Boshnjakët Kanë Në Dorë Bosnjen Multi-Etnike
Boshnjakët kanë mbrojtur principin multi-etnik në luftë, por mund ta shkatërrojnë atë me votën e tyre në kohë paqeje.
Boshnjakët Kanë Në Dorë Bosnjen Multi-Etnike
Boshnjakët kanë mbrojtur principin multi-etnik në luftë, por mund ta shkatërrojnë atë me votën e tyre në kohë paqeje.
Zgjedhjet bashkiake të kësaj fund jave do të tregojnë nëse boshnjakët, serbët dhe kroatët janë të gatshëm t'i kthejnë shpinën partive nacionaliste dhe të votojnë për një shtet të vërtetë shumë-etnik.
Sipas disa studimeve parazgjedhore, ka shanse që ata do ta bëjnë këtë gjë. Por ka më shumë mundësi që qëndrimet nacionaliste - me të cilat oligarkitë boshnjake, serbe dhe kroate t'i mbajnë të bashkuar përkrahësit e tyre - të mos humbasin dhe të qëndrojnë në pushtet.
Zgjedhjet do të varen kryesisht nga votat e shumicës boshnjake. Megjithatë përkrahja e tyre për një kohë të gjatë për Partinë e Veprimit Demokratik (SDA) në pushtet, një parti populiste, fetare, dhe nacionaliste, e kompromentuar nga veprimtari të shumta kriminale, nuk inkurajon komunitetet e tjera për të ndryshuar simpatitë e tyre nacionaliste.
Alija Izetbegoviq, kryetari karizmatik i Presidencës Trepalëshe Boshnjake dhe lider i SDA-së, gëzon një autoritet të pamohueshëm në rradhët e boshnjakëve. Por tendencat e tij islamike janë të papranueshme për pjesën më të madhe të serbëve dhe kroatëve të Bosnjes.
Megjithatë një ndryshim radikal në pushtet është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e Bosnje-Herzegovinës për shkak të gjendjes jo të mirë të tanishme të vendit.
Pesë vjet pas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe dhënies së 5 miliard dollarë amerikanë si ndihmë e huaj, refugjatët po kthehen shumë ngadalë në shtëpitë e tyre. Pjesa më e madhe e popullsisë është tepër e varfër.
Veprimtaria e institucioneve shtetërore dhe organizmave të tjera zyrtare është e paralizuar nga burokracia dhe bllokimet politike, duke sjellë si pasojë që Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar - ndërmjetësuesi më i lartë ndërkombëtar - ka bërë më shumë ligje të rëndësishme gjatë dy vjetëve të fundit se sa shteti dhe parlamentet e entiteteve së bashku.
Procesi i privatizimit akoma nuk ka filluar. Deri më tani ky proces është menduar vetëm si një përfitim për elitën e re të pas-luftës.
Korrupsioni i sistemit juridik dhe administratës shtetërore ka lejuar lulëzimin e krimit dhe kontrabandës. Investitorë të huaj i qëndrojnë larg vendit sikur të kishte një epidemi plasjeje, megjithëse me një shkallë papunësie prej 56 përqind, dhe nevoja për investime të huaja është mjaft e madhe.
Nuk është për t'u habitur që ka një ndjenjë të madhe pesimizmi në të gjitha fushat e jetës. Përpara ambasadave perëndimore rradhët e gjata të profesionistëve për viza për t'u larguar nga vendi janë një ilustrim i mirë i deziluzionimit të njerëzve nga progresi i pakët.
Ka një fije shprese se partitë më demokratike të opozitës mund të qeverisin vendin. Por është e sigurtë se do të jetë një rrugë e vështirë.
Partia e Izetbegoviqit, për shembull, dominon drejtimin e organizatës fetare Komuniteti Islamik i Bosnje-Herzegovinës, duke e shfrytëzuar atë për qëllime politike.
Përpara zgjedhjeve imamët kanë bërë propagandë kundër rivalit më serioz të Izetbegoviqit, Partisë Social Demokrate të Zlatko Lagumxhijas (SDP), duke e portretizuar atë si ateist, komunist dhe anti-islamik. Detyrimi islamik, thonë ata, është të votosh për Izetbegoviqin.
Karta fetare nuk është avantazhi i vetëm i SDA-së ndaj rivalëve të saj. Izetbegoviq ka në dispozicion mjete të mëdha financiare në sajë të mbështetjes nga vendet islamike si Arabia Saudite. SDA, si partia në pushtet, ka mundësi të shfrytëzojë buxhetet e ndërmarrjeve të mëdha publike nën kontrollin e saj dhe ka influencë ndaj pjesës më të madhe të medias.
Ngjarjet e kohëve të fundit - vrasja e një refugjati të kthyer boshnjak në Prijedor dhe sulme me bomba ndaj boshnjakëve në lindje të vendit - i kanë dhënë mundësinë Izetbegoviqit të paraqesë veten si mbrojtësi i vërtetë i kombit.
Megjithë këto Izetbegoviq nuk është i pathyeshëm dhe në muajt e fundit reputacioni i tij ka marrë disa goditje të forta, përfshirë edhe përzierjen e djalit të tij të fuqishëm Bakir në korrupsion dhe skandale të tipit mafioz.
Një goditje tjetër ka qenë tërheqja e politikanit karizmatik Haris Silajxhiq nga koalicioni qeveritar. Partia e Silajxhiq për Bosnje-Herzegovinën - akoma nacionaliste, por më e moderuar se SDA-ja - pritet të fitojë të paktën 20 përqind të votave.
Dhe SDP-ja e Lagumxhijas - ndoshta e vetme parti e vërtetë multi-etnike që merr pjesë në zgjedhje - ka një shans të madh për të fituar, sipas sondazheve para zgjedhore.
Përveç se ka fituar përkrahje në zonat boshnjake, ajo ka arritur të shtrihet edhe më tej në zonat dikur të pamundura për të fituara - në Republika Srpska dhe në pjesët e kontrolluara nga kroatët - se sa partia e Izetbegoviqit.
SDP-ja ka disa gjëra në favor: një lider të ri, të arsimuar, me orientim të fortë perëndimor dhe një klimë politike ku kanë fituar kohët e fundit disa Parti Social Demokrate europiane, përfshirë këtu edhe në Kroacinë fqinje.
Që prej vdekjes së liderit nacionalist kroat Franjo Tugjman dhe akuzimit të liderit serb Sllobodan Millosheviq nga Gjykata e Hagës, Lagumxhija i ka bërë thirrje kundërshtarit të tij Izetbegoviq të largohet.
Pavarësisht nga prezenca e një lideri të moderuar në Republika Srpska dhe e zvogëlimit të influencës së ekstremistëve kroatë në Bosnje, e ardhmja e një Bosnje-Herzegovine me të vërtetë multi-etnike është krejtësisht në duart e shumicës boshnjake.
Boshnjakët mbrojtën principin multi-etnik në luftë, por ironikisht mund të shkatërrojnë atë me votat e tyre në kohë paqeje.
Senad Peçanin është redaktor i revistës së pavarur Dani në Sarajevo.