ANALIZË: PENETRIMI NË RRETHIN E BRENDËSHËM TË MILLOSHEVIQIT

Ish presidenti federal i Jugosllavisë, Zoran Liliq, është detyruar të udhëtojë për në Hagë ndërsa ekipi i prokurorëve intensifikon përpjekjet për të forcuar akuzat ndaj Millosheviqit.

ANALIZË: PENETRIMI NË RRETHIN E BRENDËSHËM TË MILLOSHEVIQIT

Ish presidenti federal i Jugosllavisë, Zoran Liliq, është detyruar të udhëtojë për në Hagë ndërsa ekipi i prokurorëve intensifikon përpjekjet për të forcuar akuzat ndaj Millosheviqit.

Prokurorët në gjyqin e Millosheviqit kanë paraqitur javën e kaluar disa pengesa të rëndësishme të cilat po bllokojnë përpjekjet e tyre për të provuar fajësinë e udhëheqësit Serb.


Geoffrey Nice, drejtuesi i grupit të prokurorëve, ka shpjeguar vështirësitë me të cilat po përballet ekipi i tij gjatë një shkëmbimi opinionesh në gjykatë. "Raste si ky janë të lehta për tu provuar nëse në anëtar i rrethit të brendëshëm të të akuzuarit do të jepte informacione të sakta dhe të plota për ngjarjet që kanë ndodhur. Ndoshta rasti do të zgjidhej vetëm nga dëshmia e një dëshmitari të vetëm," ka thënë ai përpara gjykatësve.


"Për fat të keq, gjërat nuk janë kështu. Për sa i përket dëshmitarëve, sa më të afërt të kenë qenë ata me të pandehurin, aq më vështirë është ti afrohesh atyre dhe ti përdorësh ata".


Problemi nuk qëndron vetëm në faktin se dëshmitarë të tillë nuk pranojnë të vijnë dhe të dëshmojnë në Hagë, por "sistemi kundërshtues" i përdorur. Nice ka shpjeguar se kjo "bazohet në faktin që dëshmitarët duhet të dëgjohen në përgjithësi për të gjitha ato që duan të dëshmojnë dhe nuk mund të thuash 'Në rregull, këtë pjesë e pranojmë, dhe këtë pjesë nuk e pranojmë dhe do të donim të pyesnim përsëri'".


Megjithëse edhe vetë ai vjen nga një sistem ligjor i njëjtë, Nice mendon se disa procedura të tjera ligjore mund të ishin më të përdorëshme në raste të tilla si ky. Ai u ka kërkuar gjykatësve të mendojnë për të përdorur sistemin kur dëshmitarë të afërt me të pandehurin "do të thirreshin para gjykatës me ose pa dëshirën e tyre, dhe do të pyeteshin nga gjykatësit ose nga një avokat, duke pranuar faktet e pranueshme dhe duke i ripyetur ata për ato që nuk konsiderohen të pranueshme".


Këto fjalë kanë marrë një kuptim të mirefilltë javën e kaluar kur është konfirmuar se Zoran Liliq, ish presidenti i Jugosllavisë dhe një njeri padyshim i afërt me të pandehurin, është detyruar të udhëtojë për në Hagë për të dëshmuar para gjykatës.


"Është lëshuar një urdhër për paraqitjen e tij," ka qenë komenti i shkurtër i Florence Hartman, zëdhënësja e prokurorisë.


Liliq ka qenë president federal nga viti 1993 deri në 1997 dhe zëvendës kryeministër federal gjatë dy vjetëve të ardhëshëm. Pavarësisht posteve të larta që ka mbajtur në periudhën e ngjarjeve në Bosnje dhe Kosovë, Liliq nuk është përfshirë si pjesëmarrës në "ndërmarrjen e përbashkët kriminale", apo si një bashkëpunëtor i Millosheviqit, kështu që ai është i sigurtë që nuk mund të akuzohet nga prokurorët në Hagë.


Megjithatë ai nuk është i sigurtë nga i pandehuri. Ata janë larguar politikisht në mesin e vitit 1999 dhe ish drejtuesi Serb mund të përpiqet të hakmerret ndaj tij në seancën e pyetjeve - jo thjesht duke e denigruar atë personalisht dhe politikisht por edhe duke u përpjekur ta paraqesë përfshirjen e Liliq në veprime për të cilat vetë Millosheviq është akuzuar. Për të kundërshtuar thëniet e Nice, Millosheviq mund të përpiqet të hedhë poshtë dëshminë e Liliq si të tërë dhe duke hedhur një hije dyshimi mbi "pjesët e pranueshme" të cilat prokurorët do të donin të përdornin në provimin e akuzës ndaj tij.


Shumë do të varet nga mënyra se si do të veprojë Liliq në gjykatë dhe nga ajo që ai do të thotë. Millosheviq ka treguar javën e kaluar, gjatë pyetjeve ndaj një dëshmitari të mbrojtur me statusin e K-25 - një ish anëtar Serb i njësive speciale të policisë i cili ka marrë pjesë në veprimet në Kosovë disa herë nga vitin 1998 në 1999, se ai mund të trajtojë dëshmitarët e akuzës me respect.


Përvec dy incidenteve që ai ka parë më 25 Mars 1999, cdo gjë tjetër që ka thënë ky dëshmitar dukej si një mbrojtje për të pandehurin dhe jo si prova për të provuar fajësinë e tij - vecanërisht gjatë seancës së pyetjeve të Millosheviqit.


Ditën e parë të sulmeve ajrore të NATO-s, njësia ku bënte pjesë dëshmitari ka qenë e dislokuar ndërmjet fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël për të larguar prej andej forcat e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, dhe për të "evakuar civilët nga zonat e luftimit".


Në një moment ai ka parë disa anëtarë të njësisë së tij të cilët kishin sjellë gjashtë të burgosur, të cilët kishin uniforma dhe shenja të UCK-së, dhe i kanë dorëzuar ata pranë policisë lokale që ndodhej po në atë zonë. Pasi këta policë i kanë cuar të burgosurit në një shtëpi aty pranë, janë dëgjuar krisma armësh, dhe policët janë kthyer më pas pa të burgosurit.


Pas pak kohe, tre të burgosur të tjerë janë sjellë dhe i janë dorëzuar policisë lokale e cila i ka cuar në një shtëpi tjetër. Përsëri, janë dëgjuar krisma armësh dhe oficerët janë kthyer vetëm. Dëshmitari ka menduar se ka pasur dicka "të dyshimtë" në këtë mes, dhe kështu më pas ka shkuar tek shtëpia e parë dhe ka parë trupat e njerezvë të vdekur. Ai nuk ka shkuar në shtëpinë e dytë.


Në seancën e pyetjeve të Millosheviqit, dëshmitari ka thënë se "me sa i kujtohej atij" ai i kishte raportuar këto incidente oficerit të tij epror por për shkak të "ritmit të operacioneve" ai nuk e ka marrë vesh se cfarë ka ndodhur, dhe nëse ndonjë person është ndëshkuar për vrasjen e të burgosurve.


Megjithatë pjesa tjetër e dëshmive të tij ka konfirmuar thëniet e Millosheviqit që "operacionet e spastrimit" në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 1999 kanë pasur si synim vetëm "terroristët e UCK-së" dhe jo civilët, dhe se policia kishte urdhër të mos qëllonte mbi "terroristët" nëse një gjë e tillë përbënte rrezik për civilët. Ai ka thënë gjithashtu se Shqiptarët e Kosovës nuk janë detyruar të largohen nga fshatrat e tyre por vetëm janë "evakuar nga zonat e luftimit" për të mirën e tyre.


Millosheviq e ka trajtuar me shumë respekt dëshmitarin dhe ai është përgjigjur me tone thuajse adhuruese, dhe ka mundësi që e gjtihë kjo të jetë pasojë e një truku që bëri në fillim të seancës ish drejtuesi Serb.


Në një farë mënyre ai arrit të nxjerrë shumë hollësi dhe fakte të rëndësishme rreth dëshmitarit, duke ekspozuar se sat ë pakta janë mundësitë e gjyaktës për të fshehur identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur.


Ai ka thënë se dëshmitari ka qenë një zëvendës shef i policisë në një "qytet të madh" në Serbi, se ai ka marrë një dekoratë sepse ka treguar kurajo gjatë sulmit të NATO-s dhe se ai është ngritur në përgjegjësi dhe në gradë në vitin 1999. Meqënëse pyetjet e mëparëshme nga gjykata kishin rezultuar se dëshmitari ishte nga Vojvodina në Serbinë veriore, informacionet e tjera që ka siguruar Millosheviqi pavareësisht urdhërit të gjykatës për masa mbrojtëse kanë qenë të mjaftueshme për të përcaktuar identitetin e dëshmitarit "të mbrojtur".


Ndërsa avokatët mbrojtës profesionistë do të ishin ndëshkuar dhe ndërprerë nga gjykata për një veprim të tillë, apo edhe do të ishin akuzuar për mospërfilje të gjykatës, gjykatësit nuk e kanë ndaluar Millosheviqin.


Nga fundi i dëshmisë së tij, Gjykatësi O-Gon Kwon i ka bërë dëshmitarit disa pyetje shumë precise rreth të burgosurve të UCK-së të ekzekutuar, dhe se si kishin reaguar dëshmitarët e tjerë dhe eprorët e tyre në atë rast. Dëshmitari është përgjigjur se ata nuk kanë bërë asgjë, sepse ata kishin urdhër ti dorëzonin të burgosurit tek policia lokale.


Gjatë javës së kaluar ka pasur edhe disa zhvillime të tjera të reja për këtë process.


Millosheviq ka pranuar se një ndër krimet e përshkruara në akuzën ndaj tij edhe mund të ketë ndodhur. Pas një sugjerimi të një gjykatësi, ai nuk ka bërë as pyetje për dëshmitaren Shyhrete Berisha, e cila ka humbur burrin, katër fëmijët dhe mbi 40 anëtarë të familjes së saj në një masakër e cila thuhet të ketë ndodhur në një piceri në Suharekë, Kosovë, më 26 Mars 1999.


Tre dëshmitarë nga familja kanë përshkruar këto vrasje deri më tani, por Shyhrete është e mbijetuara e parë e cila ka qenë në vendin e ngjarjes e cila paraqitet para gjykatës.


Ajo ka mbijetuar duke u bërë si e vdekur. Pas masakrës, policia e ka ngarkuar atë në kamion me gjithë trupat e tjerë, prej nga ajo ka kërcyer dhe është larguar megjithëse ka qenë e plagosur rëndë.


Pas leximit të përmbledhjes më shkrim të dëshmisë së saj para gjykatës, Gjykatësi Richard May i ka thënë Millosheviqit që të paktën "një herë" ai mund të rezervohej dhe të "mos bënte pyetje", për shkak të "rrethanave të provës së saj".


Millosheviq ka pranuar këtë sugjerim dhe nuk e ka pyetur dëshmitaren, por ka kërkuar përfshirjen e deklarimit të një Marian Krasniqi në prova pasi e ka gjetur këtë deklarim në materialet e publikuara nga prokuroria.


Ai ka cituar pjesë të atij deklarimi, e cila sipas asaj që ka lexuar i pandehuri, thotë se "banda lokale kriminale, të cilat kishin në rradhët e tyre edhe njerëz me probleme mendore," kanë kryer këtë masakër dhe se motive kryesor për sulmin ndaj kësaj familjeje ka qenë përfitimi financiar.


Meqënëse gjykatësit kanë insistuar që dëshmitari të lejohet ti përgjigjet kësaj, Shyhrete Berisha është lejuar më në fund të flasë para gjykatës. Ajo është përgjigjur se vrasësit kanë qenë policë, dhe jo një bandë, dhe ajo ka përshkruar se si 30 policë të armatosur dhe me uniformë kanë rrethuar shtëpitë e vëllezërve Berisha dhe i kanë vënë zjarrin atyre, duke marrë pjesën e mbetur të familjes - kryesisht gra dhe fëmijë - për ti cuar në restorantin ku edhe janë masakruar.


Gjykatësit i kanë thënë Millosheviqit që ai mund ta thërrasë Krasniqin si dëshmitare të tijën nëse dëshiron.i pandehuri nuk ka thënë nëse do të bënte një gjë të tillë, ndoshta sepse Nice ka lexuar deklaratën e dëshmitarit tjetër dhe ka thënë se ajo "nuk ishte fare në favor të tij, po përkundrazi". Në fakt ai ka thënë se ai mund ta thërrasë Krasniqin si dëshmitar të akuzës.


Një dëshmi tjetër është dëgjuar javën e kaluar, si pjesë e asaj që mund të jetë e rëndësishme për akuzën për ngjarjet në Bosnje dhe Kroaci, sepse ajo ilustron shkallën e influencës së Millosheviqit ndaj Serbëve të Kroacisë dhe qëndrimin e tij ndaj Muslimanëve të Bosnjes.


Në dëshminë e tij, ish ministri i jashtëm i Norvegjisë, Knut Vollebaek, ka përshkruar takimin e tij të parë me Millosheviqin, atëherë president i Serbisë, në vjeshtën e vitit 1993, kur diplomatët Norvegjez po përpiqeshin të organizonin bisedime sekrete ndërmjet Kroacisë dhe Serbëve të shkëputur në Republikën Srpska të Krajinas, RSK.


I bindur se Millosheviq kishte "një influencë të madhe" në kryeqytetin e RS, Knin, Vollebaek ka vizituar Beogradin dhe i ka kërkuar presidentit Serb ndihmën e tij, të cilën ai e ka "dhënë me shumë dëshirë".


Meqënëse Kroacia po bënte luftë në dy fronte - kundër Serbëve në RS dhe kundër Muslimanëve në Bosnje Herzegovinën qendrore - Millosheviq ka premtuar se do ti kërkojë Kninit të merrte pjesë në bisedime dhe të ndërpriste veprimet ndaj Kroacisë, duke i lejuar Kroatëve të përqëndroheshin në luftën ndaj Muslimanëve.


Vollebaek ka thënë se Millosheviq i kishte thënë atij se ky zhvillim "do të ishte i rëndësishëm për të gjithë ne… sepse ne nuk duhet të lejojmë krijimin e një republike Muslimane në Europë". I pandehuri e ka mbajtur premtimin e tij, dhe Serbët e Krajinas kanë marrë pjesë në bisedimet në Norvegji. Ky fakt i ka siguruar Vollebaek "se Millosheviq kishte influencë të madhe ndaj Serbëve në Kroaci".


Në pyetjet e tij, i pandehuri është përpjekur të bindë Vollebaek se ai është përpjekur ta paralajmërojë atë për rrezikun e "fondamentalizmit Islamik" dhe jo për rrezikun e një "republike Muslimane". Megjithatë, dëshmitari i është përmbajtur interpretimit të tij të parë për bisedën e zhvilluar në vitin 1993, duke theksuar se atij i ka ardhur keq që nuk mund të reagonte kundër pikpamjeve të tij që "ishin kundër kuptimit të tij për të drejtat e njeriut në Europë".


Përvec se ka theksuar influencën e Millosheviqit ndaj Serbëve në Kroaci dhe qëndrimin e tij ndaj Muslimanëve të Bosnjes, Vollebaek ka mbështetur dëshmitë e shumë dëshmitarëve të tjerë të cilët kanë folur për pushtetin që gëzonte ish presidenti ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë federale.


Vollebaek ka konfirmuar këtë gjë në takimet e tij me Millosheviqin në vitin 1998 dhe 1999 kur ai ka qenë kryetar i rradhët i Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, nën drejtimin e së cilës është krijuar Misioni i Verifikimit në Kosovë, KVM.


Vollebaek ka thënë se Millosheviq "kishte shumë pushtet në duart e tij" dhe se "drejtonte dhe organizonte gjërat". Ai ka qenë njeriu kryesor "prezenca e të cilit ndjehej shumë dhe i cili fliste dhe nxirrte më tepër konkluzione në takime se cilido tjetër". Arësyeja për një gjë të tillë ka qenë "dëshira për pushtet të madh personal".


Duke shtuar një hollësi tjetër të rëndësishme deklarimeve të disa dëshmitarëve të tjerë të cilët e kanë përshkruar gjendjen mendore të Millosheviqit pak kohë përpara fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s më 24 Mars, 1999, ai ka përshkruar dështimin e përpjekjes së tij të fundit për të ndaluar këto bombardime.


Si kryetar i rradhës i OSBE-së në atë kohë së bashku me sekretarin e përgjithëshëm të NATO-s Havier Solana, disa orë përpara rënies së bombave të para, Vollebaek i ka telefonuar ish presidentit Serb për ti shpjeguar se sa serioze ishte situate. Ministri Norvegjez ka thënë se Millosheviq jo vetëm që nuk tregoi shqetësim dhe nuk e vlerësoi gjendjen realisht por edhe është tallur me të.


Sipas Vollebaek, Millosheviq i ka shpjeguar prezencën e ushtrisë Serbe dhe njësive policore në Kosovë si një mbrojtje për vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ka thënë se vargjet e gjata të Shqiptarëve të Kosovës të cilët largoheshin drejt kufinjve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, me ato pak sende që mund të merrnin me vete mbi traktorë, "po shkonin për piknik".


Ai i ka thënë se tymi që dilte nga fshatrat Shqiptare është vepër e terroristëve të UCK-së të cilët digjnin kashtë për të treguar se p-olicia Serbe po digjte shtëpitë e Shqiptarëve. Kur ministri Norvegjez i është përgjigjur se ai i ka parë të gjitha me sytë e tij ndërsa ka vizituar misionin e OSBE-së në Kosovë, Millosheviq i është përgjigjur se ai ka parë shumë televizor dhe se "CNN e kishte gënjyer edhe atë".


Vollebaek kujton se në atë moment nuk mund të thuhej më asgjë tjetër, përvec se të shprehte keqardhjen që i pandehuri nuk e kishte kuptuar seriozitetin e gjendjes. Ai i ka thënë se mund ti telefononte më vonë nëse ndryshonte mendim.


Millosheviq nuk i ka telefonuar dhe ata të dy nuk janë dëgjuar apo takuar më pas, deri në përballjen e javës së kaluar në sallën e gjyqit.


Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR në gjykatën e krimeve të luftës dhe kryeredaktor i Agjensisë së Lajmeve SENSE.


Frontline Updates
Support local journalists