Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Gazetarët e Mostarit Përshëndesin Kolegët e Vrarë

Gazetarët vendas në qytetin boshnjak të Mostarit kujtojnë me respekt ish-kolegët e tyre, Migel Gil Moreno de Mora dhe Kurt Shork, të cilët kanë humbur jetën duke mbuluar luftën në Sierra Leone.
By Mirsad Behram

Lajmi i vdekjes së Migel Gil Moreno de Mora dhe Kurt Shork në Sierra Leone u ka rënë si bombë gazetarëve në Mostar.


Dy gazetarët, të cilët kanë vdekur në një pritë të rebelëve javën e kaluar, kishin punuar në qytet gjatë luftës në Bosnje në fillim të viteve 90-të. Ata kanë raportuar mbi luftimet ndërmjet serbëve dhe myslimanëve dhe më pas myslimanëve dhe kroatëve.


"Ne ndjejmë keqardhje për vdekjen e dy kolegëve, të cilët kanë qenë në Mostar gjatë luftimeve më të ashpra duke i treguar me ndershmëri botës për konfliktin," thuhej në një deklaratë të degës së Bashkimit Profesional dhe të Gazetarëve të Pavarur të Bosnje Herzegovinës për qytetin e Mostarit.


Gazetarët e Mostarit janë prekur veçanërisht nga vdekja e Migelit. Me kameran e tij ai ka regjistruar çdo detaj të vuajtjeve të kaluara nga popullsia gjatë atyre viteve të vështira. "Ne të gjithë e kujtojmë Migelin," thotë Alija Behram, kryeredaktor i Radio Televizionit të Mostarit.


Gjatë rrethimit të pjesës lindore të qytetit - të banuar kryesisht nga boshnjakët - ndërtesa e TV, thotë Behram, ishte një farë "baze për të gjithë gazetarët të cilët erdhën në Mostar për të raportuar. Migel vazhdimisht bënte pyetje, ai ishte i etur për informacion me qëllim që të mund të kuptonte çdo gjë që ndodhte në Mostar. Ai ishte njeri miqësor.


"Ai kalonte kohën me njerëz të zakonshëm, të cilët po ndjenin tmerrin e Mostarit duke u përpjekur të mbijetonin, duke marrë një pikë ujë apo pak ushqim të konservuar."


Migel kujtohet në Mostar si një njeri i vendosur, i dedikuar ndaj profesionit të tij. Pjesa lindore e Mostarit ka qenë pothuajse krejtësisht e izoluar nga forcat kroate që nga muaji maj 1993 deri në prill 1994. Përveç bombardimeve të përditshme, popullsia mbeti edhe pa ushqime, ujë, ilaçe, ngrohje dhe energji elektrike.


Migel thoshte shpesh se e kishte të vështirë të arrinte në pjesën lindore të qytetit. Në një rast, ndërsa po përpiqej të kalonte një pikë kontrolli të policisë kroate, ai u rrah dhe mori edhe një plagë. Ai arriti të mbërrinte në qytet me motorin e tij. Të gjithë u habitën. Nuk kishte asnjë mjet tjetër në rrugë.


Banorët e Mostarit mendojnë se njerezit si Migel dhe Kurt kanë ndihmuar në informimin e botës për rrethimin e qytetit dhe shkatërrimin e urës së tij historike, e cila lidhte Mostarin lindor me atë perëndimor.


Shumë njerëz mendojnë se njoftimet e tyre kanë ndihmuar në krijimin e presionit publik i cili i detyroi politikanët t'i jepnin fund luftës.


"Ne do të kujtojmë Kurt Shork dhe Migel Moreno si miq të mire, vdekja e të cilëve na tronditi e dëshpëroi edhe ne," thuhej në një deklaratë të bashkimit të gazetarëve të Mostarit. "Të dashur kolegë dhe miq - gazetarët e Mostarit ju nderojnë dhe ju shprehin mirënjohjen më të madhe."


Mirsad Behram është gazetar në Radio Televizionin e Mostarit.