Forcohen Nacionalistët Boshnjakë

Anketimet e opinionit publik tretgojnë se partitë nacionaliste në Bosnje do të triumfojnë përsëri në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Forcohen Nacionalistët Boshnjakë

Anketimet e opinionit publik tretgojnë se partitë nacionaliste në Bosnje do të triumfojnë përsëri në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje Hercegovinë, BiH, duket se nuk do të ndryshojnë spektrin politik, pavarësisht nga mbështetja financiare e komunitetit ndërkombëtar për partitë jonacionaliste të opozitës.


Një anketim i kohëve të fundit i opinionit publik i kryer nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, PNUD, ka treguar se megjithëse popullariteti i partive nacionaliste ka rënë ndjeshëm që prej zgjedhjeve të para të pas-Dejtonit, ato ende kontrollojnë një numër të mjaftueshëm votuesish për të qëndruar në pushtet.


I vetmi burim optimizmi ka qenë pozicioni i Partisë Social Demokrate, SDP, e cila kontrollon një të tretën e votuesve të regjistruar në Federatën Boshnjake. Në zgjedhjet lokale të prillit të kaluar, pjesa më e madhe e popullsisë boshnjake votoi për SDP-në - e cila gjithashtu gëzon një mbështetje të ndjeshme edhe në rradhët e votuesve kroatë.


Për më tepër, ka shenja që tregojnë se qeveria social demokrate në Kroaci po influencon edhe skenën politike në Bosnje, megjithëse Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, ende gëzon përkrahjen më të madhe në rradhët e votuesve kroatë.


Studimi i PNUD-it tregon se votuesit në Republika Srpska vazhdojnë të mbështesin masivisht Partinë Demokratike Serbe, SDS. Partia, sipas këtij studimi, do të fitojë 32 përqind të votave, 2 përqind më shumë se dy nga kundërshtaret e saj më serioze - Partia e Progresit Demokratik dhe Partia e Social Demokratëve të Pavarur - të marra së bashku.


Komuniteti ndërkombëtar po mbështet haptazi partitë jonacionaliste dhe ka kërcënuar shkurtime të reja në fonde nëse nuk është i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve. "Ndihma e mëtejshme për BiH është e varur direkt me rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit," ka thënë kryetari i delegacionit të Komisionit Europian, Hans Jorg Kretçmer. Ai ka ofruar një ndihmë të madhe financiare për qytetin e Mostarit nëse koalicioni shumëkombësh "Lista për Mostarin" fiton në zgjedhje.


Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, ka shkuar edhe më tej duke thënë se në rast se në Republika Srpska fiton SDS, "Zyra e Përfaqësuesit të Lartë nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve".


"Në një farë mënyre ne po i afrohemi fundit," ka thënë Përfaqësuesi i Lartë Volfgang Petriç. "Ka mundësi që komuniteti ndërkombëtar të largohet nga Bosnja. Shumë pjesë të komunitetit ndërkombëtar janë larguar intelektualisht dhe politikisht, sepse ata e konsiderojnë politikën boshnjake aq të papërgjegjëshme saqë nuk mund të vazhdojnë të ndihmojnë."


Kjo ide e errët Petriçit është mbështetur edhe nga Pieter Stek i Bankës Botërore. Mosaprovimi nga ana e autoriteteve të Republika Srpska dhe atyre boshnjake të reformave ligjore e të pensioneve të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar ka rrezikuar një ndihmë prej rreth 435 milion dollarë amerikanë të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian.


"Bosnja nuk gëzon një reputacion të mirë ndërmjet donatorëve," ka thënë Stek. "Mund të vihen re me lehtësi shenja të qarta padurimi."


Komisioni i Medias së Pavarur, i cili është i lidhur ngushtë me OHR-in, ka tërhequr lejet e transmetimit për dy kanale televizive kombëtare, Erotel, një stacion kroat, i cili ka qenë nën kontrollin e plotë të HDZ-së, dhe TV Bosnja, i cili ka qenë i lidhur ngushtë me Partinë e Veprimit Demokratik, SDA.


Fushata elektorale, e cila ka filluar zyrtarisht më 27 shtator, ka treguar krizën e përgjithshme ekonomike në BiH dhe rënien e ndjeshme të donacioneve ndërkombëtare.


Këtë vit pjesa më e madhe e partive do të bëjnë një fushatë modeste. Një strategji kryesore do të jetë "të shkosh për një kafe" me popullin, një taktikë që ka patur sukses në zgjedhjet që nxorën fitimtar presidentin Stipe Mesiq në Kroaci. SDS-ja do të bëjë një fushatë elektorale tradicionale, me mitingje në qytete dhe fshatra të RS-së dhe një miting të madh në Banja Luka.


HDZ-ja në prag të zgjedhjeve po nxjerr një revistë të re "BiH Sot", e cila do të financohet nga krahu radikal i kishës katolike dhe kontrollohet krejtësisht nga HDZ-ja.


Megjithatë HDZ-ja po përballet me disa probleme në fushatën e saj, sepse policia federale, e mbështetur edhe nga trupat e Forcës së Stabilizimit, ka arrestuar disa njerëz të lidhur ngushtë me zyrtarët më të lartë të HDZ-së.


Për më tepër, policia ka ndaluar në Kroaci gjeneralin Ivan Andabak, një bashkëpunëtor i ngushtë i Mladen Nateliq Tuta, i cili është akuzuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte.


Andabak është i dyshuari kryesor për vrasjen e Jozo Leutar, zëvendësministër i brendshëm i Federatës Boshnjake, i cili u vra në një atentat me autobombë në mars të vitit 1999. Në atë kohë anëtari kroat i presidencës boshnjake Ante Jelaviq nisi një fushatë në media, me anë të së cilës pa patur asnjë provë akuzoi krahun boshnjak në ministrinë e brendshme të federatës se e kishte organizuar këtë vrasje.


Një hetim i kryer nga OKB-ja tregon se Leutar, kroat i Bosnjes, u vra nga nacionalistët kroatë. Ky rezultat i hetimeve vjen në një moment tepër të vështirë për Jelaviq dhe HDZ-në, fushata elektorale e të cilëve është e mbështetur në gjendjen e rëndë të pakicës kroate.


Edina Beqireviq dhe Adnan Buturoviq janë bashkëpunëtorë të IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists