BOSHNJAKËT THONË SE BOMBAT E NATO-s PO “MBJELLIN” VDEKJEN

Shumë boshnjak fajësojnë përdorimin e predhave me uranium të varfëruar nga NATO-ja në vitin 1995 për shkallën e lartë të sëmundjeve kanceroze, por shkencëtarët nuk janë në një mendje për këtë.

BOSHNJAKËT THONË SE BOMBAT E NATO-s PO “MBJELLIN” VDEKJEN

Shumë boshnjak fajësojnë përdorimin e predhave me uranium të varfëruar nga NATO-ja në vitin 1995 për shkallën e lartë të sëmundjeve kanceroze, por shkencëtarët nuk janë në një mendje për këtë.

Monday, 21 February, 2005

Në rrethinën Haxhiçi të Sarajevës, imami lokal, Hazim Efendi Emso, sheh në drejtim të varrezave të tejmbushura. Fusha në mes të kësaj rrethine industriale të Sarajevës është e mbushur me varre të reja.


“Kohët e fundit janë shtuar shumë vdekjet. Pothuajse çdo ditë, bëhet një varrim,” thotë ai me dhimbje.


Ditët e lindjeve dhe vdekjeve të shkruara mbi gurët e varreve të reja tregojnë se shumë nga të varrosurit këtu kanë vdekur në moshë të re. Shumë prej tyre janë nga lagja Grivici në Haxhiçi.


“Një numër i madh njerëzish nga Grivici kanë vdekur nga kanceri por vetëm këtë vit ne kemi nisur të regjistrojmë njerëzit e vdekur,” ka vazhduar Imami.


Në malet e largëta të Romanijas, 64 kilometra në veri të Grivicit, rreth 1,000 metra mbi nivelin e detit, një zyrtar tjetër fetar lokal përballet me të njëjtin problem. Branko, një zyrtar ortodoks serb në Han Pijesak në Republika Srpska, RS, tregon nga një hartë e vendosur në murin e zyrës së drejtorit të shkollës.


“Ky është fshati i Japaga. Rreth 100 vetë jetojnë atje por në vitin 1996 shumë njerëz kanë vdekur nga kanceri,” thotë ai për IWPR.


“E para ka vdekur kuzhinierja e bazës ushtarake, Ljeposava, e cila ka vdekur në moshën 45 vjeçare, ashtu si edhe zonja Todiq. Më pas ka vdekur Budimir Bojat, 60 vjeç, dhe Goran Basteh 45 vjeç, të gjithë të sëmurë me kancer”.


Prifti heq sytë nga harta dhe shikon disa dokumenta mbi tavolinë. “Në Japaga çdo vit vdes të paktën një i ri i sëmurë nga kanceri,” vazhdon ai. “Kjo nuk është normale në një fshat kaq të vogël”. Në shikim të parë, komunitetet në Haxhiçi dhe Han Pijesak duken shumë të ndryshme. Një prej tyre është me popullsi në shumicë muslimane në një zonë industriale ndërsa tjetri është një numër fshatrash malor të banuar kryesisht nga serbë në një prej zonave ende të virgjëra të Evropës.


Por banorët e të dy komuniteteve thonë se vuajnë nga një shkallë jo e zakontë e sëmundjes së kancerit dhe se ata mendojnë që kjo është rezultat i përdorimit të municioneve me uranium të varfëruar, të cilat janë përdorur gjatë sulmeve ajrore të NATO-s në shtator 1995 në Bosnje.


URANIUMI I VARFËRUAR – NJË TRASHËGIMI E LUFTËS NË BOSNJE


Kombet e Bashkuara e përshkruajnë uraniumin e varfëruar si një nënprodukt të procesit të përdorur për pasurimin e uraniumit natyror apo për përdorimin e tij në reaktorët bërthamor dhe armatim. Ai është një “metal i rëndë i paqëndrueshëm radioaktiv” i cili lëshon rrezatim të tre llojeve – alfa, beta dhe gama.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vende të tjera anëtare të NATO-s, përdorin predhat me uranium të varfëruar për të goditur tanke dhe avionët pasi ato kanë aftësi të depërtojnë mbulesën e blinduar.


Avionët e NATO-s kanë përdorur këto lloj predhash në bombardimet e tyre ndaj ushtrisë së serbëve të Bosnjes në gusht dhe shtator 1995 për ti dhënë fund luftës tre vjeçare në ish republikën jugosllave.


“Qëllimi ka qenë ndërprerja e strukturave komanduese dhe kontrollit të forcave serbe të Bosnjes dhe ulja e aftësisë së tyre luftarake,” ka thënë një burim i NATO-s në Sarajevë. “Ne nuk po përpiqeshim të shkatërronim atë ushtri”.


Sipas NATO-s, në javën ndërmjet 5 dhe 11 shtator, 1995, avionët e tyre kanë hedhur 5,800 predha me uranium të varfëruar në afërsi të Han Pijesak dhe Hadziçit. Mbi 90 përqind e këtyre municioneve të përdorura në Bosnje gjatë sulmeve ajrore janë hedhur në këto dy zona.


NATO thotë se 2,400 predha me uranium të varfëruar janë hedhur mbi bazën ushtarake në Han Pijesak, pranë fshatit Japaga. 1,500 predha të tjera janë qëlluar ndaj një uzine për riparimin e tankeve në Hadziçi, pranë Grivici.


Shkencëtarë të Programit Ambjentalist të OKB-së, UNEP, kanë zbuluar ekzistencën e uraniumit të varfëruar në ajër, ujë dhe tokë në Hadziçi dhe Han Pijesak në tetor të vitit 2002.


“Ne kemi gjetur municione me uranium të varfëruar në tokë dhe pluhur uraniumi të varfëruar në ndërtesat të cilat ishin kthyer në dyqane në Hadziçi,” ka thënë për IWPR, Pekko Haavisto, shef i misionit të UNEP.


“Në Hadziçi kemi gjetur edhe dy puse në të cilat ka pasur sasi të vogla uraniumi të varfëruar në ujë, tetë vjet pas përfundimit të konfliktit”.


“Në bazën ushtarake në Han Pijesak, kemi gjetur pluhur uraniumi të varfëruar në ndërtesa, tanke dhe pajisje të tjera dhe kemi qenë të shqetësuar se ushtarët të cilët i përdornin këto pajisje mund të dëmtohen”.


Megjithatë, UNEP nuk pranon se zbulimet e bëra prej saj mund të konfirmojnë frikën se shkalla e lartë e problemeve shëndetësore tek banorët e këtyre zonave mund të jetë e lidhur me fushatën e bombardimeve të NATO-s.


“Ekspozimi në një shkallë kaq të ulët sa kemi parë ne, vështirë se mund të bëjë që uraniumi i varfëruar të ketë ndonjë lidhje me ndonjë prej pasojave shëndetësore,” thuhet në një raport të këtij organizmi të OKB-së në vitin 2003.


Por banorët vendas në Han Pijesak dhe Hadziçi nuk e pranojnë këtë përfundim. Ata ngulin këmbë se ndotja me uranium të varfëruar është shkaktare për atë që ata e shohin si një nivel i lartë i sëmundjeve kanceroze.


NUK PËRDOREN FONDET PËR DEZINFEKTIMIN


Megjithëse UNEP ka rekomanduar në një prej raporteve të tij se ndërtesat dhe sipërfaqja e tokës e infektuar nga uraniumi i varfëruar duhet të pastrohen, IWPR ka zbuluar se pothuajse asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.


Kur IWPR ka vizituar bazën ushtarake Han Pijesak në RS, e cila është sulmuar vite më parë nga NATO, ne kemi parë një tank T62 të shkatërruar i cili po ndryshkej pranë gardhit të rrethimit të bazës. Rojet të cilët na kanë ndaluar për të mos hyrë në bazë na thanë se mesa dinin ata, zonat e prekura nga uraniumi i varfëruar nuk janë pastruar asnjëherë.


“Ne kalojmë shpesh në këtë zonë dhe askush nuk na ka paralajmëruar për rreziqet,” thotë një prej rojeve i shqetësuar.


Në federatë, kanë ankesa të njëjta. “Ne jemi kthyer në vitin 1997, dy vjet pas bombardimeve,” thotë Suljo Drina nga Grivici. “Por toka nuk është pastruar asnjëherë. Babai im vuan nga kanceri në grykë”.


Në vitin 2002, qeveria e federatës ka dhënë 138,000 marka të konvertueshme për pastrimin e zonave në Hadziçi, dhe autoritetet e kantonit të Sarajevës duhet të jepnin një shumë prej 123,000 marka, por ende nuk është bërë asgjë.


Duket se këto fonde nuk kanë ardhur asnjëherë. “Ne nuk kemi fonde,” thotë Mustafa Kovaç drejtues i shtabit të mbrojtjes civile në kantonin e Sarajevës. “Ne kemi nevojë për pajisje për matjen e rrezatimit, pajisje për të mbrojtur punonjësit tanë dhe trajnim për ta – por nuk kemi fonde”.


Pekko Haavisto, i UNEP, ka thënë për IWPR se Bashkimi Evropian ka propozuar financimin e procesit të pastrimit por fondet nuk janë tërhequr nga qeveria lokale.


“UNEP i ka informuar autoritetet në RS dhe Federatë gjatë një seminari trajnimit se ne mund të ofrojmë trajnim në vend gjatë kryerjes së procesit të pastrimit,” ka thënë ai, “por askush nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë”.


MUNGESA E INFORMACIONIT SHKAKTON FRIKË


Doktorët në Bosnje thonë se mungesa studimeve të botuara mbi pasojat e uraniumit të varfëruar ka krijuar një klimë mosbesimi.


“Ajo që më ngatërron mua është se raporti i UNEP ka arritur në përfundimin se nivelet e radiacionit në zonat e prekura në Bosnje është në nivele jo të rrezikëshme për shëndetin,” thotë për IWPR, Dr. Zehra Dizdareviq, ministrja e shëndetësisë së Bosnjes.


“Por nga ana tjetër në të njëjtin raport jepen 24 rekomandime mbi mënyrën se si mund të pastrohet dhe mbrohet kjo zonë”.


“Është e vështirë të përcaktohet nëse njerëzit vuajnë nga kanceri për arësye se jetojnë afër zonave ende të prekura nga rrezatimi. Pa studime, askush nuk mund ti provojë apo kundërshtojë këto thënie.


“Raporti i UNEP thotë se nevojitet ende një punë më e madhe shkencore dhe të gjitha rastet e sëmundjeve duhet të hetohen. Megjithatë kjo nuk është bërë ende”.


Dr. Lejla Saraçeviq, drejtore e institutit të radiologjisë në Sarajevë, pranon se mungesa e informacionit të besueshëm është një problem serioz. “Nuk është bërë asnjë studim serioz për këtë çështje,” ka thënë ajo.


“Megjithëse qeveria e federatës ka krijuar një grup pune me ekspertë, anëtare e të cilit jam edhe unë, mungojnë fondet e nevojëshme dhe interesi, dhe për këtë arëse nuk është bërë asgjë”.


Doktorët në RS janë në një mendje për sa i përket mungesës së informacionit. “Megjithëse ka pasur një rritje të ndjeshme të sëmundjeve kanceroze në Han Pijesak që prej përfundimit të luftës, pa studime dhe një hetim të kujdesëshëm, unë nuk mund të them se kjo ka ndodhur për shkak të uraniumit të varfëruar,” thotë Dr. Ljuboje Sapiq, një specialist i sëmundjeve të mushkrive në qendërn shëndetësore në Han Pijesak.


