BOSNJE: TË MBIJETUARIT E HARRUAR TË SREBRENICËS

Hapja kohët e fundit e një përkujtimoreje për ata që kanë vdekur në një nga masakrat më të mëdha në Europë nuk e ka pakësuar dhimbjen e të mbijetuarve.

BOSNJE: TË MBIJETUARIT E HARRUAR TË SREBRENICËS

Hapja kohët e fundit e një përkujtimoreje për ata që kanë vdekur në një nga masakrat më të mëdha në Europë nuk e ka pakësuar dhimbjen e të mbijetuarve.

Tuesday, 6 September, 2005

Të mbijetuarit e Srebrenicës kanë frikë se komuniteti ndërkombëtar dhe disa politikanë në Bosnje po përpiqen të lajnë duart me ta.


Një vizitë e ish presidentit amerikan Bill Clinton në hapjen e një qendre përkujtimore - e cila ka kushtuar 6 milion dollarë amerikan - ka rivendosur qytetin në lindje të Bosnjes në qendër të vëmendjes të mediave.


Por mbulimi i përurimit të qendrës përkujtimore në Potocari më 20 shtator, në rrethinat e Srebrenicës, ka zemëruar shumë përfaqësues politik lokal, të cilët mendojnë se Perëndimi dhe qeveria në Sarajevo nuk po bëjnë sa duhet për të ndihmuar të mbijetuarit.


Hakija Meholjiq, një anëtar i bordit lokal të Partisë Socialiste Demokratike, ka thënë se vëmendja e mediave ka qenë në dëm të familjarëve të shkatërruar nga dhimbja të cilët kanë dhënë lamtumirën e fundit djemve, baballarëve dhe vëllezërve.


"Unë kam qenë në Potocari të shtunën dhe jam zhgënjyer kur kam parë ndryshimin e trajtimit të Clinton dhe atyre të cilët kishin ardhur për të varrosur të afërmit e tyre. Vizita e tij ishte vlerësuar më tepër se sa vetë ngjarja," ka thënë Meholjiq.


Zona e parë e sigurtë e krijuar nga Kombet e Bashkuara në konfliktin në Bosnje, Srebrenica është bërë edhe vendi ku është kryer genocidi më i tmerrshëm që prej Luftës së Dytë Botërore kur forcat serbe kanë marrë në kontroll atë më 11 korrik, të vitit 1995, duke ekzekutuar mijëra burra dhe djem muslimanë.


Shumë njerëz këtu mendojnë se OKB duhet të kishte bërë më tepër për të mbrojtur enklavën dhe për të parandaluar masakrat.


Trupat e viktimave janë hedhur në varre masive, të cilat vazhdohen të zbulohen. Vetëm rreth 1,000 nga 6,500 të zhvarrosurit janë identifikuar deri më tani.


Me kërkesën e të mbijetuarve, pjesa më e madhe e trupave janë varrosur në qendrën e Potocari ku javë varrosur edhe 107 trupa të identifikuar rishtazi më 20 shtator.


Ndërsa monumenti përkujtimor do të ngushëllojë disi ata të cilët kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, ai nuk mund të bëjë asgjë për të zgjidhur probelemet me të cilat përballen të mbijetuarit, shumë prej të cilëve jetojnë ende në kushte tepër të vështira, dhe kanë ende frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.


Gratë të cilat kanë humbur burrat e familjeve nuk trajtohen pe përparësi për të përfituar mbështetje sociale, sepse shumë prej tyre jetojnë të vetme, dhe familjet e mëdha janë ato të cilat trajtohen me përparësi kur bëhet fjalë për ndihma nga qeveria.


Sabra Mujiq - e cila ka humbur burrin dhe dy djemtë në këtë masakër - jeton në një rrethinë të Sarajevos në kushte tepër të vështira ekonomike.


"Unë jetoj e vetme, në një bodrum të një shtëpie të braktisur e cila nuk ka as banjo, dhe në kushte të tmerrshme," ka thënë ajo për IWPR në prag të zhvillimit të shërbesave përkujtimore.


Fjalët e saj ndërpriten shpesh, sikur ajo është duke qarë, por në fakt nuk i dalin lotë. "Nuk kam më as lot për të qarë," thotë Sabra, e cila ende kërkon trupat e të dashurve të saj.


Sabra vuan nga disa sëmundje, dhe me vështirësi arrin të blejë mjekimet për të cilat ka nevojë, nga pagesa e vogël që përfiton nga shteti.


Ashtu si edhe me shumë të mbijetuar të tjerë, shtëpia dhe toka e saj është e regjistruar nën emrin e saj, por ajo ka frikë të kthehet dhe prona e familjes së saj sulmohet shpesh. "Edhe nëse do të kërkoja ndihmën e policisë, asgjë nuk do të bëhej, sepse në rradhët e saj janë punësuar njerëz të cilët kanë shërbyer në ushtrinë e cila ka vrarë kaq shumë njerëz në vitin 1995," thotë ajo.


Shumë nga të mbijetuarit e Srebrenicës, si edhe dhjetra mijëra njerëz të tjerë në të gjithë Bosnjen të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, nuk janë ende të gatshëm të kthehen të fshatrat dhe qytetet të cilat edhe tani drejtohen nga po ata njerëz të cilët i kanë dëbuar ata gjatë luftës.


Munira Subasiq e cila ka humbur 22 anëtarë të familjes së saj në këtë masakër, dhe jeton gjithashtu në rrethinat e Sarajevos, thotë se ajo do të kthehet vetëm nëse do të ketë mbrojtjen e duhur dhe kushte të përshtatëshme jetese.


"Unë dua të kthehem në Srebrenica, por vetëm kur të jenë kushtet për kthimin e sigurtë, sic është krijimi i një force policore shumë etnike në qytet, reforma në arsim dhe shëndetësi," thotë ajo.


Sipas organizatave jo qeveritare të cilat veprojnë në këtë zonë, në rastin e Srebrenicës, një numër i madh i atyre të cilët kanë guxuar të kthehen janë përballur me armiqësinë e fqinjëve të tyre serbë.


Nënat e Srebrenicës dhe Zepës, një organizatë e cila ndihmon të kthyerit, është kërcënuar. "Unë kam marrë një letër në të cilën thuhej se ata po prisnin që të ktheheshin edhe më tepër nga ne - dhe pastaj ne që kemi mbijetuar masakrave të vitit 1995 do të na vrasin të gjithëve," ka thënë zëvendës presidentja e organizatës, Kada Hotiq, për IWPR.


Në muajin prill, gratë e Srebrenicës kanë kërkuar kompensim nga OKB për vuajtjet e tyre.


"Ata të cilët kanë vrarë dhe plackitur duket se nuk janë ndëshkuar," thotë Sabra. "Ata jëtojnë në shtëpitë e tyre, kanë lirinë dhe ende kontrollojnë të gjithë zonat ku kanë vepruar gjatë luftës. Ka ardhur koha që dikush të ndihmojë njerëzit si unë për të ndërtuar jetën tonë të re".


Senad Slatina, një analist politik në Sarajevo, thotë se mbetet ende shumë për të bërë për të ndihmuar njerëzit e zhvendosur.


"Kthimi i refugjatëve në Bosnje Herzegovinë është cështja kryesore e cila do të vendosë nëse ky vend është i gatshëm për tu integruar në europë. Srebrenica është shembulli kryesor i atyre që kanë ndodhur këtu, dhe duhet bërë më tepër për të ndihmuar këta njerëz për të mbijetuar," thotë ai.


Meholjiq mendon se Perëndimi dhe disa politikanë në Bosnje dëshirojnë që Srebrenica të harrohet sa më parë. "Komuniteti ndërkombëtar dhe politikanët këtu do të ishin të lumtur sikur Srebrenica të mos ekzistonte më. Ata do të donin që të gjitha gabimet e tyre të harroheshin".


Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IWPR në Bosnia-Herzegovinë.


Frontline Updates
Support local journalists