Forcat e serbëve të Bosnjes në Kaos në Srebrenicë

Një dëshmitar i mbrojtur ka thënë në gjykatën e Hagës se oficerët serbë të Bosnjes të akuzuar nuk kanë pasur kontroll mbi trupat e tyre.

Forcat e serbëve të Bosnjes në Kaos në Srebrenicë

Një dëshmitar i mbrojtur ka thënë në gjykatën e Hagës se oficerët serbë të Bosnjes të akuzuar nuk kanë pasur kontroll mbi trupat e tyre.

Wednesday, 9 November, 2005

Ndërsa faza e mbrojtjes së gjyqit ndaj Vidoje Blagojeviq dhe Dragan Jokiq, oficerët serbë të Bosnjes të akuzuar për pjesëmarrje në masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, ka hyrë në javën e saj të shtatë, avokati i Blagojeviq ka thirrur një dëshmitar të mbrojtur për të dëshmuar para trupit gjykues.

Si shumë dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes të cilët kanë dëshmuar rreth ditëve përpara dhe pas rënies së Srebrenicës, dëshmitari ka dëshmuar një skenë kaotike në të cilën armët nuk funksiononin, karburanti i makinave mungonte, komunikimi ka qenë i mangët, dhe shënimet e mbajtura nuk kanë qenë të sakta.

Përpara dhe gjatë ditëve kur ka ndodhur masakra, Blagojeviq ka qenë komandant i brigadës së Bratunac të ushtrisë së serbëve të Bosnjes. Brigada e tij ka qenë përgjegjëse për sigurinë përreth “zonës së sigurtë” të Srebrenicës.

Prokuroria ka thënë se Blagojeviq është përgjegjës për krimet e kryera nga trupat nën drejtimin e tij, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në pushtimin e Srebrenicës dhe ekzekutimin e rreth 7,000 burrave dhe djemve muslimanë. Blagojeviq gjithashtu është akuzuar për bashkëpunim në genocid.

Avokati mbrojtës Michael Karnavas është përgjigjur ndaj këtyre akuzave duke kundërshtuar akuzat se klienti i tij ka pasur kontroll mbi zonën.

Ai është përpjekur të provojë këtë pikë duke paraqitur një sërë dëshmitarësh të cilët kanë përshkruar ditët e rënies së Srebrenicës si të mbushura me konfuzion dhe paqartësi dhe Blagojeviq nuk ka pasur mundësi të kontrollonte situatën.

Edhe dëshmitari i kësaj jave ka dhënë pikërisht një dëshmi të tillë.

Dëshmitari e ka përshkruar Blagojeviq si një “njeri të ndershëm, një oficer të ndershëm” i cili ka qenë “me probleme të shumta dhe nuk ka ditur si të zgjidhë situatën”.

Ai “natyrisht nuk ka urdhëruar kurrë kryerjen e ndonjë krimi,” ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka treguar për një rast kur ai i ka kërkuar ndihmë Blagojeviq dhe komandanti e ka urdhëruar të zgjidhë problemin ashtu sic e mendonte më mirë. Pikërisht në atë moment, ka thënë dëshmitari, ai e ka kuptuar që “Blagojeviq i kishte duart e lidhura”. Ajo që po ndodhte në terren “ishte jashtë kontrollit tonë” ka shpjeguar dëshmitari.

“Ishtë një zonë e madhe” dhe nuk “kishte njerëz të mjaftueshëm për ta mbrojtur”, ka thënë ai para gjykatës, duke insistuar se Blagojeviq nuk kishte asnjë mjet për të përballuar problemet me të cilat përballej në atë kohë.

Shumë nga këto probleme kanë pasur të bëjnë me mungesën e pajisjeve, karburantit, dhe mundësisë për komunikim, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë para trupit gjykues, për shembull, se në një moment, kur ai ka parë një kollonë muslimanësh të cilët po largoheshin nga Srebrenica, ai as nuk i ka telefonuar Blagojeviq për ti raportuar për atë që kishte parë.

