Frika Mund të Bllokojë edhe Autostradën e Informacionit

Shumë nga vendet e Europës Lindore akoma nuk e kanë kulturën e lirisë së shtypit.

Frika Mund të Bllokojë edhe Autostradën e Informacionit

Shumë nga vendet e Europës Lindore akoma nuk e kanë kulturën e lirisë së shtypit.

Tuesday, 6 September, 2005

Bota e elektronikës mendohej të ishte veçanërisht rezistente ndaj përpjekjeve për të ndaluar shkëmbimin e lirë të informacionit. Vite më parë, shtetet autoritare censuronin shtypin, makinat e teleksit, përgjonin telefonat e zhurmonin transmetimet televizive dhe arritën deri aty sa regjistronin edhe çdo makinë shkrimi. Me futjen e internetit dhe me ndryshimet që pasuan në transmetimet elektronike e në shtypin e shkruar, ky lloj kontrolli i ashpër dukej se nuk do të ekzistonte më.


Është për të ardhur keq, por megjithëse teknologjia e re mund të shërbejë si një ndihmë për gazetarinë kritike për të cilën kanë nevojë shoqëritë me qëllim që të bëhen apo të mbeten demokratike, është gjithashtu e vërtetë se njeriu është më i rëndësishëm se çfarëdo teknollogjie. Shtetet nuk kanë pushuari së kontrolluari njeriun, siç tregojnë edhe përpjekjet që po bëhen në Rusi dhe Kinë për të pakësuar përdorimin e internetit. Por strategjitë e reja për kontrollin e informacionit synojnë njeriun edhe më tepër se në të kaluarën duke patur si qëllim ta shtrëngojnë atë në një autocensurë e cila mund të jetë shumë e efektshme.


Edhe më keq, ky lloj kërcënimi mund të jetë i efektshëm edhe në goditjen e atyre përpjekjeve ndërkombëtare për të anashkaluar kontrollin e brendshëm mbi informacionin, gjë të cilën pritej ta ndihmonte edhe futja në përdorim e teknologjive të reja. Këto përpjekje varen nga gatishmëria e gazetarëve dhe të tjerëve për të transmetuar informacionin nga vendi i tyre me qëllim që ky informacion të njihet botërisht dhe, ende më e rëndësishme, në mënyrë që ky informacion të përcillet përsëri mbrapsht në vendet e duhura. Ky është një rast tipik kur interneti, si dhe transmetimet ndërkombëtare, nuk mund të mbyllen kaq lehtë si rrugët e tjera të publikimit të informacionit në të kaluarën. Por nëse dikush arrin të trembë mbledhësit e informacionit dhe t'i bëjë ata të heshtin, të gjitha shpikjet teknike të botës nuk do të kenë vlerë. Nuk ka asnjë zëvendësues elektronik për aktivin njerëzor të dëshmisë.


Mbrëmë në Londër Miroslav Filipoviq është shpallur fitues i çmimit të gazetarit europian në internet në ceremoninë e çmimeve të Internetit në Qytetin e Universitetit. Çmimi është marrë në dorëzim nga djali dhe vajza e tij, sepse babai i tyre është në burg në Nish i akuzuar për spiunazh. Filipoviq ka punuar për gazetën e përditshme serbe Danas, për Agence France Presse dhe për Institutin për Raportim të Luftës dhe Paqes (IWPR) me qendër në Londër. IWPR është një organizatë joqeveritare qëllimi i së cilës është të mbështesë median e pavarur në Ballkan, Kaukaz, Azinë Qendrore dhe disa zona të tjera. Forma kryesore e kësaj mbështetjeje ka qenë publikimi, në vitet e para në letër dhe tani në internet, i njoftimeve dhe artikujve kritikë nga korrespondentët nga këto rajone. Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve janë të tilla që nuk mund të botohen në këtë mënyrë të plotë në vendet ku korrespondentët banojnë. Këto publikime janë menduar për një lexues ndërkombëtar, por edhe për lexuesin e brendshëm. Kjo ka qenë shpesh një nga burimet e pakta të besueshme të informacionit për median e ndrydhur lokale - informacion jo vetëm për shoqëritë e tyre, por edhe për ato të vendeve fqinje me të cilat ato kanë marrëdhënie të vështira apo armiqësore. Fillimisht kjo formë mund të arrijë vetëm një grup të vogël njerëzish, të shkolluar dhe që kanë mundësi të përdorin kompjuterin, por ka edhe mënyra që ky informacion të shpërndahet më pas me shpejtësi. Kjo është teknika e anashkalimit që përmenda më sipër. Për të përdorur një metaforë tjetër, ideja është të krijohet një mushkëri hekuri, që i lejon gazetarisë së shtypur të marrë frymë - dhe të mbijetojë deri në ardhjen e ditëve më të mira.


Krimi kryesor i Miroslav Filipoviqit, sipas autoriteteve serbe, është ndoshta se ai ka shkruajtur një artikull bazuar në një hetim të Ushtrisë Jugosllave mbi sjelljen e ushtarakëve të saj në Kosovë. Artikulli citonte dëshmi të disa oficerëve të cilët ishin tmerruar nga krimet e kryera zakonisht nga rezervistët apo trupat paraushtarake. Regjimi mund të jetë zemëruar edhe nga ndonjë artikull tjetër i Filipoviqit. Sido që të jetë, ai është arrestuar, pyetur, liruar dhe pastaj arrestuar përsëri. Akuzat që janë ngritur ndaj tij mund të çojnë në një dënim prej 15 vjetësh burgim. Nuk është nevoja të thuhet këtu që ligji është i përgatitur në atë mënyrë që nuk ka nevojë të provohet se ai ka qenë në kontakt me një organizatë të huaj spiunazhi. Duke përdorur nene gjithëpërfshirëse të këtij ligji, qeveria e Millosheviqit gjatë muajve të fundit ka shtypur median relativisht të lirë e cila në një farë mënyre kishte mbijetuar në Serbi. Disa stacioneve të pavarura radio apo televizioni u janë sekuestruar apo shkatërruar pajisjet e transmetimit. Gazetat e pavarura janë gjobitur në mënyrë të vazhdueshme dhe disa kanë falimentuar. Mbi 20 gazetarë janë vrarë, 60 janë arrestuar dhe të paktën 6 prej tyre janë në burg. Një ligj akoma më i egër, i cili thuhet se synon luftimin e "terrorizmit", sapo është shtyrë për arësye të paditura, por nëse nevojitet mund të aprovohet menjëherë.


Në kontekstin e kësaj fushate, fati i Filipoviqit tregon se regjimi beson se ai ka arritur qëllimet e tij për të futur një frikë dhe autocensurë në rradhët e organeve të pavarura të medias dhe tani po mbyll edhe kanalet e fundit të mbetura të informacionit, ato që kanë funksionuar nëpërmjet lidhjeve me të huajt. Transmetuesi i pavarur Veran Matiq thotë se Serbia po krijon një model për "një lloj të ri diktature demokratike në Europën lindore". Tendenca të ngjashme, megjithëse jo kaq të avancuara, mund të shihen edhe në vende të tjera. Në Rusi arrestimi i Vladimir Gusinskit, manjatit të medias programet e të cilit kanë kritikuar dhe vënë në lojë Vladimir Putin, dhe arrestimi i Andrei Babitskit pas njoftimeve të tij nga Çecenia, tregojnë se qeveria synon të "menaxhojë" median me dorë të hekurt. Korrupsioni i pjesës më të madhe të medias ruse, të cilin një kritik e ka quajtur si 60 për qind të prirur nga desinformacioni dhe shpifja, mund ta bëjë detyrën e qeverisë edhe më të lehtë. Në Bjellorusi media e pavarur është vënë nën rrethim. Në Azinë Qendrore media presupozohet të mos thotë asnjë fjalë kundër sundimit autokratik presidencial, i cili është prezent në të pesë republikat, me përjashtimin e pjesshëm të Kirgistanit. Në Kazakistan një nga gazetat e fundit të pavarura, me një emër të mrekullueshëm, "Le të Mbijetojmë Deri të Hënën", për fat të keq nuk ka mbijetuar dot pas një padie e cila përfundoi me konfiskimin jo vetëm të pronave të gazettes, por edhe të pasurive personale të redaktorëve. Disa vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik mund të shtoheshin në këtë listë.


Përpjekjet e bëra nga një numër organizatash që mbështesin median dhe nga qeveritë perëndimore kanë ndihmuar që të mos ndodhë më e keqja. Por interesi i qeverive perëndimore mund të ulet në rastin e Serbisë, sepse ato nuk shohin asnjë mjet për të influencuar regjimin dhe në rastin e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik për shkak të dëshirës së madhe "për të pasur marrëdhënie" me qeveritë e këtyre vendeve dhe vaçanërisht me Putin. Por gjithsesi gjetja e rrugëve për të mbajtur gjallë median e pavarur dhe për të ndihmuar njerëz si Miroslav Filipoviq apo Andrei Babitski është akoma më e rëndësishme sot kur po vihet re një shtim i këtyre hijeve të errëta në krahasim me vitet e lumtura të fillimit të viteve 90-të kur të gjithë dëshironin të bënin diçka për gazetarinë e Europës lindore.


Martin Uollakot është anëtar i bordit të IWPR-së.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists