Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Gazetaria Serbe në Gjyq

Arrestimi i Miroslav Filipoviq është pjesë e një fushate të organizuar nga autoritetet për të etiketuar të gjithë gazetarët e pavarur si mercenarë dhe spiunë të të huajve.
By Anthony Borden

Miroslav Filipoviq, 49 vjeç, duket një njeri modest. Një jugosllav i shkollës së vjetër, ai jeton në një qytet në Serbinë jugore dhe ka punuar si gazetar gjatë gjithë periudhës së errët të komunizmit.


Ai ka shkruajtur një libër për impaktin social të prodhimit të avionëve në Kraljevo nga viti 1926 deri në 1944 dhe ka ndihmuar në grumbullimin e ushqimeve dhe ndihmave të tjera për qytetin e tij pas fushatës së bombardimeve të NATO-s. Është i martuar dhe ka dy fëmijë, të cilët po studiojnë të bëhen gazetarë si babai i tyre.


Por papritmas ai është gjendur në burg duke pritur vendimin e një gjykate ushtarake nëse do të gjykohet apo jo për spiunazh.


Autoritetet e Beogradit nuk kanë komentuar, por arsyeja e ndalimit të tij më 8 maj ishte e qartë. Gjatë muajve të kaluar kjo figurë e qetë ka qenë në qendër të vëmendjes së gazetarisë. Në një sërë artikujsh për Institutin për Raportimin e Luftës dhe Paqes ai e ka përqëndruar vëmendjen në pjesën kryesore të institucioneve jugosllave: shërbimet ushtarake dhe ato të sigurimit.


Ai ka bërë të ditur mbi krimet e kryera nga Ushtria Jugosllave në Kosovë nëpërmjet gojës së vetë ushtarëve, duke përshkruar historitë e tyre - dhe pendesën e tyre. Në një raport të zgjeruar ai ka njoftuar për përforcimet ushtarake jo në Malin e Zi, ku kjo është një gjë e pritshme, por në Sanxhak, territor serb me shumicë të popullsisë myslimane.


Një artikull tjetër jepte me detaje përpjekjet e policisë për të futur fshehtazi policë dhe individë të tjerë të armatosur në Kosovë. Një njoftim i kohëve të fundit fliste për vendimin e tre gjeneralëve të lartë të ushtrisë për t'u larguar nga institucioni politik i Beogradit dhe për t'u bashkuar me drejtuesin malazez Milo Gjukanoviq.


Por - megjithëse regjimi nuk i kushton vëmendje kësaj - Filipoviq ka njoftuar gjithashtu edhe për gjendjen e serbëve, si të atyre që kanë mbetur në Kosovë nën presionin e radikalëve shqiptarë ashtu edhe të refugjatëve nga Kosova që kanë mbërritur në Serbi dhe që nuk kanë patur asnjë vëmendje nga autoritetet.


Këto artikuj kanë treguar natyrën e vërtetë të institucionit në Beograd - nëpërmjet vetë atij. Njoftimet e Filipoviqit kanë qenë të karakterizuara nga thellësia e burimeve të tij në rradhët e ushtrisë dhe shërbimeve të sigurimit. Këto nuk kanë qenë spekulime apo qëndrime politike. Ai ka treguar me gjakftohtësi për këto ngjarje.


Filipoviq ka treguar edhe ndarjet në rradhët e regjimit, jo vetëm ndërmjet gjeneralëve të larguar, por edhe ndërmjet ushtarëve. Edhe në rradhët e atyre që kryejnë politikën jugosllave ka një mosaprovim të madh.


Është e rëndësishme që vetë Filipoviq tregon ndarjet brenda Serbisë. Kolegë të cilët kanë punuar me të thonë se vendosmëria e tij për të vazhduar punën e tij kurajoze - edhe pasi është paralajmëruar - mbështetet në mosaprovimin e tij të veprimeve të qeverisë gjoja në emër të qytetarëve të saj. Filipoviq e ka konsideruar gazetarinë e tij të guximshme si shprehjen e patriotizmit të tij - në të mirë të vendit që ka shkuar në drejtim të gabuar.


Demonstratat masive të kohëve të fundit në Serbi konfirmojnë se ai nuk është vetëm. Ka pasur edhe shumë arrestime të tjera - kryesisht ndalime të përkohshme - dhe TV i opozitës Studio B dhe radio e pavarur B2-92 janë detyruar të ndërpresin përkohësisht transmetimet e tyre. Hetimet për krimet e luftës nga Zheljko Kopanja i së përditshmes serbe të Bosnjes Nezavisne Novine - për të cilat ai humbi këmbët e tij në një sulm me bombë ndaj makinës së tij - janë gjithashtu një nga provat e mëdha të kësaj fryme.


Gjatë fushatës së bombardimeve, Slavko Curuvija, redaktor i Dnevni Telegraf i cili i kishte bërë një sulm të ashpër Millosheviqit, është vrarë përpara shtëpisë së tij. Por, me seriozitetin e punës së tij dhe qartësinë me të cilën Filipoviq kishte shkruar për çështjet kryesore në Serbi, natyrisht që ai është shquar.


Pastaj në një moment ai është përballur me një burgim të gjatë, deri në 15 vjet. Të hënën anëtarë të shërbimit të sigurimit të shtetit e kanë marrë atë nga shtëpia, duke marrë edhe kompjuterin e tij, një dosje me dokumenta, ditarin dhe librin e adresave dhe pasaportën e tij. Të mërkurën, më 10 Maj, gjykata e Kraljevos ia ka paraqitur çështjen prokurorit ushtarak në Nish për të vendosur nëse do të hapet një çështje hetimore për spiunazh.


Denoncimi i prokurorit ka cituar në mënyrë specifike artikujt e fundit të Filipoviqit, të gjitha të shkruajtura për IWPR-në. Filipoviq ka konfirmuar se gjatë seancës gjyqësore para gjykatësit hetues ishte e qartë se ai do të akuzohej për spiunazh, me shpjegimin se që prej tetorit 1999 ai ishte i përfshirë në "mbledhjen e informacionit të rëndësishëm për mbrojtjen e vendit dhe se ia transmetonte atë një organizate të huaj të specializuar në spiunazh" - pra, IWPR-së. Këto shkrime, ka deklaruar hetuesi, "kanë dëmtuar mbrojtjen e vendit".


Rasti i Filipoviq ka tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Së bashku me IWPR-në, ai kontribuon edhe për Agjencinë Franceze të Lajmeve dhe të përditshmen e Beogradit Danas. Filipoviq ështe edhe bashkëpunëtor i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për të cilin ai ka përgatitur një raport të rëndësishëm për gjendjen në Sanxhak. Një peticion i Danas ku shprehej përkrahja për të është qarkulluar menjëherë ndërmjet gazetarëve në Beograd, ndërsa Partia Demokratike ka bërë një deklaratë të ashpër, ku ka thënë se ai ishte rrëmbyer nga paraushtarakët. Ka patur një rrezik në këtë deklarim: profili i tij gazetaresk ka qenë më shumë i pavarur se sa i përfshirë politikisht drejtëpërdrejtë.


Rasti i tij tregon edhe mungesën e çdo presioni të jashtëm. "Ne nuk kemi shumë fuqi tani ndaj Millosheviqit", është një koment që e kam dëgjuar shpesh nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Britanisë, Bashkimit Europian dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.


Kolegët në Beograd frikësohen se prokuroria mund të shfrytëzojë marrëdhëniet e Filipoviq me një organizatë ndërkombëtare në mbështetje të medias (IWPR-ja është një organizatë bamirësie e regjistruar në Britaninë e Madhe) për të theksuar se ai është një agjent i huaj që punon me paratë perëndimore për të rrëzuar regjimin.


Ky rast ndodh dy muaj pas fillimit të një fushate intensive të autoriteteve për të quajtur median e pavarur (e cila natyrisht mbështetet në ndihmën e huaj) si mercenare të huaj. Ka patur shqetësim se qeveria do ta përdorte këtë rast për të "provuar" - veçanërisht për ata banorë të zonave fshatare të vendit - se të gjithë gazetarët e pavarur janë spiunë.


Por ky rast duhet të shtojë edhe përpjekjet për të mbështetur shoqërinë e pavarur si edhe opozitën demokratike në Serbi. Shumë kanë folur në mënyrë të përgjithshme kundër presidentit jugosllav. Por në thellësinë e raporteve të tij dhe me saktësinë e kritikave të tij, Filipoviq veçohet si një nga disidentët e parë të Jugosllavisë, në periudhën pas krizës në Kosovë. Ky është pikërisht shpirti që përfaqëson pjesën më të mirë të Serbisë dhe që provon se shoqëria në fund të fundit mund të ndryshojë.


Në këtë rast gjykata ushtarake e ka tërhequr këtë akuzë. Më 12 maj prokurori, mesa duket duke përfunduar se ai nuk kishte prova të mjaftueshme për të provuar akuzat për spiunazh, ka urdhëruar lirimin e Filipoviqit. Kjo lëvizje mund të ilustrojë edhe ndarjen që ekziston në rradhët e pushtetit, ndërsa krahët ushtarak dhe civil të strukturave shtetërore përpiqen të vendosin se do të zgjidhin problemin e kundërshtimit të regjimit dhe Filipoviq e të tjerët janë në mes të kësaj lufte.


"Unë hedh poshtë çdo mundësi që të kem kryer aktin kriminal të spiunazhit," ka thënë Filipoviq pas lirimit të tij. "Nëse dikush përfshihet në një aktivitet të tillë, ai person nuk do të botonte kurrë informacionin duke përdorur emrin e tij të plotë." Artikujt e tij mund të gjehen lirisht në rrjet.


Pavarësisht nga lirimi i tij, ai akoma nuk mund të jetë i qetë. Kur IWPR-ja ka telefonuar në shtëpinë e tij për të lajmëruar familjen se ai do të lirohej së shpejti, gruaja e tij Slavica ka reaguar e shokuar dhe pastaj me zërin që i dridhej ka pyetur: "A ka mbaruar kjo histori? Apo mund ta arrestojnë përsëri në Kraljevo?"


Në fakt, avokatët e tij kanë ndaluar një konferencë për shtyp pas lirimit të tij në Beograd deri sa ata të jenë të sigurtë se mund të konfirmojnë që nuk do të ngrihen akuza të tjera ndaj tij. Është shumë e mundur që gjykata e rrethit të Kraljevos të ngrejë akuza, ndoshta në bazë të ligjit për informacionin, se ka shpërndarë "gënjeshtra", të cilat do të rezultonin në gjoba të rënda personale. Filipoviq për momentin është i lirë, por media në Serbi është akoma e shtypur.


Antoni Borden është drejtor ekzekutiv i Institutit për Raportimin e Luftës dhe Paqes.