Afrohet Lufta në Mal të Zi

Në Mal të Zi po shtohet frika se presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq mund të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj republikës, partneres së vogël në federatën jugosllave, ndoshta gjatë kësaj vjeshte.

Afrohet Lufta në Mal të Zi

Në Mal të Zi po shtohet frika se presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq mund të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj republikës, partneres së vogël në federatën jugosllave, ndoshta gjatë kësaj vjeshte.

Ndërsa ka mbetur vetëm pak më shumë se një muaj deri në zgjedhjet federale, fushata e medias së regjimit të Beogradit kundër presidentit malazez Milo Gjukanoviq dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë po bëhet gjithnjë e më ashpër. Në median pro-Millosheviq botohen rregullisht akuza për tradhëti dhe bashkëpunim me fuqitë e huaja për të dëmtuar sovranitetin e federatës jugosllave.


Si për t'i shtuar besueshmërinë këtyre akuzave, tetë shtetas të huaj janë arrestuar së fundi nga Ushtria Jugosllave, UJ, në Malin e Zi dhe janë akuzuar për spiunazh. Ndërkohë konfrontimet në mes UJ-së dhe policisë malazeze janë bërë tashmë pothuajse një gjë e përditëshme.


Më 31 korrik janë arrestuar katër shtetas holandezë në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Ministri jugosllav federal i informacionit Goran Matiq ka njoftuar për këto arrestime një ditë më pas gjatë një konference për shtyp në Beograd. Matiq tha se katër personat do të akuzoheshin për spiunazh e terrorizëm dhe se aktivitetet e tyre ishin të lidhura me autoritetet malazeze.


Më 3 gusht shërbimi i informacionit të Armatës së Dytë të UJ-së konfirmoi se katër "spiunë dhe terroristë" - dy britanikë dhe dy kanadezë - ishin arrestuar më 31 korrik në Cakor pranë kufirit të Malit të Zi me Kosovën.


"Ka të dhëna se ata janë instruktorë të ministrisë së brendëshme (MUP) të Malit të Zi," ka deklaruar shërbimi i informacionit.


Një zyrtar i lartë i policisë malazeze ka thënë për IWPR-në se ai është i bindur se njerëzit e tij nuk kishin asnjë lidhje me "këta amatorë dhe aventurierë".


Qeveritë britanike dhe kanadeze kanë hedhur poshtë këto akuza duke theksuar se qytetarët e tyre ishin për të kaluar fundjavën në Mal të Zi.


Ndërkohë ushtria jugosllave e ka cilësuar policinë e ministrisë së brendëshme të Malit të Zi si një organizatë kriminale të lidhur me mafian italiane, grupe të ndryshme terroriste dhe shërbimet e huaja sekrete. Ministri i brendëshëm i Malit të Zi Vukasin Marash u është përgjegjur akuzave duke thënë se UJ ka "gabime serioze profesionale dhe politike."


Britanikët dhe kanadezët e arrestuar, punonjës të OSBE-së dhe organizatave humanitare që punojnë në Kosovë, u transferuan në Podgoricë më 7 gusht për të dalë para një gjyqi ushtarak. Më pas ata u akuzuan zyrtarisht dhe janë dërguar në Beograd.


Mendohet se transferimi i tyre në Beograd është bërë kryesisht për arësye sigurie. Në Mal të Zi nuk ka një burg ushtarak dhe vitin e kaluar gazetari kroat Antun Masle, edhe ai i arrestuar nga UJ dhe i akuzuar për spiunazh, u arratis nga burgu civil në Spuz, pak kilometra larg Podgoricës.


Zyra e OSBE-së në Prishtinë tani ka ndaluar të gjithë punonjësit e saj të shkojnë me pushime në Mal të Zi. Lubljana gjithashtu ka paralajmëruar sllovenët të cilët janë me pushime në Mal të Zi të shmangin afrimin në zonat kufitare dhe ato ushtarake.


Regjimi i Millosheviqit shpesh ka akuzuar qeverinë malazeze se ka punësuar instruktorë të huaj për të stërvitur njësitë speciale besnike të Gjukanoviqit. Deri më tani nuk është bërë asnjë përgënjeshtrim kategorik nga autoritetet malazeze.


Sipas njoftimeve në gazetën britanike Sunday Times dhe disa revistave, anëtarë të Shërbimit Britanik Special Ajror, SAS, veprojnë në republikë që prej rreth gjashtë muajsh për të "mbrojtur dhe evakuar qytetarët britanikë në rast shpërthimi të ndonjë trazire".


Megjithatë një zyrtar i shërbimeve të sigurimit malazez ka thënë se asnjë anëtar i SAS nuk është në republikë për momentin. Por ai nuk përjashtoi mundësinë që njerëz të tillë të kenë vepruar në vend në të kaluarën dhe që mund të vijnë prapë.


"Njësitë speciale të policisë malazeze përfshijnë edhe formacione të stërvitura në detyra anti-terrorizmi dhe anti-sabotazhi. UJ-ja nuk ka pranuar të bashkëpunojë me ne prej vitesh në stërvitjen e këtyre njerëzve," ka thënë burimi. "Unë nuk përjashtoj mundësinë që instrukorë të huaj të aftë për të kryer këto stërvitje të jenë punësuar për këtë detyrë."


Në fund të muajit korrik e përditëshmja pro-Millosheviqit në Beograd, Politika, ka thënë se në Mal të Zi po punonin instruktorë kroatë. Njoftimi thoshte gjithashtu se këta njerëz ishin anëtarë të MUP të Kroacisë dhe veteranë të luftërave në Kroaci dhe Bosnje. Sipas Politika, instruktorët kanë mbërritur në mes të muajit korrik "për të kryer një stërvitje intensive të policisë gjithnjë në rritje të Malit të Zi, shumë prej të cilëve kanë dosje kriminale."


Titujt e gazetave në Beograd e kanë drejtuar gishtin edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por asnjë provë nuk ëshë dhënë për të mbështetur këto akuza.


Në këtë klimë të tensionuar janë përshkallëzuar gjatë javëve të fundit edhe konfrontimet ndërmjet UJ-së dhe MUP të Malit të Zi.


Më 5 gusht flota jugosllave ka kontrolluar dhe është përpjekur të bllokojë një anije transporti kroate, Dea. Anija ka qenë bosh dhe ishte drejtuar në kantierin e Bijela për t'u riparuar. Anëtarë të MUP malazez nuk lejuan bllokimin e anijes duke hypur në të. Oficerët e MUP qëndruan në anije derisa UJ-ja më së fundi pranoi të lejonte anijen të vazhdonte udhëtimin e saj për në Bijela.


Që prej më shumë se një muaji trupat e UJ-së kanë bllokuar pikat e kalimit kufitar ndërmjet Malit të Zi dhe Bosnje Herzegovinës në Nikshiq dhe Trebinje. Edhe gjatë periudhës së luftimeve më të ashpra në Bosnje, këto pika kufitare kanë qëndruar të hapura. Gjendja është e ngjashme edhe përgjatë kufirit me Shqipërinë.


Ndërkohë më 8 gusht policia ushtarake jugosllave në portin e Tivarit ka hapur zjarr ndaj një kamioni në pronësi të një firme lokale transporti në një postobllok pranë qytetit. Dy plumba kanë qëlluar kabinën e shoferit, por ai ka mundur të shpëtojë i padëmtuar dhe të udhëtojë me makinën e tij, me goma të çara, deri tek një rajon policie pesë kilometra më larg.


Në fillim të qershorit policia ushtarake jugosllave ka arrestuar një oficer të UJ-së me akuzën se spiunonte për autoritetet malazeze dhe median lokale. Oficeri me kombësi myslimane tani është në Beograd ku pret gjykimin.


Në të njëjtën kohë në veri të Malit të Zi trupa të batalionit të 7 të policisë ushtarake kanë nxjerrë një tank në Bijelo Polje për të "kontrolluar" kafenetë dhe restorantet në qendër të qytetit. Ndërkohë kolegët e tyre në Berane, të veshur me uniforma luftimi, kanë rrethuar rajonin e policisë lokale duke kërkuar lirimin e një anëtari të njësisë së tyre të arrestuar në gjendje të dehur pas një zënke një natë më parë.


Rreth 15,000 trupa nga Armata e 2-të Jugosllave dhe batalioni i 7 janë vendosur në Mal të Zi. Ata përballen me një numër pothuajse të njëjtë të policisë malazeze besnike ndaj Gjukanoviqit. Frika e konfliktit është përshkallëzuar pasi Millosheviqi ndryshoi kushtetutën e federatës për të përmirësuar shanset e tij për ffitore në zgjedhjet presidenciale dhe federale, që janë planifikuar të mbahen në 24 shtator.


Pozicioni i Malit të Zi në federatë është margjinalizuar nga ndryshimet kushtetuese duke bërë që udhëheqësit malazez të bojkotojnë zgjedhjet pavarësisht presionit në rritje nga komuniteti ndërkombëtar dhe opozita serbe për të marrë pjesë. Duket se rruga drejt shkëputjes dhe konfliktit është në të njëjtin drejtim.


Anëtarët e NATO-s kanë diskutuar mundësinë e një konflikti në një takim të tyre javën e kaluar. Por Aleanca akoma nuk ka një plan të qartë veprimi nëse shpërthejnë luftimet këtë vjeshtë.


Zoran Raduloviq është gazetar i së përjavëshmes së pavarur Monitor në Podgoricë.


Frontline Updates
Support local journalists