Fundi i epokës së Tugjman

Kroacia i kthen shpinën epokës së Tugjmanit ndërsa votuesit zgjedhin njërin prej kritikëve më të ashpër të presidentit të fundit për ta zëvendësuar atë.

Fundi i epokës së Tugjman

Kroacia i kthen shpinën epokës së Tugjmanit ndërsa votuesit zgjedhin njërin prej kritikëve më të ashpër të presidentit të fundit për ta zëvendësuar atë.

Tuesday, 8 February, 2000

Presidenti i ri i Kroacisë, Stipe Mesiq, ka arritur pikën më të lartë të pushtetit në dy shtete të ndryshme.


I cilësuar si një konkurent i dobët në fillimin e garës presidenciale në Kroaci, Mesiq ka arritur të hënën një fitore të bujshme me mbi 13 përqind të votave më shumë se rivali i tij në raundin e dytë, Drazen Budisa.


Për një periudhë të shkurtër në vitin 1991, ai ka qenë president i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), e cila nuk ekziston më.


Ai e trashëgon presidencën Kroate nga Franjo Tugjman - i cili ka drejtuar vendin që nga krijimi i tij deri në vdekjen e tij ne fund të vitit të kaluar. Por Mesiq premton të jetë një president tepër i ndryshëm nga paraardhësi i tij.


Politikani 65 vjeçar, me flokë të rënë dhe një mjekër të thinjur, mund t'ia atribuojë suksesin e tij elektoral dy gjërave: nga të gjithë kandidatët e tjerë ai i ngjante më pak Tugjmanit dhe gjatë gjithë fushatës ai ka sulmuar të ashtuquajturin "lobi i Herzegovinës" të përbërë nga miqtë e privilegjuar të presidentit të fundit.


Ky lob i Herzegovinës përfshin një grup njerëzish me influencë me origjinë nga Herzegovina, rajoni i banuar kryesisht nga kroatët në Bosnie dhe Herzegovinë. Për vite me rradhë, ky grup ka zbatuar urdhërat e Tugjmanit, duke marrë në këmbim shpërblime financiare dhe privilegje sociale. Deri në fund, Tugjman i qëndroi besnik idesë për ndarjen e Bosnies dhe aneksimin e Herzegovinës.


Mesiq ka lindur më 24 Dhjetor 1934 në qytetin Orahovica në Sllavoni, rreth 200 kilometra në lindje të Zagrebit. Ai filloi studimet në fakultetin juridik të universitetit të Zagrebit dhe hyri në politike gjatë periudhës së studimeve, duke u bërë një udhëheqës i njohur studentor. Pas diplomimit, Mesiq u bë kryetar i bashkisë së Orahovicas.


Në vitin 1971, Mesiq mori pjesë në "pranverën kroate" - një lëvizje disidente e konsideruar nga autoritetet jugosllave, nën udhëheqjen e Josip Broz Tito, si rilindja e nacionalizmit dhe ustashizmit kroat, lëvizja famëkeqe fashiste e cila u bë aleate e nazistëve gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.


Mesiq është arrestuar dhe ka vuajtur një vit burg - një fat të njëjtë me disa politikanë të rëndësishëm kroatë, përfshirë edhe Budishën.


Si shumë politikanë në Kroaci, Mesiq ka qenë anëtar i partisë komuniste - partia e vetme politike në RSFJ. Pas zgjedhjeve të para shumë partiake në prill të vitit 1990, ai u bashkua me Bashkimin Demokratik Kroat të Tugjmanit, megjithëse pati nje farë hezitimi.


Fillimisht, Mesiq pati besimin e Tugjmanit. Ai u bë kryeministri i parë i qeverisë kroate para se të merrte postin e përfaqësuesit kroat në presidencën me sistem rotativ të Jugosllavisë në Beograd.


Por në vitin 1994, Mesiq u largua nga Tugjman për shkak të politikës agresive të këtij të fundit në Bosnie. Ai u shkarkua nga posti i tij si kryetar i parlamentit kroat, duke u bashkuar më vonë me Josip Manoliq dhe një grup politikanësh të tjerë të dalë nga HDZ, për të krijuar një parti të re - atë të Kroatëve të Pavarur Demokrat. Më pas, më 1997 Mesiq ndërroi përsëri parti, duke u bashkuar me Partinë Popullore Kroate.


Mesiq është konsideruar si një njeri i qetë, pa pretendime dhe pranë njerëzve të thjeshtë. Ai është i njohur për shakatë e tij dhe për humorin, një stil tepër i ndryshëm nga ai i Tugjmanit tepër serioz dhe strikt. Mesiq - kandidati i "Opozitës së të Katërve" - një koalicion që përfshin Partinë Fshatare Kroate, Partinë Popullore Kroate, Partinë Liberale dhe Asamblenë Demokratike të Istrias - nuk e vë theksin mbi historinë dhe mitet nacionale kroate.


Megjithatë, Budisha, udhëheqës i Partisë Kroate Social-Liberale (HSLS), ka qenë i pafat, sepse sjellja e tij, mënyra e të folurit, dhe ndonjëherë edhe qëndrimi i tij të kujtonin ato të Tugjmanit. Duket se ky ndryshim në personalitet ka qenë faktori kryesor i fitores së Mesiq.


Programet e paraqitura nga të dy kandidatët kanë qenë tepër të ngjashme - një zvogëlim i pushtetit të presidentit, transferimin e qeverisjes në duart e parlamentit dhe dhënien fund të stilit luksoz të jetesës që ka mbizoteruar në presidencën e Tugjmanit.


Megjithatë, programet e ngjashme nuk kanë zvogëluar kompeticionin për të fituar votat. Ndonjëherë fushata ka qenë edhe e ashpër dhe jo shumë e ndershme. Disa anëtarë të Partisë Social Demokrate kanë deklaruar se një fitore e Mesiq mund të rrezikonte përmbushjen e premtimeve paraelektorale të bëra nga koalicioni i ri qeveritar, i kryesuar nga Kryeministri Ivica Racan.


Por vetëm pak pas fitores së Mesiq duket se gjakrat janë ftohur. Budisha e ka pranuar menjëherë fitoren dhe ka uruar Mesiq "për suksese në kryerjen e detyrave të tij presidenciale."


Dragutin Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Zagrebi.


Frontline Updates
Support local journalists