Gjukanoviq i Kujdesshëm Për Çështjen e Pavarësisë

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq, thotë se ai nuk do të nxitohet për të thirrur një referendum për pavarësinë.

Gjukanoviq i Kujdesshëm Për Çështjen e Pavarësisë

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq, thotë se ai nuk do të nxitohet për të thirrur një referendum për pavarësinë.

Tuesday, 13 June, 2000
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

(BCR Nr.148, 13-qershor-00)


Sllobodan Rackoviq, SR: A mendoni akoma se Millosheviq mund të përpiqet për të vendosur gjendjen e jashtëzakonëshme në Mal të Zi?


Millo Gjukanoviq, MGJ: Kur jeton në të njëjtën shtëpi me Millosheviqin vetëm një person naiv mund të gjendet i papërgatitur. Ai është në gjendje të bëjë çdo gjë. Ai mund të përpiqet të vendosë një gjendje të jashtëzakonëshme në Mal të Zi, zyrtarisht ose jo, por jam i sigurtë se kjo përpjekje do të përfundojë me dështim, sepse ai nuk është aq i fortë sa të shkatërrojë vullnetin demokratik të Malit të Zi.


SR: Fitorja në zgjedhjet e 11 qershorit do t'ju lejonte të vazhdonit reformat dhe të përgatisnit terrenin për një referendum të mundshëm për pavarësinë.


MGJ: Unë nuk do të thoja se rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të përcaktonin sjelljen tonë në të ardhmen e afërt. Unë nuk besoj në ndryshimet spektakolare në skenën politike malazeze. Unë mendoj se ndryshimi do të ndodhë gradualisht, më ngadalë se sa do të donim ne. Ne nuk duhet të vonohemi në zbatimin e reformave, por, në të njëjtën kohë, duhet të respektojmë edhe ndarjet e mëdha që ekzistojnë në Mal të Zi.


SR: Pra, parashikimet tuaja se kriza jugosllave do të zgjidhet brenda fundit të vitit kanë qenë shumë optimiste?


MGJ: Unë mendoj se gjërat në thelb po zgjidhen. Këto janë zgjedhje të rëndësishme, sepse ne do të tregojmë se kemi arritur përparime. Së dyti, deri në fund të vitit do të jenë mbajtur zgjedhjet lokale në Serbi. Ato do të jenë një provë e rëndësishme për potencialin demokratik të Serbisë. Së treti, në fund të vitit do të kemi hyrë pa dyshim në muajt e fundit të mandatit presidencial të Millosheviqit.


SR: Kohët e fundit keni bërë thirrje për komunitetin ndërkombëtar që të mos insistojë më "në një Mal të Zi në kuadër të Jugosllavisë, një shtet me një të ardhme të dyshimtë." Si ka reaguar komuniteti ndërkombëtar ndaj kësaj thirrjeje?


MGJ: Komuniteti ndërkombëtar përpiqet të integrojë Ballkanin. Kjo është arsyeja që ai tani kundërshton çdo formë shpërbërjeje, sidomos nëse kjo shpërbërje, si në rastin e Jugosllavisë, mund të shkaktojë krijimin e një krize të re në Ballkan. Komuniteti ndërkombëtar dëshiron të inkurajojë zhvillimin e proceseve demokratike në Serbi.


Megjithatë ne nuk mund të sakrifikojmë interesat strategjike të shtetit tonë. Ne i kemi ofruar Serbisë një bashkim të rishikuar ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Që prej një viti Serbia e ka injoruar këtë ide. Nëse Serbia vazhdon të ngulë këmbë në ruajtjen e statuskuosë, unë mendoj se është normale për ne që t'i kërkojmë komunitetit ndrkombëtar që ata të pranojnë një ndryshim në statusin ligjor të shtetit të Malit të Zi.


Dhe, mbi të gjitha, kush mund të ketë të drejtën morale të kërkojë që Mali i Zi dhe malazezët të heqin dorë nga e ardhmja e tyre dhe të vazhdojnë të jetojnë në një komunitet me një të ardhme të dyshimtë.


SR: Shumë njerëz pyesin nëse Mali i Zi po fshihet pas garancive ushtarake të marra nga jashtë shtetit ndërsa vazhdon të flasë për ndarjen.


MGJ: Nëse shpërthen një konflikt jam i sigurtë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë spektator mënjanë. Një sulm ndaj Malit të Zi është sulm ndaj demokracisë, një sulm ndaj politikës së Paktit të Stabilitetit për Europën juglindore dhe si rrjedhojë një sulm ndaj Bashkimit Europian, Amerikës dhe Rusisë. Nëse dikush guxon të sulmojë të gjithë këta, atëherë ai duhet të jetë vërtetë gati të përballojë edhe pasojat.


SR: Ushtria jugosllave po e humbet gjithnjë e më shumë karakterin e saj jugosllav dhe qytetarët malazezë e konsiderojnë atë gjithnjë e më pak si të tyren. Po zvogëlohet numri i malazezëve në postet e saj drejtuese dhe ju praktikisht jeni përjashtuar nga Këshilli Suprem i Mbrojtjes.


MGJ: Unë jam përjashtuar nga Këshilli Suprem i Mbrojtjes që në dhjetor 1998! Ndërkohë ai organizëm nuk është mbledhur fare që prej asaj kohe. Millosheviq shpalli veten e tij komandant suprem dhe kështu i drejtohet atij edhe udhëheqja ushtarake. Kjo është e jashtëligjshme dhe anti-kushtetuese.


Në disa raste unë kam paralajmëruar udhëheqjen ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë se shumë shpejt do të vijë dita kur Millosheviq do të japë llogari për të gjitha. Të gjithë ata që e kanë ndihmuar të shkatërrojë kushtetutën e vendin dhe të kërcënojë jetën e njerëzve do të përgjigjen së bashku me të. Ushtria jugosllave është larguar nga detyrimet e saj kushtetuese dhe shpesh ngjason me një gardë private të Millosheviqit. Një numër i madh njerëzish në këtë republikë kanë filluar të dyshojnë nëse ia vlen të kemi një ushtri të tillë në Mal të Zi.


SR: A do të arrestohet Millosheviqi nëse viziton Malin e Zi?


MGJ: Ai është në listën e Gjykatës së Hagës. Megjithatë askush nuk po na kërkon të bëjmë një gjë e cila mund të dëmtojë rëndë stabilitetin në rajon. Kjo do të krijonte një problem më të madh për komunitetin ndërkombëtar.


SR: A pranoni se fatet e Kosovës dhe Malit të Zi janë të lidhur me njëri tjetrin?


MGJ: Jo aspak! Kosova ka qenë pjesë përbërëse e Serbisë që kur mbahet mend, ndërsa Mali i Zi është një shtet më vete.


Mali i Zi duhet të ketë të njëjtat të drejta si Serbia, si edhe të njëjtat të drejta me Slloveninë, Maqedoninë, Kroacinë dhe Bosnjen [si republika brenda ish-Jugosllavisë]. Kosova ndoshta duhet të mbetet në kuadrin e Serbisë, si një rajon me autonomi të zgjeruar.


Por Mali i Zi është një shtet i cili është bashkuar me Republikën Federale të Jugosllavisë me vullnetin e qytetarëve të tij dhe po ata qytetarë mund të vendosin për një status të ndryshëm kushtetues dhe ligjor.


SR: A rrezikoheni ju personalisht. Dhe në rast se po, në çfarë mase?


MGJ: Për fat të keq më duhet të them se tani rrezikohet siguria e të gjithëve për shkak të tejzgjatjes së krizës në Jugosllavi. Për sa më përket mua personalisht, unë jam krejtësisht i ndërgjegjshëm për hapat e mi politikë. Unë e di se kjo do të thotë të nisësh një konflikt interesash me ata që janë të mësuar të kenë një Mal të Zi pa dinjitet dhe të përulur. Unë as nuk mundem dhe as nuk dua të kthehem prapa!


Sllobodan Rackoviq është gazetar i agjencisë së lajmeve STINA në Split.


Frontline Updates
Support local journalists