Eksodi i Shqiptarëve

Luftimet në Maqedoni kanë shkaktuar largimin e disa mijëra Shqiptarëve për në Kosovë.

Eksodi i Shqiptarëve

Luftimet në Maqedoni kanë shkaktuar largimin e disa mijëra Shqiptarëve për në Kosovë.

"Paraushtarakë Maqedonas me maska erdhën dhe na thanë të largoheshim nëse donim të shpëtonim kokën," thotë një grua e vjetër Shqiptare nga Shkupi, e rrethuar nga valixhet e familjes së saj në kampin tranzit të sapo hapur në Kaçanik.


Afrim Aliu, nga Gulmova pranë Liqenit të Treskës, në perëndim të Shkupit, thotë se ai dhe fqinjët e tij janë detyruar të largohen sepse forcat e armatosura Maqedonase nuk i kanë lejuar ata të korrin prodhimet bujqësore. "Ne me atë jetojmë! Jemi fshatarë," thotë ai.


Ata janë ndër 14,000 Shqiptarët nga Maqedonia të cilët kanë hyrë në Kosovë fundjavën e kaluar ndërsa i dërguari i BE-së Havier Solana përpiqej të arrinte një armëpushim të brishtë ndërmjet autoriteteve të Shkupit dhe Ushtrisë Clirimtare Kombëtare.


Kampi i Kaçanikut, në autostradën Shkup-Prishtinë, është hapur më 24 Qershor nga Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët. "UNHCR-ja duhet të jetë e përgatitur për më të keqen," thotë i dërguari rajonal i agjensisë Erik Morris.


Dy vjet dhe 15 kilometra ndajnë këtë valë të re refugjatësh Shqiptarë nga kampi legjendar i Bllaces, në anën tjetër të kufirit Maqedonas, ku gjysëm milion Shqiptarë të Kosovës u strehuan pasi kërcënoheshin nga forcat Serbe të sigurimit në vitin 1999.


Që prej shpërthimit të luftimeve në Maqedoni, në fund të Shkurtit, rreth 1,000 refugjatë në ditë kanë hyrë në Kosovë. Kur UCK-ja morri në kontroll Haraçinën, 8 km në veri të Shkupit, në fund të muajit Maj, numri arriti në deri 4,000 njerëz në ditë.


Autoritetet e Shkupit kanë ngritur një postobllok të rrethuar me thasë me rërë në një kryqëzim 10 km larg Bllazes, ku policë dhe ushtarëkontrollojnë makinat e refugjatëve dhe dokumentat e tyre.


"Shumë familje thonë se ato janë përpjekur dy ose tre herë të kalojnë kufirin por janë kthyer nga policia Maqedonase," thotë zëdhënësja e UNHCR-së Mercedes Rouz. "Të tjerë, të lodhur pas pesë orë pritjeje, kanë vendosur të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të provojnë përsëri të nesërmen".


Burhamedin Qazimi sapo ka kaluar kufirin në pikën e Hanit të Elezit me gruan dhe dy vajza të vogla, pasi është larguar nga Lisec, pranë Tetovës. "Policia Maqedonase më ka kontrolluar katër herë," thotë ai, "ata u sollën shumë keq. Më vjen keq që vajzat kaluan këtë eksperiencë. Ato skena në Lisec do tu mbeten gjithnjë në mendje".


"Nuk ka paqe në Maqedoni në rast se nuk vendosen trupat e NATO-s," thotë një tjetër burrë i mbytur në djersë, i cili sapo ka arritur në Kaçanik pas një udhëtimi të lodhshëm. "Në po na bombardojnë me helikopterë dhe avionë të blera me paratë e taksave tona".


Më 26 Qershor, UNHCR ka kërkuar 17.5 milion dollarë Amerikan për të ofruar ndihmë emergjente për mbi 65,000 refugjatë në Kosovë dhe 35,000 njerëz të regjistruar nga Kryqi i Kuq i njerëz të zhvendosur brenda Maqedonisë.


I planifikuar të mbajë deri në 14,000 njerëz, kampi i Kaçanikut ka strehuar vetëm 10 përqind të rreth 2,000 të sapoardhurve në ditën e parë të punës së tij rreth 10 ditë më parë. Pas regjistrimit, refugjatët lahen, hanë dhe nisen për në vende të tjera në Kosovë.


Pjesa më e madhe vendosen pranë kufirit - në fshatra si Dragashi, Hani i Elezit, Kaçaniku, Vitia, Ferizaj dhe Gjilan - me qëllim që të kenë mundësi të kalojnë kufirin dhe të kthehen në shtëpitë e tyre sapo të pushojnë luftimet. Shumë prej tyre jetojnë në shtëpi, pa dyer, dritare, ujë të rrjedhshëm apo energji elektrike, të cilat janë në ndërtim e sipër pas shkatërrimit gjatë luftës së Kosovës. Popullsia e Kaçanikut është dyfishuar gjatë javëve të fundit.


Kryqi i Kuq i Kosovës paguan 40 marka Gjermane në muaj familjeve vendase për çdo refugjatë të strehuar prej tyre. "Nuk mjafton," thotë Hysen Sula, një tregtar nga Ferizaj, "por ne po përdorim rezervat e familjeve tona". Ai ka strehuar 20 refugjatë në shtëpinë e tij.


Fluksi i tanishëm vjen kryesisht nga fshatrat ndërmjet Shkupit dhe Tetovës. "Për fat të mirë, refugjatët nga Lugina e preshevës, të cilët kanë ardhur në Kosovë disa muaj më parë, tani po kthehen në shtëpitë e tyre," thotë sekretari i Kryqit të Kuqit, Qerim Spahiu. Por ka ende shumë probleme.


Adem Salihaj, kryetari i komunës së Ferizajt, thotë se 200 familje me 1,000 anëtarë kanë mbërritur më 25 Qershor, pjesamë e madhe e tyre nga rrethinat e Shkupit, duke e rritur numrin e refugjatëve në këtë komunë në 12,000 njerëz. Ai i ka bërë thirrje qyteteve të tjera të Kosovës të ndajnë këtë peshë duke marrë më shumë njerëz.


Kryqi i Kuq për momentin po përdor Kaçanikun si një qendër për të gjetur dhe ribashkuar anëtarë të familjeve të ndara gjatë nxitimit për t'u larguar nga Maqedonia. "Ne kemi arritur të vendosim kontakte ndërmjet katër fëmijëve nga Sllupçani dhe prindërve të tyre," thotë Ylber Tufa. "Sllupçani, pranë Kumanovës, është shkatërruar krejtësisht nga predhat e ushtrisë. Prindërit e këtyre fëmijëve ende jetojnë në bodrumet e shtëpive të tyre atje".


Nehat islami është drejtuesi i projektit të IWPR-së në Kosovë.


Macedonia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists