Fridman Shkakton Debat në Bosnje

Komentatori Amerikan Tomas L Fridman ka shkaktuar një debat të madh me thirrjet e tij për një ndarje të Bosnjes.

Fridman Shkakton Debat në Bosnje

Komentatori Amerikan Tomas L Fridman ka shkaktuar një debat të madh me thirrjet e tij për një ndarje të Bosnjes.

Thursday, 1 February, 2001
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Zyrtarët vendas dhe të huaj në Bosnje janë shqetësuar mjaft nga thëniet e gazetarit të njohur Amerikan Tomas L Fridman gjatë javës së kaluar në gazetën New York Times.


Në dua rtikuj të tij për këtë gazetë, Fridman ka argumentuar se Bosnje-Herzegovina shumë etnike nuk përputhet me daljen në skenë të demokracisë në rajon dhe prandaj ajo duhet të ndahet "në mënyrë të butë" ndërmjet vendeve të saj fqinje.


Kjo pikpamje jo vetëm që bazohet në interpretime të gabuara të ngjarjeve të tanishme, por është edhe krejtësisht e papërgjegjëshme.


Sipas Fridmanit, demokracia tani po "zhvillohet" në Serbi dhe Kroaci, falë udhëheqjeve të reja "demokratike" të cilat kanë mundur diktatorët e së kaluarës.


Ndërkohë, vazhdon ai, Serbët e Bosnjes, Kroatët dhe Muslimanët janë kaq të vendosur në mbështetjen e forcave jo demokratike dhe nacionaliste, saqë NATO dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar duhet të largohet prej andej dhe të lejojë një ndarje të "butë" të Bosnjes.


Në të njëjtin artikull, Fridman arrin në përfundimin se "pluralizmi dhe demokracia po shkojnë prapa" në Bosnje, ku "identiteti etnik dhe urrejtja janë kaq të rrënjosura".


Le të shohim tani se si shihen këto çështje nën një dritë tjetër me syrin e një Boshnjaku dhe një Amerikani, i cili ka punuar në Bosnje gjatë periudhës së pas luftës.


"Zhvillimi" i demokracisë në Serbi.


Presidenti i ri Jugosllav Vojisllav Koshtunica dhe qeveria e tij ende nuk po pranojnë autoritetin e gjykatës së Hagës për të gjykuar krimet e luftës, përfshirë edhe ato të kryera nga shumë zyrtarë Serbë gjatë tre luftërave që shkatërruan Jugosllavinë.


Ish presidenti Jugosllav Sllobodan millosheviç mbetet i lirë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të gjykatës për ekstradimin e tij. Në fakt, vetëm një javë më parë Koshtunica dhe Millosheviç janë takuar për të diskutuar, ndërmjet të tjerave, edhe sigurinë personale të Millosheviçit, duke shkaktuar zemërim edhe në rradhët e koalicionit të tij politik.


Rrëmbimet, përplasjet e mafias dhe vrasjet vazhdojnë çdo ditë në Serbi. Ndërkohë, Jugosllavia mbetet qendra rajonale e trafikut të drogës, cigareve dhe kontrabandën e makinave të vjedhura.


Vetë Koshtunica, drejtuesi i ri "demokratik", është fotografuar gjatë luftës në Kosovë duke mbajtur në dorë një automatik në mes të një grupi ushtarësh Serbë, diku në një fushë betejë në Kosovë.


Ndërsa Koshtunica është natyrisht një përmirësim në krahasim me Sllobodan Millosheviçin, ai dhe kolegët e tij ende duhet të përpiqen shumë për të treguar se janë të vlefshëm. Ndërkohë, askush në Perëndim, dhe aq më tepër Amerikanët, nuk duhet të mashtrohen nga historitë e Koshtunicës, dhe as nga kjo demokraci e re që po "zhvillohet" në Beograd.


Nacionalistët "triumfojnë" gjithnjë në Bosnje.


Nëse Fridman do të kishte harxhuar të paktën disa minuta për të analizuar rezultatet e zgjedhjeve në Bosnje nga viti 1996 në ato të vitit 2000, ai do të kishte parë se partitë nacionaliste kanë humbur nga 10 deri në 20 përqind të zgjedhësve të tyre në çdo zgjedhje.


Në zgjedhjet e përgjithëshme në Nëntorin e kaluar, tre partitë kryesore nacionaliste "kanë triumfuar" (sipas Z. Fridman) dhe, për herë të parë që prej vitit 1991, kanë humbur shumicën absolute duke marrë së bashku më pak se 50 përqind të votave. Për shkak të këtij ndryshimi në hartën politike, dhe përsëri për herë të parë që prej vitit 1991, është krijuar një shumicë "e opozitës" në parlamentet Shtetërore dhe atë të Federatës, e cila ka emëruar një të moderuar në postin e kryetarit të qeverisë së Serbëve të Bosnjes.


"Përkatësia etnike dhe urrejtja kanë rrënjë të thella" në Bosnje.


Kjo thënie tregon ndoshta një nga keqkuptimet më të mëdha nga ana e Fridmanit të historisë dhe gjendjes së tanishme në Bosnje.


Rreth 550 vjet më parë, kur Hebrenjtë Separdik u dëbuan nga Gadishulli Iberik gjatë inkuizicionit Spanjoll, ata u mirëpritën në Bosnje, ku jetuan krah për krah Muslimanëve, dhe Kristianëve Katolik dhe Ortodoks deri në ditët e sotme.


Gjatë disa qindra vjetëve, Serbët, Kroatët dhe Muslimanët janë martuar me njëri tjetrin deri në atë shkallë sa që përkatësia etnike nuk ka përbërë fare një problem të rëndësishëm deri në rritjen e nacionalizmit në fund të viteve 1980.


Ndërsa më pak se 20 përqind e Amerikanëve të Bardhë dhe me Ngjyrë martohen me njëri tjetrin sot e kësaj dite, pothuajse 50 përqind e të gjitha martesave në Bosnje përpara luftës së vitit 1992 kanë qenë ndërmjet grupeve etnike dhe fetare të ndryshme. Martesat e përziera kanë qenë një gjë e zakonëshme përpara, gjatë dhe pas luftës.


"Ndarja e butë e Bosnjes".


Së pari, Fridman duhet të dijë se disa drejtues ultra-nacionalistë në Bosnje kanë kërkuar ndarjen e saj që prej fillimit të luftës.


Fakti që po këto ide botohen tani në New York Times, është të paktën i friklshëm. Nëse komuniteti ndërkombëtar pranon ndarjen e një vendi për shkak të një lufte dhe disa partive nacionaliste, atëherë përse të mos krijohet Shqipëria e Madhe, Greqia e Madhe, dhe Maqedonia e Madhe?


Kjo ide, e hedhur nga Lord Ouen, shkencëtari politik Amerikan Robert Mearsheimer, dhe tani Fridman, kundërshtohet nga Teodor Kolumbis, Drejtor i Fondacionit Helenik për Europën dhe Politikën e Jashtëme, i cili mendon se ndarja dhe ribërja e kufinjve është në kundërshtim me konceptin e Europës së tërë dhe të lirë.


Nëse fillojmë duke ndarë një vend, ku do ti vihet kufiri i ri? A nuk do të inkurajonte ndarja ata që kërkojnë ndarjen mbi bza etnike dhe janë të gatshëm të kryejnë krime të tmerrshme për të arritur synimet e tyre?


Pluralizmi dhe demokracia po shkojnë pas" në Bosnje.


Asgjë më tepër se kjo thënie nuk është më larg së vërtetës. Nëse Fridman do të kishte informacione të tjera përveç atyre të marra nga NATO-ja, ai do të shihte se një shoqëri civile në rritje po del në skenë në Bosnje.


Një nga shembujt që mund të përmenden për këtë është numri në rritje i grave të zgjedhura në parlamentet dhe qeveritë lokale.


Në vitin 1997, komuniteti ndërkombëtar ka punuar ngushtë me aktivistet gra dhe ka përcaktuar kuota për pjesëmarrjen e grave në qeveritë e Bosnjes. Gratë kanë përbërë vetëm një përqind të organeve parlamentare përpara luftës. Vitin e kaluar numri i tyre është rritur në 27 përqind.


Kjo ka ndikuar për mirë edhe në politikë, sepse gratë tani po luajnë një rol të rëndësishëm në moderimin e partive.


Grupet e grave, grupet vëzhguese të qytetarëve, Qendra për Inisiativa Civile, organizatat lokale po kryejnë një sërë aktivitetesh duke filluar nga edukimi i votuesve deri tek monitorimi i të drejtave të njeriut.


Shumë punë është bërë dhe shumë mbetet për t'u bërë. Megjithëse do të duhet një farë kohe për të zhvilluar një shoqëri demokratike, civile, përmirësime janë arritur dhe mund të shihen qartë.


Konkluzioni


Është fakt që në Bosnje ka pasur një luftë dhe rindërtimi i pas luftës dhe pajtimi kërkon kohë, përballet me shumë sfida dhe është penguar nga shumë faktorë.


Megjithatë, gjendja nuk duhet analizuar dhe shpjeguar me termat e thjeshtëzuara, bardhë e zi, të përdorura nga Fridman.


Shtrembërimet jo vetëm që kërcënojnë të krijojnë një keqkuptim të madh të gjendjes së vërtetë në Bosnje, por edhe fyejnë 4.3 milion banorët që jetojnë atje dhe disa dhjetra mijëra diplomatë dhe ushtarë Perëndimorë të cilët jetojnë dhe punojnë këtu, duke u përpjekur të zbatojnë procesin e paqes.


Ajo që është vërtetë shqetësuese është se në kohën që ndihma Perëndimore dhe përpjekjet e ardhëshme Amerikane në Ballkan duket se po ulen, vlerësimet e Fridmanit mund të jenë shumë të rrezikëshme.


Ne besojmë në parimet e demokracisë dhe pluralizmit, të cilat përfshijnë edhe lirinë e fjalës. Prandaj, ne pranojmë që Fridman ka të drejtën të shprehë pikpamjet e tij.


Por, megjithatë, ne i kujtojmë atij dhe gazetës e cila ka botuar artikujt e tij, se demokracia dhe liritë civile presupozojnë jo vetëm të drejta, por edhe përgjegjësi.


Në këtë kuptim, ne besojmë, se Fridman, me vizionin e tij të gabuar dhe të thjeshtuar mbi të kaluarën dhe të tashmen e Bosnje-Herzegovinës, jo vetëm që ka qenë i papërgjegjëshëm, por edhe tepër i gabuar në informimin e lexuesve të tij rreth Bosnjes.


Janez Kovaç është një gazetar dhe analist i pavarur Boshnjak. Tania Domi është një Amerikane e cila ka shërbyer në Bosnje si zëdhënëse e Misionit të OSBE-së në Bosnje Herzegovinë dhe tani po kryen studimet pasuniversitare për të drejtat e njriut në Universitetin Columbia, në Nju Jork.


Frontline Updates
Support local journalists