AKSH NUK ARRIN TË NDEZË PASIONIN E SHQIPTARËVE

Forca ushtarake shqiptare pretendon se është një forcë e madhe në jug të ballkanit - por në të vërtetë gëzon pak mbështetje.

AKSH NUK ARRIN TË NDEZË PASIONIN E SHQIPTARËVE

Forca ushtarake shqiptare pretendon se është një forcë e madhe në jug të ballkanit - por në të vërtetë gëzon pak mbështetje.

Tuesday, 6 September, 2005

Armata Kombëtare Shqiptare, AKSH, është vendosur në qendër të vëmendjes së shtypit dhe mediave elektronike gjatë javëve të fundit ndërsa policia në Maqedoni ka ndërmarrë operacionin më të madh ndaj militantëve të armatosur që prej konfliktit të vitit 2001. Ky grup vepron gjithashtu edhe në Kosovë dhe Serbinë e jugut, por IWPR ka parë se ai gëzon mbështetje të vogël në këto zona, gjë e cila të con në përfundimin se ky grup i armatosur nuk përbën një forcë të fuqishme ushtarake sic thonë ata vetë dhe armiqtë e tyre.


IWPR ka folur me banorë të thjeshtë shqiptarë të zonave ku AKSH pretendon se gëzon mbështetje të gjerë, si edhe me grupime politike të cilat përfaqësojnë banorët e këtyre zonave. Megjithëse disa nga këto parti nacionaliste shqiptare janë pauses të grupeve ushtarake, ata i dënojnë metodat e dhunëshme të AKSH dhe në pjesën më të madhe të rasteve synimet e saj për një Shqipëri të madhe e cila do të përfshinte Kosovën, pjesë të Maqedonisë dhe luginën e Preshevës - bashkitë e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në Serbi.


AKSH është krijuar gjatë konfliktit ndërmjet luftëtarëve shqiptarë dhe forcave të sigurimit në Maqedoni gjatë vitit 2001. Që prej asaj kohe, ajo ka vendosur në lëvizje një makineri të fuqishme për të ngritur vlerat e saj në sytë e popullsisë vendase - nëpërmjet faqeve të internetit me qendër jashtë vendit - dhe pretendon se forcat e saj veprojnë në tre zona - Serbia e jugut, Maqedoni, Kosovë. Këto forca kanë kryer një sërë sulmesh, megjithëse në disa raste AKSH mund të ketë marrë përsipër edhe veprime të cilat nuk i kanë kryer forcat e saj. Prezenca e AKSH është më e dukëshme në territoret ndërmjet Serbisë së jugut dhe Maqedonisë ku forcat e sigurisë kanë më pak kontroll mbi zonën dhe popullsia vendase nuk ka marrëdhënie të mira me forcat e sigurisë.


Grupi ka krijuar një imazh si i vetmi grup luftarak shqiptar i cili ende vepron në Maqedoni, Kosovë dhe Serbinë e jugut. AKSH është pasuesja e tre formacioneve ushtarake të cilat janë shpërbërë në kuadër të proceseve politike në rajon: Ushtria Clirimtare e Kosovës, UCK, Ushtria Clirimtare Kombëtare, UCK, në Maqedoni, dhe Ushtria Clirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në Serbinë e jugut. Ajo e paraqet veten e saj si një forcë e cila lufton për krijimin e Shqipërisë së madhe, një qëllim prej të cilit paraardhëset e saj kanë hequr dorë pasi janë shndërruar në parti politike. Një gjë e tillë natyrisht që përbën një shqetësim për partite legjitime shqiptare. Por nga ana tjetër ndihmon edhe në rritjen e reputacionit të AKSH-së - megjithëse në kuptimin e keq të fjalës - në rradhët e politikanëve nacionalistë serbë dhe maqedonas, të cilët i tremben një rilindjeje të idesë të zgjerimit të kufinjve të Shqipërisë.


Megjithatë, nuk mund të thuhet me siguri që AKSH është vërtetë një forcë e armatosur e organizuar e cila lufton për qëllimin politik përfundimtar të krijimit të Shqipërisë së madhe. Është e vështirë të vlerësohet forca e saj për shkak të natyrës sekrete të organizatës, por ajo duket se është më e fuqishme - apo të paktën më tepër vepruese - në Maqedoninë veri lindore. AKSH ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulme në këtë zonë, si edhe në Preshevë e Kosovë, por asnjë prej këtyre sulmeve nuk ka qenë në shkallë të gjerë dhe nuk duken të jenë pjesë e një fushate të organizuar.


I paqartë është edhe numri i anëtarëve të saj - por mendohet se numri më i përafërt mund të jetë rreth 200. Por më i rëndësishëm është fakti se është e paqartë se sa e përherëshme është kjo forcë. Ka njoftime të shumta sipas të cilave disa anëtarë të AKSH janë të përfshirë në tregti të paligjëshme, dhe këto zëra kanë ushqyer edhe akuza se qëndrimet politike të grupit janë thjesht një mbulesë për aktivitetin e tij kriminal.


AKSH nuk gëzon mbështetje të fuqishme as nga komunitetet shqiptare në zonat e banuara prej tyre. Në intervista me IWPR, drejtues politik, zyrtarë vendas, banorë të thjeshtë dhe ish anëtarë të ish grupeve ushtarake tanimë të shkrira kanë ngritur pikpyetje mbi legjitimitetin e AKSH-së.


"Është shumë e paqartë se kush qëndron pas AKSH, dhe interesat e kujt përfaqëson ajo. Unë dyshoj në qëllimet e tyre," ka thënë një ish luftëtar i UCPMB-së në Serbi - i cili normalisht duhet të tregonte pak më tepër simpati për grupimin e armatosur. "Kush janë këta njerëz të cilët papritur kanë filluar të kërkojnë bashkimin e tokave shqiptare? Ne nuk i njohim ata - dhe ky është një vend i vogël".


Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Michael Steiner e ka quajtur grupin si një organizatë terroriste në muajin prill të këtij viti pasi AKSH kishte marrë përsipër përgjegjësinë për një sulm të dështuar me bombë. Por pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar duket se pranon se AKSH nuk përbën një kërcënim të vërtetë për stabilitetin në rajon, dhe se ajo nuk ka përkrahje të gjerë popullore. Në muajin shtator, zëdhënësi i NATO-s Mark Laity ka thënë për Radio Europa e Lirë se "ata nuk janë një grup i madh, nuk janë të rëndësishëm, nuk kanë mbështetje, dhe natyrisht nuk janë një ushtri".


Në secilin rajon, AKSH ushtron një influencë për shkaqe të ndryshme: në Maqedoni, pakënaqësia me premtimet e pa përmbushura të bëra në marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 e cila i dha fund kryengritjes gjashtë mujore shqiptare, në luginën e Preshevës, shpresat se një zgjidhje përfundimtare për Kosovën mund të sjellë bashkimin e territoreve të Serbisë së jugut në një shtet të pavarur shqiptar. AKSH është më pak tërheqëse për shqiptarët e Kosovës, ku klasa politike është shprehur tërësisht në mbështetje të sovranitetit të Kosovës.


JO E MIRËPRITUR NË MAQEDONI


Tre javë pas tërheqjes së forcave maqedonase të sigurisë nga zonat e banuara nga shqiptarët në veri të kryeqytetit Shkup, fshatarët janë ende dyshues ndaj njerëzve të panjohur. Përreth fshatrave të kësaj zone, Haracinë, Lipkovë, dhe Tanushë, janë ngritur pika kontrolli të policisë, shumë pak njerëz lëvizin nëpër rrugë dhe gjendja është e acaruar.


Kur ekipi i IWPR-së hyri në Lipkovë, disa burra na dolën përpara dhe na pyetën se përse kishim shkuar në fshat. Një prej tyre, Duraku, ngriti sytë nga qielli duke parë një helicopter të forcave të NATO-s i cili fluturonte në një mision të zakonshëm patrullimi. "Ne nuk duam këtu as forcat maqedonase të sigurisë dhe as AKSH," tha ai.


Zaimi, i cili ka luftuar ndaj forcave qeveritare të sigurisë në rradhët e UCK-së deri sa ajo është shpërbërë në fund të vitit 2001, ka thënë për IWPR se AKSH nuk ishte e mirëpritur atje. "Nuk kemi nevojë për AKSH. Nëse dikush ka nevojë për mbrojtje - atëherë ne - ish luftëtarët e UCK-së - do të marrim përsëri armët. Ne nuk kemi nevojë që të tjerët të luftojnë në emër tonë".


Ky mendim është përkrahur edhe nga zyrtarët lokalë shqiptarë. "Popullsia në Lipkovë nuk e mbështet asnjëherë AKSH," ka thënë kryetari i bashkisë Husamedin Halili. "Ajo sjell luftë, dhe pjesa më e madhe e njerëzve janë kundër luftës. Ata e dinë se lufta sjell vetëm dhimbje dhe vuajtje, dhe natyrisht nuk duan të përjetojnë përsëri atë që ka ndodhur në vitin 2001".


Por Halili ka theksuar se ekstremizmi mund të ushqehet nga fakti se ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe maqedonase vazhdon të ekzistojë mosbesim i madh, dhe se komuniteti shqiptar është i pakënaqur me gjendjen e rëndë ekonomike.


"Mungesa e besimit krijon hapësira për organizata si AKSH," ka thënë ai. "Shumë njerëz nuk kanë marrë pjesën e tyre pas konfliktit të vitit 2001. Shumë njerëz janë të papunë, dhe kjo ushqen edhe më tepër pakënaqësinë".


Shumë shqiptarë janë të pakënaqur me marrëveshjen e Ohrit. Ata thonë se ajo nuk ka sjellë përmirësime të ndjeshme në jetën e tyre, vecanërisht kur bëhet fjalë për premtimet për krijimin e vendeve të reja të punës. Një nga figurat kryesore të opozitës, Arben Xhaferi, i cili drejton Partinë Demokratike të Shqiptarëve, ka thënë për gazetarët javën e kaluar se "AKSH është një metaforë e pakënaqësisë së shqiptarëve me arritjet e deritanishme".


Sic ka thënë për IWPR edhe Avdiu, një banor i Haracinës, "AKSH mund të sigurojë mbështetje vetëm nëse nuk zbatohet marrëveshja e Ohrit".


Partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni është Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, e cila është krijuar nga ish anëtarë të UCK-së. BDI është bërë pjestare e koalicionit qeveritar në Maqedoni në shtator të vitit 2002, dhe për këtë arësye është vecanërisht e prekshme nga kritikat që qeveria nuk po mban premtimet e saj.


Duke folur për IWPR, zëdhënësja e BDI, Ermira Mehmeti është përpjekur të kundërshtojë idenë se AKSH mund të ketë shkelur premtimet dhe se po i kthen shpinën zgjedhësve të saj. "Tani është e qartë se AKSH - apo kushdo që qëndron pas saj - nuk gëzon mbështetje politike. Platforma e tyre, përfaqësuesit dhe informacione të tjera që ne kemi rreth tyre janë shumë të dyshimta, dhe nuk tregojnë që AKSH është një organizatë serioze.


"Popullsia në Maqedoni ka treguar se ajo nuk e mbështet këtë lëvizje sepse në zgjedhjet e fundit, shumica ka votuar për BDI dhe marrëveshjen e Ohrit".


SHQIPTARËT NË SERBINË E JUGUT MBËSHTESIN SYNIMIN PËR BASHKIM TË TOKAVE SHQIPTARE


Në anën tjetër të kufirit në Serbinë e jugut, cështja më e rëndësishme politike për shqiptarët është se si të përfshijnë rajonin e tyre në një Kosovë të zgjeruar, të pavarur kur të diskutohet zgjidhja përfundimtare e statusit të saj. Shumë nga 70,000 shqiptarët etnik të cilët përbëjnë shumicën në Preshevë, Medvegje dhe Bujanovc i konsiderojnë këto tre bashki të Serbisë si "Kosova lindore".


Politikanët shqiptarë me të cilët IWPR ka kontaktuar kanë dënuar mënyrat e dhunëshme të AKSH - por jo synimin e saj për bashkimin e terrritoreve. Ragmi Mustafa, drejtues i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, do të dëshironte të shihte krijimin e një atdheu të shqiptarëve etnik: "E kaluara na tregon se luftërat e përgjakëshme në ballkan kanë qenë pasojë e shoqërive të tij shumë etnike, dhe ky është momenti i fundit në histori për të gjetur një zgjidhje paqësore për krijimin e një Shqipërie etnike".


Disa banorë vendas kanë shprehur të njëjtin mendim, megjithëse të gjithë ata të cilët kanë folur me IWPR kanë shprehur frikë për rifillimin e përplasjeve të cilat shpërthyen ndërmjet UCPMB-së dhe forcave Serbe e atyre të NATO-s në vitin 2000. "Mendoj se është e drejtë që AKSH të quhet një organizatë terroriste," thotë Hysen Iljazi një shitës në Preshevë. "Por kjo nuk do të thotë se jam i kënaqur me mënyrën e trajtimit të shqiptarëve në Serbi. Ne praktikisht trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë".


"Më pëlqen ideja e bashkimit të territoreve shqiptare - por jo nëse një gjë e tillë duhet arritur nëpërmjet luftërave dhe dhunës. Në këtë shekull që jetojmë lufta nuk mund të jetë një mënyrë zgjidhjeje e problemeve".


SHQIPTARËT E KOSOVËS, TË VETËM DREJT PAVARËSISË


Në Kosovë, mbështetja publike për AKSH në rradhët e shqiptarëve është e pakët për shkak se ekziston një mbështetje e gjerë për partitë politike, dhe për synimin i cili mund të jetë më i kufizuar, por edhe më i mundshëm për tu arritur, ai i pavarësisë për protektoratin.


"Unë nuk e mbështes AKSH sepse ajo nuk ka të bëjë me pavarësinë e Kosovës," thotë Ismet Gashi, mësues në një shkollë fillore. "AKSH ka një tjetër synim dhe platformë, ndërsa ne shqiptarët e Kosovës kërkojmë vetëm pavarësinë dhe jo bashkimin me Shqipërinë apo territoret e tjera të banuara nga shqiptarët.


Studentja e drejtësisë Qëndresa Salihu shprehet se "AKSH nuk mund të bëjë asgjë të mirë për Kosovën - veprimet e tyre vetëm mund të dëmtojnë reputacionin e institucioneve si Trupat Mbrojtëse të Kosovës, TMK, dhe ti japin Serbisë mundësi ti thotë botës "E shihni, a nuk ju kishim thënë që të gjithë shqiptarët janë terroristë?"


Partitë shqiptare të kosovës janë distancuar publikisht nga AKSH. Hashim Thaci, ish drejtues i UCK dhe tani kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mendon se "AKSH nuk është e nevojëshme. Ka ikur koha për luftë, tani është momenti të arrijmë progres demokratik në rajon". Edhe Lëvizja Popullore nacionaliste e Kosovës nuk flet më për bashkimin e të gjitha territoreve të banuara nga shqiptarët, dhe tani mbështet një federatë më të lirshme ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës së pavarur.


AKUZAT PËR LIDHJE KRIMINALE


Një arësye e mundëshme përse AKSH gëzon pak mbështetje në bazë janë zërat për lidhje të saj me krimin e organizuar. Përplasja me policinë maqedonase në shtator është shkaktuar nga rrëmbimi prej Avdil Jakupit, i mbiquajtur komandant Cakalla, i cili e ka përshkruar veten si anëtar i AKSH megjithëse ky grupim e ka quajtur atë një kriminel ordiner. Ky incident ka treguar qartë edhe mungesën e informacionit dhe konfuzionin që rrethon AKSH dhe qëllimet e saj të vërteta.


"Pothuajse askush nuk i beson kauzës politike të AKSH-së për shkak të lidhjeve të grupit me krimin. Në fakt, disa nga anëtarët e tij janë hajdutë ordiner," ka thënë për IWPR, Adem Demaci, ish zëdhënës i UCK-së.


Nuk është hera e parë që një grupim ushtarak shqiptar dyshohet për përfshirje në kriminalitet. Një raport i vitit 2001 i botuar nga Qendra për Studime Gjeopolitike dhe Drogës në Francë, akuzonte Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, UCK në Maqedoni dhe UCPMB se duke shfrytëzuar gjendjen e konfliktit, kanë trafikuar cigare, drogë dhe mallra të tjera kontrabandë. Në raport gjithashtu thuhej se disa sulme në Maqedoni dhe Serbinë jugore janë kryer për të marrë nën kontroll disa rrugë të rëndësishme të trafikut.


Fakti që pak është shkruar apo thënë në lidhje me këtë temë tregon se në disa raste anëtarësia në këtë grupim është dicka e papërcaktuar mirë, dhe anëtarët e këtij grupi mund tu jenë shmangur në një farë mënyre aktiviteteve "zyrtare" ushtarakepër të fituar para nëpërmjet kontrabandës. Në rastin e AKSH, akuzat janë edhe më serioze - kritikët thonë se ata janë kryesisht kriminelë, aktivitetet e bizneseve të të cilëve janë më të rëndësishme se sa motivet politike.


Një zyrtar në administratën e UNMIK-ut në Kosovë ka thënë për IWPR se sulmet e AKSH në zonat kufitare nuk duhet të habisin, meqënëse kriminelët kërkojnë të mbrojnë interesat e tyre në kontrabandën e drogës, cigareve dhe armëve. "Nëse bën pjesë në këtë veprimtari kriminale natyrisht që nuk të intereson stabiliteti," ka thënë ai.


Megjithatë, të paktën një zë në terren ka shprehur shqetësim mbi mënyrën e vlerësimit të AKSH, sipas të cilës ajo është thjesht një grupim mafioz. "Unë nuk e di se kush janë ata, dhe as sesa të vendosur janë në qëllimet e tyre," ka thënë për IWPR kryetari i komunës së Lipkovës, Halili. "Por unë di të them se ngjarjet më të fundit në Maqedoni [ndjekja ndaj Avdi Jakupit] nuk kanë pasur të bëjnë fare me AKSH…. Është shumë e thjeshtë të thuash që ata janë vetëm kriminelë. Unë nuk kam parë ndonjë provë që ata janë kriminelë.


AKSH - E PAFUQISHME PËR TË VENDOSUR NJË AXHENDË TË SAJ


Në bisedat që IWPR ka pasur me komunitetet shqiptare në Maqedoni, Serbi dhe Kosovë ka dalë se AKSH nuk konsiderohet si një forcë e besueshme e fuqishme. Por megjithëse ajo nuk mund të vendosë një axhendë të saj duke u përfshirë në sulme relativisht të vogla, ajo mund të përpiqet të përfitojë nga pakënaqësia që ekziston në rradhët e popullsisë civile në lidhje me mosveprimet e autoriteteve lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.


Sic thotë edhe Ahmet Mustafa, një shqiptar nga Serbia e jugut, për IWPR "Unë u detyrova të largohem nga shtëpia ime në vitin 2001 për shkak të luftës dhe nuk dëshiroj të përsëritet përsëri kjo gjë. Megjithatë, janë qeveritë serbe dhe maqedonase të cilat krijojnë terrenin për daljen në skenë të organizatave të tilla ushtarake si AKSH, sepse ato nuk zbatojnë marrëveshjet dhe premtimet që kanë bërë në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në këto rajone".


Në një artikull në gazetën e përditëshme të Tiranës, Koha Jonë, më 11 shtator, komentatori Skënder Drini ka thënë se AKSH vepron në bazë të një pesimizmi që ekziston në rajonin e ballkanit për shkak të asaj që njerëzit e konsiderojnë si ngadalësi në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, arritjen e një zgjidhjeje për shqiptarët në Serbinë e jugut, dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni.


"Këtu nevojitet një diplomaci active nga komuniteti ndërkombëtar për të ndikuar në këto procese, me qëllim që tu mbyllet goja atyre që thonë se 'kështu ka qenë gjendja edhe përpara luftës në Kosovë dhe Maqedoni; duhet t'u frymë erërave të luftës për të tërhequr vëmendjen e botës perëndimore," ka thënë Drini.


Belgzim Kamberi është një bashkëpunëtor i IWPR në Preshevë dhe Jeta Xharra është Drejtuese e Projektit të IWPR në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists