DITA JONE ME E GJATE

Brenda 24 orëve, Kosova është rikthyer në frikën, dyshimin dhe dhunën e qershorit të vitit 1999.

DITA JONE ME E GJATE

Brenda 24 orëve, Kosova është rikthyer në frikën, dyshimin dhe dhunën e qershorit të vitit 1999.

Monday, 21 February, 2005

E vetmja gjë që më shkonte në mend të mërkurën ishte të përfundoja punën sa më shpejt dhe të zëvendësoja pak gjumin që kisha humbur një natë më parë. Por nuk do të ndodhte kështu. Dhuna shpërtheu në të gjithë Kosovën – dhe anëtarë të familjes sime janë gjendur në mes të kësaj dhune.


“Shtëpia jonë është djegur,” shkruhej në një mesazh në telefonin celular që morra vonë natën nga një kushëri im 13 vjecar, një anëtar i familjes së fundit serbe që jeton në fshatin Kishnicë pranë Gracanicës. “Të lutem na ndihmo nëse ke mundësi!”


E mërkura, 17 mars, ka qenë dita më e gjatë gjatë këtyre katër vjetëve që kam jetuar në Kosovë, dhe më e zeza që prej përfundimit të luftës në vitin 1999.


Kur demonstrata e parë nisi rreth orës 11 të mëngjesit, e para gjë që më shkoi në mend ishte “Oh, Mitrovica përsëri” – një tjetër incident ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në atë qytet të ndarë.


Por më pas morra një telefonatë nga një gazetar local në enklavën serbe të Cagllavicës, rreth 50 kilometra në jug të Mitrovicës, i cili duke bërtitur më tha se një turmë shqiptarësh po qëllonte me armë ndaj serbëve.


Pothuajse menjëherë, nisën telefonatat nga serbë në të gjithë Kosovën. Trazirat ishin përhapur edhe shumë larg Mitrovicës dhe Cagllavicës në pothuajse të gjitha vendbanimet e serbëve – Silovë, Gracanicë, Prizren, Fushë Bardhë, Lipjan dhe Gjilan.


Vendosa të shkoj në Cagllavicë së bashku me disa gazetarë të tjerë me një makinë të OKB. Por ndërsa po hynim në ndërtesën e OKB në Prishtinë, disa punonjës të sigurisë të alarmuar na shtynë duke na thënë “Futuni brenda, largohuni nga dera!”


Më pas pashë një turmë njerëzish të cilët po afroheshin drejt zyrave të OKB-së.


Ajo që më bëri më tepër përshtypje ishte mosha e tyre e re – shumica ishin të moshës sime, rreth 26 vjec ose edhe më të rinj. Shumë prej tyer kishin pamje të dhunëshme, dhe më ngjanë si tifozët famëkeq të futbollit të cilët shkaktojnë shpesh trazira në Serbi.


Nuk kishim rrugë tjetër përvec se të qëndronim në zyrat e OKB dhe të përdornim telefonat tanë celular për të mbajtur kontaktet me botën e jashtëme.


Serbët nga e gjithë Kosova vazhdonin të telefononin, duke bërtitur dhe u lutur për ndihmë edhe kur ora kishte kaluar 3 e mëngjesit.


Dhe miq nga Serbia e nga e gjithë bota vazhdonin të telefononin për të marrë vesh se cfarë po ndodhte.


Ndërsa trazirat u përhapën në të gjithë protektoratin, dhe lajmi i vdekjeve dhe i të plagosurve u njoftua nga mediat, familja ime në Vojvodinë në veri të Serbisë ishte shumë e shqetësuar. Mamaja në gjendje tepër të rënduar nervore, më kërkonte të gjeja një mundësi për tu larguar nga Kosova përgjithnjë. Edhe tani që po shkruaj, po përpiqem ta qetësoj atë.


Në mes të tymit dhe kaosit u përpoqa ti telefonoja Ramush Haradinajt, një ish komandant i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, i cili tani është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, për ta pyetur atë nëse kishte në plan ti kërkonte njerëzve të qetësoheshin dhe të ndalnin dhunën. Por telefoni i tij ishte i mbyllur.


Megjithatë, përgjigjet e pyetjes sime i gjeta në deklarimet e sotme në shtyp të bëra nga AAK dhe Partia Demokratike e Kosovës, PDK – dy nga partitë më të mëdha në parlamentin e Kosovës.


“Serbët po keqpërdorin vullnetin e mirë të shqiptarëve për të krijuar një shoqëri të barabartë për të gjithë. Ata nuk dëshirojnë të integrohen në shoqërinë e Kosovës. Edhe kur kanë kaluar pesë vjet nga përfundimi i luftës, dëshira e tyre mbetet e pandryshuar – dëshira për dhunë ndaj shqiptarëve. Kjo nuk mund të tolerohet më,” thuhej në deklaratën e PDK.


Ndërkohë, AAK ka thënë se shkaktare për dhunën janë strukturat paralele të serbëve të Kosovës të cilat veprojnë në veri të protektoratit.


Këto deklarime kanë forcuar bindjen time se Kosova është rikthyer në kaosin e qershorit të vitit 1999, dhe se këtë herë mundësinë për përmirësim janë shumë më të pakta.


Por disa nga miqtë e mi shqiptarë, të tronditur nga ngjarjet e ditës, më kanë telefonuar dje duke më ofruar një vend për të qëndruar apo për të më pyetur nëse kisha nevojë për ndihmë. Dashamirësia e tyre është provë që demonizimi i një kombi të tërë – serb apo shqiptarë – nuk është mënyra për të ecur përpara, dhe nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë.


Tanja Matiq është koordinatore e programit të IEPR në Prishtinë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists