Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

ARRESTIMI I ORGANIZATORËVE TË FESTIVALIT TË ROKUT NUK PRITET MIRË NË VOJVODINË

Ndalimi i organizatorëve të festivalit më të njohur të muzikës rok në Serbi ka zemëruar liberalët dhe reformatorët.
By Aleksandar Reljic

“Cdo gjë është e politizuar në Serbi dhe kësaj nuk mund ti shpëtoj as festivali i muzikës Exit,” ka thënë organizatori i përgjithëshëm, Bojan Boskoviq, duke dalë nga burgu në Novi Sad, ku ai ka kaluar tetë ditë si i dyshuar për përvetësim fondesh.

“Disa njerëz në këtë vend janë të pakënaqur nga vlerat evropiane dhe civilizuese dhe për këtë arësye sulmojnë Exit,” ka shtuar ai. “Ky është një simbol i të rinjve të cilët nuk dëshirojnë të fusin kokën në rërë dhe kjo shqetëson disa ksenofobë”.

Boshkoviq dhe një tjetër organizator i Exit, Dushan Kovaceviq, janë ndaluar më 6 qershor nën dyshime se kanë përvetësuar miliona dinarë nga shitja e biletave të vitit të kaluar.

Prokurori publik në Novi Sad ka thënë se dy të ndaluarit nuk kanë mundur të japin prova për shitjen e biletave me vlerë 12 milion dinarë të shitura në edicionin e vitit 2003, dhe kanë përvetësuar 5.5 milion dinarë nga shitja e këtyre biletave.

Lirimi i tyre i përkohëshëm – dy të ndaluarit mbeten ende nën hetim nga policia – do të thotë që festivali mund të zhvillohet sic ishte planifikuar më 1 korrik.

Por ndërsa akuzat për organizatorët nuk janë rrëzuar, pjesëmarrësit dhe mbështetësit e festivalit po thonë se ndalimi i dy organizatorëve është në kuadër të një fushate politike kundër një festivali muzikor pro perëndimor i cili irriton lobin nacionalist në Serbi.

Festivali ka pasur gjithnjë ngjyrime politike. Festivali i parë është mbajtur në verën e vitit 2000, vitin e fundit të sundimit të Sllobodan Millosheviq dhe është karakterizuar që në fillim nga kundërshtimi ndaj regjimit të tij nacionalist.

Vendimi për organizimin e këtij evenimenti ka qenë një përpjekje e një brezi të lodhur nga muzika nacionaliste popullore e njohur si turbo-folk, për të shprehur revoltën e tyre.

“Për një dekadë me rradhë, Millosheviq na ka detyruar kulturën e ‘turbo-folk’,” ka thënë Boskoviq për IWPR pas lirimit të tij. “Të rinjtë duhet të vinin një zinxhir floriri në qafë dhe të kishin pranë një vajzë bjonde me gji të madh”.

Pas rrëzimit të Millosheviq, qeveria e re demokratike e Zoran Gjingjiq ka treguar aprovimin e saj për Exit duke mbështetur vendimin për organizimin e një festivali të dytë në vitin 2001, ku kanë marrë pjesë rreth 200,000 vetë. Në vitin 2003, ky eveniment është hapur zyrtarisht nga ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Goran Svilanoviq.

Në vitin 2002, biletat e këtij festivali janë shitur edhe në disa prej ish republikave Jugosllave. Rreth 7,000 prej 300,000 pjesëmarrësve të atij viti kanë qenë nga republikat fqinje, dhe rreth 1,000 të tjerë nga vendet e BE.

Jo të gjithë e kanë parë me sy të mirë zhvillimin e festivalit Exit. Nacionalistët, të cilët janë në numër të madh në provincën veriore serbe të Vojvodinës, e kanë parë atë si një kal troje në fushën e kulturës.

Atyre nuk u ka pëlqyer titulli i vitit të kaluar, “Shteti i Exit”, vendimi për tu dhënë vizitorëve “pasaporta” dhe degë ulliri “të lëshuara nga shteti i dashurisë dhe tolerancës” apo edhe karakteri shumë etnik i festivalit.

Një fushatë e ashpër kundër festivalit ka filluar në vitin 2002, pak pasi Partia Demokratike e Serbisë, DSS, është shkëputur nga partnerja e saj në koalicion Lidhja Demokratike e Serbisë dhe nga Partia Demokratike, DS, duke u bashkuar në asamblenë e provincës së Vojvodinës me opozitën. Atë verë, DSS e denoncoi festivalin si “një paradë të trafikantëve dhe të droguarve”.

Kisha Ortodokse Serbe, KOS, një prej përkrahësve më të fuqishme të nacionalizmit serb, e ka vazhduar këtë fushatë.

Kur disa të rinj kanë dëmtuar një varrezë në Novi Sad tetorin e kaluar, Kisha ka fajësuar influencën e Exit për këtë veprim, duke thënë se festivali ishte një “vend ku zhvillohej marrja e drogave dhe shumë vese të tjera” dhe që ka ushqyer një shpërthim të tillë të dhunshëm.

Media ka shfrytëzuar ankesat e Kishës për veset, duke njoftuar për kapjen e drogave të ndryshme dhe për sjelljen e padenjë të disa vizitorëve.

Sllobodan Jovanoviq, në gazetën e përditëshme Dnevnik të Novi Sad, është ankuar për paraqitjen e “vajzave dhe djemve të dehur dhe të droguar” si edhe “të vajzave me të ndenjura të zbuluara dhe organet gjenitale të qethura”.

Armiqësia nacionaliste ndaj Exit shpjegon edhe arësyen se përse arrestimet e Boskoviq dhe Kovaceviq kanë shkaktuar akuzat se pas tyre qëndrojnë motive politike.

Sipas avokatëve të ty të ndaluarve, sistemi i shitjes së biletave me cmime të ndryshme, sipas të cilit ka pasur cmime të ndryshme për biletat një ditore dhe ato katër ditore, është i vetmi shpjegim për akuzat për shkelje financiare.

“Të gjitha fitimet nga shitja e biletave në vitin 2003 është derdhur në llogarinë e Exit dhe asgjë nuk është përvetësuar,” ka thënë avokati Vladimir Beljanski për IWPR, duke shtuar se “nuk kishte asnjë provë” që të provonte se ka ndodhur dicka e paligjëshme.

Përkrahësit e festivalit kanë preferuar të drejtojnë zemërimin e tyre ndaj gjykatëses Zlata Rodiq Knezeviq në Novi Sad, e cila ka urdhëruar që dy të pandehurit të mbaheshin të ndaluar në Gjykatën Rajonale të Novi Sad në mënyrë që të “mos mundin të ndikojnë mbi dëshmitarët”.

Gjykatësja Knezeviq nuk është e pëlqyeshme nga reformistët dhe liberalët në Vojvodinë, të cilët thonë se ajo ka qenë një besnike e Millosheviq.

Ndalimet kanë shkaktuar një reagim të ashpër. Të rinjtë në Novi Sad dhe qytete të tjera kanë mbajtur koncerte proteste “Për Lirinë e Dushan dhe Bojan”, dhe kanë veshur bluza me parrullën “Nuk do ta lë Exit”.

Postera dhe vizatime të ndryshme janë vendosur në mbështetje të festivalit dhe disa mijëra të rinj kanë nënshkruar një peticion për lirimin tyre.

Politikanë liberal kanë shprehur shqetësimin e tyre. Disa kanë dyshuar se arrestimet janë pjesë e një fushate të DSS për të fituar zgjedhjet lokale dhe rajonale të vjeshtës në Vojvodinë.

“Exit ka një rëndësi tepër të madhe kulturore dhe kombëtare dhe unë nuk jam i lumtur – si duken të jenë disa – që organizatorët e festivalit janë arrestuar,” ka thënë Milos Tomiq, drejtues i Industrisë Serbe të Naftës, NIS, dhe një zyrtar i partisë reformatore G17 Plus.

Politikanët nacionalistë i kanë parë arrestimet me një sy tepër të ndryshëm. Dega lokale e DSS ka mirëpritur ndalimet e tyre si fillimi i një lufte ndaj veseve dhe kriminalitetit të vogël. “Më në fund ka nisur një luftë ndaj njerëzve të cilët kanë interesat e tyre personale financiare nën mburojën e Exit,” ka thënë kryetari i degës lokale të DSS, Dejan Mikavica.

Duke e thënë qartë se ai e konsideronte festivalin si një ngjarje të përvitëshme për të siguruar fonde për liberalët dhe të majtët, ai ka shtuar se “Drejtuesit e Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës dhe Partisë Demokratike kanë menduar të shndërrojnë këtë festival në një burim të mirë të ardhurash, për ti shfrytëzuar për interesat e tyre financiare”.

Pas protestave publike, kërkesat për lirimin e organizatorëve të Exit dhe ankesave se arrestimet ishin pjesë e një fushate paraelektorale nacionaliste, kryeministri Vojislav Koshtunica ka vepruar për të distancuar partinë e tij DSS nga akuzat se po ushtron një hakmarrje ndaj festivalit.

Ai ka deklaruar se “nuk ka asgjë kundër Exit”, duke shtuar se ai personalisht i pëlqen Iggy Pop, një prej të ftuarve më të njohur të edicionit të këtij viti.

Ndërsa tani koncerti do të mbahet në fortesën e Petrovaradin në Novi Sad nga 1 deri 4 korrik, mbështetësit e ngjarjes më të madhe të rrokut në Serbi nuk mendojnë se ky është raundi i fundit në luftën e ashpër kulturore në Serbi.

Sipas Boskoviq, “dikush dëshironte të fitonte pikë politike në prag të zgjedhjeve presidenciale, por ka dështuar”.

Ivan Laliq, i Këshillit Anti Korrupsion, ka thënë për IWPR se ai ishte “i habitur” që Kovaceviq dhe Boskoviq janë ndaluar ndërsa “njerëzit e afërt me Millosheviq as nuk janë akuzuar për krime financiare”.

“Kjo më kujton vitin 2000,” ka thënë Branislav “Kebra” Babiq, pjestar i grupit të njohur të muzikës rok, Obojeni Program. “Këto arrestime kanë pasur arësye politike, sepse dikush duhet të ketë dhënë urdhër. Policia nuk ka vepruar për të bërë detyrën e saj por me urdhëra nga politikanët”.

Nga ana tjetër e ndarjes politike, komitetet lokale të DSS dhe disa parti më të vogla nacionaliste ndoshta do të vazhdojnë të kërkojnë që festivali të mos zhvillohet apo të reduktohet në një shfaqje më të vogël.

Në një deklaratë të përbashkët të bërë pas shpërthimit të një zjarri në manastirin e njohur serb të Hilandar në Malin Athos në mars, disa prej këtyre partive i kanë kërkuar qeverisë së Vojvodinës të transferojë fonde nga festivali Exit dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Vojvodinës, e cila gjithashtu shihet si një shtrat i mirë për liberalizmin, në favor të “vendeve të shenjta serbe të shkatërruara dhe në këtë mënyrë të tregojë se ajo mbështet kulturën tonë”.

Aleksandar Reljiq është gazetar i agjensisë së lajmeve BETA në Novi Sad.