“Ato pak studime që janë bërë mbi uraniumin e varfëruar janë të bazuara më tepër mbi hamëndje,” shton Sapiq. “Ne na duhen statistika dhe fakte”.


Në fakt, të gjithë zyrtarët boshnjak të shëndetësisë të intervistuar nga IWPR kanë thënë se mungesa e statistikave është një pengesë e madhe për përcaktimin e shkallës së vdekshmërisë nga kanceri në zonat e prekura nga bombardimet e NATO-s. mungesa e statistikave të tilla vështirëson shumë studimin rritjes së rasteve të sëmundjeve kanceroze gjatë periudhës së pasluftës.


“Mund t’ju them se kemi pasur një shtim të numrit të pacientëve me kancer por nuk mund të konfirmojmë apo mohojmë një lidhje të tyre me uraniumin e varfëruar,” thotë Dr. Bozidar Djokiq, drejtor i qendrës shëndetësore në Han Pijesak. “Nuk kemi statistika me të cilat të bëjmë krahasimin”.


Kolegët e tij në federatë e mbështesin këtë ide. “Kur themi se ka një rritje të numrit të të sëmurëve, kjo nuk do të thotë asgjë,” thotë Dr. Saraçeviq. “Si mund ta përcaktojmë rritjen, kur nuk dimë me saktësi se sa të sëmurë kemi tani, krahasuar me vitin e kaluar, apo vitet e mëparëshme?


“Gjithashtu, ne e dimë se njerëzit të cilët kanë jetuar në Hadziçi gjatë bombardimeve tani jetojnë në entitetin serb. Ata duhet të vizitohen, nëse duam vërtetë ti shkojmë deri në fund kësaj çështjeje”.


Pasi marrëveshja e paqes së Dejtonit në vitin 1995 e ka lënë Hadziçi në federatë, shumë serbë të cilët jetonin atje janë detyruar të zhvendosen në RS. Shumë prej tyre jetojnë tani në qytetin e vogël Bratunac, në Bosnjen lindore.


IWPR ka shkuar në Bratunac. Megjithëse nuk kemi mundur të gjejmë statistika zyrtare për të konfirmuar rritjen e shkallës së kancerit atje, doktorët vendas kanë dhënë shumë prova.


Sipas Dr. Svetlana Jovanoviq, e qendrës shëndetësore në Bratunac, që prej vitit 1996 rreth 650 nga 7,000 pleqtë të cilët janë larguar nga Hadziçi kanë vdekur dhe janë varrosur në varresat e qytetit, të cilat po mbushen shumë shpejt.


Dr. Jovanoviq thotë se pasi ka parë trupat, ajo mendon se 40 nga këta 650 vetë kanë vdekur nga kanceri apo leukemia.


“Nëse këtu kanë ardhur rreth 7,000 vetë nga Hadziçi, mund të llogarisim se përqindja e rasteve të sëmurur me kancer është shumë e lartë krahasuar me shkallën e vdekshmërisë nga kanceri në pjesë të tjera të vendit,” thotë Dr. Jovanoviq.


“Por ne nuk kemi statistika për të bërë krahasim zyrtar dhe të arrijmë përfundime të sakta”.


Ajo që është e sigurtë është fakti që shkalla e vdekshëmrisë në Bratunac është shumë më e lartë se sa në të gjithë Bosnjen. Në vitin 2002, shkalla e vdekshmërisë në vend ka qenë 7.9 për një mijë banorë. Në Bratunac, për periudhën 1996 deri 2003, ajo ka qenë 11.2. Është e qartë se në Bratunac vdesin më tepër njerëz se sa në pjesë të tjera të Bosnjes. Pyetja që shtrohet është përse.


SKEPTICIZËM MBI RREZIKUN NGA URANIUMI I VARFËRUAR


Raporti i UNEP në vitin 2003, siç thamë edhe më sipër, nuk është futur në hollësi në çështjen e uraniumit të varfëruar dhe kancerit. Duke përmendur mungesën e informacioneve, raporti ka arritur në përfundimin se “për shkak të mungesës së një regjistri të të sëmurëve me kancer dhe të sistemit të raportimit në Bosnje, deklarimet për shtimin e numri të të sëmurëve me kancer si pasojë e uraniumit të varfëruar, nuk mund të provohen”.


Shkenctarët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, janë gjithashtu skeptik për thëniet se uraniumi i varfëruar mund të jetë i rrezikshëm për popullsinë në Bosnje.


“Nga informacioni që kemi për momentin nuk mendojmë se njerëzit rrezikojnë,” thotë Dr. Mike Repachioli, koordinator i programeve të rrezatimeve në zyrën qendrore të OBSH në Gjenevë.


Ai megjithatë, ka pranuar se mungesa e studimeve të mirëfillta e bën të vështirë arritjen e një përfundimi. “Ne kemi mungesa në informacion dhe duhet të përqëndrohemi më tepër në studime me qëllim që të kemi një vlerësim më të mirë të rrezikut për shëndetin,” ka thënë ai.


Autoriteti Ndërkombëtar për Energjinë Bërthamore, IAEA, ka një qëndrim të ngjashëm. Tiberio Cabianca, i departamentit të sigurisë bërthamore të IAEA, ka qenë pjesë e një misioni dhjetë ditor të UNEP për të hetuar uraniumin e varfëruar në Bosnje në vitin 2002.


“Nga pikpamja radiologjike, IAEA nuk e shikon uraniumin e varfëruar si kërcënim për shëndetin e popullsisë civile në Bosnje dhe Herzegovinë,” ka thënë ai.


“Nga mostrat që kemi mbledhur, kemi parë se municionet me uranium të varfëruar kanë ndotur ujërat dhe kemi gjetur pjesë uraniumi të varfëruar edhe në ajër. Megjithatë, nivelet e ndotjes janë shumë të ulta dhe nuk përbëjnë një rrezik imediat radioaktiviteti”.


Megjithatë, Pekko Haavisto i UNEP kujton se ka kaluar një kohë e gjatë ndërmjet periudhës menjëherë pas fushatës së bombardimeve të NATO-s, kur ndotja do të ketë qenë në nivele të larta, dhe kohës së tanishme për studime shkencore.


“Kur ne kemi kryer studimin dhjetë ditor, ekspertët tanë nuk kanë mundur të gjejnë asnjë pasojë direkte mbi shëndetin e njerëzve. Por kjo ka qenë në vitin 2002, kështu që ne nuk mund të themi se cilat kanë qenë pasojat mbi shëndetin në vitet e mëparëshme,” ka thënë ai. “Ne nuk kemi kryer asnjë test deri tetë vjet pas përfundimit të bombardimeve”.


“Raporti i UNEP është bazuar në mendimin e përgjithëshëm shkencor mbi uraniumin e varfëruar sipas të cilit ai ka pasoja të kufizuara mbi shëndetin jashtë zonës së kontaminuar. Por ka edhe një grup shkencëtarësh të cilët mendojnë se edhe nivelet e ulta të uraniumit të varfëruar kanë pasoja të rënda, dhe e kanë kritikuar raportin tonë”.


MOSMARRËVESHJET MBI MATJEN E NDOTJES


Por disa shkenctarë thonë se problemi më i madh është mënyra e matjes së ndotjes.


Një shkenctar i cili mendon se uraniumi i varfëruar është shumë më i rrezikshëm se sa mendohej më parë, është Dr. Chris Busby, i komitetit mbikqyrës për uraniumin e varfëruar në ministrinë e mbrojtjes së Britanisë së Madhe.


Dr. Busby ka kryer disa studime në Kosovë, ku janë përdorur gjithashtu municionet me uranium të varfëruar. “UNEP thotë se sasitë e vogla të uraniumit të varfëruar në ajër janë të padëmshme, megjithatë kjo nuk është e vërtetë,” ka thënë ai për IWPR, duke shtuar se kjo nuk është e vërtetë,” ka thënë ai për IWPR, duke shtuar se sipas tij, “ata kanë përdorur mënyra të gabuara për të llogaritur rrezikun”.


“Modeli tradicional i rrezikshmërisë bazohet në një organ të trupit njerëzor ndaj një pjese të uraniumit të varfëruar,” shpjegon ai.


“Por kur një pjesë e uraniumit të varfëruar thithet, ajo që ndodh është se një pjesë shumë e vogël e indeve të trupit ekspozohet ndaj tij. Pra pasojat e uraniumit të varfëruar nuk duhet të maten bazuar në një organ të trupit por vetëm në ato qeliza të prekura”.


Profesori Malcolm Hooper, një profesor i njohur i kimisë mjeksore në Universitetin e Sunderland, pranon se kjo është një mënyrë më e mirë e matjes së shkallës së ndotjes.


“Uraniumi i varfëruar është një rrezik për shëndetin e popullsisë lokale sepse pjesëzat e vogla të uraniumit të varfëruar depozitohen fillimisht në sistemin e ujrave. Më pas, kur del dielli, drita dhe nxehtësia i stimulon pjesëzat dhe ato ngrihen përsëri në ajër,” ka thënë ai për IWPR.


“Raporti i UNEP ka qenë i pasaktë shkencërisht. Ata e kanë vizituar zonën shtatë vjet më pas dhe zonat e vizituara prej tyre janë pastruar – mjetet e shkatërruara dhe pjesa më e madhe e municioneve janë larguar”.


Në fund, profesori Hooper kujton edhe rastin e ushtarëve italianë të cilët kanë shërbyer në Bosnje dhe Kosovë.


Sugjerimi i parë për një lidhje ndërmjet uraniumit të varfëruar dhe sëmundjes së kancerit ka qenë ai në lidhje me vdekjen e pashpjegueshme të një numri ushtarësh italianë të cilët kanë shërbyer atje.


Televizioni italian e ka quajtur Sindroma e Ballkanit dhe shtypi i huaj ka shkruajtur shumë mbi këtë temë, duke shkaktuar një zhurmë të madhe në media.


Frika për pasojat e uraniumit të varfëruar në Bosnje është shfaqur fillimisht në dhjetor të vitit 2000, kur është njoftuar vdekja nga kanceri e Salvatore Carbonaro, vetëm 24 vjeç.


Carbonaro ka qenë ushtari i gjashtë i cili kishte qenë në Ballkan që ka vdekur nga kanceri dhe ndryshimi i tij nga pesë të tjerët ka qenë se ai kishte shërbyer vetëm në Bosnje dhe jo në Kosovë.


Deri më atëherë, NATO nuk kishte pranuar se kishte përdorur municione me uranium të varfëruar në Bosnje. Por në dhjetor të vitit 2000 ministri i mbrojtjes së Italisë, Sergio Mattarella, ka pranuar se aleanca kishte përdorur municione të tilla edhe në Bosnje, duke shtuar se Italia është njoftuar për këtë vetëm në atë kohë.


Mattarella më pas ka urdhëruar nisjen e një hetimi, nën drejtimin e profesor Franco Mandelli, për të hetuar lidhjen e mundëshme ndërmjet kancerit dhe uraniumit të varfëruar.


Një anëtar i ekipit të Mandellit, Dr. Martino Grandolfo, ka thënë për IWPR se ekipi kishte parë një rritje të madhe të sëmundjes së Limfomës së Hodgins – një formë e leucemisë në gjak.


“Përqindja e rasteve me Limfomën e Hodgkins në rradhët e trupave italiane të cilët kanë shërbyer në Bosnje dhe Kosovë është mbi dy herë më e lartë se sa ajo në rradhët e ushtarëve të cilët kanë shërbyer në Itali,” ka thënë ai për IWPR. “Por për momentin ne nuk e dimë arësyen e kësaj”.


Numri i veteranëve italianë të Ballkanit të cilët kanë vdekur nga kanceri ka arritur në 27 në korrik të vitit 2004 – dhe disa mendojnë se shifra e vërtetë është edhe më e lartë.


