Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

ARMIQTË E VJETËR I BËJNË SERENATË SERBISË NË STAMBOLL

Në ballkan duket se ka shpërthyer dashuria – nëse do të gjykonim mbështetur në atë që ka ndodhur së fundi në Festivalin Evropian të Këngës.
By Ana Petruseva

Kur një prezantues në Zagreb ka njoftuar me buzëqeshje se Kroacia i kishte dhënë 12 pikë armikut të saj historik Serbisë në Festivalin Evropian të Këngës, shumë njerëz në ballkan kanë mbajtur frymën.


Pas skenës në festivalin e zhvilluar më 15 maj në Stamboll, këngëtari i Serbi dhe Malit të Zi, Zeljko Joksimoviq ka nxituar të falënderojë rivalin e tij kroat, Ivan Mikuljiq, për veprimin e papritur të vendit të tij.


Por kjo nuk ka qenë e vetmja e papritur e mbrëmjes, gjatë së cilës janë rrëzuar shumë tabu për popujt e ish Jugosllavisë si njerëz të obsesionuar nga urrejtja etnike. Gjatë gjithë shfaqjes, juritë që kanë votuar me telefona nga secila ish republikë jugosllave u kanë dhënë pikë të shumta këngëve të vendeve fqinje.


Kroacia dhe Sllovenia i kanë dhënë Serbisë dhe Malit të zi pikët maksimalë, 12, megjithëse këto dy republika kanë luftuar ndaj Beogradit në vitin 1991.


Në një tjetër surprizë, Maqedonia i ka dhënë 12 pikë Shqipërisë fqinje, megjithëse shqiptarët etnik në Maqedoni kanë zhvilluar një kryengritje të armatosur në vitin 2001.


Pavarësisht një lufte të ashpër tre vjecare ndërmjet muslimanëve të Bosnjes dhe kroatëve ndaj serbëve të Bosnjes dhe aleatëve të tyre në Serbi nga viti 1992 deri 1995, Bosnja i ka dhënë pikët më të larta këngëtarit Zeljko nga Serbia.


Arritja e Serbisë ka qenë një sukses i madh po të kihet parasysh se kjo ka qenë hera e parë që Serbia e Mali i Zi kanë marrë pjesë në këtë festival.


Festivali i këngës, i cili në pjesën më të madhe të evropës nuk tërheq shumë vëmendje, përbën një eveniment të rëndësishëm në ballkan, ku shtetet e sapo krijuara e shikojnë atë si një konkurs popullariteti.


Britanikët mund të kenë kaluar me të qeshur dështimin e këngës së tyre vitin e kaluar kur ajo nuk ka siguruar asnjë pikë, por në ballkan një rezultat i tillë do të konsiderohej si një turp kombëtar.


Kaq e rëndësishme ka qenë paraqitja e Maqedonisë në këtë festival, saqë drejtuesi i Kishës Ortodokse ka dhënë bekimin e tij për këngëtarin Tose Proevski përpara se ai të nisej për në Turqi.


Kryeministri shqiptar Fatos Nano i ka telefonuar personalisht vajzës bukuroshe Anjeza Shahini për ti uruar asaj fat në pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë festival. Mijëra dashamirës të saj, përfshirë politikanë, janë mbledhur në Tiranë për të ndjekur festivalin.


Një festim kombëtar tre ditor ka përfunduar më 15 maj kur ministri i kulturës ka organizuar një mbrëmje në Hotel Sheraton në Tiranë.


Megjithëse Zeljko është mundur nga rivalja slave nga Ukraina, shumë njerëz janë mbledhur në aeroportin e Beogradit për ta pritur atë.


Politikanë nga rajone të ndryshme pa humbur kohë janë përpjekur të shfrytëzojnë rezultatet në festival për të provuar një fenomen më të rëndësishëm se sa kënga dhe vallëzimi.


Ministri i jashtëm i Serbisë e Malit të Zi, gjatë një vizite zyrtare në Maqedoni më 20 maj, ka thënë me shaka se drejtuesit politik në rajon duhet të marrin shembull nga uniteti i treguar nga votuesit e ballkanit në Stamboll.


“Kur politikanët nuk arrijnë të jënë në një mendje, ata duhet të kthejnë sytë nga populli. Pak ditë më parë në Festivalin Evropian të Këngës kemi parë që maqedonasit kanë votuar për shqiptarët, kroatët për serbët, dhe serbët për shqiptarët, boshnjakët e kroatët,” ka thënë ai.


Ish ministri i jashtëm i Serbisë, Goran Svilanoviq, ka thënë se votimi mund të ketë edhe pasoja diplomatike. Vendimi i Kroacisë për ti dhënë 12 pikë Serbisë do të “ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve në rajon,” ka thënë ai për televizionin kroat më 16 maj.


Deklarimet entuziaste të politikanëve kanë gjetur jehonë edhe në rradhët e njerëzve të thjeshtë. Një 39 vjecar nga Beogradi ka thënë për IWPR se votimi duket se parashikon një erë të re, paqësore. “Votimi ka treguar se pas gjithë asaj armiqësie dhe luftërave të dhjetëvjecarit të kaluar, tani ka ardhur koha për tolerancë,” ka thënë ai. “Muzika ka fituar”.


“Është një ndjenjë e mirë që njerëzit në ballkan janë treguar të bashkuar pas kaq shumë vjet tensione dhe dhunë,” ka thënë Nena në Shkup. “Ka qenë një mesazh që edhe ballkani më në fund mund të ofrojë dicka të mirë”.


Ndërkohë, këngëtari Zeljko, i ka qëndruar idesë se në ballkan mund të ketë shpërthyer sezoni i dashurisë kur ka deklaruar se 12 pikët e Kroacisë ishin “më të vyerat” për të.


Por jo të gjithë komentatorët kanë komentuar pozitivisht rezultatet e papritura të votimit në festivalin e Stambollit.


Aleksandar Dragas, një kritik i muzikës për të përditëshmen kroate Jutarnji list, ka thënë se kroatët kanë votuar për Serbinë e Malin e Zi për të vetmen arësye që Zeljko ka kënduar mirë.


“Kënga e Zeljko ishte vërtetë një këngë evropiane,” ka shkruajtur ai. “Nuk ishte e keqe, nuk ishte turbo-folk dhe mesa duket ka tërhequr vëmendjen e shikuesve”.


Në Sarajevë, shumë njerëz kanë thënë se Serbia ka marrë 12 pikë nga Bosnja sepse teleshikuesit në entitetin serb të Bosnjes, Republika Srpska, nuk kanë rreshtur së votuari për të me anë të telefonit.


Po ashut, në Maqedoni, shumë njerëz kanë thënë se12 pikët e dhëna Shqipërisë kanë qenë rezultat i votimeve me telefon nga pakica shqiptare në vend.


“Shqiptarët kanë telefonuar shumë, sepse përndryshe Serbia do të kishte marrë pikët e plota,” është ankuar Vlatko, një 28 vjecar nga Shkupi.


Ndërsa tregimi i admirimit nga popujt e ballkanit mund të ketë impresionuar politikanët dhe popujt e rajonit, të huajt nuk kanë kuptuar shumë dhe nuk u ka pëlqyer ajo që e kanë quajtur si votim në bllok.


“Kjo është dicka e gabuar,” ka thënë prezantuesi i vjetër i BBC Terry Ëogan, i njohur për komentet e tij therrëse në edicionet e kaluara të Festivalit Evropian.


“Pata frikë se votimi në bllok i vendeve të ballkanit do të kishte pasoja mbi renditjen përfundimtare – dhe kam frikë se kjo ka ndodhur. Unë nuk arrij ta kuptoj”.


Ana Petruseva është drejtuese e projekti të IWPR në Shkup. Dragana Nikoliq Solomon në Beograd, Drago Hedl në Osijek dhe Nerma Jelaciq në Sarajevë kanë bashkëpunuar në këtë raport.