit.


Përfshirja e madhe e kaq shumë zyrtarëve të huaj ka zemëruar politikanët serbë të Bosnjes. “Për fat të keq, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nuk na besojnë ne dhe kjo është diçka me të cilën ne duhet të pajtohemi,” ka thënë për IWPR ministri i jashtëm i serbëve të Bosnjes, Mladen Ivaniq.


Një numër politikanësh dhe komentatorësh në RS janë ankuar gjithashtu për juridiksionin e zyrës së regjistrimit mbi një tjetër dhomë të gjykatës në Bosnje – atë e cila merret me krimin e organizuar dhe atë ekonomik.


Mos miratimi i dy prej katër ligjeve të reja është dënuar nga gjykata dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje. Del Ponte dhe Përfaqësuesi i Lartë, Paddy Ashdoën, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas një takimi më 20 tetor, në të cilën ata i bënin thirrje parlamentit të Bosnjes të miratonte pa vonesë legjislacionin, duke paralajmëruar se në të kundërt “do të dëmtohej rëndë përpjekja për të gjykuar kriminelët e luftës” për veprimet e tyre.


Ato dy ligje janë miratuar një ditë më pas – megjithëse me disa ndryshime në versionin e miratuar nga dhoma e ulët, kështu që përpara zbatimit të tyre do të duhet të bëhet një farë harmonizimi.


Presidenca e Bosnjes ka miratuar marrëveshjen për zyrën e regjistrimit më 27 tetor, dhe e ratifikoi atë më pas. Ajo pritet të nënshkruhet zyrtarisht nga presidenca e Bosnje dhe OHR përpara fundit të nëntorit.


Të gjitha procedurat duhet të jenë përfunduar deri në fund të këtij viti për të lejuar DKL të nisë veprimtarinë e saj më 1 janar 2005.


Sipas shenjave të para duket se deputetët serbë të Bosnjes të cilët kanë kundërshtuar fillimisht miratimin e legjislacionit të ri do të votojnë pro tij këtë rradhë – megjithëse disa në Banja Luka janë të shqetësuar se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që profesionistët lokal të drejtësisë të kuptojnë dhe përvetësojnë ligjet e reja përpara se DKL të fillojë nga puna.


Pasi ligjet e reja të vihen në zbatim, ato do ti japin prokurorit të DKL-së, Marinko Jurçeviq, pushtetin për të paraqitur akuza të reja për krime lufte.


Përveç këtyre ligjeve, dy ligje të reja janë miratuar kohët e fundit nga parlamenti i Bosnjes. Njëri prej tyre afron ligjin boshnjak me atë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – një proces relativisht i thjeshtë sepse Sarajeva e ka firmoasur tanimë konventën – dhe tjetri ka të bëjë me çështjen më të komplikuar dhe të diskutueshme, atë të mbrojtjes së dëshmitarëve.


MBROJTJA E DËSHMITARËVE TË KRIMEVE TË LUFTËS


Procesi i paraqitjes si dëshmitar në një gjyq të mbajtur në Hagë është diçka e pakëndëshme dhe traumatike për shumë boshnjakë. Në një vend të vogël si Bosnja, vendimi për tu paraqitur në një gjyq për krime lufte i cili mbahet në vend është edhe më tepër problematic, sepse nuk janë marrë shumë masa për të mbrojtur këta dëshmitarë gjatë dhe pasi të japin dëshmitë e tyre.


Deri më tani, ka qenë e pamundur të ndëshkohet cilido që tregon identitetin e një dëshmitari të mbrojtur në një çështje të krimeve të luftës në Bosnje. Si rezultat, shumë dëshmitarë të mundëshëm nuk kanë pranuar të dëshmojnë nga frika se mund të ndëshkohen më pas, dhe pak prej atyre të cilët kanë vendosur të dëshmojnë kanë kërkuar mbrojtjen e autoriteteve.


Detyra e përmirësimit të procedurave të mbrojtjes së dëshmitarëve i është caktuar Agjensisë së Mbrojtjes dhe Hetimeve të Shtetit, SIPA – simotra e FBI-së amerikane – e cila ka marrë rekomandime nga një sërë grupesh lokale dhe ndërkombëtare pune për këtë temë. Regjistri i DKL përfshin gjithashtu një njësi të viktimave dhe dëshmitarëve, e cila do të bashkëpunojë me SIPA-n.


Reformat e reja të miratuara nga parlamenti në Bosnje do të lejojnë gjykatave të mbrojnë më mirë ata të cilët vendosin të paraqiten si dëshmitarë. Nëse ata dëshirojnë, pamja e tyre mund të ndryshohet në sallën e gjyqit dhe mund të përdoren pseudonime – një sistem i ngjashëm ky me atë të përdorur në Hagë – dhe gjykatësit do të kenë pushtet më të madh për të vendosur shtrëngime ndaj mediave për raportimin e dëshmive të dhëna nga dëshmitarët e mbrojtur.


“Mbrojtja e dëshmitarëve tani duhet të respektohet si një ligj, dhe media duhet të luajë rolin e saj në këtë drejtim,” ka thënë McDoëall i gjykatës së Hagës.


“Gjithsesi, në këtë fushë do të jetë i nevojshëm një qëndrim i përbashkët rajonal,” ka thënë ai, duke shpjeguar se media jo boshnjake në Ballkan nuk duhet të përmendë emrin e një dëshmitari të mbrojtur në vendet e tyre, sepse ky lajm me siguri që do të merret vesh edhe në Bosnje – duke pasur pasoja të rënda për sigurinë e dëshmitarit.


MEDIA NË QENDËR TË VËMENDJES


Njerëzit e brendëshëm të Hagës dhe analistët lokalë mendojnë se media do të luajë një rol të rëndësishëm në krijimin e qëndrimeve të publikut ndaj DKL. Mënyra e raportimit mbi gjykatën dhe procedurat e saj do të përcaktojë shumë edhe mënyrën se si shihet ajo në rajon, dhe gazetarët do të jenë një lidhje indirekte ndërmjet gjykatës dhe popullit.


Judith Armatta e Koalicionit për Drejtësi Ndërkombëtare, e cila ka vëzhguar procedurat e gjyqeve për krime lufte ndaj ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq nga fillimi, ka thënë se “Pjesa më e madhe e njerëzve nuk do të ulen dhe të ndjekin procesin gjyqësor, dhe edhe në qoftë kështu shumë procedura ligjore duhet të interpretohen, kështu që shumë do të varet nga mënyra e paraqitjes së tyre në media,” ka thënë ajo.


Niveli i ndikimit të mediave për sa i përket DKL ka ngritur edhe çështjen e raportimit të përgjegjshëm të mediave, dhe së bashku me të edhe shqetësimet në lidhje me standardin e profesionalizmit në rradhët e disa gazetave dhe transmetuesve elektronikë në rajon.


Gjendja në Bosnje është e komplikuar nga ndryshimet që ekzistojnë ndërmjet dy entiteteve. Mediat e secilit entitet japin një pamje dhe interpretim krejtësisht të kundërt të ngjarjeve të përgjakëshme të viteve nëntëdhjetë, dhe kjo reflektohet edhe në raportimin e drejtësisë për këto krime lufte.


Media në RS ka qenë tradicionalisht kundër veprimtarisë së gjykatës – ku dënimi i të pandehurve serbë shpesh është parë si një lloj “drejtësie e fitimtarit” – por gjykata është parë me sy dyshues edhe në Federatë, dhe kjo shfaqet edhe në median lokale.


Srdjan Dizdareviq, president i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Bosnje, ka thënë se “Media – veçanërisht media e shkruajtur – është përgjithësisht nacionaliste dhe jo objective. Ato përfaqësojnë një rrezik serioz për gjykatën dhe veprimtarinë e saj.


NDIHMA NDËRKOMBËTARE


McDoëall i Gjykatës së Hagës ka thënë për IWPR se përfshirja e huaj në DKL do të ndihmojë të shmangë presionin e mediave: “Për sa i përket paraqitjes së ndershme dhe paanshmërisë etnike, kjo ka qenë arësyeja kryesore që ndërkombëtarët janë ftuar të marrin një rol të madh, për të pakësuar këto shqetësime,” ka thënë ai.


Një zëdhënës i OHR ka thënë për IWPR se regjistri i DKL do të ketë një seksion të informacionit publik dhe një të marrëdhënie me publikun, të ngjashme me gjykatën e Hagës, të cilat do të japin informacion rreth këtij organizmi mediave lokale dhe ndërkombëtare, dhe popullsisë në përgjithësi.


“Kjo zyrë do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e informacionit për përfaqësuesit e mediave, duke ruajtur kontaktet dhe bashkëpunimin me OJQ-të dhe institucione të tjera ndërkombëtare të cilat veprojnë në këto fusha,” ka thënë ai. “Dhe ajo që është më e rëndësishme, do të ofrojë një nivel efektiv shpërndarjeje të informacionit dhe mbështetje për ata të cilët do të jenë më të prekurit nga krijimi i DKL – viktimat dhe familjet e tyre”.


Dr. Jan Villem Honig, një lektor i vjetër i studimeve të luftës në Kolegjin Mbretëror në Londër mendon se DKL do të sjellë çështjen e krimeve të luftës në qendër të vëmendjes në vend më tepër se gjykata e Hagës. Megjithatë, ai paralajmëron se ky do të jetë një proces i ngadaltë.


“Për shkak se krimet e luftës janë relativisht të kohëve të fundit, emocionet janë ende të shumta, dhe kjo do të jetë një ndër arësyet që DKL do të përballet me sfida të mëdha,” ka thënë ai. “Por krijimi i DKL do ta bëjë procesin më të shpejtë dhe do t’u lejojë viktimave të ndjekin se çfarë po ndodh”.


Bogdan Ivanisheviq, një hetues me qendër në Beograd i cili punon për Human Rights Ëatch, është i të njëjtit mendim.


“Gjykata e Hagës jo vetëm që është larg fizikisht nga vendet ku janë kryer krimet dhe ku jetojnë komunitetet e interesuara, por ka edhe ndryshime në mentalitet,” ka thënë ai.


“Megjithatë, Sarajeva është jo shumë larg nga ku fillon Republika Srpska. Ndërsa serbët e Bosnjes nuk e konsiderojnë Sarajevën si ‘qytetin tonë’, shpresoj që mbulimi i mediave do të përmirësohet kur gazetat dhe mediat elektronike të transmetojnë punimet e DKL. Kjo do të shtojë nivelin e informimit për krimet e luftës si në RS ashtu edhe në Federatë.


“Ndërsa gjykata e Sarajevës ka këtë avantazh mbi atë të Hagës, do të jetë një sfidë e vështirë për të që të arrijë të fitojë besimin e të gjitha grupeve etnike dhe shumicës së banorëve në Bosnje Herzegovinë dhe Republika Srpska.


“Por kjo gjykatë do të ketë gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, dhe kjo mund të pakësojë mosbesimin që mund të ekzistojë”.


Michael Johnson, ish punonjës i zyrës së prokurorisë në gjykatën e Hagës dhe një prej themeluesve të gjykatës së krimeve të luftës në Ruandë, është emëruar në postin e regjistruesit dhe do të jetë përgjegjës për drejtimin e DKL. Ai është i bindur se gjykata e re do të përmbushë standarded ndërkombëtare.


“Zyra e regjistrimit do ti shërbejë sistemit të drejtësisë në Bosnje Herzegovinë,” ka thënë ai për IWPR gjatë një seminari trajnimi pak kohë më parë për punonjësit e sistemit të drejtësisë në Bosnje të organizuar nga Shoqata e Avokatëve AmerikanëçInisiativa Ligjore e Evropës Qendrore dhe Euroazisë, të mbajtur në Sarajevë më 14 dhe 15 tetor. “Ne kemi besim se standarded ndërkombëtare do të përmbushen”.


Në fjalimin e tij, regjistruesi i ri i DKL ka siguruar pjesëmarrësit në seminar se përfshirja e komunitetit ndërkombëtar nuk do të jetë e përherëshme.


“Ky është një bashkëpunim në të cilin komuniteti ndërkombëtar ka një rol më tepër mbështetës se sa drejtues,” ka thënë ai. “Ky projekt pesë vjeçar do të jetë në drejtimin e profesionistëve boshnjak nga vera e vitit 2006”.


NDRYSHIMI I QËNDRIMEVE


Përfshirja e komunitetit ndërkombëtar po shihet si tepër e rëndësishme në përpjekjet për të bindur njerëzit në Bosnje se shqetësimet në lidhje me paanshmërinë dhe ndershmërinë e gjyqeve të cilat do të zhvillohen së shpejti janë të pabazuara.


Kërcënimi i njëanshmërisë etnike – i cili ka qenë një problem i vazhdueshëm në gjyqet për krime lufte të mbajtura në Serbinë dhe Kroacinë fqinje – nuk është një problem i madh në Federatë, ku çështjet gjykohen nga një trup gjykues me përbërje të përzier etnike, por megjithatë mbeten dyshime për njëanshmërinë e gjykatave.


Megjithatë, shpresohet se pasi çështjet të transferohen nga Haga dhe të gjykohen nga një gjykatë e vendosur në Sarajevë, këto qëndrime do të fillojnë të ndryshojnë.


Në RS, problemet janë më të mprehta. Autoritetet në Banja Luka kanë paraqitur pak çështje penale dhe nuk kanë organizuar ende asnjë proces gjyqësor.


Dr. Hinig nga Kolegji Mbretëror në Londër thotë se disa ngjarje të kohëve të fundit – përfshirë kërkesën për falje nga qeveria e RS për vdekjen e 7,800 njerëzve në masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 – japin shpresë për një progress më të madh në të ardhmen.


“Ka pasur një zbutje të qëndrimeve,” ka thënë ai. “Unë e shikoj të mundëshëm arritjen e progresit dhe tani ka një farë bashkëpunimi. Nuk ekziston më ajo mbulesë kundërshtimi dhe mospranimi e së kaluarës. DKL mund të jetë një zgjidhje e mirë, por veprimtaria e saj do të jetë e vështirë. Nuk mund të pritet që të bëhen menjëherë hapa gjigande”.


Ivanisheviq nga Human Rights Ëatch është i të njëjtit mendimi: “Ekziston një mundësi që këto procese gjyqësore të kenë një rol edukues në shoqëri dhe një pasojë e cila do të çojë në një rishikim të plotë të së kaluarës, por kjo nuk do të jetë e lehtë.


“Duhet të mos harrojmë eksperiencën e pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani. Edhe pas procesit gjyqësor të Nurembergut, i cili parashtroi fajësinë e Nazistëve, në shoqërinë gjermane të asaj kohe ka pasur një kundërshtim të fuqishëm për të pranuar fajësinë, dhe kjo ndjenjë ka mbetur e fortë për një apo dy dhjetëvjeçarë”.


PROBLEMET PRAKTIKE


Një tjetër pengesë e mundëshme për punën e DKL-së është mungesa e burgjeve të përshtatëshme.


Planet ambicioze fillestare për të ndërtuar një qendër burgimi moderne – me një kosto prej rreth 20 milion euro – janë anulluar vitin e kaluar për shkak të mungesës së fondeve. Megjithëse në Sarajevë dhe rrethinat e saj ka disa burgje, të gjitha ato janë konsideruar të papërshtatëshme.


Strehimi i të burgosurve të dyshuar për krime lufte është një çështje veçanërisht e ndjeshme në Bosnjen shumë etnike. Për shembull, një musliman i Bosnjes i akuzuar për krime kundër serbëve nuk mund të mbahet i burgosur në një burg ku ka një shumicë të burgosurisht serbë, sepse jeta e tij mund të rrezikohet.


Duke lënë më një anë çështjet etnike, Këshilli i Evropës, KE, ka shprehur dyshime mbi kushtet e burgjeve ekzistuese, të cilat janë shumë nën standarded evropiane. KE ka thënë prej kohësh se nevojitet ndërtimi i një burgu të ri, në përputhje me reformat e kryera në sistemin e burgjeve.


Një qendër e përkohëshme ndalimi me 21 qeli e menduar për të strehuar vetëm të akuzuarit dhe të burgosurit e DKL-së – e cila është financuar nga ministritë e drejtësisë të shtetit të Bosnjes, Federatës dhe RS – po ndërtohet tani pranë ndërtesës së gjykatës në Sarajevë. Qeveria po kërkon fonde të tjera për një burg më të madh dhe modern nga donatorët e mundëshëm si BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Kryeprokurori Jurçeviq, duke folur gjatë seminarit trajnues të ABA-CEELI në tetor, ka thënë se ai do të dëshironte të organizohej një konferencë e donatorëve për të tërhequr financime për burgun e ri, sepse qeveria do ta ketë të vështirë pa ndihmën e tyre të sigurojë fondet e nevojëshme për një burg të cilësisë së lartë.


Pavarësisht këtyre shqetësimeve të vazhdueshme, në Sarajevë dhe Hagë vihet re një optimizëm i madh.


“Ajo që nevojitet është një qëndrim i ri ndaj sistemit të drejtësisë i cili të veprojë në interes të shoqërisë dhe jo të vetëm disa grupeve,” ka thënë McDovall. “Të gjitha këto janë probleme të rëndësishme, por ne përsëri jemi të vendosur për të nisur punën më 1 janar”.


MUNDËSIA PËR PAJTIM


Shumë njerëz mendojnë se ngritja e DKL është një hap i rëndësishëm drejt pajtimit, sepse thuhet se ky proces nuk mund të nisë vërtetë për sa kohë që nuk nxirren para drejtësisë një numër më i madh të dyshuarish për krime lufte.


“Nëse ju keni qenë një ndër viktimat, tani me siguri që do të dëshironi të shihni se fajtorët po dënohen – dhe jo që ai person të ecë lirisht në rrugë. Natyrisht që në rajon nuk do të ketë një pajtim të vërtetë nëse njerëzit nuk shohin më parë që po vendoset drejtësia,” thotë Judith Armatta nga Koalicioni për Drejtësi Ndërkombëtare.


Shpresohet se dënimi i më tepër fajtorëve do të ndihmojë në shkatërrimin e murit të mohimit i cili nuk lejon disa pjesë të shoqërisë boshnjake – veçanërisht serbët – të pranojnë të kaluarën.


Amor Masoviq, president i Komisionit për Gjetjen e Personave të Humbur dhe anëtar i Partisë për Veprim Demokratik, thotë se “Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve në Bosnje nuk janë ende të përgatitur të përballen me të vërtetën dhe të pranojnë krimet që janë kryer”.


Dizdareviq nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se “Gjykata do të përballet me presione të fuqishme nga nacionalistët nga të treja grupet etnike të cilët ngulin këmbë se ata kanë qenë viktimat; se ata kanë luftuar për të mbrojtur popullin e tyre dhe se në një luftë mbrojëse nuk mund të kryhen krime lufte”.


Barisa Colak, president i Bashkimit Demokratik Kroat në Bosnje, pranon se sigurimi i mbështetjes së njerëzve do të jetë i vështirë, por në fund të fundit do të jetë diçka tepër e rëndësishme.


“Ne duhet të përballemi me një eksperiencë e cila ka qenë tepër e rëndë për ne,” ka thënë ai. “Plagët janë ende të freskëta dhe do të duhet kohë për shëruar. Nëse ne arrijmë të përfundojmë me sukses gjyqet për krime lufte të kryera nga të gjitha etnitë, atëherë kjo do të në ndihmojë në procesin e pajtimit përfundimtar”.


Alison Freebairn është një redaktore e IWPR në Londër. Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IWPR në Bosnje. Beth Kampschror, një gazetare e pavarur e vendosur në Sarajevë; dhe Gordana Katana, korrespondente e radios Zëri i Amerikës në Banja Luka kanë kontribuar për këtë artikull.


Për më tepër hollësi rreth projektit të ri të IWPR për raportimin e krimeve të luftës në Bosnje, ju lutem kontaktoni drejtuesen e programit të IWPR në Bosnje Herzegovinë, Nerma Jelacic në adresën e email jelacic@media.ba


Frontline Updates
Support local journalists