I pyetur se përse nuk kishte raportuar, ai është përgjigjur, “Gjatë atyre ditëve, komunikimi ynë zyrtar ishte shumë i keq”.

Më pas, gjatë pyetjeve, ai ka shpjeguar se cfarë kishte dashur të thoshte. Pajisjet ishin “shumë të vjetra, dhe nuk punonin, dhe bateritë shpesh herë nuk ngarkoheshin,” ka thënë ai. Avokati mbrojtës Karnavas i ka treguar dëshmitarit një sërë dokumentash, përfshirë disa raporte ditore dhe një hartë zyrtare e cila tregonte zonën e përgjegjësisë së brigadës së Bratunac, dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë gjë të pasaktë në to.

Dëshmitari ka gjetur shpejt gabimet – një fakt i cili sipas avokatit tregon shumë për këtë rast.

Duke treguar se edhe raportet zyrtare mund të kenë qenë të gabuara, Karnavas ka shpresuar të bindë gjykatësit të mos “i kushtojnë shumë vëmendje atyre që janë shkruar, sepse ato mund të cojnë në rrugë të gabuar”.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar gjykatësit të mos mbështeten në prova rrethanore, një formë prove të cilën prokuroria ka përdorur për të treguar se Blagojeviq ka pasur dijeni për operacionin e vrasjeve dhe ka qenë thellësisht i përfshirë në të.

Në deklarimin e tij të hapjes më 14 prill, Karnavas ka kundërshtuar përfundimet e arritura nga këto prova.

“Prova rrethanore në këtë rast ka qenë se zoti Blagojeviq ka qenë komandant i brigadës së Bratunac, Bratunac është pranë Potocari, ku kanë ndodhur disa ngjarje, dhe për rrjedhim ai duhet të jetë pjesëmarrës i ndërmarrjes kriminale…” ka thënë avokati.

“Kjo është një shembull i mirë i thënies ‘të ndodhesh në vendin e gabuar në momentin e gabuar’” ka vazhduar Karnavas. “Për fat të keq Blagojeviq është bërë komandant i brigadës së Bratunac pak përpara sulmit në Srebrenicë, dhe për këtë arësye… prokurorët kanë nxituar të paragjykojnë zotin Blagojeviq”.

Në seancën e pyetjeve, dëshmitari, i cili ka thënë para trupit gjykues së ai nuk e ka ditur që disa mijëra muslimanë ishin vrarë deri pas përfundimit të luftës, kur ai ka dëgjuar për këto vrasje në media, është pyetur nëse ka ditur për varret masive – të cilat janë gërrmuar më 13 dhe 14 korrik – të cilat ndodheshin vetëm disa kilometra larg nga posta e komandimit ku ai ka qenë dislokuar për rreth një vit, dhe prej së cilës është larguar vetëm më 12 korrik.

Pasi ka debatuar në lidhje me vendndodhjen dhe largësinë e varreve masive nga posti i tij, dëshmitari ka thënë se ai nuk ka pasur dijeni për to.

Dëshmitari është pyetur gjithashtu rreth postës së vëzhgimit të batalionit hollandez të Kombeve të Bashkuara, e cila gjendej përballë pozicionit të tij. Prokurorja Antoinette Issa e ka pyetur dëshmitarin nëse ai kishte qëlluar ndaj atij posti. “Unë nuk jam i cmendur. Përse do ta bëja një gjë të tillë?” është përgjigjur ai.

Prokurorja, e cila më përpara kishte thënë se dëshmitari dhe trupat nën urdhërat e tij kanë pasur në përdorim mortaja, i është referuar më pas një raporti të OKB-së sipas të cilit pozicioni i batalionit hollandez është qëlluar me mortaja ndërmjet 7 dhe 12 korrikut.

Por dëshmitari ka mohuar të ketë pasur dijeni për ndonjë veprim të tillë.

“Ky është si një skenar filmi,” ka thënë ai. “Kam përshtypjen se ky është skenari i përgatitur nga dikush”.

Rachel S. Taylor është redaktore e IWPR në Hagë.

Frontline Updates
Support local journalists