AVOKATËT TË PAKËNAQUR NGA 'PRESIONET POLITIKE' NË GJYQIN NË MAQEDONI
Shpresat e qeverisë për një fund të shpejtë të procesit gjyqësor ndaj katër policëve të akuzuar për vrasjen e një grupi emigrantësh ekonomik mund të zhgënjehen.
AVOKATËT TË PAKËNAQUR NGA 'PRESIONET POLITIKE' NË GJYQIN NË MAQEDONI
Shpresat e qeverisë për një fund të shpejtë të procesit gjyqësor ndaj katër policëve të akuzuar për vrasjen e një grupi emigrantësh ekonomik mund të zhgënjehen.
Avokatët mbrojtës të të pandehurve për vrasjen e shtatë shtetasve të huaj në një operacion anti terrorist të planifikuar në vitin 2002 kanë akuzuar qeverinë se ajo po bën presion mbi sistemin e drejtësisë për të siguruar dënimin e të pandehurve.
Ata kundërshtojnë faktin që dy nga të pandehurit tani do të paraqiten si dëshmitarë të prokurorisë, duke ngulur këmbë se ky veprim përbën një shkelje të kodit penal.
Tre ish zyrtarë të policisë dhe një tregtar janë akuzuar për vrasjen e gjashtë shtetasve pakistanez dhe një indiani. Vrasjet thuhet të jenë kryer për tu dukur si një operacion anti terrorist, për të paraqitur Maqedoninë si një aleate të SHBA-së në "luftën kundër terrorizmit".
Në muajin prill, qeveria maqedonase ka akuzuar ish ministrin e brendëshëm Ljube Boshkovski për organizimin e vrasjeve. Boshkovski i cili mban nënshtetësi të dyfishtë, është larguar për në Kroaci ku ai po prêt që autoritetet të përfundojnë një hetim dhe të vendosin nëse ai do të dalë në gjyq për këto vrasje.
Vrasjet, të cilat kanë ndodhur pranë kryeqytetit në një zonë të quajtur Rastanski Lozja në mars 2002, kanë shkaktuar kritika nga komuniteti ndërkombëtar. Gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut shumë shpejt kanë arritur në përfundimin se të vrarët kanë qenë emigrantë ekonomik të paligjshëm, jo terroristë të cilët planifikonin sulme ndaj ambasadave të huaja, siç ka thënë policia e drejtuar nga Boshkovski atë ditë.
Në akuzë thuhet se të pandehurit kanë tërhequr nënshtetasit e huaj - të cilët mendohet se kanë qenë emigrantë të cilët ishin drejtuar për në Greqi në kërkim të punës - në Maqedoni, dhe pasi i kanë vrarë kanë vendosur pranë tyre armët dhe uniformat për ti bërë ata të dukeshin si terroristë.
"Ka qenë një fabrikim i tmerrshëm për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar," ka thënë Mirjana Kontevska, zëdhënëse e ministrisë së brendëshme, duke njoftuar akuzat në muajin prill.
Që prej asaj kohe, shumë njerëz kanë pritur që kjo çështje të përfundonte shpejt, sepse qeveria ka thënë se ajo kishte prova të mjaftueshme për të dënuar të pandehurit.
Por avokatët mbrojtës dhe disa analistë ligjor thotë se duke nxituar të mbyllë sa më shpejt atë që duket se ka qenë një vrasje - e cila ka dëmtuar rëndë reputacionin e Maqedonisë - qeveria ka ndikuar mbi mbarëvajtjen e gjykimit të çështjes.
Avokatët e Goran Stojkov, i cili ka qenë komandant i njësisë speciale të policisë të Luanëve, e cila sot nuk ekziston më, zëvendësit të tij, Boban Utkovski, oficerit të zbulimit Aleksandar Cvetkov dhe tregtarit Mitko Kikerekov, thonë se klientët e tyre janë viktimë e një "hakmarrjeje me qëllime politike".
Profesori i drejtësisë Nikola Tupancevski ka thënë për IWPR se "Politika dhe ligji janë përzier dhe është e vështirë të përcaktosh se si po zbatohet ligji dhe deri ku po ndikon politika mbi hetimet dhe procesin gjyqësor".
Tupancevski thotë se ndërhyerjet politike kanë qenë të dukëshme që në fillim në mënyrën se si dy të pandehur kanë ndryshuar dëshmitë e tyre dhe janë paraqitur si dëshmitarë të akuzës.
Akuzat ndaj dy oficerëve të Luanëve, Goran Jovancevski dhe Nikolko Najdovski, janë rrëzuar dhe ata janë sot dëshmitarë të prokurorisë.
Aleksandar Tortevski, avokat i Goran Stojkov, thotë se prokuroria ka shkelur kodin penal duke tërhequr akuzat në maj dhe duke iu dhënë ish të pandehurve statusin e dëshmitarëve të mbroktur.
Ai thotë se kjo është për faktin se ligji për procedurën penale, i cili ka bërë të mundur këtë ndërhyrje, është ndryshuar disa muaj më pas - në korrik.
Profesori i drejtësisë Vlado Kambovski thotë se vetëm pas ndryshimit të ligjit prokurorët kanë pasur të drejtën të tërheqin apo jo akuzat ndaj disa të pandehurve dhe ti përdorin ata si dëshmitarë ndaj të tjerëve. Kambovski ka thënë për IWPR se avokatët mbrojtës kanë të drejtë.
Gjyqi po mbahet me dyer të mbyllura dhe vetëm një numër i kufizuar gazetarësh janë lejuar. Gjykata ka ndaluar prokurorinë të komentojë në publik për këtë rast.
Najdovski, i cili ka qenë ndër policët të cilët kanë qëlluar dhe vrarë shtatë personat, ka thënë për gjykatën se Stojkov e kishte informuar se sulmi do të kryhej.
"Edhe Stojkov dhe Utkovski kanë qëlluar," ka thënë ai. "Pasi i vramë, Stojkov na ka urdhëruar të merrnim dy çanta nga makina e policisë të mbushura me armë automatike dhe pistoleta. Ne i vumë armët pranë trupave të tyre dhe u futëm bomba në xhepa". Najdovski ka shtuar se njerëzit e vrarë nuk kishin armë.
Jovancevski, edhe ai prezent gjatë vrasjeje, ka dhënë një dëshmi të ngjashme, duke thënë se Stojkov i kishte urdhëruar ata të përgatiteshin të ekzekutonin "një grup terroristësh". Ai ka konfirmuar se të vrarët nuk kishin armë me vete.
Jakim Naumov, avokat i dytë i Stojkov, ka thënë se Jovancevski dhe Najdovski kanë pranuar të dalin dëshmitarë vetëm pasi janë takuar me Hari Kostov, ish ministër i brendëshëm së bashku me shefin e shërbimeve sekrete, Branko Bojçevski.
"Kjo ka qenë një marrëveshje e arritur ndërmjet disa strukturash politike dhe provë është fakti që Najdovski ka pranuar publikisht se është takuar me Bojçevskin dhe Koston," ka thënë Naumov për IWPR.
Stojkov i ka kërkuar qeverisë ta mbrojë nga ato që ai i ka quajtur presione politike, duke thënë se atij i është ofruar lirimi në shkëmbim të paraqitjes si dëshmitar kundër Boshkovskit.
Kikerekov, i akuzuar se ka prodhuar një CD e cila më vonë do të shërbente si një provë për një plan të përgatitur nga gjoja terroristët për të sulmuar ambasadat në Shkup, ka thënë para gjykatës se Kostov i kishte kërkuar edhe atij të nënshkruante një pranim me shkrim. "Pasi unë nuk pranova, ai më kërcënoi me burgim të përjetshëm," ka thënë Kikerekov.
Mirjana Najcevska, nga komiteti maqedonas i Helsinkit për të drejtat e njeriut, ka thënë për IWPR se organizata e saj ka parë parregullsi në arrestimin dhe ndalimin e të pandehurve.
"Ata janë arrestuar të gjithë në orët e para të mëngjesit nga policë të armatosur me automatik në shtëpitë e tyre," ka thënë ajo. "Kjo nuk ka qenë e nevojëshme sepse asnjë prej tyre nuk i fshihej policisë dhe nuk ka kundërshtuar arrestimin".
Najcevska ka thënë për IWPR se komiteti i Helsinkit ka kundërshtuar trajtimin e të pandehurve në paraburgim.
"Që prej ditës së ndalimit, ata janë lejuar vetëm 15 minuta të dalin nga qelitë e tyre. Atyre gjithashtu u është mohuar kontakti i lirë me avokatët e tyre," ka thënë Najcevska.
Gjyqi vazhdon javën e ardhëshme, kur prokurorët do të thërrasin një dëshmitar tjetër.
Mitko Jovanov është një gazetar i së përditëshme Dnevnik.