Biznesi i Fshehtë në Kroaci Nuk Njeh Kufi

Marrëveshje të fshehta dhe rrjete të kontrabandës vazhdojnë të jenë në faqe të parë të gazetave në Kroaci. Tani Marko Millosheviq, djali i presidentit jugosllav, është vënë në qendër të vëmendjes.

Biznesi i Fshehtë në Kroaci Nuk Njeh Kufi

Marrëveshje të fshehta dhe rrjete të kontrabandës vazhdojnë të jenë në faqe të parë të gazetave në Kroaci. Tani Marko Millosheviq, djali i presidentit jugosllav, është vënë në qendër të vëmendjes.

Tuesday, 6 September, 2005
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Një numër ekspozesh të cilat kanë dhënë detaje rreth marrëveshjeve të fshehta të biznesit ndërmjet zyrtarëve të lartë kroatë dhe kompanive kroate me udhëheqjen jugosllave kanë nxjerrë në pah nivelin e hipokrizisë të qeverisë së ish-presidentit kroat Franjo Tugjman.


Botimi i transkripteve të cilat jepnin detaje mbi marrëveshjet private të Tugjmanit me armiqtë e vendit të tij kanë vazhduar të botohen nga zyra e pasuesit të tij Stipe Mesiq.


Njoftimet më të fundit kanë pasur në qendër të vëmendjes përpjekjet e dështuara të Tugjmanit për të arritur një marrëveshje me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq pak përpara fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Më 4 gusht, e përditshmja e Zagrebit, Jutarnji List, ka zgjeruar rrjetin dhe ka botuar akuza ndaj djalit të Millosheviqit, Marko.


Sipas burimeve policore të cituara nga gazeta, Marko ka ngritur një rrjet fitimprurës për kontrabandën e cigareve, të blera nga një prodhues i rëndësishëm në Kroaci dhe më pas të dërguara në Serbi. Megjithatë një pjesë e këtyre dërgesave me cigare rikthehen në Kroaci, nëpërmjet Republika Srpska, dhë në këtë mënyrë Kroacia humbet shuma të mëdha nga mosvjelja e taksave. Kjo ka qenë arësyeja kryesore e cila ka nxitur edhe hetimet e policisë kroate për këtë tregti.


Sipas Jutarnji List, cigaret kontrabandë shkojnë në Jugosllavi nëpërmjet portit të Koperit në Slloveni në atë të Tivarit në Mal të Zi dhe pastaj me rrugë tokësore në Serbi. Disa dërgesa bëhen edhe me anë të transportit rrugor, nga Koperi në Ljubljana dhe pastaj nëpërmjet pikës kufitare të Kelebija në Hungari, nga ku hyjnë në Jugosllavi.


Inspektorët doganorë kroatë së fundi kanë zbuluar një dërgesë me cigare të destinuar për në Jugosllavi me vlerë rreth 500,000 marka gjermane. Fitimi i llogaritur nga kjo sasi cigaresh shkon në disa milionë.


Një shofer kamioni, Ilija Mariq nga Osijek, thotë se ai ka drejtuar katër ngarkesa me kamion me rimorkio të mbushura me cigare nga një fabrikë në Rovinj për në Beograd. Secili kamion mbante rreth 1,000 kuti me cigare.


Kompania e prodhimit të cigareve kundërshton çdo akuzë për përfshirje me Marko Millosheviqin. Por fabrika e kësaj kompanie në Ljubljanë bën tregti me një kompani të rregjistruar në Vaduz, Lihtenshtejn, theksojnë burimet e Jutarnji List. Sipas së njëjtës gazetë, Marko Millosheviq ka në pronësi këtë kompani të regjistruar në Vaduz.


Marrëveshjet tregtare të Kroacisë me familjen Millosheviq kanë marrë më shumë vëmendje në shtyp pas botimit të kohëve të fundit të bisedave ndërmjet Tugjmanit dhe një biznesmeni zviceran Vanja Spiljak në shkurt të vitit 1999.


Bisedat e zbardhura kanë treguar se Tugjman dhe Spiljak - një person me origjinë kroate dhe djali i një zyrtari të lartë komunist në ish-Jugosllavi - po përpiqeshin të arrinin një marrëveshje me Millosheviqin baba.


Spiljak, i cili në të njëjtën kohë furnizonte me naftë edhe trupat e NATO-s në Maqedoni, është ofruar të ndërmjetësojë ndërmjet Tugjman dhe Millosheviq. Ai ka propozuar që Kroacia të eksportojë gjeneratorë dhe pjesë këmbimi për stacionet elektrike, të prodhuara në fabrikën e Rade Konçar në Zagreb, në Jugosllavi, ku këto pajisje mungonin. Në shkëmbim Serbia do të eksportonte energji elektrike për në Kroaci. Spiljak kishte planifikuar që kjo marrëveshje të zgjaste tre vjetë dhe të nxirrej një fitim prej rreth 200 milion dollarë.


Më 9 mars Spiljak është kthyer nga Beogradi dhe ka informuar Tugjmanin se Millosheviq ishte shumë i kënaqur me këtë propozim. Meqënëse i vetmi stacion elektrik i Kroacisë në gjendje për të importuar energji elektrike në Ernestinovo ishte shkatërruar gjatë luftës, Spiljak ka propozuar që energjia të kalonte tranzit nëpërmjet stacionit në Gacko në Bosnje. Që andej energjia do të shkonte në një fabrikë alumini në Mostar. Valuta e huaj e fituar nga shitja e aluminit do të paguante për pjesët e këmbimit të proshuara nga Rade konçar.


Një bankë zvicerane ka pranuar të garantojë marrëveshjen. Tugjman ka thënë: "Pa dyshim që do të vazhdojmë me këtë biznes." Por bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë nuk lejuan fillimin e bashkëpunimit dhe pastaj në dhjetor 1999 Tugjman vdiq.


Por këto marrëveshje nuk kanë përfunduar me vdekjen e Tugjmanit. Në pranverën e këtij viti ndërmarrjet kroate kanë filluar të eksportojnë drithë në Ukrainë duke përdorur anije transporti jugosllave. Tregtia ka vazhduar pa probleme, megjithëse ankorimi i këtyre anijeve në portin e Vukovarit në lumin Danub ka shkaktuar disa dyshime dhe reagime. Qyteti, skenë e luftimeve të ashpra gjatë luftës, është shndërruar në një sinonim të rezistencës kroate.


Njoftimet të cilat lidhin zyrtarë kroatë dhe kompani private me presidentin jugosllav e djalin e tij nuk përbëjnë ndonjë surprizë. Pavarësisht nga e kaluara e afërt e dhunshme dhe ekzistenca e shumë problemeve të pazgjidhura ndërmjet Zagrebit dhe Beogradit, duket se fitimet e mëdha mund të ngushtojnë edhe diferencat më të thella.


Dragutin Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists