Beteja për Transmetuesin e Cvilenit

Përpjekjet për të nisur një stacion TV tokësor ka theksuar edhe një herë pothuajse pamundësinë e vendosjes së institucioneve civile në Kosovë.

Beteja për Transmetuesin e Cvilenit

Përpjekjet për të nisur një stacion TV tokësor ka theksuar edhe një herë pothuajse pamundësinë e vendosjes së institucioneve civile në Kosovë.

Tuesday, 4 April, 2000
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

I ulur në zyrën e tij të madhe në qendër të Prishtinës, me dyer të mbuluara me lëkurë dhe mobilje shumë të rënda dhe të mëdha, drejtori i Radio Kosova, Agim Fetahu, është i përkulur mbi disa rrathë jo shumë të rregullt të vizatuar mbi një hartë të provincës.


Këto janë modelet e mbulimit të radio televizionit në Kosovë të cilat janë planifikuar nga organizmat ndërkombëtare në provincë. Edhe ato më premtueset, mbulojnë vetëm një të katërtën e territorit, dhe rrathët e vegjël praktikisht mbulojnë vetëm Prishtinën, kryeqytetin, dhe Prizrenin në perëndim.


Ndërsa zgjedhjet lokale janë planifikuar për në vjeshtë, përpjekja për të vendosur një rrjet transmetimesh ka rëndësi të madhe politike si edhe profesionale dhe komerciale.


"Nëse nuk mund të ngremë rrjetin, atëherë publiku do të mbulohet nga stacione të dominuara nga jashtë dhe joprofesionistë, që do të thotë gazetari e verdhë," thotë Fetahu, një ish gazetar i Zërit të Amerikës stacioni i të cilit shërben si një degë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe është transmetuesi i ashtuquajtur publik i provincës. "Pa sinjale më të mira, në kurrë nuk do të mund të kontrollojmë një pjesë të tregut që është i mbushur me sensacionalizma dhe ekstremizëm."


Një marrëveshje e kohëve të fundit e arritur në Uashington ka hequr një pengesë të madhe e cila kërcënonte të pengonte tërë përpjekjet. Por akoma mbeten pengesa serioze dhe procesi ka theksuar pothuajse pamundësinë e krijimit të institucioneve civile, në këtë rast media, për shkak të këtyre pengesave dhe rivaliteteve politike, financiare dhe institucionale.


Skena e medias elektronike në Kosovë është në gjendje kaosi. Kur bombat e NATO-s goditën dy transmetuesit kryesorë në Golesh, pranë Prishtinës dhe Cvilen pranë Prizrenit, ata shkatërruan edhe infrastrukturën kryesore të provincës për transmetime elektronike.


Për të siguruar një farë funksionimi të TV në Kosovë, në vjeshtë RTK ka nisur transmetimet me satelit. Por këto programe janë të limituara për dy orë, dhe pavarësisht nga anketimet e opinionit publik nuk ka asnjë informacion të besueshëm rreth audiencës së këtyre programeve. Janë ngritur shqetësime rreth cilësisë dhe balancës së televizionit, veçanërisht në lidhje me minoritetin serb. Por deri më tani ai mbetet i vetmi prodhim me qendër në Kosovë.


Nga Shqipëria, TV Klan me satelit, dhe TV Tirana me valë tokësore, shihen nga shumë njerëz, si edhe stacionet ndërkombëtare si Deutsche Welle, BBC World, dhe një stacion turk.


Gjendja është më tepër kaotike për sa i përket radiove, sepse ato transmetojnë pa asnjë licensë në nivele të paautorizuara. Radio Rilindja, e lidhur ngushtë me ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, tani vepron si një radio stacion i fuqishëm pirat dhe ka plane për të nisur edhe një televizion.


Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, e cila ka përgjegjësinë kryesore për mediat, po përballet me një furtunë politike, ndërsa ajo po përpiqet të mbyllë këto stacione.


Megjithatë beteja kryesore është fokusuar në nisjen e stacioneve "kombëtare" tokësore. Kjo e përball OSBE-në, si organizmi përgjegjës për të dhënë licensat e vlefshme për frekuencat nacionale, me marrjen e vendimeve të cilat ajo do të dëshironte të mos i merrte. Kanë filluar bisedimet me Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, i cili koordinon frekuencat në të gjithë botën, nëse Kosova mund të ketë dy apo tre stacione për të gjithë provincën.


Mendohet se RTK do të marrë një nga licensat, tjetra ka mundësi ti jepet RTV 21, e drejtuar nga Afërdita Kelmendi, e cila ka grumbulluar fonde të mëdha dhe ka filluar ndërtimin e studiove moderne në ndërtesën e mediave në qendër të Prishtinës.


Koha Vizion i Veton Surroit, i lidhur me gazetën e përditëshme Koha Ditore, është gjithashtu në garë, dhe pritet që Radio Rilindja dhe shumë të tjerë të bëjnë kërkesa. Konkurenca është e ashpër dhe idea e bashkëpunimit, veçanërisht ndërmjet atyre që pritet të jenë kryesorët, është hedhur poshtë.


Por i gjithë procesi i fillimit të transmetimeve territoriale është vënë në dyshim disa javë më parë dhe pothuajse është ndërprerë për shkak të kostos së ndërtimit të një transmetuesi në Cvilen. Me kërkesë të OSBE-së, qeveria japoneze kishte rënë dakort të ofronte pajisje prej 14.5 milion dollarë amerikan për studio televizive, pajisje të lëvizëshme dhe transmetues për të rivendosur sistemin. Pjesa më e madhe e tyre do të ishin për RTK, por transmetuesit, antena dhe materiale të tjera për transmetimin e sinjaleve mund të përdoren nga të gjitha stacionet e Kosovës.


Oferta ishte një lajm i shumë pritur: planet e mëparëshme nga Britania e Madhe dhe SHBA gjatë verës kishin qenë të pasuksesëshme. Për shkak të përmasave të projektit, japonezët ndërmorrën një rishikim të detajuar teknik dhe përgatitën dokumenta shumë të detajuara për tenderin me afate të caktuara.


Por marrëveshja u pengua për shkak të një neni. Japonia do të paguante për pajisjet, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Zyrës së tyre të Iniciativës Tranzitore, do të ngrinte kullat ekzistuese në Golesh dhe Cvilen, ku do të vendosej pjesa më e madhe e pajisjeve të reja.


Megjithëse u ra dakort që në vjeshtën e kaluar, filluan vonesat. Vendet e kullave ishin të dyja në një gjenjde të keqe, sipas një oficeri ndërkombëtar që punon për çështjet e mediave, dhe puna për ti rregulluar ishte shumë e vështirë. Aty kishte eksploziv të pashpërthyer "të lidhura me bomba në seri", thotë ky zyrtar dhe një vend ishte i rrethuar nga një fushë e minuar nga Ushtria Jugosllave. Furnizimi me energji elektrike dhe ndërtesat ndihmëse ishin shkatërruar.


OSBE-ja organizoi pastrimin, por rindërtimi i kullave të mëdha, që u vlerësua në shumën 1.2 milion marka gjermane vetëm për Goleshh, ishte shumë. Si një zgjidhje më pak e kushtueshme, një kompani maqedonase u komisionua për të ndërtuar një kullë, por ekspertët e kuptuan shpejt se specifikimet teknike të saj ishin shumë më poshtë se kërkesat dhe kjo zgjidhje u hodh poshtë.


Më në fund dy struktura të përdorura u piketuan nga një kompani gjermane dhe u dërguan në Prishtinë. Në vend të kullave u vendosën shtylla me një rreze. U konkludua gjithashtu se ato mund të ndërtoheshin në bazë të lartësive të kërkuara, 100 metra në Goleshh, dhe 50 në Cvilen. Fuqia e kullave u rishikua: vendi në majën e malit në Goleshh, dhe veçanërisht në Cvilen, është jo shumë i mirë për shkak të erërave dhe kushteve të tjera atmosferike.


Eksperti teknik u ankua se atij nuk i ishte dhënë asnjë informacion për specifikimet teknike dhe për llojin e pajisjeve që do të vendoseshin në to. Të tjerë njerëz janë të shqetësuar se shtyllat e përdorura do të zgjasin vetëm disa vjet. Por japonezët kanë pranuar se ato janë në gjendje të mirë dhe projekti mund të vazhdojë.


Deri përpara disa javësh kur OTI e SHBA-së pati një pakësim të ndjeshëm të buxhetit. Kur OSBE-ja kërkoi sigurim me shkrim nga japonezët se ata do të ndërtonin të dyja shtyllat, u tha se në fakt SHBA-ja do të merrte përsipër të paguante për njërën prej tyre.


Në një moment i gjithë projekti është vënë në rrezik. japonezët, pasi kishin kaluar një proces të gjatë planifikimi dhe aprovimi, nuk mund të bënin ndryshime ofertës së tyre. Por do të shihte një veprim i pabazuar të jepeshin këto fonde vetëm për një kullë. Tensionet ndërmjet Europianëve, shqiptarëve të Kosovës dhe japonezëve u rritën. "Ndryshimet nuk kanë qenë të mirëpritura," thotë një zyrtar që përfaqëson Japoninë në Kosovë.


Amerikanët, ndërkohë, kanë shprehur shqetësime të reja rreth pronësisë së vendit dhe mbulimit të sinjalit. Me një tension të ulët të vendosur nga KFOR-i, rezultati i transmetimeve të Radio Kosova të Fetahut nuk është i mirë dhe do të kërkojë investime shtesë për "repetitorë" për të amplifikuar sinjalin në mënyrë që ai të merret në të gjithë territorin malor të Kosovës.


Në fund, mundësia e dështimit të të gjithë marrëveshjes dhe kritikat e mëdha që do të kishte shkaktuar ky dështim, i detyruan amerikanët të vendosnin për një financim shtesë prej 500,000 dollarësh për të mbuluar nevojat. Këto fonde, të alokuara tashmë për median, janë ndaluar në Uashington, kryesisht për shkak se shumë njerëz atje nuk e pëlqejnë konceptin e transmetimeve publike.


"Në Uashington ekzistojnë shumë mendime, dhe ne duhet të theksonim që paratë nuk do të përdoren vetëm për transmetimet publike," shpjegon Dagllas Davidson, drejtor i çështjeve të medias në OSBE.


Në rast se nuk do të ketë ndonjë kundërshtim të minutës së fundit nga Kapitol Hill, kriza për momentin mund të konsiderohet e mbyllur. Ndërtimi i shtyllave do të fillojë në pranverë. Tenderi japonez do të vazhdojë, dhe stacionet rivale në Kosovë do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të kompletuar studiot dhe prodhimet e tyre televizive, me të cilat pak prej tyre kanë eksperiencë.


Por edhe me këto ritme, pajisjet nuk pritet të vijnë në Kosovë deri nga fundi i vitit, pra pas zgjedhjeve lokale. Pra fonde të tjera do të duhet të gjenden për transmetues të përkohëshëm derisa pajisjet e reja të prodhohen dhe dërgohen në Kosovë. Shpresa ekziston se të gjitha këto regullime të mëvonëshme të mos pengohen nga problemet e tanishme politike, teknike dhe financiare me të cilat përballet çdo inisiativë praktike në Kosovë.


Antoni Borden është Drejtor Ekzekutiv i IWPR-së.


Albania, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists