GJENERALI BRITANIK LIDH MILLOSHEVIQIN ME NGJARJET E SREBRENICËS

Dëshmia mund të përforcojë thëniet se Millosheviq ka pasur pushtet dhe ka dhënë urdhëra serbëve të Bosnjes.

GJENERALI BRITANIK LIDH MILLOSHEVIQIN ME NGJARJET E SREBRENICËS

Dëshmia mund të përforcojë thëniet se Millosheviq ka pasur pushtet dhe ka dhënë urdhëra serbëve të Bosnjes.

Gjenerali britanik Rupert Smith ka thënë para gjykatës së Hagës këtë javë se ai mendonte se Sllobodan Millosheviq ka pasur dijeni për vrasjet në Srebrenica në korrik 1995.


Smith, oficeri drejtues i forcave të OKB-së në Bosnje Herzegovinë në kohën e rënies së enklavës, ka thënë në një seancë të gjyqit ndaj Millosheviq më 9 tetor se kjo bindje ishte krijuar pas një takimi që ai ka pasur me të pandehurin, të dërguarin e BE Carl Bildt dhe komandantin e forcave të serbëve të Bosnjes, gjeneralin Ratko Mlladiq.


Në atë mbledhje, në një shtëpi gjuetie pranë Beogradit, më 15 korrik, 1995, Smith ka thënë se ai ka arritur në përfundimin se Millosheviq kishte dijeni për masakrën që po kryhej në Srebrenica: "Ai duhet të dinte sepse… ai kishte atje Mlladiq".


Dëshmitari ka thënë për gjykatën se ishte e qartë se Millosheviq ishte drejtuesi i Mlladiq: "Millosheviq i tha Mlladiq të fliste me mua dhe të zgjidhte cështjen e pengjeve Hollandeze dhe të lejonte Kryqin e Kuq dhe UNHCR të takonte të burgosurit".


Kjo dëshmi mund të jetë një mbështetje e fuqishme për prokurorët, ndoshta duke bllokuar cdo përpjekje nga Millosheviq për të thënë se ai nuk ka pasur dijeni rreth vrasjeve në Srebrenica.


Dhe kjo dëshmi me siguri do të përforcojë thëniet e prokurorëve se Millosheviq ka urdhëruar forcat e serbëve të Bosnjes.


Gjatë seancës së pyetjeve, Millosheviq e ka pyetur gjeneralin "A mendoni se Mlladiq kishte dijeni në atë kohë për vrasjet në Srebrenica?". "Po." Ka thënë Smith. Më pas i pandehuri ka thënë "A mendoni se nderi i tij i ushtarakut do ta lejonte atë të toleronte vrasjet e robërve të luftës?" "Po," ka qenë përgjigja.


Smith ka thënë se ai fillimisht ka zbuluar se forcat serbe po planifikonin të sulmonin Srebrenicën gjatë një takimi me Mlladiq në prill 1995.


"Ai mendonte se OKB duhet të tërhiqte pikat e saj të kontrollit duke lejuar serbët të përdornin rrugët të cilat ishin të rëndësishme për ta," ka thënë Smith.


Në dëshminë e tij, pjesa më e madhe e së cilës është dhënë me shkrim, Smith treguar para gjykatës rreth vendimit të tij në gusht 1995, pas bombardimit të dytë të tregut Markale në Sarajevo, për të thirrur sulmet ajrore të NATO-s ndaj serbëve të Bosnjes.


Smith ka thënë se OKB nisi një hetim mbi shpërthimin në tregun e Sarajevos. Pas analizës së kraterit të shkaktuar nga shpërthimi dhe informacioneve të marra nga pikat e vëzhgimit të OKB-së rreth Sarajevos në lidhje me trajektoren e predhës, Smith ka marrë vendimin për të ndëshkuar serbët e Bosnjes. "Nuk kishte asnjë dyshim se predha kishte ardhur nga pozicionet e serbëve të Bosnjes," ka thënë dëshmitari.


Emir Suljagiq është një i dërguar i IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists