BULLGARI: MOSMARRËVESHJET NË GJIRIN E MUSLIMANËVE USHQEJNË FRIKËN E MEDIAVE PËR FONDAMENTALIZËM

Një luftë fjalësh ndërmjet dy pretendentëve për drejtues shpirtëror të komuniteti islamik të Bullgarisë po fryhet edhe më tepër nga shtypi, duke shqetësuar shumicën ortodokse krishtere.

BULLGARI: MOSMARRËVESHJET NË GJIRIN E MUSLIMANËVE USHQEJNË FRIKËN E MEDIAVE PËR FONDAMENTALIZËM

Një luftë fjalësh ndërmjet dy pretendentëve për drejtues shpirtëror të komuniteti islamik të Bullgarisë po fryhet edhe më tepër nga shtypi, duke shqetësuar shumicën ortodokse krishtere.

Një betejë për zemrën dhe shpirtin – si edhe për prona dhe para – në gjirin e pakicës muslimane në Bullgari po intensifikohet ndërsa drejtuesit kundërshtarë akuzojnë njëri tjetrin për futjen e mësimeve radikale islamike në komunitetin musliman i cili ka qenë tradicionalisht i moderuar.


Besimtarët musliman bullgarë janë viktimat e para dhe më të mëdha të kësaj lufte. Por një tjetër viktimë e mundëshme është edhe bashkëjetesa paqësore ndërmjet atyre dhe shumicës krishtere ortodokse, e cila po bëhet gjithnjë e më e alarmuar nga njoftimet në median e vendit.


Konflikti duket se është shkaktuar nga miratimi rreth dy vjet më parë i legjislacionit, Ligjit për Besimin Fetar, i cili detyron grupimet fetare në vend dhe drejtuesit e tyre të regjistrohen apo riregjistrohen në zyrat e shtetit.


Në atë kohë, dy fraksione të veçanta në gjirin e pakicës muslimane kanë paraqitur kandidatët e tyre rivalë për postin e kryemyftiut, kryetarit të komunitetit musliman. Megjithatë, për shkak të ngjashmërisë ndërmjet aplikimeve të të dy këtyre personave dhe konfuzionit mbi një çështje të ngjashme ligjore për kontrollin e komunitetit fetar në të kaluarën, gjykatat ende nuk kanë dhënë një vendim të prerë për këtë çështje.


Ndërsa të dy kandidatët kanë pritur për vendimin e gjykatave, pasuesit e tyre kanë filluar të akuzojnë njëri tjetrin se “ushqejnë” të rinjtë bullarë me idetë e fondamentalizmit islamik; se kanë lidhje me grupe ekstremiste; dhe se po përgatisin edhe një luftë fetare në vend.


Shumë vëzhgues kanë kundërshtuar këto akuza si pjesë e një lufte propagandistike të shkaktuar nga përplasjet ndërmjet fraksioneve rivale për të siguruar kontrollin mbi pronat dhe pasurinë e madhe të siguruar nga udhëheqja muslimane gjatë shumë shekujve.


Hristo Matanov, një historian në Universitetin e Sofies, Shën Kliment Ohridski dhe ish kryetar i drejtorisë shtetërore për fenë, ka thënë për IWPR se lufta për drejtimin e fesë muslimanë është veçanërisht e ashpër për shkak se bëhet fjalë për kontrollin e një pasurie shumë të madhe.


“Unë mendoj se kjo është një luftë për prona dhe për kontrollin e ndihmës financiare që vjen nga jashtë vendit,” ka thënë ai.


Komuniteti Musliman i Bullgarisë – organizmi administrative i komunitetit – ka në pronësi shumë ndërtesa banimi, zyra dhe ndëtesa tregtare, tokë bujqësore dhe tokë ndërtimi në qytete, të dhuruar nga anëtarë të komunitetit gjatë viteve. Këto prona gjenden në zonat më të kërkuara dhe më të shtrenjta të disa qyteteve, dhe u janë dhënë me qera firmave private, duke sjellë të ardhura të mëdha për drejtuesit e komunitetit musliman.


Në prag të sulmeve të 11 shtatorit mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe valës së bombave të lidhura me militantët islamik në të gjithë botën, media bullgare ka folur për rrezikun e fondamentalizmit musliman në vend dhe kërcënimet e mundëshme nga ekstremistët, duke shkaktuar një debat shpesh shqetësues mbi shkallën e ndikimit islamik në vend.


E përjavëshmja Kapital, për shembull, ka botuar kohët e fundit një investigim mbi islamizmin radikal në Bullgari, duke përmendur disa kontakte të mundëshme ndërmjet zyrës së kryemyftiut dhe disa organizatave arabe, dhe duke theksuar atë që e ka përshkruar si mungesë transparence në drejtimin e shkollave dhe institucioneve muslimane.


Por disa artikuj të tjerë më pak të rëndësishëm në shtypin tabloid – shumë prej të cilëve thonë se në vend gjenden shumë militantë islamik të cilët nxisin të rinjtë të përfshihen në Luftën e Shenjtë, Xhihad – kanë alarmuar popullsinë në përgjithësi, duke shkaktuar tensione dhe dyshime ndaj komunitetit musliman, dhe duke kërcënuar për ti dhënë fund bashkëjetesës paqësore.


NJË HISTORI SHTYPJEJE


Sipas regjistrimit të vitit 2001, komuniteti musliman i Bullgarisë numëron rreth një milion pjestarë pra pak më tepër se 12 përqind të popullsisë së përgjithëshme prej 7.9 milion banorë të vendit.


Pjesa më e madhe e tyre janë turq etnik pasues të atyre të cilët janë vendosur në Bullgari gjatë mbi 500 vjetëve që ajo ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane. Grupi tjetër më i madh janë romët, të cilët janë rreth 371,000. Pastaj ka edhe pomakë – sllavë etnik të cilët janë shndërruar në muslimanë gjatë sundimit ottoman por vazhdojnë të flasin bullgarisht. Numri i tyre është i paqartë sepse ndërsa shifrat zyrtare tregojnë se rreth 70,000 jetojnë në vend, shifra të tjera jo zyrtare flasin për 175,000 banorë të tillë. Të tre komunitetet janë muslimanë sunit.


Lidhjet e fuqishme të komunitetit musliman me Turqinë kanë shkaktuar një sërë vështirësish pasi Bullgaria ka hedhur tej zgjedhën otomane në vitet 1870 dhe është bërë një shtet i pavarur kryesisht i krishter. Përpjekjet e mëtejshme për të dëbuar apo asimiluar muslimanët kanë sjellë pakësimin e numrit të tyre, nga 30 përqind të popullsisë në vitin 1881 në më pak se dhjetë përqind në vitin 1934.


Shtypja shtetërore ka vazhduar edhe më ardhjen e komunistëve në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht deklarimeve të regjimit të ri për ruajtjen e barazisë së etnive të ndryshme dhe besimeve fetare, regjimi komunist ka qenë shkaktari kryesor i tre valëve të mëdha të emigracionit të turqve etnik – e fundit ka ndodhur në fund të viteve tetëdhjetë, vetëm pak muaj përpara rrëzimit të murit të Berlinit. Mbi 350,000 turq u larguan nga Bullgaria në verën e vitit 1989, prej të cilët rreth 100,000 janë rikthyer më vonë.


STANDARDE TË REJA NË DEMOKRACI


Tranzicioni i Bullgarisë drejt demokracisë ka sjellë një qëndrim të ri ndaj pakicës muslimane. Komuniteti është lejuar të rivendosë emrat islamik të cilët janë hequr kur rregjimi komunist i detyronte njerëzit të ndryshonin mbiemrat në bullgarë, dhe ata të cilët janë burgosur për arësye etnike apo politike janë liruar. Të larguarve gjatë kohës së komunizmit të cilët janë kthyer në Bullgari u është dhënë kompensim apo u janë kthyer pronat.


Sot në Bullgari ekzistojnë rreth 1,150 xhami dhe faltore – 150 prej të cilave janë ndërtuar pas vitit 1989. Në Shumen, Ruse dhe Momchilgrad ka tre shkolla muslimane fillore, ndërsa në Sofie funksionon një shkollë e lartë islamike.


Nisja e sistemit shumëpartiak demokratik u ka dhënë mundësi muslimanëve të marrin pjesë edhe në procesin vendim marrës. Lëvizja për të Drejta dhe Liri, DPS, është krijuar ndër partitë e para dhe tani përfaqëson interesat e turqve etnik në parlament. Popullsia rome përfaqësohet nga partia Evro Roma, megjithëse nuk ka arritur të sigurojë asnjë vend në parlament në zgjedhjet e fundit. Për momentin, pakica pomak nuk përfaqësohet nga ndonjë parti politike.


SHPËRTHEN KRIZA NË UDHËHEQJE


Kriza në udhëheqjen e muslimanëve të Bullgarisë – e cila është përgatitur prej kohësh që pas miratimit të Ligjit për Veprimtarinë Fetare në vitin 2002 – ka arritur kulmin këtë verë pasi gjykatat nuk arritën të regjistrojnë një kryemyfti të ri sipas legjislacionit.


Marrja e një vendimi nga gjykata, në fakt, ka qenë i pamundur, sepse të dy kandidatët për postin e kryetarit të komunitetit musliman kishin paraqitur dokumente pothuajse të ngjashme, secili duke dëshmuar se ata ishin zgjedhur nga komuniteti i tyre si kryetar, sipas ligjit.


Një kandidat, Fikri Sali, gëzon mbështetjen e fuqishme të DPS. Kandidati tjetër Ali Haxhi Saduk, është i lidhur ngushtë me ish kryemyftiun Nedim Gendzhev.


Gendzhev ka mbajtur këtë post deri në vitin 1997, kur Konferenca Kombëtare Muslimane – organizmi përgjegjës për caktimin e kryemyftiut – e ka zëvendësuar atë me Mustafa Hadzhi, i cili është zëvendësuar më pas nga Hadzhi Mehmed në vitin 2000.


Gendzhev dhe mbështetësit e tij – përfshirë Hadzhi Saduk – e kanë kundërshtuar me sukses vendimin e konferencës në gjykatë, dhe drejtimi i komunitetit musliman nga viti 1997 deri më 2003 është shpallur i paligjshëm.


Gjykata nuk ka pranuar të rikthejë në postin e tij Gendzhev, i cili duke mos pasur mbështetjen politike që mund ta kishte ndihmuar, tani ka vendosur të mbështesë aleatin e tij Hadzhi Saduk ndaj Sali në garën për kryesimin e komunitetit musliman.


Në pritje të një vendimi përfundimtar të gjykatave për mosmarrëveshjen e tanishme – i cili mund të vonojë edhe për një vit – gjykata e qytetit të Sofies ka caktuar “një treshe” për të drejtuar zyrën e kryemyftiut në mungesë të tij.


Megjithatë, kjo zgjidhje ka favorizuar ndjeshëm Sali, sepse ai është caktuar në grupin tresh të drejtimit së bashku me dy aleatë të tij të ngushtë. Si rezultat, Hadzhi Saduk ka mbetur jashtë dhe Gendzhev është detyruar të ndërmarrë veprime të tjera për të siguruar mbështetjen e opinionit.


AKUZAT PËR FONDAMENTALIZËM THELLOJNË MOSMARRËVESHJEN


Pasi Hadzhi Saduk ka mbetur jashtë grupit të përkohëshëm drejtues, mbështetësi i tij Gendzhev ka nisur një fushatë armiqësore kundër Sali, duke e akuzuar kampin e tij se mbanë lidhje me një organizatë islamike me qendër në Eindhoven të Hollandës të njohur me emrin Al-Vaqf al Islami.


Përkrahësit e Gendzhev thonë se fondacioni, i cili është regjistruar zyrtarisht në Bullgari që prej dhjetë vjetësh, ka lidhje me rrjetin e al-Qaeda i cili është fajësuar nga qeveritë perëndimore për sulme ekstremiste në të gjithë botën. Kjo akuzë është kundërshtuar me forcë nga vetë Al-Vaqf.


Fraksioni i Gendzhev gjithashtu thotë se rivalët e tyre kanë krijuar një rrejt kampesh ku të rinjtë musliman bullgarë po “indoktrinohen me fondamentalizëm”.


Tre muaj më parë, mbështetësi i Gendzhev, Nedzhip Daud ka thënë për agjensinë e lajmeve BGNES se fëmijë të cilët kanë përfunduar kurset në “foletë e fondamentalizmit” po dërgohen në vendet arabe për të studjuar pasi kanë nënshkruar premtime se do të marrin pjesë në Xhihad.


Daud ka thënë më pas për IWPR se ai kishte parë disa deklarata për “Luftë të Shenjtë” të cilat i kanë pasur disa djem bullgarë në zonën e Rodopit në jug të vendit. Këto, ka shtuar ai, “premtojnë parajsën për ata të cilët vrasin në emër të allahut. Është një lloj larje truri”.


Edhe vetë Gendzhev i është bashkuar korrit të akuzave, duke thënë për IWPR se ai kishte frikë se kriza në kreun e pakicës muslimane po shfrytëzohej nga islamikët radikal të cilët po përpiqeshin të merrnin në dorë kontrollin e komunitetit.


“Ky besim fetar po ndahet dhe disa elementë jo tradicional po vendosen në krye të rajoneve të ndryshme,” ka thënë ai, duke parashikuar se brenda një dekade Bullgaria mund të përballet me një problem serioz islamik.


“Unë kam informacione se organizata të ndaluara në Siri, Egjypt apo Arabinë Saudite kanë përfaqësues të tyre në Bullgari,” ka shtuar ai.


Muajin e kaluar, Gendzhev i ka dërguar një letër kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit amerikan në vend James Pardeë, duke fajësuar Sali se ka kontakte me fondacionin Al-Vaqf al-Islami, dhe përsëri ka akuzuar atë organizëm për lidhje me al-Qaeda.


Ky informacion ka shkaktuar një debat të madh kombëtar, dhe Kapital ka botuar dokumenta të cilat duket se provojnë një lidhje ndërmjet Sali – dhe të tjerë persona në zyrën e kryemyftiut dhe DPS – dhe Al-Vaqf al Islami, e cila po jep financime për ndërtimin e disa xhamive dhe shkollave të reja muslimane.


Një dokument përmbante edhe një raport hollandez të kohëve të fundit sipas të cilit fondacioni po përhap salafizëm-uabizmin – një formë e fesë islame e cila lufton për spastrimin e fesë nga ato që ajo i quan si supersticione, devijacione, herezi – në xhami në të gjithë Hollandën, dhe se po bën thirrje indirekte për një luftë të shenjtë.


Fondacioni është vendosur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas botimit të lajmeve se gjashtë anëtarë të grupit të cilët kanë kryer sulmet e 11 shtatorit në SHBA kishin marrë pjesë në seminaret e Al-Vaqf në Hollandë.


Megjithatë, fondacioni nuk është vendosur në listën e zezë të Amerikës të grupeve “terroriste” dhe nuk konsiderohet të jetë një rrezik në Hollandë apo diku tjetër. Pavarësisht kësaj, një pjesë e mediave bullgare duket se mendojnë që ky organizëm përbën një kërcënim fondamentalist, megjithëse nuk ka prova të vërteta për të mbështetur këtë qëndrim.


Një përfaqësues i Al-Vaqf në Eindhoven ka thënë për IWPR se fondacioni është regjistruar në Hollandë që prej vitit 1989 dhe nuk është akuzuar asnjëherë nga autoritetet hollandeze për ekstremizëm fetar.


“Ne nuk kemi asnjë lidhje me al-Qaeda,” ka thënë ai. “Ne kemi dëgjuar për herë të parë për ta pas incidenteve të 11 shtatorit, dhe dimë vetëm ato që lexojmë në media”.


Sidoqoftë, Sali ka mohuar që ai apo ndonjë nga anëtarët e grupit të tij të kenë pasur kontakte me këtë organizatë, duke thënë se “Nuk ekziston asnjë partneritet apo kontakt ndërmjet nesh apo zyrës së kryemyftiut dhe Al-Vaqf al-Islami në Hollandë”. Ai ka hedhur gjithashtu poshtë akuzat e bëra nga Gendzhev dhe pasuesit e tij.


Shqetësimet e Gendzhev për gjendjen e fesë islame në Bullgari mund të jenë të arësyeshme, por analistët mendojnë se deklarimet e vazhdueshme të tij se Sali po ushqen aktivitete fondamentaliste nuk kanë bazë.


Rrjeti i mbështetësve të ish kryemyftiut, të cilët kanë bërë disa deklarime të ashpra ndaj Sali dhe grupit të tij, është parë gjithashtu me një farë skepticizmi.


Një prej mbështetësve më aktiv të Gendzhev është Ashim Hadzhiasan, i cili kryeson një grup të quajtur Fondacioni Rruga e Drejtë për Shtetasit Bullgarë me Origjinë Turke. Një personazh i kudondodhur dhe i përherëshëm i mediave bullgare, Hadzhiasan ka bërë disa deklarime sensacionale në shtyp, përfshirë një deklaratë se është takuar me Osama bin Laden në vitin 1994 në Sudan.


IWPR është takuar me Hadzhiasan në qytetin Plovdiv. Ai na ka thënë se ai kishte marrë pjesë në krijimin e “skuadrave luftarake” muslimane në Bullgari, megjithëse policia e mohon ekzistencën e grupeve të tilla.


“Unë kam marrë pjesë në skuadrat luftëtare muslimane në vitet 1991-1992,” ka thënë ai. “Ata na kanë thënë se ne do të vepronim në emrin e islamit dhe na përgatisnim të rrezistonim, në rast të ndonjë përplasjeje të madhe me të krishterët”.


“Ato skuadra janë krijuar me ndihmën e Fikri Sali në qytetet bullgare të Samokov, Pazardzhik, Yambol, Kurdzhali,” ka vazhduar ai, duke shtuar se ai ishte tërhequr nga këto grupe menjëherë pas krijimit.


Hadzhiasan ka thënë gjithashtu se al-Qaeda ka qenë aktive në Bullgari në fusha të tilla si importimi i mallrave dhe trafiku i qenieve njerëzore. Në kohën që ai fliste, një numër njerëzish janë mbledhur rreth nesh duke ndërhyrë në bisedë të paftuar – të gjithë duke treguar ndonjë histori të tyren për aktivitetin islamik në Bullgari.


Një burrë, i cili është prezantuar si Husein dhe ka pranuar haptazi se ishte pjesë e fraksionit të Gendzhev, ka thënë se ai është rekrutuar nga radikalët islamik për të luftuar si mercenar përkrah luftëtarëve shqiptarë gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.


“Nuk ka punë në Bullgari dhe ata na premtuan të dërgonin para prindërve të mi nëse luftoja për ta,” ka thënë Husein. “Dhjetë apo dymbëdhjetë nga ne kanë udhëtuar për atje me autobusë, duke pretenduar se ishim shitës të cilët shkonim në tregjet në qytetet e Serbisë, në Beograd apo Nish.


“Dy ditë pas mbërritjes sonë, na dhanë armë dhe na stërvitën pak. Pastaj kemi luftuar. Një prej nesh ka humbur edhe këmbën. Ai qëndroi atje por ne u kthyem”.


Megjithatë, Husein nuk ka mundur të na japë ndonjë hollësi më specifike në lidhje me vendin ku kanë luftuar, cilët kanë qenë ata për të cilët kanë luftuar, apo edhe çfarë gjuhe kanë folur me bashkëluftëtarët e tyre me kombësi tjetër gjatë kohës së stërvitjes dhe më pas në luftim. Ai nuk dëshironte të kujtonte këto hollësi, ka thënë ai.


Një tjetër person, i cili na është prezantuar me emrin Palamoudov, ka folur për “afganistanas, kurdë dhe arabë me mjekrra të dyshimtë” të cilat i ka parë të fshihen në lagjen e romëve Stolipinovo në qytetin e Plovdiv.


Megjithatë, burime të shërbimeve sekrete në Bullgari nuk u japin shumë besueshmëri këtyre njoftimeve, duke theksuar se dëshmitë e tilla janë hetuar vazhdimisht dhe nuk është gjetur asnjë provë për vërtetësinë e tyre.


Dhe ndërsa Hadzhiasan i ka premtuar IWPR-së se ai mund të mbështesë deklarimet e tij me prova, ai ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.


Pavarësisht natyrës të paqartë të deklarimeve të tij, Hadzhiasan rregullisht flet dhe jep deklarime për gazetat tabloide bullgare. Ky mbulim alarmant i mediave dhe mungesa e informacionit rreth qendrave islamike në Bullgari kanë ndihmuar në ushqimin e dyshimeve dhe frikës në gjirin e popullsisë.


Shumë bullgarë, mbështetur në njoftimet e mediave tani thonë se kanë parë “njerëz me mjekrra” të fshehur pas mureve të shkollave muslimane, për të mos përmendur “terroristët” e njohur në gjirin e tyre.


VIZITË NË NJË STREHË “TERRORISTËSH”


Academia private islamike në fshatin e Ustinës me një popullsi të përzier etnike është një ndër “strehat e fondamentalizmit” për të cilat ka folur Daud. Kjo qendër është hapur që në vitin 2002, por nuk ka një status zyrtar si shkollë dhe për rrjedhim nuk përgjigjet para ministrisë së arsimit.


Ridvan Kadyov, një anëtar i “grupit tresh” të përkohëshëm i cili drejton tani zyrën e kryemyftiut, ka thënë për IWPR se shkolla ka edhe një kurs për imamë i cili mbështetet financiarisht nga fondacione bamirëse dhe ministria e fesë në Turqi.


“Këto janë shkolla shpirtërore për përgatitjen e klerikëve,” ka thënë ai. “Ne kemi mbi një mijë xhami ku kryhen shërbime për fejesa, martesa dhe funerale pothuajse çdo ditë dhe ne kemi nevojë për më tepër të rinj të cilët të bëhen klerikë, sepse brezi i vjetër tani po plaket”.


Por pakica e krishterë në Ustina nuk ka informacion mbi atë që ndodh pas mureve të trashë të akademisë. Ata dëgjojnë vetëm zërat e hoxhallarëve, apo klerikëve të tjerë të cilët lajmërojnë kohën e faljeve. Ndonjëherë i shohin nxënësit, pjesa më e madhe djem të rinj të moshës 15 deri 20 vjeçarë, duke pirë kafe në shesh.


Ata dinë vetëm se kursi i cili zgjat dy vjet është pa pagesë, dhe se në shkollë mbizotëron një disiplinë e hekurt. Pjesa tjetër ende mbetet një mister.


“Asnjeherë nuk kemi pasur probleme të mëdha në bashkëjetesën me muslimanët,” thotë Zlatina, një grua e re nga Ustina. “Por ne nuk kemi asnjë informacion mbi atë që ndodh në atë shkollë në kodër. Atje është një shoqëri e mbyllur dhe ne jemi të shqetësuar nga ato që shkruhen në shtyp”.


Por Mustafa, një student nga Ustina, kundërshton çdo akuzë sipas së cilës shkolla është një djep i radikalizmit.


Ai ka thënë për IWPR se programi shkollor nuk përmban asgjë të keqe – dtudentët, ka thënë ai mësojnë arabisht, lexojnë kuranin, mësojnë përmendësh lutjet, mësojnë të përulen, të këndojnë dhe të kryejnë aktet fetare. Gjatë pushimeve, ai dhe shokët e tij të klasës flasin për “të gjitha temat” nga makinat dhe biçikletat tek sporti dhe vajzat.


“Islami është një fe e paqes dhe moralit,” thotë ai. “Nëse nuk do të isha i devotshëm ndaj fesë, do të kisha përfunduar si shumë shokë të mi – si përdorues droge, apo alkoholi, duke përdorur fjalë të këqia dhe fyer prindërit e mi. Por unë nuk dua një jetë të tillë, unë dëshiroj të bëhem imam”.


A KA ARËSYE PËR TU SHQETËSUAR?


Analistët thonë se kriza më e fundit ka treguar se muslimanët bullgarë mund të jenë në kontakt me organizata të huaja të cilat janë më konservatore se sa mendojnë pjesa më e madhe e besimtarëve në Bullgari, por kjo nuk do të thotë se besimi uahabist apo forma të tjera të fondamentalizmit fetar po përhapen në vend. Kjo gjithashtu nuk do të thotë se deklarimet e kohëve të fundit rreth ekzistencës dhe forcimit të një rrjeti ekstremist janë të arësyeshme, thonë ata.


Gendzhev ngul këmbë se të rinjtë e linjës së ashpër me mënyrat e tyre të cilat janë të huaja për traditat e muslimanëve në Bullgari po e përçajnë vendin. Ai thotë se besimi uahabist po predikohet dhe se të rinjtë po indoktrinohen në akademitë për përgatitjen e imamëve të cilat drejtohen nga rivalët e tij.


Sali ka një mendim krejtësisht të kundërt. Ai ngul këmbë se nuk ka asnjë përçarje të thellë në gjirin e komunitetit musliman në Bullgari – vetëm një manipulim politik. “Një pasojë e ngjarjeve të fundit në botë [si sulmet terroriste] është se muslimanët në Bullgari janë bërë më të përgjegjëshëm, dhe më pak të prekshëm nga çdo ndikim fonamentalist,” ka thënë ai për IWPR.


Georgi Krustev i drejtorisë shtetërore të fesë ka një pozicion tjetër, duke thënë se pikpamjet uahabiste mund të përhapen në Bullgari, por thotë se duhet të bëhet kujdes që të mos ngatërrohet ky besim me terrorizmin.


“Ka shumë mundësi që uahabizmi po predikohet në Bullgari,” ka thënë ai. “Ka shumë të rinj këtu të cilët kanë përfunduar studimet në Arabinë Saudite dhe Jordani të cilët mund të jenë ndikuar nga traditat konservatore në këto vende”.


Shërbimet sekrete bullgare kanë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se ato nuk kanë dijeni për ndonjë kërcënim nga radikalizimi islam në vend. “Ne nuk kemi asnjë informacion që ndonjë person i përfshirë në ndonjë akt terrorist ndodhet në Bullgari,” ka thënë ministri i brendëshëm Georgi Petkanov më 23 gusht.


Megjithatë, media bullgare vazhdon të njoftojë për ekzistencën e këtyre militantëve, duke cituar “burime anonime” në shërbimet sekrete.


Më 26 korrik për shembull, gazeta 24 Orë ka thënë se ajo kishte dijeni për rreth dymbëdhjetë qytetarë bullgarë të cilët kanë lidhje të ngushta me rrjetin e al-Qaeda. Ndërkohë, stacioni televiziv privat bTV ka thënë se komuniteti arab po bëhej më aktiv në Bullgari dhe se emisarët e organizatave radikale muslimane janë parë në vend.


Por gjenerali Atanas Atanasov, i cili ka drejtuar shërbimet sekrete nga viti 1997 në 2001, e ka minimizuar mundësinë e ekzistencës së militantëve në vend. “Këtu nuk ka bazë për asnjë lloj ekstremizmi,” ka thënë ai. “Muslimanët bullgarë janë paqësorë. çdo tension që është krijuar është artificial”.


Megjithatë, ai pranon se një rrezik i tillë mund të vijë në të ardhmen. “Disa njerëz po bëhen gjithnjë e më të varur ekonomikisht nga bamirësit arabë dhe shumë prej tyre ndjehen të detyruar ti ndihmojnë ata. Në këtë mënyrë, ne mund të ndihmojmë pa dashje terroristë të mundëshëm,” ka thënë ai.


Për më tepër, Juliana Metodieva nga Komiteti Bullgar i Helsinkit – e cila ka pasur kontakte të shumta dhe të gjata me komunitetin musliman – është e bindur se ky komunitet në Bullgari vështirë se mund të heqë dorë nga tradita e tij e moderuar fetare.


Raporti i Komitetit Bullgar të Helsinkit për vitin 2002 ka theksuar se “etiketimi ‘fondamentalizmi islamik’ i është bashkëngjitur shumë besimeve dhe praktikave muslimane, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me fondamentalizmin. Ky etiketim është përhapur veçanërisht nga media, dhe ka çuar në krijimin e shumë paragjykimeve anti muslimane në Bullgari”.


Metodieva, e cila ka monitoruar median bullgare që prej vitit 1999, ka thënë për IWPR se raportimi negativ nuk është një fenomen i kohëve të fundit, por ka qenë i pranishëm në media të paktën gjatë pesë vjetëve të fundit.


Ajo ka shtuar se “shkrimet manipuluese” për këtë temë, të cilat nxisin në mënyrë të pashmangëshme ksenofobinë, janë një tendencë e vazhdueshme e shumë mediave me përjashtim të gazetave Kapital dhe Dnevnik, të cilat janë përpjekur të mbajnë një qëndrim objektiv për çështjet e besimit islam.


NJË LOJË E RREZIKËSHME


Për fat të keq, analistët kanë frikë se gjendja mund të mos përmirësohet në të ardhmen e afërt.


Individë me ndikim të madh dhe organizmat drejtuese të mediave vazhdojnë të përdorin në mënyrë rutinë etiketimin “ilegale” për çdo takim apo organizatë dhe fondacion musliman. Edhe zërat e paprovuar apo dyshime të pabazuara rreth aktiviteteve fondamentaliste shpesh konsiderohen si prova të mjaftueshme për të justifikuar këtë fjalë fyese.


Në shoqërinë bullgare në përgjithësi shumë njerëz nuk janë të mirë informuar mbi besimin dhe kulturën islame. Në të njëjtën kohë, kjo padije po shfrytëzohet edhe nga ata të cilët janë përfshirë në luftën e tanishme për pushtet në gjirin e komuniteti musliman, të cilët po dëmtojnë reputacionin e këtij komuniteti dhe besimi me synim arritjen e qëllimeve të tyre.


Analistët mendojnë se kjo luftë e brendëshme për pushtet – dhe mënyra e papërgjegjëshme e mbulimit të saj nga media – mund të jenë shumë të dëmshme. Ata paralajmërojnë se në rastin më të keq mund të ndodhë që kjo frymë të shkatërrojë edhe bashkëjetesën paqësore tradicionale ndërmjet shumicës së krishterë dhe pakicës më të madhe fetare dhe kombëtare në Bullgari.


Iva Roudnikova është një gazetare e pavarur ne Sofie. Albena Shkodrova është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR në Sofie.


Africa
Support our journalists