AKTIVISTË SERB KANË NDIHMUAR NË NXITJEN E PROTESTAVE NË UKRAINË

Aktivistët të cilët kanë ndihmuar në rrëzimin e Millosheviqit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e lëvizjes protestuese në Ukrainë – por tani mund ti shikojnë ngjarjet dhe të presin nga larg.

AKTIVISTË SERB KANË NDIHMUAR NË NXITJEN E PROTESTAVE NË UKRAINË

Aktivistët të cilët kanë ndihmuar në rrëzimin e Millosheviqit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e lëvizjes protestuese në Ukrainë – por tani mund ti shikojnë ngjarjet dhe të presin nga larg.

Monday, 21 February, 2005

Ndërsa qindra e mijëra mbështetës të opozitës marshojnë në rrugët e kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke protestuar kundër asaj që ata i shohin si zgjedhje të fallsifikuara, në katin e gjashtëmbëdhjetë të një pallati në Beograd, Danijela Nenadiq dhe Sinisa Sikman ndjekin me shumë vëmendje gjendjen.


Veteranë të protestave studentore jo të dhunëshme të cilat sollën rrëzimin e Sllobodan Millosheviq në vitin 2000 në Serbi, ata janë personalisht të interesuar për rezultatin e protestave që kanë tronditur tani Kievin.


Grushti i zi i vendosur në flamujt dhe në ballin e njerëzve në Kiev është përdorur fillimisht nga organizata e tyre, Otpor, e cila në serbisht do të thotë “Qëndresë”, për të bashkuar partitë e ndara tëopozitës në Serbi ndaj sundimit autoritar të Millosheviqit.


Por ndërsa Otpor ka luajtur një rol duke ndihmuar grupimet studentore dhe partitë në Ukrainë të përgatiten, Nenadiq dhe Sikman vënë buzën në gaz kur i pyesim mbi disa artikuj në media të cilat thonë se janë ata të cilët praktikisht drejtojnë çdo lëvizje të protestuesve në Kiev.


Otpor, tani një OJQ me emrin Qendra për Qëndresën Paqësore, “nuk merret me eksportimin e revolucioneve,” thotë Nenadiq. “Ne nuk jemi këshilltarë revolucionarë, nuk punojmë në këtë mënyrë”.


“Ajo që bëmë në Serbi është e ditur për të gjithë botën,” shton Nenadiq, me një krenari të fshehur “dhe ajo që po ndodh këto ditë në Kiev është shumë e ngjashme me atë që na ndodhi neve”.


“Por nuk ekziston një koncept universal për të luftuar autoritarizmin. Gjithsecili duhet të ketë një strategji të tijën. Ajo që mund të bëjmë ne është të japim eksperiencat tona”.


Lidhjet direkte të qendrës në Beograd me Ukrainën kanë nisur në mars të vitit 2003. por ngjarja e cila ka vendosur lidhje më të fuqishme ka ndodhur në prill të këtij viti kur 18 aktivistë nga Ukraina kanë marrë pjesë në një seminar katër ditor të Otpor për qëndresën paqësore të organizuar në Novi Sad, në veri të Serbisë.


Organizimi i revolucineve dhe “ndryshimi i rregjimeve” nuk ka qenë pjesë e programit të seminarit. Studentët ukrainas kanë ardhur në Beograd për të përfituar nga eksperienca e Otpor në organizimin e fushatave parazgjedhore dhe mobilizimin e të rinjve për të marrë pjesë në votime.


Ka qenë pikërisht gjatë qëndrimit në Novi Sad që studentët ukrainas e kanë quajtur lëvizjen e tyre “Pora” e cila do të thotë “ka ardhur koha”.


“Ata kishin nevojë për eksperiencën tonë, si në organizatë e ngjashme studentore dhe rinore e cila kryen veprimtari të ngjashme,” thotë Sikman, nga zyra e tij e cila ka pamje mbi parlamentin federal ku u rrëzua më në fund rregjimi serb në tetor 2000, pasi turmat e njerëzve hynë me forcë në ndërtesën e parlamentit.


Sikman thotë se serbët kanë ndihmuar miqtë e tyre ukrainas të organizohen dhe bashkohen përreth një programi dhe parrulle të thjeshtë. “Fillimisht ne duhet ti organizonim dhe të gjenim një emërues të përbashkët për ta – këtë ka bërë më parë edhe Otpor,” thotë ai.


Ai kujton se Otpor, arriti të bashkojë opozitën tepër të përçarë në Serbi rreth një liste të përbashkët kandidatësh në zgjedhje duke krijuar një organizatë ombrellë jo politike. Kjo gjë bëri që drejtuesit e partive të mos shikonin vetëm interesat e partive të tyre, por të bashkoheshin rreth një synimi të përbashkët, atë të rrëzimit të Millosheviq.


“Ne kemi bashkuar vizionet e ndryshme dhe egot e drejtuesve të rreth 19 partive opozitare,” thotë Sikman “të cilat ishin nga e majta tek e djathta e spektrit politik, monarkistë dhe nacionalistë, sepse ne kishim mbështetjen e të gjithëve”.


“Ne kishim pikërisht atë që ju mungonte partive politike, një axhendë jo politike dhe jo një drejtues,” vazhdon ai.


Në seminarin e organizuar në Novi Sad, ata kanë përgatitur një plan strategjik i cili do të ndihmonte drejtimin e Pora hap pas hapi nga muaji mars deri në ditën e zgjedhjeve në nëntor. çdo ditë, nga dita e fundit e qetësisë elektorale e më parë, duhet të planifikohej.


Megjithatë, asnjë prej këtyre planeve nuk përfshin përpjekje për të sulmuar ndërtesat e qeverisë dhe vilat e presidentit – në kundërshtim me disa njoftime të kohëve të fundit në mediat perëndimore të cilat e kanë paraqitur Otpor si një grup revolucionarësh të financuar nga SHBA.


“Ne u kemi mësuar taktikat e mbledhjes së fondeve, si të punojnë në grup, teknikat e bisedimit, marrëdhëniet me median, fushatën derë më derë dhe si të motivojnë studentët,” thotë Sikman.


Ka një ndryshim të vogël ndërmjet Otpor dhe kolegëve të tyre ukrainas, shton Sikman: “I vetmi ndryshim ndërmjet serbëve dhe ukrainasve është se ka qenë më e vështirë të motivosh ukrainasit. Ata kanë pasur më tepër frikë se sa neve”.


Nenadiq thotë se kjo kryesisht për faktin se aktivistët serbë kanë qenë më të përgatitur se sa ata ukrainas, falë pothuajse një decade organizimi protestash kundër rregjimit të dhunshëm, represiv të Millosheviqit.


Gjatë ditëve të fundit, anëtarët e Otpor kanë ndjekur me vëmendje nga distanca atë që po ndodh në Ukrainë. Ata nuk kanë pasur kontakte direkte personale me Kievin qëkur Aleksander Mariq, një tjetër aktivist i qendrës, është dëbuar nga Ukraina dy javë më parë.


Kjo mund të mos ketë qenë diçka e keqe, thotë Sikman, “Kur Mariq është dëbuar nga Ukraina ata [Pora] kanë pasur një motivim më të madh”.


Ndërsa në Ukrainë vazhdojnë protestat, Sikman flet çdo ditë në telefon me pjesëmarrësit në trajnim. “Ata janë shumë të gëzuar tani,” thotë ai me një buzëqeshje, duke parë nga dritarja e zyrës së tij në qendër të Beogradit, tani një qytet shumë më i qetë.


Ai tregon një fotografi të dërguar me email, e cila tregon një turmë njerëzish në Kiev duke mbajtur një parrullë që shkruan “Otpor, sepse unë e dua Ukrainën”. “Kjo është një nga parrulat e vjetra të përdorura nga ne në Serbi, tani vetëm është fshirë fjala Serbi dhe është shkruajtur Ukrainë”.


Por ish aktivistët e Otpor nuk kanë ndonjë këshillë ekzakte për atë që duhet të bëjnë më pas ukrainasit. “Përgjigja jonë e vetme është se një strategji jo e dhunëshme është e aplikueshme në çdo vend,” thotë Sikman. “Por ajo që ka ndodhur në Serbi nuk mund të ndodhë ekzaktësisht në asnjë vend tjetër të botës”.


John Simpson është një bashkëpunëtor i IWPR në Beograd. Marcus Tanner është redaktor i IWPR për Ballkanin.


Frontline Updates
Support local journalists