“Numri i të vdekurve në fakt është 32 apo 33, dhe numri i atyre të cilët jetojnë ende të sëmurë me kancer është disa qindra,” thotë për IWPR, Falco Accame, një ish oficer i marinës ushtarake dhe studjues, i cili është drejtues i grupit të veteranëve të Italisë, Anavafaf.


Reagimi publik ka detyruar qeverinë të pranojë ngritjen e një komisioni parlamentar në senatin italian për hetimin e pasojave të uraniumit të varfëruar.


Por Accame ka thënë për IWPR se ndërkohë, përveç kompensimit të paguar familjeve të ushtarakëve të vdekur, shteti nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë lidhje ndërmjet uraniumit të varfëruar dhe kancerit.


“Si në rastin e problemeve shëndetësore nga përdorimi i duhanit apo asbesti, ne nuk mund të jemi të sigurtë që uraniumi i varfëruar është përgjegjës për vdekjen e këtyre ushtarëve,” shton Accame. “Këtu, ne flasim vetëm për një mundësi që uraniumi i varfëruar të ketë ndikuar në sëmundjet kanceroze”.


Megjithatë, mungesa e dëshirës së zyrtarëve për të pranuar ekzistencën e një lidhjeje ndërmjet uraniumit të varfëruar dhe kancerit mund të ndryshojë.


Në një vendim të rëndësishëm të gjykatës së Romës më 10 korrik 2004, urdhërohet ministria e mbrojtjes së Italisë të paguajë 500,000 euro kompensim për familjen e Stefano Melone, një veteran i misioneve në ballkan i cili ka vdekur nga kanceri në vitin 2001.


Gjykata ka deklaruar se Melone ka vdekur “për shkak të ekspozimit ndaj substancave radioaktive dhe kancerogjene” dhe ka përmendur ndër to edhe uraniumin e varfëruar.


E veja e ushtarit të vdekur, Paola Melone, ka thënë për IWPR se ky është “një vendim historic”, duke shtuar se një gjykatë civile “tani ka pranuar se uraniumi i varfëruar është një substancë kancerogjene dhe e ka përmendur atë si një shkak të mundëshëm të vdekjes” së burrit të saj.


“Ky rast ka krijuar një precedent dhe ne po organizojmë tani një konferencë në Itali për familjet e ushtarëve të tjerë të vdekur, për ti ndihmuar ato në gjyqet e tyre,” shton ajo.


NË BOSNJE VAZHDOJNË VDEKJET E PASHPJEGUESHME


Megjithatë, në Bosnje, as nuk bëhet fjalë për vendime të tilla të gjykatave, komisione parlamentare, apo edhe për ndonjë përpjekje për pastrimin e zonave të ndotura.


Ndërsa në Itali vazhdon debati mbi shkaqet e vdekjes së ushtarëve italianë, në Bosnje njerëzit vazhdojnë të vdesin në mënyrë të pashpjegueshme.


Ahmed Fazliq-Ivan, zëvendës kryetar i rrethit të Grivici, jeton 300 metra larg uzinës së bombarduar të riparimit të tankeve.


“Ne kemi dëgjuar për uraniumin e varfëruar vetëm në vitin 2002, kur kanë ardhur këtu disa inspektorë të OKB-së,” ka thënë ai për IWPR.


“Babai im ka vdekur nga kanceri në mushkri këtë vit. Nga 700 banorë të cilët jetojnë në Grivici, 56 kanë vdekur gjatë dy vjetëve të fundit, shumica e tyre nga kanceri apo diabeti.


“Këtu shpesh ne themi që Azrael, Engjëlli i Vdekjes, ka ardhur në Grivici – dhe se ai po i merr me vete njerëzit”.


Ekrem Tinjak dhe Faruk Boriq janë gazetarë në Sarajevë. Hugh Griffiths është koordinator i artikujve investigativ në IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists