EKSTREMISTËT SHQIPTARË PËRBËJNË KËRCËNIM PËR RAJONIN

Politikanët Shqiptarë duhet të punojnë për të pakësuar aktivitetet e nacionalistëve ekstremistë

EKSTREMISTËT SHQIPTARË PËRBËJNË KËRCËNIM PËR RAJONIN

Politikanët Shqiptarë duhet të punojnë për të pakësuar aktivitetet e nacionalistëve ekstremistë

Pas kryengritjes në luginën e Preshevës në jug të Serbisë, një tjetër kryengritje Shqiptarësh ka shpërthyer, këtë rradhë në Maqedoni.


Në ndryshim nga Ushtria Clirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, lëvizja e re guerrile ka një emër më tërheqës dhe ambicioz, ushtria Clirimtare Kombëtare.


Shkurtimi i saj është i njëjtë me atë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, lufta çlirimtare e së cilës ndaj forcave Serbe ka arritur kulmin me bombardimet e vitit të kaluar të NATO-s.


Si rezultat i daljes në skenë të këtyre grupeve radikale, komuniteti ndërkombëtar tani ka filluar të shqetësohet me atë që ai e konsideron si rritje të militantizmit Shqiptar.


Shtypi i Shkupit dhe Beogradit, përfshirë edhe disa media Perëndimore, thonë se Kosova po eksporton lëvizjet radikale të cilat nuk kërcënojnë vetëm Serbinë dhe Maqedoninë por edhe stabilitetin në të gjithë rajonin.


Shqiptarët po fitojnë imazhin e një kombi luftëdashës, duke zëvendësuar Serbët në rolin e problematikëve në rajon.


Kjo pikpamje përforcohet edhe nga dhuna ndaj Serbëve dhe pakicave të tjera etnike në Kosovë. Disa kanë filluar të shtrojnë pyetjen: A e kanë merituar Shqiptarët e Kosovës ndërhyrjen e NATO-sç


Ndërsa partitë më të mëdha politike në Kosovë dhe Shqipëri po tregohen inaktive, militantët Shqiptarë po dalin në dukje, duke e paraqitur veten si drejtuesit patriotik të të gjithë kombit.


Unë e njoh ideologjinë, mentalitetin dhe mitvimin që qëndron pas forcave që provokojnë konfliktin e armatosur në Maqedoni.


Unë i njoh këta patriotë të flaktë Shqiptarë, veçanërisht emigrantët në Europë. Dhe ata janë përpjekur të më bindin që Maqedonia është një krijim artificial, i krijuar në kurriz të kombit Shqiptar.


Ata kanë kohë që thonë se ndarja e detyruar e kombit Shqiptar ka qenë një padrejtësi historike, me qëllim për të mos lejuar atë të jetë i barabartë me fqinjët e tij në rajon.


Padrejtësia do të vihej në vend, sipas tyre, duke ndarë maqedoninë në pjesët Sllave dhe Shqiptare dhe kjo e fundit të bashkohej me Kosovën, apo edhe më mirë, të bëhej pjesë e një shteti të bashkuar të Shqiptarëve.


Pas shpërbërjes së federatës Jugosllave, disa nga këta patriotë kanë ndryshuar mëndjen, duke e kuptuar se ndarja e Maqedonisë është një punë e rrezikëshme, pse jo edhe e pamundur.


Maqedonia nuk mund të ndahet pa shkaktuar një krizë të madhe. Nuk është një koincidencë që aty janë dislokuar trupat e NATO-s. Ato kanë qenë prezente aty që prej fillimit të konfliktit Jugosllav për të parandaluar përhapjen e tij në Maqedoni dhe shpërbërjen e vendit.


Lëvizjet radikale të Shqiptarëve po bëjnë një luftë që nuk munden ta fitojnë.


Ata mund të kenë të drejtë të mendojnë se mund të shpërbëjnë Maqedoninë, por kjo do të ishte një lëvizje e gabuar strategjike sepse konflikti mund të përhapej edhe në pjesë të tjera të rajonit dhe të provokonte një reagim të ashpër ndërkombëtar.


Ata që përkrahin një kryengritje në Maqedoni janë naivë kur mendojnë se fuqitë e mëdha, veçanërisht Amerikanët, do të mbështesin Shqiptarët.


Këto parashikime janë tepër të rrezikëshme, sepse Amerikanët do të "përkrahin" gjithnjë ata që mbështesin interesat e tyre gjeo-strategjike - dhe Shqiptarët duhet ta kuptojnë që ndarja e Maqedonisë nuk është pjesë e planeve të SHBA-së.


Nuk ka asnjë dyshim që Maqedonia nuk është as një shtet i qëndrueshëm dhe as një zgjidhje ideale. Shqiptarët kanë kundërshtime serioze dhe të bazuara si ndaj kushtetutës së vendit ashtu edhe ndaj formave të diskriminimit politik, kombëtar dhe ekonomik të trashëguar që nga periudha e Jugosllavisë.


Por Maqedonia duhet të ekzistojë. Dhe paralajmërimet e NATO-s se ajo nuk do të lejojë destabilizimin e vendit duhet të merren seriozisht.


E ashtuquajtura Ushtria Clirimtare Kombëtare është aktive në zonën kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës e cila kontrollohet nga NATO-ja, dhe do të ishte një gjë shumë e gabuar nëse guerrilat përplasen me trupat e Aleancës.


Forcat politike të Shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni duken të pafuqishme për të parandaluar aktivitetet e grupeve ekstremiste militante.


Por së fundi forcat politike duket se kanë filluar të kuptojnë ndjenjën që ka lindur në gjirin e komunitetit ndërkombëtar i cili e sheh tani Kosovën si furnizuese të radikalizimit, dhe kjo ndjenjë mund të dëmtojë të ardhmen afatgjatë të provincës.


Ata e dinë se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje ushtarake të çështjes Shqiptare.


Ndërkohë, të gjithë përfaqësuesit politik të Shqiptarëve në Maqedoni, qoftë në qeveri por edhe ata të opozitës, janë distancuar qartë nga kjo kryengritje.


Ata presin të mbështeten në këtë drejtim edhe nga kolegët e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, përgjigja e të cilëve deri më tani ka qenë e vakët dhe konfuze, për shkak të konflikteve të mëdha ideologjike dhe mungesës së një koordinimi strategjik.


Por ato duhet të zgjidhin problemet e tyre pa humbur kohë, sepse ato duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në qetësimin e pasioneve dhe të parandalojnë përshkallëzimin e një konflikti të ri.


Forcat politike Shqiptare jashtë Maqedonisë duhet të mbështesin edhe më fortë njerëz si Arbën Xhaferri, drejtuesi i Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve në Maqedoni, të cilët kanë dënuar pa asnjë rezervë militantët.


Është e qartë se partitë politike, si në pushtet ashtu edhe ato të opozitës duhet të punojnë më shumë për të ndaluar grupet radikale të marrin në dorë fatet e kombit Shqiptar.


Autori është shkrimtar dhe drejtuesi i zyrës së Radio Europa e Lirë në Prishtinë.


Frontline Updates
Support local journalists