Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Boshnjakët të Pakënaqur me Gjykimin e Hagës

Viktimat e Fokas mendojnë se dënimet e dhëna për torturuesit e tyre kanë qenë shumë të lehta
By Amra Kebo

Një ngjarje historike në fushën ligjore ka ndodhur në gjykatën e krimeve të luftës të OKB-së këtë javë kur përdhunimi në masë është përfshirë në librat e statutit ndërkombëtar si një krim kundër njerëzimit - një akuzë që përbën një krim më të lehtë vetëm se genocidi.


Tre ish komandantë Serbë të Bosnjes janë dënuar me burgim nga 12 në 28 vjet për përdhunimin dhe torturat ndaj vajzave dhe grave Muslimane në qytetin e Fokas, në Bosnjesn jug-lindore në Prill të vitit 1992.


Reagimet e para të Boshnjakëve të dëbuar nga Foka gjatë luftës kanë qenë se dënimet e dhëna janë shumë të lehta. Ata kanë thënë se tre të akuzuarit duhet të ishin dënuar me dënimin maksimal me burgim të përjetëshëm.


Xhim Landeil, zëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në ish Jugosllavi, ka thënë për IWPR-në se gjykimi ndaj tre ish komandantëve të Serbëve të Bosnjes, "është një hap historik në fushën ligjore".


"Ky është rasti i parë i përdhunimeve në masë që gjykohet nga një gjykatë ndërkombëtare," ka thënë ai. "Ky është rasti i parë që fokusohet krejtësisht në krimet seksuale".


Dragoljub Kunarac, një ish komandant i ushtrisë së Serbëve të Bosnjes, dhe Radomir Kovaq, një ish komandant para ushtarak, janë dënuar me 28 vjet dhe 20 vjet burgim me akuzën për perdhunim masiv, tortura dhe skllavëri. Zoran Vukoviq, edhe ai një paraushtarak, është dënuar me 12 vjet për përdhunim dhe tortura.


Ndërsa po lexonte vendimin, kryetarja e gjyqit, Florenc Mumba, ka thënë para gjykatës se "tre të akuzuarit nuk janë ushtarë të thjeshtë me moral të prishur nga vështirësitë e luftës … Ata e kanë kryer këtë vepër penale në atmosferën e dehumanizimit të atyre që sipas tyre ishin armiq".


Landeil ka shpjeguar se sipas tij, dënimi ka qenë "veçanërisht domethënës dhe kuptimplot". Përcaktimi i përdhunimit si një krim ndaj njerëzimit do të thotë se "këto përdhunime nuk kanë qenë një krim i izoluar, por pjesë e një fushate sistematike, të gjerë, të planifikuar për të shkaktuar terror në popullsinë jo-Serbe të Bosnjes jug-lindore".


Ai ka thënë se ky vendim, përbënte një precedent të rëndësishëm për dënimet e ardhëshme të krimeve seksuale.


Landeil ka thënë se vendimi i gjykatës është arritur pas dëshmive të "tmerrshme të dhëna nga viktimat" për torturuesit e tyre.


Gjykata ka dëgjuar dëshmitë e 63 dëshmitarëve, përfshirë edhe tregimet rrëqethëse të 16 viktimave të cilat kanë përshkruar muajt e përdhunimeve, skllavërisë seksuale, abuzimeve, dhe rrahjeve në "shtëpitë e përdhunimit" në Foka.


Dy gratë prokurore të këtij gjyqi, Hildegard Uertz-Retzlaf nga Gjermania dhe Pegi Kuo nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, kanë thënë se ato janë të kënaqura me dënimet e dhëna. Shumë viktima Boshnjake të agresionit Serb, kanë qenë të zhgënjyer nga këto dënime.


Një burrë i cili ka jetuar në qytet përpara luftës ka shprehur pakënaqësinë e tij dhe të shumë të tjerëve për dënimet e lehta sipas tyre. "Është e trishtueshme kur një njeri i cili ka kryer krime të tilla, ka abuzuar me gratë Boshnjake, dënohet kaq lehtë," ka thënë ai.


Disa kanë menduar se të tre fajtorët duhet të ishin dënuar me dënim të përjetëshëm, dënimi maksimal i parashikuar nga gjykata. "Kisha pritur një dënim shumë më të rëndë kur mendoj për gjithë ato të këqia që kanë bërë," ka thënë dëshmitarja nr. 96 e akuzës. "Kam pritur dënime të rënda. Unë nuk u besoj më këtyre gjyqeve".


Për shkak të zhgënjimit të saj për këto dënime, ajo ka thënë se nuk do të kthehej më në Hagë për të dëshmuar në gjyqe të tjera.


Megjtihëse përdhunimi është përdorur nga të gjitha palët në konfliktin Boshnjak, një studim i Bashkimit Europian vlerëson se Serbët e Vosnjes kanë zbuzuar seksualisht me 20,000 gra vetëm gjatë vitit të parë të konfliktit që ka zgjatur nga 1992 deri në 1995.


Grupi me qendër në Londër për të drejtat e njeriut, Human Right's Watch, ka shprehur shqetësimin e tij për mos arrestimin e të dyshuarve të tjerë për përfshirje në torturat dhe krime seksuale në Foka. Nga tetë të akuzuarit fillimisht, tre janë ende të lirë (ndërsa dy të tjerë kanë vdekur).


"Është e palejueshme që fajtorët për përdhunim, tortura dhe skllavëri seksuale të mbeten të lirë," ka thënë ky grup. "Mos arrestimi i të zkuzuarve të tjerë rrezikon seriozisht edhe jetën e dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar me guxim për ngjarjet e ndodhura në Foka".


Amra Kebo është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.