Fytyra e Ndryshuar në Republika Srpska

Serbët e Bosnjes kanë filluar të lënë mënjanë urrejtjen dhe stereotipet e ekzagjeruara që kanë ushqyer luftën.

Fytyra e Ndryshuar në Republika Srpska

Serbët e Bosnjes kanë filluar të lënë mënjanë urrejtjen dhe stereotipet e ekzagjeruara që kanë ushqyer luftën.

Në orët e para të mëngjesit, këngët e Ceca, Dragana Mirkoviq, apo të ndonjë nga yjet e shumta të muzikës popullore serbe dëgjohen nga klubet e natës të mbushura plot në Banja Luka.


Që prej luftës së 1992-1995 ky qytet në pjesën serbe të Bosnjes banohet kryesisht nga serbë. Banja Luka, një qytet me shumë gjelbërim dhe i krijuar që nga koha e Habsburgëve, është edhe kryeqyteti i entitetit të serbëve të Bosnjes. Banorët e këtushëm njohin çdo këngë popullore nga Serbia, çdo futbollist të ekipit të Yllit të Kuq të Beogradit dhe nëpër martesa valëvisin me krenari flamurin serb blu-bardh-kuq. Sinjalet televizive, tregtia kontrabandë dhe jo më pak edhe influenca politike i kalojnë kufinjtë perëndimorë të Serbisë.


Serbët e Bosnjes ruajnë lidhje të forta me Serbinë fqinje, megjithëse marrëveshja e vitit 1995 në Dejton i ka shkatërruar shpresat e tyre për t'u bashkuar me shtetin jugosllav. Megjithëse mund të ketë qenë një çmim ngushëllues, serbët e Bosnjes ruajnë me xhelozi ekzistencën e Republika Srpska dhe autonominë e saj të përcaktuar ligjërisht brenda Bosnjes.


Shumica e 1,5 milion serbëve ortodoksë të Bosnjes kanë pranuar, megjithëse jo me shumë bindje, se ata do të mbeten pjesë e Bosnjes për të ardhmen e parashikueshme. Megjithatë çështjet e lidhura me kauzën kombëtare serbe dominojnë debatin politik këtu dhe kanë penguar zbatimin e procesit të paqes që po zgjat që prej katër vjet e gjysmë dhe ka kushtuar miliarda dollarë.


Në çdo zgjedhje votuesit serbë të Bosnjes u kanë dhënë fitoren partive nacionaliste ekstremiste, drejtuesit e të cilave janë të akuzuar për krime lufte apo shkarkohen rregullisht nga kryeadministratorët e misionit ndërkombëtar të paqes për shkak të pengimit që i bëjnë këtij procesi.


Zgjedhjet lokale të 8 prillit kanë përfunduar me fitoren në të gjithë territorin e Republika Srpska të ish-partisë së drejtuesit të luftës Radovan Karaxhiq, i cili është person i kërkuar nga Gjykata për krimet e luftës në Hagë. Pavarësisht sfidës më të fortë të partive të moderuara serbe, Partia Demokratike Serbe, SDS, ka fituar shumicën e votave në 52 nga 61 bashkitë, rezultat i cili konsiderohet nga shumë njerëz si një goditje për përpjekjet ndërkombëtare këtu.


"Idea e një shteti serb në Bosnje Herzegovinë në të vërtetë nuk ka vdekur kurrë," shpjegon Pedrag Bauoviq, konsulent lokal i medias. "Koncepti i Bosnjes si një vend i bashkuar në të vërtetë këtu nuk ka zënë kurrë rrënjë. Tani kemi një periudhë tranzicioni ku Serbët në Bosnje po përpiqen të kuptojnë se çfarë duan të bëjnë."


Elita politike e entitetit serb ka kundërshtuar përpjekjet ndërkombëtare për paqe pothuajse në çdo hap. Nacionalistët e linjës së ashpër kanë bllokuar apo ndaluar iniciativat ndërkombëtare për të bashkuar dy gjysmat e Bosnjes nëpërmjet institucioneve të përbashkëta drejtuese, tregtisë së lirë dhe udhëtimit dhe një monedhe të përbashkët. Por edhe qeveria e moderuar e kryeministrit Milorad Dodik, e zgjedhur nga komuniteti ndërkombëtar, ka vonuar nisjen e reformave të rëndësishme.


"Dodik ka bërë shumë më pak se sa kishte premtuar," thotë Xhim Huper, koordinator për Ballkanin i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, organizatë ndërkombëtare. "Elita politike e serbëve të Bosnjes ka zbatuar vetëm ato që komuniteti ndërkombëtar i ka detyruar të bëjnë."


Megjithatë gjendja ka ndryshim krahasuar me pesë vjet më parë në periudhën menjëherë pas luftës. Tanimë ekziston një media e pavarur tepër e zhvilluar, ndërsa televizioni shtetëror, nën vëzhgimin e komunitetit ndërkombëtar, ka qetësuar ndjeshëm tonet e tij. Makina private, autobusë publik dhe kamionë kalojnë nëpër kufinj pa probleme. Ekipet e basketbollit dhe futbollit tani luajnë rregullisht me kundërshtarët e tyre nga entiteti tjetër. Dhe përsa i përket qëndrimeve individuale, serbët e Bosnjes kanë filluar të lënë pas shpine urrejtjen dhe stereotipet e ekzagjeruara që kanë ushqyer luftën.


Shumë nga armiqësia fillestare ndaj paqeruajtësve ndërkombëtarë është zhdukur. Huper thotë se një shpjegim për këtë situatë mund të jetë se ushtria e dobësuar e serbëve të Bosnjes po i përdor gjithnjë e më tepër forcat e drejtuara nga NATO-ja si një mburojë mbrojtëse. "Për ironi të fatit serbët e Bosnjes mbështeten tek komuniteti ndërkombëtar për t'u ofruar siguri," thotë ai.


Edhe politikanët e linjës më të ashpër, si ata të SDS-së, tani e pranojnë procesin e paqes, përfshirë edhe pjesëmarrjen e serbëve në shtetin boshnjak. Një arsye e rëndësishme për këtë ndryshim të qëndrimit është vendimi ndërkombëtar që ndalon partitë që kundërshtojnë procesin e paqes të marrin pjesë në zgjedhje. Gjatë vitit të fundit administratorët ndërkombëtarë të misionit të paqes kanë lëvizur nga postet e tyre zyrtare disa autoritete serbe dhe kanë ndaluar disa parti politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.


Toni i ri bashkëpunues i nacionalistëve ka inkurajuar disa kritikë por nuk ka ndryshuar asgjë për disa të tjerë. "Ata natyrisht nuk mund të ndryshojnë brenda natës," thotë Natasha Tesanoviq, drejtore e Televizionit Alternativa të pavarur. "Është fakt që ata janë gjithnjë nën vëzhgimin e komunitetit ndërkombëtar. Një hap i gabuar dhe mund të largohesh nga skena politike. Mendoj se ata e kuptojnë këtë gjë."


Gjatë tre vjetëve të fundit politikanë të tjerë të moderuar kanë dalë në skenë duke sfiduar nacionalistët e linjës së ashpër, reputacioni i të cilëve është dëmtuar rëndë nga korrupsioni dhe kontrabanda. Por ndërsa komunistët e reformuar, partitë social demokrate dhe nacionaliste të moderuara kanë fituar terren, ata akoma janë shumë pas përkrahësve të linjës së ashpër.


"Të gjitha partitë këtu janë pak apo shumë nacionaliste," thotë Bauoviq. "Shqetësimi i tyre kryesor është Republika Srpska, mbrojtja e interesave serbe në Bosnje. Të moderuarit përpiqen të theksojnë se kjo duhet bërë në kuadrin e Bosnjes dhe se Serbia është një shtet tjetër. Por ama ekziston një shqetësim i përbashkët, ai serb."


Trashëgimia e luftës mbetet një çështje e ndjeshme dhe emocionale. Shumë serbë të Bosnjes e justifikojnë "luftën për mëmëdheun" si të drejtë dhe të nevojshme, si një masë mbrojtëse për të shpëtuar serbët nga një shtet islamik remineshencë e sundimit otoman turk nën të cilin serbët kanë vuajtur për shekuj. Serbët në mënyrë të paevitueshme e konsiderojnë veten si viktima: të luftës, të spastrimit etnik, dhe të komploteve ndërkombëtare. Bota është e ndarë në vende që janë "pro-serb" si Rusia dhe Greqia dhe armiq të kombit të tyre, si SHBA, Gjermania dhe Turqia.


Një nga çështjet më problematike është rikthimi i muslimanëve të Bosnjes dhe kroatëve që janë refugjatë, një parim kryesor i marrëveshjes së paqes. Deri më tani, vetëm një numër i vogël refugjatësh janë rikthyer. Me rradhë zyrtarët e entiteteve përpiqen të bllokojnë apo vonojnë procesin dhe të motivojnë politikisht dhunën kundër të kthyerve.


"Gjatë luftës njerëzit kanë luftuar për të drejtat e tyre dhe për pavarësi me kombësitë e tjera," thotë Vesna Ljubiçiq, një 21 vjeçare studente e fakultetit ekonomik. "Dhe tani ata po kthehen. Ne do të kemi të njëjtën situatë si përpara luftës. Pra, përse u deshën gjithë ato viktima?"


"E njëjta gjë, apo në shumicën e rasteve njëlloj, po ata njerëz janë në pushtet," thotë Franjo Komarica, peshkopi katolik i Banja Lukas, aktivist i shquar i të drejtave të njeriut në rajon. "Nuk është fare për t'u habitur që ata kundërshtojnë rikthimin e refugjatëve. Tani ata po thonë ato që do të dëgjojë komuniteti ndërkombëtar me qëllim që të marrin paratë, por nuk bëjnë asgjë."


Zyrtarët ndërkombëtarë vlerësojnë se akoma ekzistojnë lidhje të forta politike ndërmjet presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq dhe politikanëve kryesorë serbë të Bosnjes, veçanërisht atyre të SDS-së. Shumica e serbëve të Bosnjes nuk kanë ndonjë dashuri për Millosheviqin, të cilin e akuzojnë se i ka shitur ata në Dejton. Por, me ose pa Millosheviqin, Beogradi mbetet pika e tyre e orientimit. Dhe përsa kohë që Millosheviqi kontrollon fijet në Republika Srpska, administratorët ndërkombëtarë këtu e kuptojnë se ata përballen më një luftë të vështirë.


Pol Hokenos është gazetar i vendosur në Berlin dhe autor i cili ka mbuluar për shumë vjet Europën Qendrore dhe Ballkanin.


Frontline Updates
Support local journalists