Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Ballkani Kërcënohet nga një Konflikt i Tipit Mafioz

Çrrënjosja e korrupsionit dhe lufta ndaj krimit të organizuar janë tepër të rëndësishme për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në Ballkan
By Fron Nazi

Lufta e tanishme në Ballkan do të përshkallëzohet. Tani skenari më i errët i mundëshëm rrezikon të bëhet realitet – një luftë e tipit mafioz për kontrollin e pronave dhe aktiviteteve të paligjëshme nën vellon e një lufte nacionale. Por ekziston një mundësi për ta parandaluar atë.


Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Shqiptarët etnik në Maqedoni kanë kërkuar ndryshime kushtetuese nga qeveria për të siguruar të drejta të njëjta dhe mundësi ekonomike të barabarta, përfaqësim proporcional në institucionet qeveritare, një rregjistrim të ri të popullsisë dhe arsimim në gjuhën Shqipe në nivelin universitar.


Megjithatë qeveria e koalicionit – e cila përfshin Partinë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, - ka arritur progres tepër të vogël gjatë periudhës tre vjeçare të pjesëmarrjes në qeveri.


Ushtria Clirimtare Kombëtare, UCK, e përbërë nga ish komandantë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe luftëtarë të paguar, ka kuptuar se ka ardhur koha e tyre. Ata e çuan procesin politik në fushën e betejës.


Të rinj të papunë, luftëtarë të paguar, kanë qenë të gatshëm të bashkohen me këdo që u premton të mbrojë komunitetin e tyre.


Ndërkohë, në qytetin e ndarë etnikisht të Kosovës në Mitrovicë, tensionet etnike mund të rriten. Bandat Serbe, të mbështetura nga ish paraushtarakë, kanë rrahur dhe vrarë Shqiptarë etnik në veri dhe bandat e Shqiptarëve të armatosur kanë vrarë Serbë në jug të qytetit. Ura e Ibrit, e cila lidh dy pjesët e ndarë të qytetit, ka qenë skenë e përplasjeve të vazhdueshme ndër etnike.


Konflikti që zien në Maqedoni dhe Mitrovicë mund të shpërthejë në një luftë të hapur. Forcat paraushtarake Serbe në Mitrovicë mund të kërkojnë shkëputjen e pjesës veriore të qytetit të banuar tani kryesisht nga Serbët. Në Maqedoni, UCK-ja mund ta transferojë luftën në kryeqytetin Shkup. Të dy skenaret do të sillnin më shumë viktima, fshatra të djegur dhe një numër të madh refugjatësh.


Shkalla e lartë e papunësisë dhe dëshira për pasurim të shpejtë dhe favore politike kanë krijuar një bazë të mirë për rekrutimin e grupeve të milicive dhe krimit të organizuar në Ballkanin jug lindor. Këto grupe kanë një sërë burime financimi.


Pjesa më e madhe e këtyre financimeve vjen nga kontrabanda e mallrave si droga, cigaret, por edhe qënieve njerëzore – nëpër kalimet e sigurta në pjesë të ndryshme të rajonit. Fonde të tjera sigurohen nga diaspora Shqiptare dhe Serbe si edhe nga qeveritë përkatëse. Në rastin e UCK-së, vetëm gjatë muajit të fundit janë mbledhur 3 milion dollarë Amerikan nga komuniteti Shqiptar në SHBA. Ndërkohë, Beogradi jep fonde për radikalët Serbë në Mitrovicë.


Shumë njerëz nuk mund të mbijetojnë ekonomikisht pa lidhjet me krimin e organizuar. Me pak ose aspak mundësi për punësim, njerëzit janë në një farë mënyre robër të bizneseve shumë milionëshe të mafias. Gangsterët po forcojnë gjithnjë e më tepër pozitat e tyre në rajon dhe tentojnë të shtrijnë influencën e tyre edhe në Europën Perëndimore.


Perëndimi duhet të harojë një politikë të re për rajonin – një politikë e cila njëkohësisht të synojë uljen e korrupsionit në nivel qeveritar dhe të zgjidhë çështjet të cilat u japin arësye për të ekzistuar grupeve të armatosur.


Edhe gazetarët në këtë zonë e dinë se cilët zyrtarë të qeverisë bashkëpunojnë me mafian vendase. Emrat dhe pikat e kontaktit të zyrtarëve dhe drejtuesve të gangsterëve të përfshirë në kontrabandën e cigareve, drogës, karburanteve, dhe trafikun e qënieve njerëzore janë të njohura nga të gjithë.


Perëndimi duhet të shtojë prezencën e policisë dhe zyrtarëve të mbledhjes së informacioneve dhe të kërcënojë publikisht për ndërprerjen e ndihmave për qeveritë nëse ato nuk dënojnë ashpër fajtorët.


Megjithatë, nuk duhet të ketë shumë iluzione. Korrupsioni do të lulëzojë deri sa të merren vendime për statusin e Kosovës dhe të Shqiptarëve etnik në Maqedoni.


Hapi i parë në Kosovë është të sigurohen Kosovarët se forat Serbe nuk do të kthehen. Kjo përfshin edhe dhënien autoritet liderëve politik Shqiptarë mbi provincën. Kjo do ti bënte përgjegjës ata edhe për pakicën Serbe në Kosovë.


Në Maqedoni, Perëndimi duhet të pranojë që kërkesat e Shqiptarëve etnik janë legjitime dhe të ndihmojë Shkupin në zbatimin e tyre.


Sa më tepër të vonojë Perëndimi, aq më gjatë do të mbetet rajoni në një gjendje të pasigurtë dhe një vend i preferuar për mafian dhe grupet e armatosura.


Fron Nazi është një autor i specializuar në çështjet e Ballkanit.