E Vërteta Del në Gjyq në Serbi

Akuzat e autoriteteve Jugosllave ndaj Miroslav Filipoviq kërkojnë të kriminalizojnë gazetarinë profesionale - dhe debatin e hapur - rreth çështjeve në qendër të krizës politike serbe.

E Vërteta Del në Gjyq në Serbi

Akuzat e autoriteteve Jugosllave ndaj Miroslav Filipoviq kërkojnë të kriminalizojnë gazetarinë profesionale - dhe debatin e hapur - rreth çështjeve në qendër të krizës politike serbe.

E vërteta ka dalë në gjyq në Serbi. Gazetari serb Miroslav Filipoviq ka dalë para gjyqit në Nish, sot më 25 Korrik, i akuzuar për spiunazh për arësye se ka thënë të vërtetën rreth krimeve të luftës të bëra nga forcat jugosllave në Kosovë dhe për konfliktin e mundshëm në Malin e Zi. Ai rrezikon të dënohet deri me 15 vjet burgim.


Duke hapur gjyqin në një sallë të gjykatës ushtarake, kapiteni Aleksandar Kaliçanin, zëvendës-prokuror ushtarak, akuzoi Filipoviqin se ka njoftuar për "situatën ushtarake dhe politike, kontrollin e territorit dhe mobilizimin e Ushtrisë Jugosllave në territorin e Sanxhakut" si edhe "aktivitetet dhe moralin" e ushtrisë në Mal të Zi.


Ai ka akuzuar gazetarin se ka shkruar se Ushtria Jugosllave "ka kryer krime në Kosovë" ... dhe se Beogradi "po dërgon forca ushtarake dhe politike në Kosovë dhe Metohi për të provokuar konfliktin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve."


I pari gazetar me sa mbahet mend që përballet me akuza për spiunazh në Jugosllavi, Miroslav Filipoviq, 49 vjeç, mund të jetë edhe i pari gazetar që arrestohet ndonjëherë se ka spiunuar duke përdorur shkrimet e tij në internet. Shumë nga artikujt e tij nuk mund të botoheshin brenda vendit. Një media e pavarur e shtrënguar nga zënia me forcë e mjediseve të punës, një ligj drakonian për informimin, dhe e rrezikuar edhe me vrasje nuk mundet, ose nuk guxon të thyejë tabutë politike.


Por nëpërmjet fuqisë së internetit, Filipoviq, duke punuar për IWPR-në, një organizatë me qendër në Londër e cila punon për zhvillimin e mediave, është fokusuar në qendër të çështjeve të paprekshme në Jugosllavi dhe, për më tepër, duke përdorur si dëshmitarë oficerë dhe burime të tjera nga brenda institucionit.


Informacioni i dhënë nga këto burime konfirmon mosmarrëveshjet që ekzistojnë në gjirin e qeverisjes jugosllave mbi politikat e papërgjegjshme të qeverisë së presidentit Sllobodan Millosheviq.


Në një artikull oficerë dhe ushtarë japin hollësira mbi masakrimin e fëmijëve shqiptarë në Kosovë dhe turpin që ndjejnë shumë njerëz në rradhët e ushtrisë tani. Një artikull tjetër përshkruan një përqëndrim të rrezikshëm të forcave ushtarake në Sanxhak, zonë me popullsi në shumicë myslimane në Serbinë jugore pranë kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi. Një artikull tjetër flet për një numër oficerësh në rradhët e ushtrisë të cilët kundërshtojnë çdo agresion të mundëshëm ndaj Malit të Zi.


Nga qyteti i tij në Kraljevë, në Serbinë jugore, Filipoviq përfaqëson energjinë instinktive demokratike lokale, e cila është më e zhvilluar në zonat jashtë kryeqytetit. Ai është në fakt një lloj besniku i Jugosllavisë: rrjedh nga një familje ushtarakësh, ka shkruajtur një libër mbi industrinë lokale të aviacionit, ka mbështetur shkëmbimet kulturore ndërmjet Jugosllavisë e Francës dhe ka ndihmuar në organizimin e ndihmës humanitare në nivel lokal pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s.


Pikërisht për faktin që ai nuk bën pjesë në rrethin e zakonshëm të opozitës politike në Beograd, ai ilustron me kaq forcë potencialin e vërtetë profesional që ekziston në të gjithë vendin. "Gazetaria është në gjyq, por babai im ka provuar se ka gazetarë të vërtetë në Serbi," është shprehur djali i tij Sasha, 18 vjeç, gjatë një ceremonie prekëse të organizuar kohët e fundit në Londër, ku atij iu dorëzua për babain një çmim si Gazetari Europian i Vitit në Internet.


Nëse arrestimi është një paralajmërim ndaj burimeve të mundshme të informacionit, ai ka kontribuar gjithashtu edhe në frikësimin e gazetarëve, punonjësve të të drejtave të njeriut dhe aktivistëve të tjerë civilë. Sipas një gazetari tjetër të njohur serb, "rasti i Filipoviqit tregon se pas tij mund të të vijë rradha ty."


Në një vend ku zërat demokratikë varen pothuajse gjithnjë nga mbështetja e jashtme, ky rast mund të shënojë një precedent ligjor të rrezikshëm, sepse gazetarët, aktivistët, apo cilido që bashkëpunon me organizatat ndërkombëtare mund të etiketohet si "spiun". Prokurori nuk u përpoq fare të provojë që IWPR apo AFP, për të cilat Filipoviq ka punuar, janë organizata spiunazhi - mjafton fakti që janë të huaja.


Por cila ka qenë përgjigja e një njeriu i cili ka kryer pikërisht atë tregim të së vërtetës për të cilin bota ka kaq kohë që u bën thirrje popullit të Serbisë? Heshtja.


Siç deklaroi avokati mbrojtës i Filipoviqit në gjyq, shumë nga faktet që ai ka publikuar në artikujt e tij janë mbuluar edhe nga media të tjera në rajon, veçanërisht në Mal të Zi. Vetëm në Serbi këto fakte mund të jenë të diskutueshme - apo mund të quhen shumë të rrezikshme edhe për t'u paraqitur në publik.


Por edhe medias së pavarur në Jugosllavi iu desh dy muaj pas arrestimit të tij për të përmendur artikujt e Filipoviq në internet - dhe disa prej tyre akoma nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Për disa kohë janë vendosur postera që bënin thirrje për lirimin e tij në të gjithë qytetin e tij dhe bashkimi i gazetarëve në Beograd ka zhvilluar një fushatë në favor të tij. Por figurat kryesore të opozitës nuk janë prononcuar fare për këtë ngjarje.


Në nivelin ndërkombëtar diplomatët janë treguar po ashtu të matur. Në prag të gjyqit - të nxitur ndoshta nga mbulimi i këtij rasti prej CNN dhe disa mediave të tjera të rëndësishme, si edhe nga një deklaratë e Emnisti Internejshënël - janë bërë disa përpjekje të rëndësishme për të diskutuar këtë çështje me autoritetet e Beogradit.


Por shumë diplomatë shprehin shqetësimin se përkrahja nga ana e perëndimit mund të jetë një fakt në disfavor të tij. Të tjerë me eksperiencë të gjerë në Beograd njoftojnë se ministria e jashtme jugosllave as që nuk u përgjigjet më telefonatave të tyre. Disa të tjerë japin përshtypjen se një zhurmë e shkaktuar për një qytetar jugosllav mund të rrezikojë punën dhe jetën e qytetarëve të vendeve të tyre në Jugosllavi. "Tani ne nuk kemi fuqi të mjaftueshme për të bërë gjë" është shndërruar në një refren të zakonshëm.


Por kjo mund të mos jetë e vërtetë, veçanërisht tani që në Europë ka filluar të flitet për lehtësimin e sanksioneve ndaj Serbisë.


Por rreziqet e kësaj heshtjeje mund të jenë edhe më të mëdha. Ndryshimet politike në Serbi nuk janë të drejtuara vetëm ndaj një personi, sado i rëndësishëm të jetë ky ndryshim i udhëheqjes. Ndryshime të vërteta rrënjësore duhet të përfshijnë një sërë vlerash duke luftuar instinktet e korruptuara, kriminale, anti-njerëzore të dhjetëvjeçarit të fundit dhe duke nxitur ato të realitetit, ligjshmërisë dhe mbi të gjitha të së vërtetës. Nëse një ndër të parët që lufton për të vërtetën në Serbi nuk gëzon mbështetje serioze, cili do të ishte ai - dhe me shumë të drejtë - që do të guxonte të vazhdonte në këtë rrugë?


Kjo çështje gjyqësore ka zgjatur vetëm një ditë dhe gjykatësi është tërhequr për të dhënë vendimin e tij ndaj një gazetari dhe së vërtetës.


Antoni Borden është drejtor ekzekutiv i Institutit për Raportimin e Luftës dhe Paqes me qendër në Londër, ku janë publikuar për herë të parë në internet artikujt e Filipoviqit.


IWPR do të ndjekë gjyqin edhe nesër më 26 Korrik.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists