Dhuna Karakterizon Fushatën Zgjedhore në Kosovë

Shpërthimi i dhunës ka dëmtuar përgatitjet për zgjedhjet lokale tejet të rëndësishme të muajit të ardhshëm në Kosovë.

Dhuna Karakterizon Fushatën Zgjedhore në Kosovë

Shpërthimi i dhunës ka dëmtuar përgatitjet për zgjedhjet lokale tejet të rëndësishme të muajit të ardhshëm në Kosovë.

Friday, 15 September, 2000

Vrasja e dy personaliteteve të njohura shqiptare ka errësuar fillimin e fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë.


Mbulimi nga ana e shtypit vendas të fushatës elektorale, e cila filloi me festime dhe mitingje të mëdha të mërkurën e kaluar, u ndërpre menjëherë ndërsa gazetat dhe radiot lokale mbajtën një ditë heshtje të premten në shenjë proteste ndaj dështimit të administratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të ndaluar dhunën në provincë, e cila ka shkaktuar vdekjen e 1,100 personave që prej përfundimit të luftës, vitin e kaluar.


Viktimat më të fundit kanë qenë Shefki Popova, një gazetar i vjetër lokal, dhe Rexhep Luci, drejtor i Departamentit të Rindërtimit dhe Strehimit në Prishtinë. Gazetari i televizionit Marjan Mellonashi është zhdukur pa asnjë gjurmë që prej fundjavës së kaluar.


Popova, 50 vjeç, ka qenë gazetar që prej 25 vjetësh për të përditshmen shqiptare të Kosovës Rilindja dhe stacionin e radios me të njëjtin emër. Ai është vrarë të dielën pranë ndërtesës së qeverisjes lokale në Vushtri, 18 km nga Prishtina.


Luci, 58 vjeç, një arkitekt i cili ka punuar për një sërë projektesh infrastrukture, është gjendur i vrarë përpara ndërtesës së apartamentit të tij të hënën me gjashtë plagë plumbash në gjoks.


Të dy këta njerëz kanë qenë të lidhur ngushtë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, një nga partitë kryesore për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore të planifikuara për në muajin tetor.


Vdekja e Lucit mendohet se është e lidhur me përfshirjen e tij në procesin e drejtuar nga UNMIK për shkatërrimin e ndërtimeve të paligjshme në Kosovë. Një sërë urdhërash për prishjen e ndërtesave janë lëshuar këtë muaj. Zyrtarë të OKB-së thanë se procesi i inspektimit të ndërtimeve nuk do të ngadalësohej nga vrasja e Lucit.


Në një incident tjetër, një bombë është hedhur në drejtim të shtëpisë së Fatmir Pirecit, zëdhënësi i LDK-së në Prizren, në pjesën jugperëndimore të Kosovës të martën. Sipas një zyrtari të partisë, shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të ndërtesës, por asnjë person nuk është plagosur.


Shtatë gazetat e përditshme të Kosovës dhe gjashtë stacione radio televizive, duke njoftuar për protestën e tyre, u ankuan se askush nuk është dënuar për gjithë vrasjet e kryera në provincë që prej përfundimit të luftës për shkak të mungesës së efikasitetit të institucioneve gjyqësore. Policia thotë se për rreth 45 përqind të rasteve janë arrestuar fajtorët.


"Deri më tani vrasjet janë interpretuar si politike dhe dhunë etnike, sepse fajtorët nuk janë zbuluar. Megjithatë përgjegjës janë konsideruar shqiptarët," thanë ata në një deklaratë të përbashkët.


Media u ka kërkuar drejtuesve ndërkombëtarë të ndërmarrin hapa institucionalë për të ndaluar dhunën, për të zbuluar dhe dënuar fajtorët dhe për të përmirësuar efikasitetin e policisë, zyrës së prokurorit dhe gjykatave.


Ata gjithashtu janë shprehur se do të vazhdojnë protestën e tyre kundër ndërtimeve të paligjshme dhe kundër deklaratave nxitëse të politikanëve e vetë mediave. Ata kanë kërkuar siguri për gazetarët dhe liri të lëvizjes.


Vala më e fundit e vrasjeve ka shkaktuar shqetësim ndër institucionet ndërkombëtare që drejtojnë Kosovën se ajo mund të përfshihet në një periudhë të vazhdueshme dhune, gjë e cila do të mund të nxitet edhe nga zgjedhjet që mbahen në vendet fqinje, veçanërisht nga ato presidenciale që mbahen në Serbi.


Si për të konfirmuar frikën e tyre, mbështetësit e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq kanë sulmuar rivalin e tij kryesor presidencial në qytetin kosovar Mitrovica të enjten, duke e plagosur lehtë atë. Kandidati i opozitës Vojislav Kostunica ka pësuar një çarje të lehtë nën syrin e tij të djathtë, ndërsa zëvendës-kryetari i partisë së tij ka pësuar një goditje në këmbë. Disa makina që bënin pjesë në autokolonën që e shoqëronte u dëmtuan. Oliver Ivanoviq, drejtuesi me influencë i Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, e ka shpallur veten si një kundërshtar të hapur të Millosheviqit.


Forca ushtarake KFOR e drejtuar nga NATO do të sjellë në provincë katër batalione shtesë me 2,400 trupa nga Britania, Franca, Italia dhe Greqia për periudhën e zgjedhjeve, të cilët do t'u bashkohen rreth 36,000 trupave që ajo ka vendosur në provincë.


Administrata e OKB-së ka thënë se ajo nuk i njeh zgjedhjet e 24 shtatorit të organizuara në Serbi, sepse ato nuk përmbushin "kriteret e pranuara ndërkombëtare" dhe nuk do të organizojë votimet në Kosovë. Por drejtuesit e serbëve të Kosovës kanë thënë se ata do të organizojnë votimet, megjithëse nuk kanë mundësitë dhe infrastrukturën për ta bërë një gjë të tillë.


Serbët gjithashtu thonë se do të bojkotojnë zgjedhjet lokale në Kosovë të planifikuara për t'u mbajtur një muaj më pas për shkak të problemeve të sigurisë. Vetëm rreth 1,000 serbë janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.


Përgatitjet për zgjedhjet lokale vazhdojnë ende. Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se janë regjistruar rreth një milion votues, por lista përfundimtare nuk do të jetë gati deri në fund të muajit. Janë regjistruar gjithashtu rreth 5,500 kandidatë, përfshirë 1,363 gra për zgjedhjet në 29 komuna.


OSBE ka siguruar rreth 750 vëzhgues ndërkombëtarë dhe po kërkon të tjerë. Këshilli i Europës do të drejtojë misionin e vëzhgimit.


Siguria do të jetë një çështje kryesore për të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Administratori i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernar Kushner, ka dhënë mesazhin e tij gjatë një mitingu të organizuar të mërkurën ku u hap edhe fushata elektorale, i cili ka qenë ai i ndërtimit të paqes dhe demokracisë. "Unë u ofroj mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar të gjithë militantëve dhe kandidatëve. Por, ju lutem, pa dhunë, ndaloni dhunën, ndaloni vrasjet," tha ai.


Llazar Semini është Manaxher i Projektit të IWPR-së në Prishtinë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists