Boshnjakët Përçahen mbi Kërcënimin e HDZ-së

Boshnjakët janë të përçarë për sa i përket rrezikut të planeve të HDZ-së për vetë administrim

Boshnjakët Përçahen mbi Kërcënimin e HDZ-së

Boshnjakët janë të përçarë për sa i përket rrezikut të planeve të HDZ-së për vetë administrim

Thursday, 5 April, 2001

Boshnjakët kanë mendime të ndryshme për sa i përket përpjekejeve të ekstremistëve Kroatë të Bosnjes për t'u shkëputur nga Federata.


Në fillim të muajit të kaluar, Ante Jelaviq, drejtuesi i Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, është shkarkuar nga presidenca tre palëshe nga Përfaqësuesi i Lartë, pasi kishte bërë thirrje për krijimin e një mini shteti Kroat. Jelaviq është ndaluar gjithashtu të mbajë edhe poste zyrtare të zgjedhura.


Plani i HDZ-së është të krijojë një entitet të veçantë Kroat nga dy kantonet me popullsi kryesisht Kroate, me kryeqytet Mostarin.


Muslimanët e Bosnjes - në Sarajevo e konsiderojnë veprimin e HDZ-së si një farsë, e cila do të ketë pak ndikim në fatin e Bosnjes. Por Muslimanët në Mostar, të cilët nuk jetojnë shumë mirë së bashku me Kroatët, janë shumë të alarmuar. Ata mendojnë se një mini shtet mund të çojë në shpërbërjen e Bosnjes.


Zgjedhja së fundi e qeverive të moderuara në nivel lokal dhe federal ka qetësuar frikën e banorëve të Sarajevos. Ata gjithashtu i besojnë komunitetit ndërkombëtar për të garantuar mbijetesën e Bosnjes.


Boshnjakët në Mostar, jetojnë me frikën se ëndërra e Franjo Tugjmanit për një shtet Kroat mund të rilindë. Ata gjithashtu kanë edhe një mungesë të theksuar besimi ndaj komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht ndaj Përfaqësuesit të Lartë Volfgang Petriq.


Kjo frikë është pasojë e luftës. Mostari është shkatërruar nga Kroatët, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk arriti ta mbrojë atë. Në sytë e banorëve Boshnjakë të qytetit, kërcënimi më i madh ndaj shtetit mbetet HDZ-ja, e cila, sipas tyre mbështetet nga "aleatët Katolikë Europian" Franca dhe Gjermania.


Banorët e Sarajevos, qyteti i të cilëve është shkatërruar nga Serbët, e konsiderojnë më të rrezikshme Partinë Demokratike Serbe, SDS, të Radovan Karaxhiq dhe "aleatët Ortodoksë Europian" Rusia dhe Greqia.


Paqja e arritur pas marrëveshjes së Dejtonit nuk ka arritur të zbusë këtë frikë.


Banorët e Sarajevos nuk i japin shumë rëndësi kërcënimit të mini shtetit në ndryshim nga ata të Mostarit. Ata mendojnë se do të ishte një mini shtet shumë i dobët ekonomikisht për të mbijetuar më shumë se disa muaj.


Por planet e Jelaviqit janë më tepër se një kërcënim bosh, paralajmërojnë Boshnjakët e Mostarit. Përpara se të bëhej publik propozimi, ata kanë thënë se HDZ-ja kishte krijuar një rrjet financiar të besueshëm, dhe ka mbledhur fondet e nevojëshme për të mbijetuar shtatë muaj izolimi politik dhe ekonomik.


Biznesi në Mostarin lindor, pjesa Boshnjake e qytetit, paguajnë taksat e tyre nëpërmjet një banke lokale, e cila mendohet se është nën kontrollin e Jelaviq dhe është burimi i fondeve të tij për "vetë administrim".


Sarajevo dhe Mostar ndryshojnë gjithashtu edhe në mënyrat për të shmangur kërcënimin e HDZ-së. Boshnjakët në kryqytet mendojnë se një kompromis i vogël dhe ndërhyrja e Petriç do të zgjidhin krizën. Kjo është edhe arësyeja që ata nuk kanë ngritur shumë zërin.


Ndërsa, Mostari, dëshiron që kundërshtojë grushtin e HDZ-së me një grusht tjetër, përpara se të hetë shumë vonë, megjithëse ende nuk është e qartë se çfarë mund të jetë ky grusht.


Kroatët duket se nuk janë të vetmit të cilët kanë vendosur të pakësojnë lidhjet me shtetin e Bosnjes. Republika Srpska, RS, po kthen vështrimin gjithnjë e më shumë nga Jugosllavia, ekonomikisht, politikisht dhe në fushën kulturore.


Shumë njerëz në RS e konsiderojnë Sarajevën si armikun e tyre, i cili ka ndarë kombin Serb. Një provë e këtij mendimi janë demonstrimet kundër arsimit shumë etnik dhe programet e TV.


Një shembull i programeve televizive mund të jetë që kur ekipet kombëtare të futbollit të Bosnjes dhe Jugosllavisë luajnë në të njëjtën kohë, Radio dhe TV i RS-së transmeton gjithnjë ndeshjen e ekipit Jugosllav, duke e shprehur qartë preferencën e Banja Lukës.


Vendosja kohët e fundit e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Banja Lukës dhe Beogradit ka shtuar pasionin pro Jugosllav.


Nuk është për tu çuditur që Muslimanët e Bosnjes po ndjehen gjithnjë e më tepër si të vetmit që kërkojnë një Bosnje të bashkuar.


Megjithatë, për momentin, ata janë ende optimistë. Si Uashingtoni ashtu edhe Zagrebi kanë mbështetur shkarkimin e Jelaviqit. Dhe nëse Bosnja nuk është ndarë dot nga njerëz si Sllobodan Millosheviq dhe Franjo Tugjman, atëherë edhe pasuesit e tyre shumë më pak të fuqishëm nuk do të mund të kenë sukses në këtë përpjekje të tyre.


Ozren Kebo është një bashkëpunëtor i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists