Fati i Trishtueshëm i 'Qytetit Hero'

Vukovari ende nuk është rimëkëmbur nga shkatërrimi i shkaktuar nga ushtria Jugosllave një dekadë më parë.

Fati i Trishtueshëm i 'Qytetit Hero'

Vukovari ende nuk është rimëkëmbur nga shkatërrimi i shkaktuar nga ushtria Jugosllave një dekadë më parë.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Janë vendosur shenja të reja në rrugët e Vukovarit, qyteti në lindje të Kroacisë i cili është shkatërruar krejtësisht nga ushtria Jugosllave në vjeshtën e vitit 1991. Aty është edhe një rrugë me emrin Dr. Franjo Tugjman, e cila e ka marrë emrin nga ish drejtuesi i pavarësisë Kroate, dhe një rruga Bashkimi Europian, e cila tregon për optimizmin se një ditë ish republika Jugosllave do të pranohet në grupin prej 15 vendesh.


Por pak gjëra të tjera kanë ndryshuar në Vukovar, qyteti të cilin nacionalistët Kroatë e thërrasin ‘qyteti hero’ pas rezistencës së luftëtarëve të tij ndaj forcave Jugosllave disa herë më të mëdha në numër. Një semafor i ri ndriçon në rrugën kryesore që vjen nga Osijeku. Pranë tij është zyra e re e konsullatës Jugosllave. Në fshatin aty pranë të Borovos është ndërtuar një pallat i ri sporti, një manastir i restauruar Franceskan në kodër, dhe rradhë pas rradhe një varg shtëpish të reja me tulla të kuqe, të rindërtuara me fondet e Perëndimit.


Por qyteti ende i ngjan një gërmadhe. Nga 14,000 shtëpitë e shkatërruara në luftën e vitit 1991, vetëm rreth një e treta janë rindërtuar. Edhe në qendrën baroke të qytetit, dyqanet janë të shkatërruara dhe pa çati. Disa dallëndyshe kanë bërë fole në fasadën e shkatërruar të stacionit të trenit.


Përpara shpërthimit të luftimeve në Kroaci, Vukovar ka qenë një rreth relativisht i pasur dhe aty kanë jetuar 84,000 njerëz, nga të cilët rreth 50,000 brenda në qytet. Rreth një e katërta e popullsisë ka qenë Serbe, një e treta Kroate dhe pjesa tjetër një përzierje Hungarezësh, Sllovakësh, dhe Ukrainasish, të gjithë pasardhës të të parëve të tyre të dërguar nga Perandorja Maria Terezë për të populluar këtë zonë në shekullin e 18, pasi ushtritë e Habsburgëve kishin çliruar Sllavoninë nga sundimi Otoman.


Sot, vetëm varrezat janë të përziera - mbiemrat e shënuar mbi varre një testament i një kohe kur praktikisht çdo kombësi në perandorinë Austro-Hungareze kishte një prezencë në Vukovar. Serbët i dëbuarn pakicat së bashku me Kroatët pasi pushtuan qytetin në Nëntor të vitit 1991 dhe vetëm një pjesë e vogël e 22,000 refugjatëve janë rikthyer që prej kohës kur kjo zonë është ribashkuar me Kroacinë në vitin 1998.


Nuk ka asnjë arësye për tu kthyer, përveç nostaligjisë për të kaluarën e cila nuk kthehet kurrë më. Vukovar ka qenë një qendër industriale në Jugosllavi, e pozicionuar në mënyrë strategjike përbri Lumit Danub në qendër të rrugëve tregtare që të çonin në Kroaci, Serbi, Bosnje dhe Hungari. Kompleksi gjigand i prodhimit të gomës, Borovo, i cili prodhonte çdo gjë, këpucë, goma për makina, etj, ka qenë punëdhënësi më i madh në qytet.


Fabrika Borovo është shkatërruar në 1991 dhe askush nuk ka ndërtuar ndonjë fabrikë të re. Në Vukovar është ndërtuar një dyqan i ri, i cili shet verëra të bardha të prodhuara në fshatin pranë qytetit Ilok. “Ky është i vetmi dyqan në qytet që nuk do të mbyllet kurrë,” thotë me shaka drejtuesi i tij. Verërat e bardha Kroate nuk kanë qenë të shtrenjta dhe rifillimi i prodhimit të tyre gjatë dy vjetëve të fundit është një nga sukseset e pakta të ekonomisë.


Ish presidenti Tugjman ka detyruar bashkitë Kroate të kontribuojnë për rigjenerimin e qytetit në vitin 1997, një vit përpara se autoritetet Kroate të merrnin përsëri kontrollin e qytetit nga administrata e përkohëshme e OKB-së për Sllavoninë Lindore, e cila njihej me emrin UNTAES. Por nga 29 projektet publike të Tugjmanit, vetëm shtatë prej tyre janë pranë përfundimit. Pesëmbëdhjetë projekte të tjera janë në ndërtim e sipër, ndërsa të tjerat nuk kanë filluar fare.


Pasi pushoi zhurma rreth kthimit në ‘qytetin hero’, disa qytete i harruan premtimet e tyre ndaj Vukovarit. Në të njëjtën kohë, depresioni që goditi ekonominë Kroate në vitin 1997 bëri që riparimi i Vukovarit të mos përbënte më një përparësi. Edhe kështjella Eltz, simboli kryesor i qytetit, është lënë të shkatërrohet.


Këtë pranverë, parlamenti Kroat, Sabor, ka miratuar një plan të ri për Vukovarin, në një përpjekje për të rikthyer refugjatët - të cilët janë rreth 13,000 njerëz. Mbetet për të parë nëse kreditë, lehtësimi për taksat dhe një zonë e lirë do të kenë sukses. Mungesa e dëshirës së refugjatëve për t’u kthyer do të thotë - për bezdinë e disave - se qyteti është i banuar kryesisht nga Serbët.


Të mërzitur, pa punë, por të frikësuar nga kushtet edhe më të rënda ekonomike në Jugosllavi, Serbët kanë qëndruar në Vukovar, të bllokuar në një lloj zone të frikshme. Ata kanë kishën e tyre Ortodokse, të rindërtuar në vitet 1990 gjatë periudhës së sundimit Serbe, dhe fëmijët e tyre shkojnë në shkolla të ndryshme nga Kroatët, duke kryer programet e tyre shkollore.


Për më tepër, e ardhmja e tyre duket e zymtë. “Ata kanë shkollat e tyre ku përdorin alfabetin Cirilik,” më thotë një burrë i vjetër. ‘Por mendoj se ata kanë bërë një gabim që kanë kërkuar atë alfabet. Alfabeti Cirilik nuk do ti ndihmojë ata për të gjetur punë në Kroaci”.


Ndoshta shumë prej tyre as që do të mundohen, për shkak të një shkalle papunësie prej 23 përqind. Partitë politike Serbe, me qendër në Zagreb, janë aktive në këtë zonë, duke i inkurajuar njerëzit e tyre të qëndrojnë dhe të zhvillojnë jetën politike dhe kulturore. Por shenjat ‘shitet’ që janë vendosur në shumë shtëpi tregojnë se ky është një komunitet që kërkon të largohet.


“Unë do të shes shtëpinë time, por nuk do të marr as sa për të blerë një makinë të mirë,” thotë një burrë i mërzitur. “Edhe pse me tre dhoma gjumi dhe ngrohje qëndrore, mund ta shesësh vetëm rreth 30,000 marka Gjermane”. Tregu i shtëpive është në rënie. Serbët duan ti shesin por Kroatët nuk dëshirojnë ti blenë. Historia e kohëve të fundit në qytet është tepër e zymtë. “Kroatët nuk dëshirojnë të jetojnë pranë Serbëve,” thotë një gazetar vendas, “jo pas asaj që ndodhi në vitin 1991”.


Shenjat ‘shitet’ ndriçojnë në diellin e pranverës, dhe duken si të verdha. Serbët dhe Kroatët që kthehen shëtisin nëpër shtëpitë e tyre gjysëm të shkatërruara, qytetin gjysëm të rindërtuar, duke qëndruar ulur në kafenetë e tyre të ndara, duke bërë pak pazar në tregun e mallrave të përdorur. Një autobus i çuditshëm zbret disa turistë të huaj në qytet për një orë ose dy për të fotografuar me aparatet e tyre qytetin e shkatërruar. Zogjtë kanë ndërtuar fole të shumta në godinat e shkatërruara. Duket se, vetëm natyra, po përgatitet të rikthehet në Vukovar.


Markus Taner është autori i librit Kroacia, Një Komb i dalë nga Lufta, i botuar nga Qendra e Shtypit të universitetit të Yale, dhe që do të ribotohet këtë vjeshtë.


Frontline Updates
Support local journalists