Beogradi Refuzon Marrëveshjen me SHBA

Serbia dhe Mali i Zi i thonë jo një kërkese të SHBA për marrëveshjen e jo ekstradimit.

Beogradi Refuzon Marrëveshjen me SHBA

Serbia dhe Mali i Zi i thonë jo një kërkese të SHBA për marrëveshjen e jo ekstradimit.

Vetëm pak ditë pasi Uashingtoni ka miratuar një ndihmë të re për Serbinë dhe Malin e Zi, zyrtarët e qeverisë në Beograd kanë thënë se ata nuk do të pranojnë të përjashtojnë nënshtetasit Amerikanë nga dërgimi për gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, ICC.


Njoftimi ka qenë i papritur për shkak se vetëm disa ditë më parë, ambasadori Amerikan në Serbi dhe Malin e Zi, William Montgomery, ka paralajmëruar se nëse Beogradi nuk nënshkruante marrëveshjen dy palëshe për përjashtimin e nënshtetasve Amerikanë, Uashingtoni do të ndërpriste të gjithë ndihmën ushtarake për vendin.


Në një intervistë për IWPR vetëm pak përpara skadimit të afatit të 1 Korrikut të vendosur nga SHBA, kryeministri Zoran Zivkoviq ka thënë se vendi i tij nuk do të nënshkruajë, dhe u duk sikur ka hedhur poshtë kërcënimet Amerikane. Ai ka thënë se shpresonte që SHBA do të kuptonin se nënshkrimi i marrëveshjes dy palëshe do të destabilizonte vendin dhe do të mund të shkaktonte një krizë politike.


Disa analistë politik kanë thënë se Beogradi ndjehej i lirë të mos pranonte marrëveshjen sepse Uashingtoni nën zë mund ti ketë lënë të kuptojë se ai nuk do të ndërpresë ndihmën ushtarake, sic ka kërcënuar të bëjë ndaj vendeve të tjera të cilat nuk do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen. Ata kanë thënë se Serbia dhe Mali i Zi kishin siguruar përkrahjen e SHBA për shkak të bashkëpunimit të mirë me gjykatën e Hagës.


Megjithatë më 1 Korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se Serbia dhe Mali i Zi në fakt do të jetë në listën e vendeve të cilat mund të humbasin ndihmën ushtarake.


Marrëveshjet dy palëshe janë pjesë e Aktit të Mbrojtes së Anëtarëve të Shërbimit Amerikan për vitin 2002, i cili kërkon që të gjitha vendet të cilat janë palë nënshkruese në marrëveshjen e ICC përvec 19 anëtarëve të NATO-s dhe nëntë vendeve të tjera aleate jo anëtare të NATO-s të pranojnë të mos ekstradojnë nënshtetasit Amerikanë në këtë gjykatë. Nëse këto vende nuk nënshkruajnë, ato nuk do të përfitojnë ndihma ushtarake nga SHBA. Afati përfundimtar për nënshkrimin e marrëveshjeve ka qenë data 1 Korrik.


Shumë nga vendet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë kanë thënë se ato e konsiderojnë një hipokrizi nga ana e Shteteve të Bashkuara që u kërkon atyre të dorëzojnë qytetarët e tyre në gjykatën e Hagës dhe në të njëjtën kohë të pranojnë të mos ekstradojnë nënshtetasit Amerikanë. Por ndoshta akoma dhe më e rëndësishme, është fakti që ata nuk kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshje me Uashingtonin për shkak se kanë frikë se një gjë e tillë mund të rrezikojë shanset e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian, i cili ka kritikuar ashpër veprimet e SHBA.


Rreth 40 vende kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe, përfshirë Shqipërinë, Bosnje Herzegovinën, Bullgarinë dhe Maqedoninë. Megjithatë, përvec Serbisë dhe Malit të Zi, edhe Kroacia dhe Sllovenia nuk kanë pranuar të nënshkruajnë. Dhe ndërsa Bosnja e ka nënshkruar marrëveshjen, ajo ka thënë se mund ta tërheqë firmën e saj nëse BE e kërkon një gjë të tillë si parakusht për anëtarësimin e vendit në këtë organizëm.


Ekspertët e ligjeve ndërkombëtare në Serbi thonë se është vështirë të pajtohen kërkesat Amerikane me parimet e të drejtave njerëzore universale.


“Si mundet që Serbia – e cila ende e ka të vështirë të bindë qytetarët e saj të mbështesin bashkëpunimin me gjykatën e Hagës – të pranojë të përjashtojë të tjerë të dyshuar për krime lufte nga ndjekja e drejtësisë?” ka pyetur Mirko Tepavac, një anëtar i Forumit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.


Milanka Saponja-Hadziq është një bashkëpunëtore e IWPR në Beograd.


Frontline Updates
Support local journalists