Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Arrestimet Përçajnë Partnerët Kroatë

Partnerët në Federatën Boshnjake janë të përçarë rreth arrestimit të kroatëve të dyshuar për krime lufte.
By Jovan Kovac

Tensionet politike në Federatën Boshnjake po rriten pas dorëheqjes së shatë zyrtarëve të lartë kroatë të ministrisë së brendshme për shkak të arrestimit të kroatëve të dyshuar për krime lufte.


Zyrtarët, ndër të cilët edhe zëvendës-ministri i brendshëm Ivan Baçak, thonë se ata nuk kanë qenë të informuar për këto arrestime. Përfaqësuesit e tyre politikë, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, ka paralajmëruar se kroatët nuk do të mund të punojnë më në ministri për aq kohë sa ajo të vendosej mbi baza "ligjore dhe kushtetuese".


Baçak ka thënë se mënyra e arrestimit ka treguar mungesën e besimit ndërmjet myslimanëve dhe kroatëve në federatë.


Kjo përçarje është nxitur dy javë më parë pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte Dominik Ilijaseviq, ose ndryshe Como, në lokalin e tij në qendër të qytetit Kiseljak. Ilijaseviq së bashku me njësinë paraushtarake të drejtuar prej tij "Maturica" thuhet se janë të përfshirë në disa masakra në Bosnjen qendrore, përfshirë edhe vrasjen e 16 myslimanëve në Stupni Do më 23 tetor 1993.


Pas luftës Ilijaseviq, së bashku me anëtarët e tjerë të njësisë së tij paraushtarake, ka vazhduar të terrorizojë myslimanët dhe kroatët vendas duke krijuar edhe një rrjet të vjeljes së gjobave.


Baçak është ankuar se as ai as ndonjë nga zyrtarët e tjerë kroatë në ministri nuk janë informuar për këtë arrestim. OKB-ja më pas ka pranuar se kjo gjë është e vërtetë duke deklaruar se disa persona më parë kishin ndihmuar kriminelë lufte kroatë t'i shpëtonin arrestimit. "Për fat të keq gjatë disa operacioneve ka pasur rrjedhje të informacionit pikërisht nga ministria kur po përgatiteshin operacione të tilla për arrestimin e kriminelëve kroatë të luftës," ka thënë zëdhënësi i policisë së OKB-së, Daglas Kofman.


Këto deklarata kanë shkaktuar edhe dorëheqjen e Baçakut e të kolegëve të tij. Protesta e tyre tregon se ata janë më të shqetësuar për politikën e konsideratat burokratike se sa për nevojën për arrestimin e kriminelëve dhe bosëve të luftës në Bosnje.


OKB-ja, e ngarkuar me mbikqyrjen e forcës policore në Bosnje, ka ngulur këmbë se dorëheqja e këtyrë zyrtarëve nuk do të pengojë punën e ministrisë së brendshme, sepse qindra punonjës të tjerë kroatë vazhdojnë të punojnë atje.


Kofman është shprehur duke i nxitur kroatët të qëndrojnë. "Është e rëndësishme që kroatët të vazhdojnë të punojnë në institucionet e përbashkëta," ka thënë ai. "Pa pjesëmarrjen e tyre, rendi dhe ligji do të vihen në rrezik."


Vetëm pak ditë pas arrestimit të Ilijaseviqit, u arrestua edhe një anëtar tjetër i bandës së tij, Vlatko Buzuk, ndërsa përpiqej të kalonte kufirin për në Kroaci. Një bashkëpunëtor tjetër, Tibor Prajo, u dorëzua më pas vetë në rajonin e policisë në Kiseljak.


Një zëdhënës i Gjykatës së Hagës ka thënë se gjykata kishte dhënë "dritën jeshile" për arrestimin e të dyshuarve, të cilët do të gjykohen në Bosnje.


Pas arrestimit të Ilijaseviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, policia kroate ka arrestuar edhe dy kroatë të tjerë në Bosnje, Tomislav Vlajiq dhe Ante Sliskoviq, në Zadar duke i akuzuar ata për përfshirje në masakrën e Ahmicit më 16 prill 1993, ku janë vrarë mbi 100 myslimanë, përfshirë edhe gra e fëmijë. Dy të dyshuar të tjerë janë ende në kërkim.


Arrestimet pasojnë një bashkëpunim më të madh të Zagrebit me Gjykatën e Hagës. Kryeministri Ivica Raçan ka thënë se arrestimet përforcojnë sundimin e ligjit në Kroaci. "Në këtë vend ata që punojnë do të ndihen të kënaqur, ndërsa ata që janë përgjegjës për [krime ekonomike] dhe krime lufte do të ndjehen më e pakta të trembur."


Zëdhënësi i policisë, Emil Biliq, ka thënë se arrestimi i këtyre personave ka pasuar një hetim të gjatë, i cili është penguar shpesh nga ndërhyrjet e shtetit. "Disa zyrtarë të shtetit kanë qenë në kontakt me të dyshuarit dhe i kanë ndihmuar ata të fshihen e të largohen," ka thënë ai.


Njoftime të mëparshme në median kroate kishin sugjeruar se shërbimet sekrete të vendit kishin ndihmuar katër të dyshuar dhe se presidenti i mëparshëm, Franjo Tugjman, ishte munduar të pengonte hetimet e Gjykatës së Hagës mbi masakrën e Ahmicit.


Pavarësisht nga përpjekjet për të penguar hetimet e tyre, duket se Zagrebi dhe Sarajeva më në fund kanë rënë dakort të bëjnë diçka për kriminelët dhe bosët e luftës në Bosnje, të cilët jo vetëm që janë të shumtë dhe të lirë, por janë edhe shumë të përfshirë në politik e biznes.


Jovan Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.