Deronjiq ka Bërë Marrëveshje me Gjykatën
Millosheviq ka akuzuar dëshmitarin se gënjen për të siguruar një dënim më të shkurtër për veten e tij.
Deronjiq ka Bërë Marrëveshje me Gjykatën
Millosheviq ka akuzuar dëshmitarin se gënjen për të siguruar një dënim më të shkurtër për veten e tij.
Sllobodan Millosheviq këtë javë ka akuzuar një dëshmitar të prokurorisë se ka gënjyer me dëshmitë e tij pasi ëshë marrë vesh me prokurorët.
Ai ka thënë se Miroslav Deronjiq, 49 vjec, i cili ka pranuar fajësinë për organizimin e sulmeve ndaj muslimanëve në Bosnje në një tjetër gjyq, ka pranuar të fabrikojë prova me shpresën që të përfitojë një dënim më të lehtë.
“Me këtë marrëveshje që keni bërë me zyrën e prokurorisë për të marrë një dënim më të lehtë… ju keni pranuar të dëshmoni kundër atyre që ju kanë kërkuar ata?” ka thënë Millosheviq më 27 nëntor. “Unë dua të them se ky dëshmitar ka arritur një marrëveshje me zyrën e prokurorit për të gënjyer këtu në favor të prokurorisë dhe të akuzës”.
Gjykatësi May e ka pyetur Deronjiq: “Ju i dëgjuat akuzat që ju bëhen se jeni këtu për të gënjyer si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorinë. Kjo është një akuzë shumë e rëndë. Ëshë e vërtetë apo jo? Mos e merr si fyerje. Pjesa e rëndësishme është që është bërë një akuzë dhe ju duhet ti përgjigjeni asaj”.
“Kjo nuk është fare e vërtetë,” ka thënë Deronjiq. “Unë dëshiroj të them se unë ndodhem përpara gjykatës për të dëshmuar vetëm me dëshirën time. Kjo dëshirë nuk ka fare të bëjë me ndonjë marrëveshje”.
Dëshmia e Deronjiq është e rëndësishme për akuzën se Millosheviq është përgjegjës për krime në Bosnje sepse njësi nga Serbia, forca speciale serbe dhe paraushtarakë, janë dërguar në Bosnje për të ndihmuar në “spastrimin etnik”.
Deronjiq ka qenë kryetar i shtabit të krizës në Bratunac, një organizëm lokal i krijuar nga serbët në Bosnje në fillim të vitit 1992, i cili ka ndihmuar në kontrollin e spastrimit etnik në zonat përreth.
Duke qenë në këtë pozicion, ai ka pasur një pamje të qartë për ngjarjet që kanë ndodhur në atë pjesë në Bosnjen lindore, dhe pasi ka pranuar fajësinë, ai mund të përbëjë edhe një burim të rëndësishëm informacioni rreth qëllimit të spastrimeve – dhe përfshirjes së njësive serbe në të.
Deronjiq ka pranuar se ka dhënë urdhër për spastrimin etnik të një fshati musliman, Glogovac, në të cilin kanë vdekur 65 civilë dhe janë djegur shumë shtëpi dhe xhamia.
Këtë javë, ai ka përsëritur dëshmitë e tij të cilat i ka dhënë më parë në gjyqin ndaj tij, se njësi të ushtrisë jugosllave, JNA, kishin kaluar në Bosnje për të ndihmuar në sulmet ndaj fshatrave rreth zonës së Glogovac.
Në një deklaratë me shkrim prej 70 faqesh, ai ka parashtruar të gjitha hollësitë e planifikimit dhe armatosjes së njësive të serbëve vendas dhe spastrimin e muslimanëve të paarmatosur që ka ndodhur në pranverë të vitit 1992.
Deronjiq ka thënë se armët janë transportuar nga Serbia për tek serbët e Bosnje nëprmjet lumit Drina që në vitin 1991, përpara se të niste spastrimi etnik.
Ai ka identifikuar një oficer, Reljiq, i cili sipas tij ka qenë kapiten, dhe ka drejtuar një njësi të JNA të përbërë prej 102 mjetesh të blinduara e cila ka arritur në Bratunac në prill 1992, pikërisht kur kishin filluar spastrimet.
Ai gjithashtu ka thënë se komandot pjestarë të Berretave të Kuqe janë ndodhur në zonë – dhe kjo është një dëshmi e rëndësishme: Millosheviq, si president i Serbisë, ka pasur direkt nën urdhërat e tij këto njësi të ministrisë së brendëshme, ndërsa JNA ka qenë nën kontrollin e Jugosllavisë.
Dëshmitari gjithashtu ka thënë se ai ka takuar një zyrtar, Predrag Spasojeviq, i cili ka thënë se ishte pjestar i policisë sekrete serbe, dhe i ka treguar edhe një kartë identifikimi për të provuar një gjë të tillë. Në një përballje të tensionuar më 27 nëntor, Deronjiq e ka akuzuar Millosheviqin se është përgjegjës për forcat vullnetare që kanë shkuar nga Serbia për të spastruar fshatrat rreth Bratunac nga muslimanët. “Unë i kam dëbuar vullnetarët nga Bratunac. JNA nuk e bëri, kështu që mu desh ta bëja unë,” ka thënë ai.
“Ju ndoshta keni dëbuar ndonjë njeri me të cilin keni pasur konflikte personale,” ka thënë Millosheviq.
Millosheviq ka ngulur këmbë, gjatë seancës së pyetjeve, se të gjitha planet ushtarake të serbëve të Bosnjes kanë qenë vetëm mbrojtëse, masa mbrojtjeje të marra pas mbajtjes së një referendumi për pavarësinë e Bosnjes në fillim të vitit 1992. “Nuk kanë qenë serbët të cilët kanë bërë plane për tu shkëputur. Ata kanë bërë plane për t’u mbrojtur,” ka thënë Millosheviq.
“Plani është përgatitur për të përdorur vrasjet dhe dëbimet,” është përgjigjur Deronjiq. “Po flas për fillimin e vitit 1992”.
Pas një debati të ashpër, gjatë të cilit Millosheviq është hedhur nga një temë tek një tjetër, Deronjiq ka thënë: “Kërkoj ndjesë zoti gjykatës, por gjithnjë mendoj se zoti Millosheviq kërkon tu japë përgjigje vetë pyetjeve që më drejton mua”.
Pas pranimit të fajit nga Deronjiq, prokurorët kanë vendosur të rekomandojnë një dënim maksimal me 10 vjet burgim për Deronjiq.
Chris Stephen është drejtues i projektit të IWPR në Hagë.