Arrestohet Millosheviqi

Sllobodan Millosheviq i dorëzohet policisë duke i dhënë fund situatës së tensionuar përpara vilës së tij në Beograd

Arrestohet Millosheviqi

Sllobodan Millosheviq i dorëzohet policisë duke i dhënë fund situatës së tensionuar përpara vilës së tij në Beograd

Thursday, 5 April, 2001

Ish Presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq është nën pranga në burgun qendror të Beogradit në rrugën Bacvanska pasi i është dorëzuar policisë në orët e para të mëngjesit të së Dielës, 1 Prill.


Ministri i brendëshëm Serb Dushan Mihajloviq ka thënë se ish presidenti në fund ishte qetësuar. "Nuk ka pasur rezistencë dhe për këtë arësye as nevojë për të përdorur forcën," ka thënë Mihajloviq. "Z. Millosheviq do të ketë të gjitha të drejtat e dhëna me ligj".


Gazetarët në vendngjarje kanë thënë se janë dëgjuar të shtëna vetëm pak kohë përpara se një varg makinash të dilnin nga porta e shtëpisë së Millosheviqit. Mihajloviq ka thënë se vajza e zemëruar e Millosheviqit, Marija, kishte qëlluar disa herë në ajër ndërsa babai i saj po largohej nga vila. Burime të policisë thonë se ish presidenti ka qenë i dehur në momentin e arrestimit.


Ministri Serb i Drejtësisë Vladan Batiq ka thënë se Millosheviq nuk do të akuzohet për rezistencë ndaj arrestimit. "Nuk ka ndodhur asgjë e madhe," ka thënë ai.


Branislav Ivkoviq, zëvendës president i Partisë Socialiste Serbe të Millosheviqit, SPS, ka ngulur këmbë se kryetari i partisë nuk është arrestuar. Ivkoviq ka thënë se Millosheviq është dorëzuar vullnetarisht oficerëve hetues për të parandaluar një gjakderdhje.


"Ai ka menduar se si një njeri i zgjedhur tre herë president i Serbisë dhe Jugosllavisë, ka pasur të drejtën të pyetej nga hetuesit në shtëpinë e tij," ka thënë Ivkoviq. "Akti i parë i një gjyqi politik ka filluar tashmë," ka shtuar ai.


Dorëzimi i Millosheviqit i ka dhënë fund një konfrontimi i cili ka filluar të Premten pasdite. Zëvendës shefi i forcave të sigurimit të shtetit Zoran Mihajloviq ka vizituar Millosheviqin në orën 4 pasdite dhe i ka dorëzuar atij urdhërin e arrestit. Përkrahësit e Millosheviqit nga rradhët e partisë Socialiste Serbe, SPS, kanë ndërprerë menjëherë pjesëmarrjen e tyre në parlament në shenjë proteste.


Forca të policisë speciale të armatosura rëndë - të urdhëruara nga Gjingjiq - kanë sulmuar vilën e Millosheviqit dy herë por janë zbrapsur nga një turmë e vogël simpatizantësh të tij dhe ushtarë të ushtrisë Jugosllave që ruajnë ish presidentin.


Në orën 2 të mëngjesit së të Shtunës, forcat e policisë speciale kanë kaluar gardhin që rrethon vilën e Millosheviqit dhe ka pasur një shkëmbim zjarri sporadik. Dy oficerë policie janë plagosur dhe një fotograf ka pasur lëndime të lehta në dorë.


Sipas agjensive të lajmeve, Millosheviq ka bërtitur nga një dritare se ai nuk pranon një urdhër arresti nga "lakenjtë e NATO-s", një referencë ndaj autoriteteve të tanishme Jugosllave, dhe i ka thënë një polici se ai nuk do të dalë "i gjallë nga vila" një sulm i dytë është ndërmarrë të Shtunën por është zbrapsur përsëri nga ushtarë të ushtrisë Jugosllave. Analistët politik thonë se Gjingjiq dëshiron që Millosheviqi të arrestohet sepse ai i ka premtuar qeverisë Amerikane së fundi që ai mund ta arrestojë Millosheviqin edhe pa ndihmën e Koshtunicës apo të shefit të shtabit të ushtrisë Jugosllave.


Ministri i Brendëshëm Federal Zoran Zivkoviq ka akuzuar më pas njësitë e ushtrisë Jugosllave në rezidencë se janë përpjekur të organizojnë një "grusht shteti në miniaturë". Analistët politikë thonë se Presidenti Koshtunica është përpjekur të bllokojë arrestimi nëpërmjet ushtrisë, e cila ka mbështetur atë në mosmarrëveshjen me Gjingjiqin.


