FORMULË E RE PËR PROCESIN E BLLOKUAR TË INTEGRIMIT

BE shpreson që integrimi i dyfishtë do të zhbllokojë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi në lidhje me integrimin evropian.

FORMULË E RE PËR PROCESIN E BLLOKUAR TË INTEGRIMIT

BE shpreson që integrimi i dyfishtë do të zhbllokojë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi në lidhje me integrimin evropian.

Pas dy vjet bllokimi në bisedimet ndërmjet shtetit të bashkuar dhe Brukselit, Bashkimi Evropian, i cili ka ndihmuar në krijimin e entitetit të ri, ka propozuar një qëndrim të ri.


Me qëllim dhënien shtytje të procesit të bllokuar të integrimit në evropë, zyrtarët e Komisionit Evropian dhe Sekretariatit të Këshillit të BE-së po vizitojnë Beogradin dhe Podgoricën për të paraqitur një politikë të re për afrimin e dy republikave me BE-në.


Kjo do të thotë që ekonomitë e Serbisë dhe Malit të Zi të integrohen të veçanta në BE – megjithëse shteti i bashkuar do të mbetet partneri i vetëm i Evropës.


Afrimi i veçantë i dy republikave është paraqitur fillimisht si ide në fillim të shtatorit në Maastricht, ku ministrat e jashtëm të 25 vendeve anëtare kanë rënë dakord të shtojnë përpjekjet për afrimin e Serbisë dhe Malit të Zi në BE.


Analistët në Bruksel thonë se Evropa nuk ka hequr dorë nga mbështetja e saj për shtetin e bashkuar por ka vendosur se një afrim i të dyja republikave të veçanta mund të shmangë disa nga pengesat të cilat kanë bllokuar bisedimet me entitetin e ri për Marrëveshjen e Asocimit dhe Stabilizimit.


Pas dy vjet bisedime, Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë arritur pothuajse fare progres në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit, PSA, siç quhet projekti i BE për të ndihmuar shtetet e ballkanit perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.


Dy pengesa kryesore kanë qenë mungesa e bashkëpunimit të Serbisë me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë dhe mungesa e dëshirës së të dy republikave për funksionimin e shtetit të bashkuar.


Kjo ka shkaktuar një bllokim të planeve për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik dhe për harmonizimin e dy sistemeve ekonomike.


Të dy republikat fajësohen për mungesën e vullnetit politik për krijimin e një tregu të përbashkët. Dështimi i tyre për të harmonizuar detyrimet doganore për 56 produkte bujqësore si edhe tarifat ka bllokuar seriozisht rrugën e tyre të përbashkët drejt Evropës.


Një burim i IWPR pranë misionit të KE në Beograd ka thënë se Evropa mendon se tani ka gjetur një mekanizëm për të ndërprerë ciklin e akuzave të ndërmjetme në mes Podgoricës dhe Beogradit se kush duhet të fajësohet për vonesat.


Objektivi i qëndrimit të ri është “zhbllokimi i sistemit”, ka thënë ky burim.


Ekspertët mendojnë se të dyja republikat tani do të nënshkruajnë një Marrëveshje të përbashkët Asocimi dhe Stabilizimi nëse ajo përmban anekse të veçanta – në fushën ekonomike dhe çështjet teknike – për Malin e Zi dhe Serbinë.


Komisioneri evropian për Politikën e Jashtëme, Chris Patten, ka paraqitur i pari këtë ide të re për afrimin e dy republikave me BE.


Patten e ka paraqitur konceptin e tij në një letër dërguar në mes të muajit korrik për Bernard Bot, kryetar i Këshillit të Ministrave të BE-së dhe ministër i jashtëm i Hollandës.


Në këtë letër, e cila është botuar në mediat malazeze, Patten ka thënë se nuk mund të zhvillohet asnjë bisedimet për pranimin e Serbisë dhe Malit të Zi në Evropë përpara se të dyja republikat të arrijnë një marrëveshje ndërmjet tyre, duke shtuar se një marrëveshje e tillë duket e lartë. (letra ribotohet në këtë numër).


Patten ka thënë se mungesa e vullnetit politik është arësyeja kryesore e dështimit të harmonizimit të sistemeve ekonomike të dy republikave pas dy vjet bisedimesh.


Mesazhi i cili ka pasuar nga Mastrichti ka qenë se ruajtja e shtetit të bashkuar përbën një prioritet. Bot, si kryetar i Këshillit të Ministrave të BE, ka thënë se “Për Bashkimin Evropian, është shumë e rëndësishme të mbështesë shtetin e bashkuar, megjithëse ai i njeh dhe pranon realitetet e reja”.


Duke shpjeguar arësyet pse BE mbetet i vendosur në mbështetjen e tij për shtetin e bashkuar, Bot i është referuar në mënyrë të veçantë “impaktit që ka pasur kjo çështje në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.


Ekspertët e BE-së për ballkanin paralajmërojnë për rrezikun që mund të ketë vendimi i Malit të Zi për pavarësi pas një referendumi popullor rezultati i të cilit mund të jetë shumë i ngushtë, duke thënë se kjo mund të shkaktojnë trazira dhe të rrezikojë seriozisht stabilitetin e republikës.


“Ne jemi të shqetësuar nga reagimet e mundëshme në rast të arritjes së pavarësisë nga ata të cilët kundërshtojnë me forcë këtë ide, dhe ka shumë njerëz në Malin e Zi të cilët e kundërshtojnë pavarësinë e rëpublikës,” ka thënë një diplomat i BE për IWPR.


Megjithëse Brukseli preferon dukshëm një afrim të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi me evropën, shumë diplomatë pranojnë se BE nuk mund të kundërshtojë me shumë forcë pavarësinë e Malit të Zi, sepse Marrëveshja e Beogradit, e cila ka krijuar shtetin e bashkuar, parashikon mundësinë e ndarjes nëse dy republikat nuk bien në një mendje me njëra tjetrën.


BE dhe Serbia e Mali i Zi tani po përpiqen me forcë të arrijnë një farë progresi, sepse ato janë të ndërgjegjëshme për rrezikun që shteti i bashkuar mund të shndërrohet në në “gropë të zezë” politike në Ballkan.


Kroacia e ka përfituar tanimë statusin e vendit kandidat dhe brenda pesë muajsh do të nisë zyrtarisht bisedimet për pranimin. Maqedonia është e përfshirë tanimë në procesin e stabilizimit dhe asocimit, dhe ka paraqitur kërkesën zyrtare për anëtarësim. Shqipëria është në bisedime me BE për nisjen e procesit të stabilizimit dhe asocimit.


Edhe Kosova është përfshirë në këtë proces nëpërmjet të ashtuquajturve “mekanizma të kontrollit”, të cilat lejojnë harmonizimin teknik me BE pa paracaktuar statusin e saj përfundimtar.


Serbia dhe Mali i Zi, nga ana tjetër, nuk kanë përmbushur as një parakusht për përgatitjen e një studimi të leverdisshmërisë nga BE.


Shumë ekspertë të Komisionit Evropian thonë se tani duhet të arrihet progres, sepse shteti i bashkuar është entiteti më i madh në të gjithë rajonin, me një ndikim të madh në stabilitetin e tij dhe në suksesin e përgjithëshëm të procesit të pranimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE.


Augustin Palokaj është korrespondent në Bruksel për gazetën kroate, Jutarnji List, dhe Koha Ditore e cila botohet në Prishtinë.


Frontline Updates
Support local journalists