Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

BLLOKOHEN RAKETA NË SHQIPËRI

Policia shqiptare ka arrestuar katër vetë të përfshirë në trafikimin e raketave tokë – ajër të cilat mendohet se kanë qenë të destinuara për separatistët shqiptarë në Maqedoni.
By Neil Barnett

Bllokimi i tre raketave tokë – ajër të cilat mendohet se kanë pasur si destinacion separatistët shqiptarë në Maqedoni ka shkaktuar shqetësim për një kërcënim të ri për sigurinë e rajonit.


Raketat SA-7B Strela janë bllokuar më 13 dhjetor. Ato mendohet të kenë ardhur nga Bosnja apo Serbia dhe mund të kenë pasur si destinacion Maqedoninë, ku luftëtarët shqiptarë kanë zhvilluar një luftë të shkurtër ndaj autoriteteve në vitin 2001.


Policia shqiptare ka arrestuar katër persona: Sokol Mujaj, Ilim Isufi, Armir


Troshani and Mentor Cani të cilët janë bllokuar duke transportuar raketat të cilat kanë hyrë në vend nga kufiri me Malin e Zi.


Bajram Ibraj, drejtor i përgjithëshëm i policisë shqiptare ka thënë se “katër personat janë bllokuar duke udhëtuar me raketat në rrugën Rinas-Vorë, në një makinë e cila ishte në pronësi të një kompanie e cila prodhon sallamra. Ky ka qenë një operacion policor i përgatitur më përpara. Ne ende po hetojmë origjinën dhe destinacionin e raketave, dhe kolegët tanë në Malin e Zi po hetojnë gjithashtu”.


Burime të sigurisë kanë thënë për IWPR se një grup separatist shqiptar i cili vepron në Kosovë dhe Maqedoni mendohet të ketë urdhëruar raketat. Marrëveshja mendohet se është ndërmjetësuar nga një nënshtetas boshnjak, i cili ka siguruar armët nga një grup me lidhje me rrjetet kriminale dhe islamike.


Raketa Strela e prodhimit rus dhe raketa të tjera tokë – ajër, përbëjnë një rrezik të madh për avionët civil dhe ushtarak. Raketa të ngjashme janë lëshuar pa sukses – kundër një avioni izraelit në Mombasa, Kenia, në vitin 2002 dhe një version më i ri i tyre, Strela 3, ka qëlluar një avion transporti të DHL-së i cili ka qenë duke u afruar në aeroportin e Bagdadid në vitin 2003.


Sipas burimeve të IWPR-së, ekstremistët shqiptarë në Maqedoni kanë shtuar ndjeshëm aktivitetet e tyre ushtarake gjatë tre muajve të fundit.


Ata janë përpjekur të sigurojnë raketa tokë – ajër nga disa burime, ndoshta për ti përdorur kundër avionëve të zbulimit dhe helikopterëve sulmues të Maqedonisë. Është vënë re gjithashtu një shtim i rekrutimit të luftëtarëve, fondeve lokale dhe ndërkombëtare dhe blerjes së ilaçeve dhe pajisjeve mjeksore. Burimi gjithashtu thotë se rrjetet e komunikimit të kryengritësve të cilat kanë qenë të qeta që prej vitit 2001 kanë filluar të vihen përsëri në përdorim.


Tensionet janë shtuar në Maqedoni që prej mesit të muajit nëntor, kur rreth 300 shqiptarë të armatosur janë shfaqur në fshatin Kondovë pranë Shkupit. Këta njerëz të armatosur kanë marrë në kontroll fshatin, duke hapur trashe mesa duket të pashqetësuar nga forcat e sigurisë.


Nuk dihet se cilat janë planet e tyre, dhe se kush i drejton ata.


Ministria e brendëshme i ka quajtur këta njerëz si një grup kriminelësh, ndërsa spekulimet në shtypin lokal thonë se ata janë islamistë të lidhur me një medrese të financuar me fonde të huaja në fshat.


Disa burime lokale thonë se ata janë vetëm disa njerëz të papunë të cilët shprehin zemërimin e tyre me kryetarin e partisë shqiptare e cila tani është pjesë e koalicionit qeveritar, Ali Ahmeti, për gjenden e rëndë ekonomike.


Pavarësisht se çfarë shpjegimi mund të jepet për incidentin në Kondovë dhe bllokimin e armëve, analistët paralajmërojnë se një kombinim i bllokimit të reformave politike, kufinjtë e pakontrolluar, dobësia e forcave të rendit dhe numri i madh i armëve në qarkullim, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.


Megjithatë, përpjekjet ndërkombëtare për të shtuar përpjekjet ndaj krimit të organizuar në rajon, përfshirë trafikun e armëve, duket se po japin disa rezultate.


Njoftimi i bllokimit të raketave është dhënë gjatë një konference rajonale në Tiranë, të organizuar nga ministria shqiptare e rendit publik, për luftën ndaj trafikut të armëve të vogla në Evropën jug-lindore.


Konferenca është organizuar nga Inisiativa e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, SECI, një qendër e vendosur në Bukuresht për bashkëpunimin rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, ku kanë marrë pjesë oficerë të policisë nga i gjithë rajoni.


Përveç SECI, ka edhe shumë programe të trajnimit të policive, ndërlidhjes dhe programe ndihme në rajon të drejtuara nga Interpol, Kombet e Bashkuara, Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, dhe Bashkimi Evropian, BE.


Megjithatë, duket qartë se detyra për luftimin e trafikut të armëve është shumë e madhe.


Një delegat i konferencës, i cili nuk ka dashur të përmendet me emër, ka theksuar se meqënëse asnjë vend i Ballkanit nuk e klasifikon informacionin sekret për aktivitetet kriminale bazuar në vërtetësinë e burimeve të tij, SECI e ka të vështirë të vlerësojë vërtetësinë e tij.


“Ideja e zhvillimit të analizave serioze të organizatave kriminale, të cilat mund të lejonin shkatërrimin e plotë të këtyre organizatave dhe jo vetëm arrestimin e personave të veçantë – është diçka e re,” ka shtuar ai.


Jo vetëm që ekziston një mungesë e theksuar besimi ndërmjet forcave të policisë së vendeve të ndryshme, por edhe një bashkëpunim i kufizuar ndërmjet agjensive të ndryshme të rendit brenda të njëjtit vend.


Por shumë vende të Evropës jug-lindore po punojnë për të kufizuar trafikun e armëve nëpërmjet territorit të tyre, kryesisht për të përmbushur kriteret e ashpra të anëtarësimit të vendosura nga Bashkimi Evropian, dhe për të treguar gjithashtu perëndimit se ato janë të vendosura në luftën ndaj krimit të organizuar.


Nuk ka dyshim se Shqipëria dhe vende të tjera në rajon po arrijnë një farë progresi, por përmirësimet ndonjëherë shkojnë paralelisht me aktivitetin kriminal i cili thuhet se arrin edhe në nivelet më të larta të qeverive.


Erion Veliaj, drejtues i lëvizjes civile Mjaft, ka thënë për IWPR se “Qeveria bllokon çdo trafik në të cilin nuk është e përfshirë vetë për të kënaqur komunitetin ndërkombëtar”.


Pak kohë më parë, kryeministri Fatos Nano është akuzuar se ka ndihmuar në trafikimin e armëve për Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, UCK, pas botimit të një bisede e cila thuhet se është regjistruar në vitin 1997. Ai më pas ka thënë se ndihma për UCK-në ka qenë diçka e justifikuar moralisht.


“Pranimi nga ana e Nanos e trafikimit në drejtim të Kosovës tregon se njerëz në nivelet e larta të qeverisë dinë se si të trafikojnë armë, dhe kjo të bën të mendosh se mund të ketë ndodhur edhe në vende të tjerë. Unë kam parë me sytë e mi kallashnikov të prodhimit shqiptar në Ruanda,” ka thënë Veliaj.


Lëvizja e armëve, drogave, qenieve njerëzore apo mallrave kontrabandë përmes Ballkanit po vështirësohet gjithnjë e më tepër, por ndoshta do të duhen edhe shumë vjet përpara se krimi i organizuar ndërkombëtar të mendojë se rreziku i arrestimit dhe dënimit të tyre është më i madh se sa përfitimet nga aktivitetet e paligjëshme.


Neil Barnett është një korrespondent i huaj i pavarur. (www.neil-barnett.com)