Çështjet Lokale të Kosovës

Banorët e Podujevës nuk janë të kënaqur me veprimet e politikanëve të tyre vendorë.

Çështjet Lokale të Kosovës

Banorët e Podujevës nuk janë të kënaqur me veprimet e politikanëve të tyre vendorë.

Tuesday, 6 September, 2005

Shqiptarët e Kosovës thonë se politikanët, të cilët kanë filluar fushatën për zgjedhjet lokale të planifikuar për më vonë këtë muaj, nuk po adresojnë siç duhet çështjet vendore.


Në Podujevë, një qytet pranë kufirit me Serbinë, votuesit thonë se politikanët nuk thonë se si mendojnë të përmirësojnë arsimimin dhe shëndetësinë vendore dhe të luftojnë papunësinë.


Arsimimi ka qenë prej kohësh një shqetësim i rëndësishëm për shqiptarët. Një brez i tërë është rritur nën një sistem arsimor aparteidi, kur refuzimi serb për të lejuar arsimimin në gjuhën shqipe i detyroi kosovarët të ngrejnë sistemin e tyre paralel.


Mësuesit vendas thonë se ata nuk kanë ndërtesat e nevojshme për të vendosur nxënësit e tyre. Ata detyrohen të kryejnë mësimin me turne paradite dhe pasdite. Në qytet gjenden vetëm dy shkolla fillore dhe katër të mesme. Fëmijëve u mungojnë tekstet shkollore - të cilat prindërit nuk mund t'ua blejnë.


"Ne presim përmirësim të kushteve dhe shpresojmë që të zgjidhen njerëz vendas, të cilët i njohin këto probleme dhe janë vërtet të interesuar," thotë Miradie Beqiri, mësuese në Podujevë.


Maliq Shaqiri, po ashtu mësues, ankohet se mësuesit nuk janë të mirë paguar dhe ndonjëherë nuk paguhen fare. Ai thotë se kjo ka një efekt të tmerrshëm mbi moralin dhe nivelin e tyre profesional. "Si mund të jetojnë kështu ata? Si mund të mbajmë familjet tona? Si mund të mbaj pesë fëmijët e mi?"


Të tjerë flasin për papunësinë e lartë në Podujevë dhe ankohen se ky është një problem tjetër me të cilin nuk po merret askush.


Banorët e Podujevës thonë se politikanët nuk duhet të humbin kohë duke u përpjekur t'u mbushin mendjen votuesve për rëndësinë e zgjedhjeve. Ata thonë se e kuptojnë rëndësinë e domethënien e këtyre zgjedhjeve dhe parashikojnë një pjesëmarrje të lartë. Tashmë janë regjistruar rreth 56,780 votues. Ata do të votojnë në më shumë se 60 qendra votimi në Podujevë.


Votuesit kanë një mundësi të madhe zgjedhjeje. Shumë nga partitë janë krijuar që përpara luftës. Të tjera janë më të reja në skenën politike. Të gjitha këto parti, përfshirë edhe më të mëdhatë, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, dhe Aleanca për të Ardhmen e Kosovës, AAK, premtojnë shumë. Por a do t'i mbajnë këto premtime?


LDK premton ndryshime në situatën e sigurisë, rindërtim, politika sociale dhe strehim. Ajo do të punojë për përmirësim të infrastrukturës, zhvillimin ekonomik, reforma të mëtejshme në arsim dhe kujdes shëndetësor, si edhe programe dhe lehtësira për familjet e të vdekurve në luftë dhe invalidëve.


Motoja e AAK-së - "Me ne fitojnë të gjithë" - premton ndryshime në ekonomi, arsim, turizëm dhe bujqësi. Udhëheqja e kësaj partie thotë se ajo ka teknokratët më të mirë për të zbatuar projektet e reja. "Ne jemi më të mirët profesionalisht," thotë Isak Zhitia.


PDK ka një program jo vetëm për zhvillimin e qendrës urbane të Podujevës, por edhe të zonave rurale. Ajo thotë se do të marrë përgjegjësitë për menaxhimin e furnizimit me ujë për rreth 80 përqind të zonës së Llapit.


"Ne duhet të përdorim çdo mjet për të fituar zgjedhjet lokale kështu që të kemi mundësi të realizojmë projektet tona, të cilat do të zgjidhin problemet e qytetit," thotë drejtuesi i PDK-së lokale Hamit Hamiti. "Votoni për të ardhmen tuaj".


Partitë premtojnë të bëjnë shumë, por planet e tyre duken paksa të paqarta.


Qytetarët pyesin se si mund të ndryshojnë partitë infrastrukturën e Podujevës kur fondet ose kontrollohen nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ose nga organizatat joqeveritare (OJQ).


Ata duan të dinë se si do të bindin partitë administratën ndërkombëtare dhe OJQ-të për të përfunduar projektet e filluara dhe për të dhënë fonde të reja për fushat kryesore.


Votuesit dëshirojnë që kandidatët e tyre të flasin qartë me ta, me terma të thjeshta në mënyrë që të kuptohen. Vetëm atëherë votuesit do të mund të vendosin se cilin do të përkrahin.


Refiqe Hamiti është gazetare në Podujevë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists