Fshatarët Ndërtojnë të Ardhmen e Re

Të traumatizuar nga lufta në Kosovë, banorët e Krushës së Madhe janë të vendosur të rindërtojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara.

Fshatarët Ndërtojnë të Ardhmen e Re

Të traumatizuar nga lufta në Kosovë, banorët e Krushës së Madhe janë të vendosur të rindërtojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara.

Shkolla fillore në Krushë të Madhe është një nga ndërtesat e para të dëmtuara nga lufta të cilat u riparuan në këtë fshat.


Rindërtimi i saj ka një rëndësi të madhe simbolike për banorët vendas, të cilët prej shumë kohësh e kanë konsideruar si shumë të rëndësishëm arsimimin e fëmijëve të tyre, madje edhe gjatë regjimit të mëparshëm serb të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq.


"Ne kemi pasur institucione paralele në Kosovë gjatë gjithë viteve 90 dhe kemi bërë maksimumin të mbajmë hapur shkollat," thotë mësuesi i gjuhës Nasip Gashi. "Gjatë dy vjetëve të fundit ne kemi përdorur pagat tona për funksionimin e shkollave. Ato janë shumë të rëndësishme për ne, për të ardhmen tonë."


Shkolla, në të cilën mësojnë rreth njëmijë nxënës, nuk tregon asnjë shenjë dëmtimi të luftës.


Disa qindra shtëpi janë riparuar me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar në Krushën e Madhe, dikur një fshat i pasur, por shenjat fizike dhe emocionale të konfliktit të vitit të kaluar janë akoma shumë të dukshme.


Në të dyja anët e rrugëve sheh shtëpi të djegura dhe pa çati. Jo larg nga shkolla të bien në sy një numër i madh varresh të reja, ndërsa disa vullnetarë italianë kanë ndërtuar një qendër rehabilitimi për fëmijët e traumatizuar.


Si një nga qendrat e komandimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, fshati është bombarduar ashpër nga trupat serbe, duke i detyruar banorët të largoheshin për në Shqipërinë fqinje.


Mbi dyqind banorë vendas janë vrarë. Disa të tjerë kanë humbur dhe mendohet të kenë vdekur. Shumë nga varret nuk kanë emra. Një numër i madh kufomash nuk mund të identifikoheshin.


"A keni dëgjuar për Ukshin Hotin?" thotë mësuesi i matematikës Avdyl Duraku, duke treguar shtëpinë e djegur të ish veprimtarit të njohur shqiptar të të drejtave të njeriut përpara luftës. Në të gjithë Kosovën janë vendosur postera që kërkojnë informacion për zhdukjen e tij.


Në Krushën e Vogël fqinje gjatë luftës u vranë të gjithë burrat. Fshati tani banohet vetëm nga gratë e tyre, të cilat kanë mësuar të bëjnë punët vetë.


Në varrezat e Krushës së Madhe Duraku ecën me ngadalë nëpër rreshtat e varreve. Ndërsa të tregon për familje të tëra të vrara nga serbët, ai ndalon pak në një varr - atë të djalit të tij 16-vjeçar, të vrarë nga ushtarët serbë.


"Ata kanë vrarë shumë njerëz nga fshati," thotë Duraku, i cili është edhe drejtor i qendrës së mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve me qendër në Prizren. "Ata kanë vrarë katër kolegë të mi - nëntë të tjerë nuk dihet akoma se ku janë."


I gjithë komuniteti është përfshirë në rindërtimin e fshatit, ndërsa ndihmat financiare nga të afërmit që jetojnë jashtë vendit kanë ndihmuar në mbajtjen në këmbë të ekonomisë lokale.


Disa shtëpi janë rindërtuar vetëm pjesërisht. Në mungesë të fuqisë punëtore dhe burimeve financiare prioriteti tani është të sigurohet që çdo familje të ketë strehim të mjaftueshëm për të mbijetuar gjatë dimrit të egër.


Në vende të tjera në Kosovë administrata e përkohshme e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka rindërtuar 2,767 shtëpi me një kosto prej rreth 9 milion dollarësh që prej muajit gusht të vitit të kaluar.


Një pjesë e 2,3 miliard dollarëve të premtuara së fundi për rindërtimin e Ballkanit do të shpenzohen në Kosovë - projekte më të rëndësishme janë zhvillimi i infrastrukturës së tregtisë e transportit dhe një rrjet televiziv rajonal.


Përveç ndihmesës në rindërtim, UNMIK ka ndihmuar edhe në vendosjen e qeverisjes lokale në të gjjithë Kosovën. Tanimë këshillat veprojnë në 22 nga 30 bashkitë e Kosovës.


Këto autoritete, që janë krijuar pas konsultimeve me përfaqësues të forcave politike dhe bashkive, takohen rregullisht, duke adresuar çështjet dhe shqetësimet kryesore të banorëve lokalë.


Administratorët e UNMIK-ut të cilët drejtojnë këto këshilla mbështeten shumë në këshillat e tyre para se të marrin vendime të cilat kanë rëndësi për popullsinë lokale.


Fshatarët e Krushës së Madhe janë mirënjohës për të gjithë ndihmën e huaj që kanë marrë, por ata tani kërkojnë të kenë më shumë kontroll mbi fatin e tyre. "Ne jemi të vendosur të kalojmë të shkuarën tonë të përgjakshme dhe të shkojmë përpara," thotë Duraku.


Ermal Hasimja është gazetar në Prishtinë.


Frontline Updates
Support local journalists