Beogradi Përgatit Serbët për Ekstradimin e Millosheviqit

Ndërsa po dalin në dritë prova të reja për krimet e kryera në Kosovë, Serbët po bëhen gjithnjë e më tepër indiferent për fatin e ish presidentit të tyre.

Beogradi Përgatit Serbët për Ekstradimin e Millosheviqit

Ndërsa po dalin në dritë prova të reja për krimet e kryera në Kosovë, Serbët po bëhen gjithnjë e më tepër indiferent për fatin e ish presidentit të tyre.

Një natë përpara se qeveria Jugosllave të miratonte një projekt ligj për bashkëpunimin me gjykatën ndërkombëtare të Hagës, ministria e brendëshme ka bërë publike një video tronditëse në TV Serb ku tregohej një varr masiv në Batajnica pranë Beogradit.


Filmimi prej dhjetë minutash i transmetuar më 13 Qershor ka treguar kocka dhe kafka njerëzish, të cilat mendohet të kenë qenë të Shqiptarëve të Kosovës, të cilat po nxirreshin nga toka. Thuhet se hetues të Hagës gjenden në Batajnica, për të mbikqyrur zhvarrimin.


Shumë analistë nga Beogradi mendojnë se qëllimi i koalicionit qeveritar DOS është që nëpërmjet shfaqjes të programeve si ky të shtojnë përkrahjen në rradhët e publikut Serb për bashkëpunim me gjykatën për krime lufte, gjë e cila praktikisht do të thotë ekstradimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë.


Ekstradimi i tij është një parakusht i nevojshëm që Serbia të përfitojë ndihma të huaja financiare.


Parlamenti federal duhet të miratojë legjislacionin e nevojshëm përpara një konference donatorësh të planifikuar për më 29 Qershor, por deputetët Malazez - ish aleatë të Millosheviqit - ende nuk janë bindur për të mbështetur këtë hap.


Analistët në Beograd mendojnë se koshtunica ka ndryshuar qëndrim ndaj Hagës që prej vizitës së tij në Uashington përpara një muaji. Ai tashmë nuk është i gatshëm të sakrifikojë mirëqënien e vendit për shkak të Millosheviqit.


Prova për krimet e kryera në Kosovë janë shfaqur për herë të parë një muaj më parë. Timocka Criminal Review, një gazetë lokale në Kladovo, në Serbinë lindore, ka botuar një artikull rreth zbulimit të një kamioni frigorifer i cili përmbante kufomat e disa Shqiptarëve të Kosovës, i cili ishte nxjerrë nga lumi Danub në Prill të vitit 1999.


Megjithatë, ministria e brendëshme Serbe, e cila në atë kohë kontrollohej nga Millosheviqi, kishte bllokuar të gjitha hetimet e mëtejshme. E gjithë kjo çështje u konsiderua sekret shtetëror.


Media Serbe është përpjekur të zbulojë se ku kanë përfunduar këto kufoma. E përditëshmja e Beogradit Vreme ka përmendur e para Batajnicën si një mundësi. Ekzistenca e këtij vendi është konfirmuar zyrtarisht këtë javë nga ministri i brendëshëm Serb, Dushan Mihajloviq.


"Janë zbuluar tetëdhjetë e tre kufoma, përfshirë tre koka," ka thënë një burim nga DOS-i për IWPR-në. "Ndërmjet viktimave kanë qenë edhe dy fëmij të vegjël".


Njoftime të tjera thonë se viktimat mund të kenë qenë ende gjallë kur janë hedhur në kamion.


Burimi nga DOS thotë se një varr masiv ku gjenden 800 trupa të transportuar nga Kosova është zbuluar në afërsi të batajnicës, në një vend të izoluar i cili shërbente si një pikë stërvitjeje për policinë, i cili gjendet rreth treqind metra larg rrugës kryesore.


Kur një gazetar i IWPR-së shkoi për të vizituar këtë vend ai është detyruar të largohej nga një roje. "Ju duhet të largoheni prej këtej, është e ndaluar të qëndroni këtu! Largohuni menjëherë," ka bërtitur roja.


Banorët e fshatrave përreth thonë se ata nuk kanë dijeni për këtë operëcion të mundëshëm, dhe nuk kishin zbuluar ndonjë gjë të pazakontë.


"Kam dëgjuar për këtë në TV," thotë një mesogrua duke kthyer kokën me nervozitet drejt hyrjes së ndërtesave. Ajo thotë se nuk ka ditur asgjë rreth asaj që mund të ketë ndodhur në kohën kur mendohet se trupat janë hedhur aty: "Ndjehem keq sot kur e di se kam jetuar pranë një varri masiv".


Lajme të tjera rreth ekzistencës së varreve masive i janë dhënë mediave. IWPR ka marrë vesh se një prej tyre gjendet në rrethinat e Beogradit por tashëm është asfaltuar, një fakt i cili është konfirmuar edhe nga burimi nga DOS-i. "Për këtë vend po hetohet dhe nuk ka më të dhëna të tjera," ka thënë ai.


Thuhet se Millosheviqi ka filluar të tregojë shenja shqetësimi sapo është njoftuar lajmi për gjetjen e trupave të kamionit. Sipas burimeve nga burgu qendror në Beograd ku ai gjendet i izoluar, ai vazhdon të vuajë nga tensioni i lartë i gjakut.


Mund të thuhet se ai ka arësye të mirë për këtë. Policia ka konfirmuar një artikull të botuar në të përjavëshmen e Beogradit Nedeljni Telegraf se vendimi për mbulimin e masakrave është marrë në fund të muajit Mars 1999, gjatë një takimi zyrtar në rezidencën e Millosheviqit në Shtëpinë e Bardhë.


Vlajko Stojiljkoviq, ministri Serb i policisë në atë kohë, Vlastimir Gjorgjeviq, ish shef i shërbimit të sigurimit të shtetit, Obrad Stevanoviq, ish shef i policisë, dhe përfaqësues të ushtrisë Jugosllave, kanë qenë prezent në atë mbledhje, thonë njoftimet.


Thuhet se Sllobodan Millosheviqi ka urdhëruar që trupat e viktimave të shkatërrohen dhe ka folur për frikën e tij se zbulimi i tyre do të çonte në hapjen e një hetimi nga Haga.


Ndërsa prova të reja për këto krime po paraqiten para publikut Serb, autoritetet do ta kenë më të lehtë të bindin Serbët për nevojën e bashkëpunimit me Hagën. Duket se njerëzit, po bëhen gjithnjë e më indiferent për fatin e ish presidentit të tyre.


Ivan Nikoliq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists