BOSNJE: ORGANIZMI I RI I TË DREJTAVE TË NJERIUT NËN VËZHGIM

A do të ketë burimet financiare dhe vendosmërinë e nevojëshme Komisioni i sapo krijuar i të Drejtave të Njeriut, për të shqyrtuar mijëra kërkesa nga ana e popullsisë?

BOSNJE: ORGANIZMI I RI I TË DREJTAVE TË NJERIUT NËN VËZHGIM

A do të ketë burimet financiare dhe vendosmërinë e nevojëshme Komisioni i sapo krijuar i të Drejtave të Njeriut, për të shqyrtuar mijëra kërkesa nga ana e popullsisë?

Tuesday, 6 September, 2005

Ekziston shqetësimi se komisioni i sapo krijuar i të drejtave të njeriut, i cili do të shqyrtojë shkeljet e të drejtave të njeriut që prej përfundimit të luftës në Bosnje, nuk do të jetë i aftë të përballojë numrin tepër të madh të kërkesave.


Komisioni i administruar nga zyrtarë lokal, i cili do të jetë pjesë e gjykatës kushtetuese, mendohet të zëvendësojë Dhomën e të Drejtave të Njeriut, një gjykatë e financuar dhe mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar e krijuar në kuadër të marrëveshjes së paqes së Dejtonit.


Vendimi për mbylljen e Dhomës së të Drejtave të Njeriut është marrë në muajin shtator, në kuadrin e politikës për pakësimin e kontrollit dhe përfshirjes ndërkombëtare mbi proceset politike dhe gjyqësore në vend.


Por burime nga kjo dhomë kanë thënë për IWPR se ata janë shumë të shqetësuar se mbyllja e këtij organizmi është një hap i parakohëshëm, dhe se zëvendësuesi i tij, i cili pritet të fillojë nga puna vitin e ardhëshëm, nuk do të ketë pushtetin, financimet apo stafin e nevojëshëm për të vazhduar këtë punë. Sipas tyre, e ardhmja e këtij organizmi nuk është aspak e sigurtë.


Dhoma e të Drejtave të Njeriut, e krijuar në vitin 1995 pas përfundimit të luftës në Bosnje, është një organizëm i pavarur gjyqësor me procedura të ngjashme me atë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut me qendër në Strasburg. Ky organizëm mund të shqyrtojë shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera pas Dhjetorit të vitit 1995, kur është nënshkruar marrëveshja e Dejtonit. Ai ka të drejtë të urdhërojë hapjen e hetimeve, të japë kompensim dhe të vendosë ribërjen e një gjyqi në rastet kur mendon se ky gjyq ka qenë i padrejtë. Dhoma deri më tani ka shqyrtuar rreth 10,000 raste, shumë prej të cilave kanë të bëjnë me cështje të pronësisë të krijuara pas luftës së Bosnjes, dhe një pjesë e mirë e këtyre rasteve do ti kalohen organizmit të ri që do të krijohet.


Komuniteti ndërkombëtar ka ushtruar presion për pakësimin e rolit dhe shpërberjen e dhomës, për arësye se ai përpiqet ti japë më tepër pushtet institucioneve vendase në Bosnje. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, ka rekomanduar mbylljen e dhomës në qershor të këtij viti, duke propozuar që përgjegjësitë e këtij organizmi ti kalohen gjykatës kushtetuese e cila ka gjithashtu mandatin për të shqyrtuar cështje të të drejtave të njeriut.


Dhoma është krijuar fillimisht me idenë për të vepruar për pesë vjet, por jetëgjatësia e saj është shtuar edhe për tre vjet të tjera në vitin 2000. Një tjetër zgjatje e mandatit të saj do të kishte qenë e mundur, por kjo mundësi është përjashtuar për shkak se komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të pakësojë sa më tepër përfshirjen e tij në vend - dhe sepse fondet për financimin e një organizmi të tillë po pakësohen cdo ditë e më tepër.


Në muajin qershor, dhoma ka paraqitur zyrtarisht kundërshtimin e saj ndaj planeve të OHR për mbylljen e saj, duke thënë se "Vendimi i komunitetit ndërkombëtar për të ndërprerë punën e dhomës është marrë duke menduar se Gjykata Kushtetuese e Bosnje Herzegovinës mund të kryejë detyrat e saj të tanishme dhe në të ardhmen.


"Ky vendim është ligjërisht i padrejtë dhe praktikisht i pamundur… [gjykata] thjesht nuk mund të marrë përsipër detyrat e dhomës, ato të tanishmet apo edhe në të ardhmen".


Dhoma ka thënë se ndryshimi i propozuar përbën një shkelje të marrëveshjes së Dejtonit si edhe kushtetutës së Bosnjes.


Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, më 25 shtator, autoritetet e Bosnjes kanë nënshkruar një marrëveshje me dy entitetet, Federatën dhe Republika Srpska, duke i dhënë fund mandatit të dhomës dhe duke krijuar komisionin e ri.


Organizmi ekzistues do të vazhdojë të punojë për cështjet ekzistuese deri në fund të vitit. Por nuk do të pranojë asgjë rast të ri për shqyrtim pas 1 tetor, dhe rastet e reja do të duhet ti paraqiten institucionit të ri i cili fillon nga puna më 1 janar. Në këtë mënyrë, listës së gjatë të rasteve, do tu shtohen edhe rreth 500 kërkesa të reja.


Komisioni do të jetë pjesë e gjykatës kushtetuese dhe nuk do të jetë një organizëm i vecantë, dhe po ashtu në ndryshim nga parardhësi i tij ai do të jetë nën kontrollin e organizmave vendase dhe jo atyre ndërkombëtare.


Burime nga dhoma kanë thënë për IWPR se organizmi i ri mund të mos jetë i aftë të kryejë detyrat e tij.


Ky organizëm i ri ka një juridiksion të ndryshëm dhe disa thonë më të kufizuar se parardhësi i tij. "Komisioni nuk do të trashëgojë të gjitha kompetencat e dhomës," ka thënë një burim i afërt me dhomën për IWPR.


Dhoma ka vepruar në bazë të Pjesës 6 të marrëveshjes së Dejtonit, e cila bën fjalë kryesisht për të drejtat e njeriut dhe citon konventën europiane të të drejtave të njeriut. Në ndryshim, mandati i komisionit do të jetë i bazuar në Pjesën 4, e cila mbulon cështjet kushtetuese. Kjo praktikisht do të thotë që komisioni, ashtu si gjykata pjesë e së cilës do të jetë, do të merret vetëm me cështje të cilat janë gjykuar nga një gjykatë tjetër, ose që kanë të bëjnë me kushtetutën, por jo me ato që kanë të bëjnë me të drejtat e tjera të njeriut të cilat për momentin shqyrtohen nga dhoma.


Përvec një pushteti më të vogël, komisioni do të duhet të përballet edhe me një buxhet dhe numër punonjësish më të vogël.


Sipas një burimi nga dhoma, e ardhmja e financimit të organizmit të ri mbetet "e paqrtë".


"Deri më tani nuk është siguruar një fond i mirë," ka thënë burimi për IWPR. "Komisioni ka siguruar rreth një milion euro nga Bashkimi Europian dhe është në pritje për të siguruar fonde të tjera. Ky është një buxhet i vogël i cili do të mbulojë shpenzimet e punonjësve, dhe shpenzimet e tjera operative si edhe rreth dy mbledhje në muaj, por jo më tepër".


IWPR pasi ka folur me këto burime, ka kontaktuar edhe me gjykatën kushtetuese por nuk ka mundur të marrë ndonjë informacion në lidhje me financime të mundëshme.


Organizmi i ri do të duhet të funksionojë me një numër më të vogël punonjësish, shumë prej tyre do të transferohen nga dhoma e tanishme. Ndërsa dhoma ka momentalish 14 gjykatës - gjashtë boshnjak dhe tetë të huaj - komisioni do të ketë vetëm pesë anëtarë, dy prej të cilëve të huaj. Me një numër më të vogël punonjësish, disa njerëz të brendëshëm kanë filluar të ngrenë pikpyetje mbi faktin se si komisioni do të mund të përballojë ngarkesën e madhe të punës.


Edhe nëse komisioni arrin ti kapërcejë këto probleme, burimet e IWPR thonë se e ardhmja e tij - pra edhe ajo e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Bosnje - është e pasigurtë. Komisioni i ri ka një mandat për vetëm një vit, dhe pas kësaj periudhe është e paqartë se cfarë do të ndodhë.


Një pasojë e këtij veprimi do të ishte shtimi i rasteve të cilat nuk mund të shqyrtohen nga komisioni, për arësye të autoritetit të tij të cunguar apo për arësye të ngarkesës së madhe të punës. Kjo do të thotë që do të ketë më tepër raste të cilat do të paraqiten në gjykatën europiane. Sic ka thënë Dhoma e të Drejtave të Njeriut në muajin qershor, një gjë e tillë "nuk mund të jetë në interes të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Bosnje, apo të vendeve anëtare të Këshillit të Europës". Dhe askush nuk e di se cfarë do të bëhet me rastet e paraqitura për shqyrtim përpara korrikut të vitit 2002, kur Bosnja ka ratifikuar konventën europiane për të drejtat e njeriut.


Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IWPR në Bosnia-Hercegovinë.


Frontline Updates
Support local journalists