Por njësitë e ushtrisë janë tërhequr vetëm pak kohë përpara se Millosheviq më në fund të dorëzohej. Të Shtunën Koshtunica kishte thënë pas një takimi urgjent me oficerë të lartë të ushtrisë dhe politikanë se "Qëllimi ynë është të ulim tensionet. Ne dëshirojmë të shmangim një krizë shtetërore". Duke lënë të kuptohet një ndryshim të qëndrimit të tij, Koshtunica ka shtuar se "Cilido që qëllon mbi policinë ose kryen krime duhet të përgjigjet para ligjit. Askush nuk është mbi të, as edhe Sllobodan Millosheviqi. Një individ nuk duhet të rrezikojë shtetin dhe sistemin".


Zërat për një operacion të shpejtë arrestimi kishin qarkulluar prej ditësh në kryeqytetin Serb. Në burgun e qytetit kishin filluar përgatitjet që prej katër ditësh. Rrugët e Beogradit janë të mbushura me postera të Millosehviqit ku tregohet ai dhe pas shpinës së tij një pamje nga një luftë shkatërruese, gjendje e keqe ekonomike dhe dhune ndaj kundërshtarëve të tij në Serbi, me një titull kryesor ku shkruhet: "Kush e ka fajin?".


Gjatë fundjavës së mbushur me njoftime kontradiktore, autoritetet Serbe tepër të mërzitura janë detyruar të tërheqin njoftimet që Millosheviqi ishte arrestuar që të Premten. Një njoftim thoshte se Millosheviqi ishte transferuar në Pallatin e Drejtësisë më herët këtë të Premte ku ai është paraqitur përpara hetuesit gjyqësor, Goran Cavlina. Një burim nga gjykata ka thënë se Cavlina ka bërë një diskutim dy orësh me Millosheviqin dhe një takim tjetër ishte vendosur për të nesërmen në mëngjes në orën 7. Zyrtarë të tjerë nuk mund të konfirmonin këtë informacion por burime të policisë kanë thënë për IWPR-në se kjo ka qenë një përpjekje e organizuar për të bindur përkrahësit e Millosheviqit se ai tashmë gjendej jashtë vilës dhe ishte arrestuar, duke hapur kështu rrugën për një hyrje të qetë të policisë.


Por shumë shpejt pamjet televizive e kanë treguar Millosheviqin në shtëpinë e tij përpara një turme prej rreth 400 përkrahësish të zjarrtë të tij, disa prej të cilëve edhe të armatosur. Ai ka thënë në një intervistë ekskluzive për Radio B-92 se ai ishte i sigurtë, duke pirë një kafe. "Unë jam duke pirë kafe me miqtë e mi dhe jam shumë mirë, duke e ndjekur gjithë këtë histori si qytetarët e tjerë në Serbi".


Ministria e Brendëshme Serbe ka thënë të Shtunën se prokurorët në Beograd do të akuzojnë Millosheviqin për shumë krime dhe shumë shpejt do të akuzojnë edhe bashkëpunëtorë të afërt të tij, përfshirë ish drejtorin e përgjithshëm të doganave Mihajl Kertes dhe ish shefin e shërbimeve sekrete Radomir Markoviq.


Natasha Kandiq, themeluese dhe drejtoreshë e Qendrës Ligjore Humanitare me qendër në Beograd, ka thënë se këto akuza "nuk do të kënaqin familjet e atyre mijëra njerëzve që kanë vdekur si rezultat i politikave të tij. Është në interes të Serbisë që Millosheviqi të transferohet në Hagë menjëherë".


Kandiq ka thënë se ajo nuk priste që një gjë e tillë të ndodhte tani së shpejti, por se "më në fund ai do të përfundonte atje".


Problemi i arrestimit të Millosheviqit ka shkaktuar një përplasje të ashpër ndërmjet Koshtunicës dhe Gjingjiqit. Presidenti Koshtunica, një nacionalist i fortë, nuk ka pranuar përgjegjësinë e Serbëve për krime lufte, dhe - pavarësisht bekgraundit të tij juridik - ai ka hedhur poshtë juridiksionin dhe legjitimitetin e gjykatës së Hagës. Një takim para disa javësh me krye prokuroren e Hagës Karla Del Ponte ka përfunduar në mënyrë të papritur.


Gjingjiq ka mbajtur një qëndrim më pragmatik, duke insistuar se nuk ia vlen të rrezikohen marrëdhëniet mira me Perëndimin për fatin e ish presidentit. Një pozicion kompromisi, sipas burimeve të afërta me koalicionin qeveritar, mund të jetë gjykimi i Millosheviqit në Serbi me akuza që kanë të bëjnë me Serbinë, përfshirë korrupsion, abuzim fondesh, vrasje politike dhe mashtrim elektoral. Më pas, pasi reputacioni i tij të jetë tronditur dhe të jetë shmangur një reagim i mundëshëm i nacionalistëve, qeveria do të kishte më pak rrezik nëse do të dorëzonte ish presidentin në gjykatën e OKB-së.


Një faktor i rëndësishëm në zhvillimet e fundit duket të ketë qenë afati i vendosur nga Uashingtoni. Kongresi Amerikan, i cili kontrollon shpenzimet e qeverisë, ka kërcënuar se do të ndërpresë një ndihmë të rëndësishme për Jugosllavinë, nëse ajo nuk tregon qartë bashkëpunimin e saj me gjykatën e Hagës deri në fund të muajit Mars. Zyrtarët Amerikanë pritet të vlerësojnë përmbushjen e ultimatumit nga Beogradi ditën e Hënë.


Konfuzioni që ka mbretëruar gjatë fundjavës thekson edhe një herë pasigurinë mbi çështjen nëse Millosheviqi do të dergohet në Hagë për tu gjykuar nga Gjykata për Krimet në ish Jugosllavi.


Dorëzimi kohët e fundit i kriminelëve të tjerë Serbë të luftës dhe arrestimi i Millosheviqit janë pjesë e një përpjekjeje të kohëve të fundit për të treguar, ashtu siç ka thënë së fundi për IWPR-në Ministri i jashtëm Jugosllav Goran Svilanoviq, se autoritetet e Beogradit janë në "rrugën drejt përmbushjes së të gjitha detyrimeve ndërkombëtare".


Ministri i jashtëm ka pyetur se me gjithë këto çështje urgjente që përballet Jugosllavia përse komuniteti ndërkombëtar është kaq i vendosur për atë që e quajti një "çështje të parëndësishme" siç është arrestimi i Millosheviqit. Por ai ka theksuar se Beogradi ka ftuar së fundi Gjykatën e Hagës të hapë një zyrë në Beograd. Qeveria e re po përpunon ligjet e brendëshme, në konsultim me organizmat ndërkombëtare, për sa i përket bashkëpunimit me Hagën. Ai ka krijuar gjithashtu një komision të së vërtetës dhe pajtimit.


Arrestimi i Millosheviqit kënaq edhe më tepër komunitetin ndërkombëtar. Kjo është e rëndësishme kryesisht për të hedhur poshtë dyshimet e ngritura rreth rëndësisë së disa hapave të ndërmarra kohët e fundit. Komisioni i së vërtetësështë kritikuar për mos pasjen e një mandati të qartë dhe përfshirjen e nacionalistëve në rradhët e tij. Meqënëse Gjykata nuk është një shtet por një organizëm i OKB-së, shumë avokatë të huaj thonë se dorëzimi i Millosheviqit në Hagë do të ishte thjesht një "transferim", dhe jo një "ekstradim", dhe për këtë arësye nuk ka nevojë për një legjislacion të ri.


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Karla del Ponte ka thënë për Radion Svicerane gjatë fundjavës: "Unë mendoj se brenda pak muajsh, do të thosha gjatë këtij viti, Millosheviq duhet të transferohet në Hagë".


Problemi i vërtetë mund të jetë koha. Prokurorët e Hagës, të cilët po hetojnë edhe akuzat në lidhje me Bosnjen dhe Kroacinë, nuk kanë kërkuar transferimin e menjëhershëm por një "vendim eksplicit" që Millosheviqi do të përfundojë së shpejti në Hagë.


Ky ndryshim është shumë i rëndësishëm dhe politikisht i nevojshëm për Beogradin (dhe për Hagën), ku ka lindur edhe debati rreth gjyqeve me juridiksione të ndryshme.


"Ne nuk kemi ndonjë problem nëse duhet të presim edhe disa ditë apo pak më shumë për transferimin e Millosheviqit", ka thënë për IWPR-në zëdhënësja e prokurores, Florence Hartman.


"Por gjykata ka të drejtën e para ta gjykojë atë, dhe Beogradi duhet ta kuptojë dhe pranojë këtë gjë," ka thënë ajo. "Ata sapo kanë filluar hetimet e tyre, të cilat mund të zgjasin shumë kohë, dhe ne tani jemi të gatshëm të fillojmë gjykimin".


Deri më tani, asnjë zyrtar i Beogradit nuk ka thënë nëse ka pasur ndonjë ndryshim të qëndrimit zyrtarpër çështjen e transferimit të Millosheviqit për në Gjykatën e Hagës. Por tani duket qartë se Millosheviq shumë shpejt do të dalë para gjyqit në Serbi dhe se tanimë është një hap më pranë Hagës.


Por për momentin, e gjithë kjo zhurmë e ndihmon Beogradin të dërgojë një sinjal komunitetit ndërkombëtar se ai është i vendosur të përmbushë detyrimet e tij. Ky zhvillim dramatik mund të jetë edhe një test për reagimin publik në vend ndaj asaj që dikur konsiderohej e pamundur. Kurdo që Millosheviq të përfundojë Beograd, dhe më pas në Hagë, e Premtja shënon të parën herë që është lëshuar një mandat arresti nga policia Serbe për të. Kjo ka qenë një tabu vetëm një vit më parë, por tani gjërat kanë ndryshuar.


Antoni Borden është drejtor ekzekutiv i IWPR-së. Gordana Igriq, Petar Lukoviq dhe Zheljko Cvijanoviq kanë bashkëpunuar për këtë artikull.


Frontline Updates
Support local journalists