“KUFIRI I JASHTËM” I EVROPËS – I PAKONTROLLUAR

Institucionet evropiane do të fillojnë të shpenzojnë shuma të mëdha për të mbrojtur kufinjtë e Serbisë, të cilët shihen si një rrugë kalimi për emigrantët e paligjshëm.

“KUFIRI I JASHTËM” I EVROPËS – I PAKONTROLLUAR

Institucionet evropiane do të fillojnë të shpenzojnë shuma të mëdha për të mbrojtur kufinjtë e Serbisë, të cilët shihen si një rrugë kalimi për emigrantët e paligjshëm.

Monday, 21 February, 2005

Në buzë të mbrëmjes pranë qytetit të Zajecar, në kufirin e Serbisë me Bullgarinë, makina të shumta presin në rradhë që policia kufitare të kontrollojë dokumentat e tyre ndërsa përgatiten për të kaluar kufirin.


Pjesa më e madhe e serbëve të cilët drejtohen për në lindje shkojnë për të blerë mallra të ndryshme apo me pushime në brigjet e Detit të Zi. Për shumë nga bullgarët, Serbia është vetëm një vend tranzit në rrugën e tyre drejt perëndimit.


Këta udhëtarë duken tepër të qetë dhe të pafajshëm, dhe në fakt ashtu janë, sepse megjithëse ky kalim kufitar konsiderohet si një problem i madh sigurie nga Bashkimi Evropian, BE, problemet nuk ndodhin këtu, por në kodrat e pyllëzuara përreth Zajecarit.


çdo natë, trafikantë njerëzish dhe ata të cilët përpiqen të kalojnë ilegalisht kufirin drejtohen për në perëndim nën mbulesën e natës, duke përdorur kufirin e pakontrolluar si një rrugë kalimi nga Iraku, Afganistani, Turqia dhe vende të tjera në drejtim të tokës së premtuar në perëndim.


Ata zgjedhin këtë vend sepse ndryshe nga pjesa më e madhe e kufirit të Serbisë me Rumaninë më në veri, nuk ka lum që të ndajë dy shtetet, vetëm kodra të mbuluara nga pyje të dendur me shtigje të shumta të fshehta.


Për vite me rradhë, trafiku i fshehtë është shtuar jashtë çdo kontrolli. Por duket se tani gjërat po ndryshojnë. Me pranimin e Hungarisë në BE, Serbia është bërë, sipas një eksperti ndërkombëtar i cili punon në Serbi, “kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian”. Ndryshimet duket se do të jenë të shpejta.


NDALIMI I TRAFIKUT NJERËZOR


Në shtator, ministria e brendëshme e Serbisë dhe Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, pritet të nënshkruajnë një marrëveshje të rëndësishme me synim kryesisht bllokimin e trafikantëve të njerëzve. Një “memorandum mirëkuptimi” i cili do të mbulojë reformën e forcës policore të Serbisë dhe afrimin e saj më pranë standardeve evropiane, përmban edhe një pjesë të rëndësishme në lidhje me forcimin e kontrollit kufitar për parandalimin e trafikut të paligjsëm të mallrave dhe njerëzve.


OSBE do të ofrojë një paketë të njohur si Menaxhimi i Integruar i Sistemit të Policisë Kufitare për të ndihmuar Serbinë të përmirësojë kontrollin e kufinjve të saj, të demilitarizojë kufirin i cili ende ruhet nga ushtria, dhe të modernizojë pikat e kalimit kufitar.


Nënshkrimi i këtij dokumenti është vetëm një ndër hapat e shumtë që BE dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar po ndërmarrin për të shtuar kapacitetin e policisë dhe agjensive të tjera të kontrollit të kufirit për të patrulluar këtë zonë kufitare të rëndësishme në mënyrë më efektive.


Interesi në rritje për kufinjtë e Serbisë është pjesë e një konteksti më të gjerë, kur krizat e viteve të fundit në Irak dhe Afganistan kanë shtuar ndjeshëm valën e emigrantëve të paligjshëm drejt BE.


Emigrantët dhe trafikantët e kanë shndërruar gadishullin e Ballkanit, përfshirë Serbinë, në një rrugë kryesore tranziti tani që ajo shtrihet direkt në kufi me BE.


SA I MADH ËSHTË KY PROBLEM


Zonat më kritike të Serbisë për sa i përket trafikimit të emigrantëve dhe azil kërkuesve janë në jug, drejtim i cili është edhe pika e hyrjes për njerëzit të cilët vijnë nga Lindja e Mesme dhe Azia lindore: kufiri jug lindor me Bullgarinë dhe kufiri administrative me Kosovën.


Një rrugë tjetër për vajzat e trafikuara, kryesisht nga Moldavia dhe pjesë të tjera të ish Bashkimit Sovjetik, kalon nëpër Rumani dhe prek një pjesë tjetër të kufirit të Serbisë, në Vojvodinën veri lindore.


Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, policia serbe ka ndaluar 409 persona të cilët kishin hyrë ilegalisht në Serbi. Nëntëdhjetë kanë qenë qytetarë turk, shumica e të cilëve kurdë; 70 afganë, 51 moldavë dhe 32 kinez. Të tjerët nga vende të ndryshme.


Por kjo është vetëm maja e ajzbergut. Policia pranon se ajo arrin të bllokojë vetëm një pjesë të vogël të atyre të cilët kalojnë nëpër rrugët e fshehta. Numri i vërtetë i atyre të cilët kalojnë kufirin mund të jetë disa mijëra.


Gjendja është e ndryshme me ata të cilët ndihmojnë kalimin illegal të kufirit dhe trafikantët e qenieve njerëzore. Të parët marrin para nga klientët për ti ndihmuar të hyjnë ilegalisht në vend, ndërsa trafikimi përmban edhe mashtrim apo detyrim me forcë dhe shpesh detyrimin për të punuar apo për të prostituar.


Zëvendës kolonel Predrag Zlatiq, shef i sektorit të të huajve në Departamentin e Policisë Kufitare në ministrinë e brendëshme të Serbisë, thotë për IWPR se Serbia ka qenë një rrugë e rëndësishme për kontrabandistët për shkak të vendndodhjes gjeografike ndërmjet Afrikës dhe Azisë dhe vendeve të Evropës perëndimore të cilat janë destinacioni përfundimtar i emigrantëve.


Zlatiq ka shtuar se në vitin 2003, pjesa më e madhe e hyrjeve të paligjëshme në Serbi kanë ndodhur në apo pranë kufirin me Bullgarinë, pjesa më e madhe e tyre nga vendet e Azisë.


“Nëse mbyllet një rrugë, hapet një tjetër,” thotë Zlatiq. “Nëse mbyllim një rrugë kalimi nga Bullgaria, hapet një tjetër në Rumani, dhe anasjelltas. Këtë vit kemi ndërprerë shumë rrugë të trafikut, jo vetëm në rajonet pranë kufirit si Zajecar, por edhe në brendësi të territorit të Serbisë, si përreth Beogradit”.


Kufiri prej 2,155 kilometra i Serbisë ruhet nga Ushtria e Serbisë dhe Malit të Zi dhe policia serbe, përveç pjesës prej 264 kilometra e cila ndan Kosovën – ende teknikisht pjesë e Serbisë por nën kontrollin e administratës së Kombeve të Bashkuara UNMIK – nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ushtria ruan vijën kufitare ndërsa policia patrullon brezin kufitar më të gjerë.


Ekspertët përmendin shumë probleme me të cilat përballet Serbia në kontrollin e kufinjve të saj, përfshirë teknologjinë e vjetër dhe nivelin e ulët të stafit.


Në rradhë të parë, ideja që kufiri të ruhet nga ushtria shihet si diçka e vjetër tani në evropë dhe e papranueshme me standarded moderne evropiane. Kjo është pjesë e trashëgimisë nga regjimet e kaluara të cilat i shihnin vendet fqinje si kërcënime të mundëshme.


“Ushtria nuk ka efikasitetin dhe levizshmërinë e duhur për të kontrolluar kufinjtë e vendit. Ajo nuk është e aftë t’u përgjigjet sfidave që Serbia dhe Evropa në përgjithësi po përballojnë,” thotë për IWPR, një ekspert ndërkombëtar për çështjet e sigurisë së kufirit. “Kjo është arësyeja që ushtria duhet të zëvendësohet nga forca profesioniste të policisë kufitare”.


Ky ekspert – i cili ka kërkuar të mos përmendet me emër – ka paralajmëruar se krijimi i një force të tillë do të jetë i vështirë dhe do të kushtojë shumë, dhe do të kërkonte riorganizim, trajnim, pajisje të reja, dhe një punë më të mirë zbuluese për të monitoruar trafikun.


Pjesa më e madhe e detyrës për të siguruar kufirin, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndalimin e emigrantëve illegal, kryhet nga Departamenti i Policisë Kufitare në ministrinë e brendëshme.


Por gjatë një vizite në Zajecar, IWPR ka pasur mundësi të shohë se sa shumë mungesa në personel dhe pajisje ka kjo njësi dhe sa vështirësi ka për të kryer detyrën.


Vetëm pak metra larg nga turma e madhe e njerëzve dhe makinave në pikën kufitare Vrska Cuka, fusha e gjelbëruar ngrihet në formën e kodrave të pyllëzuara – të pakontrolloueshme nga syri i policisë në të dyja anët e kufirit.


“Kjo zonë kufitare ka një terren shumë të vështirë, por grupet kriminale të cilat organizojnë trafikun e njerëzve kanë drejtues të cilët e njohin shumë mirë rajonin,” thotë për IWPR, Boris Vojvodiq, kryeinspektor i policisë kufitare në Zajecar.


Vojvodiq ka theksuar se shumë nga emigrantët illegal nga Iraku, irani dhe Afganistani të cilët kapen nga policia kanë përfituar më parë statusin e refugjatit në Bullgari, i cili u lejon atyre të lëvizin lirisht dhe ta përdorin këtë vend si bazë prej nga të drejtohen për në vendet e BE.


Pjesa më e madhe e tyre hyjnë në Serbi nëpërmjet një zone 109 kilometra të gjatë të kontrolluar nga policia e Zajecar dhe ushtria e Serbisë dhe Malit të Zi.


Zeljko Pogarciq, drejtues i departamentit të policisë kufitare në Zajecar, përshkruan të gjitha fazat e kalimit të kufirit: “Grupet e emigrantëve illegal transportohen me mikrobusë deri në një pikë pranë kufirit bullgaro-serb. Atje, kriminelët bullgarë i dorëzojnë këta njerëz tek bashkëpunëtorët e tyre serbë”.


Pogarciq bën me dorë nga një rrugë e cila shkon paralel me autostradën kryesore pranë Zajecar. Kjo rrugë është pothuajse e mbuluar nga pemë të larta dhe është tepër e vështirë të shquhet, dhe shërben si një vend ideal për kriminelët të cilët presin ngarkesat me emigrantë të paligjshëm. Pasi kalojnë kufirin me ndihmën e drejtuesve të cilët e njohin mirë zonën, kriminelët nga ana serbe i transportojnë përsëri me mikrobusë apo me kamionë për në thellësi të vendit.


Oficerët e policisë së Zajecar kanë thënë për IWPR se trafikantët përpiqen gjithashtu ti kalojnë klientët e tyre nëpërmjet pikave kufitare duke i fshehur ata në konteinerët e kamionëve me funde të dyfishta apo nën mbulesat e mushamasë së kamionëve, në pjesën e sipërme të autobusëve me dy kate, e kështu me rradhë.


Megjithatë, shpesh, këta emigrantë bllokohen pa arritur në destinacionin e tyre. Ndonjëherë trafikantët i lënë ata pranë hyrjeve të autostradës E75 në Serbi, duke u thënë atyre se kanë arritur në Hungari.


Drejtues të policisë thonë se shoferët e kamionëve dhe autobusëve duke dashur të fitojnë diçka më tepër, dhe fshatarët të cilët e njohin mirë terrenin dhe mund të shërbejnë si drejtues, janë të gjithë të përfshirë në këtë tregti fitimprurëse.


Shumat e mëdha të cilat fitohen bëjnë që grupet kriminale të mund të sigurojnë mjete moderne komunikimi dhe makina të mira. Pogarciq pranon se ka edhe raste kur ushtarë dhe policë të korruptuar paguhen për të mbyllur një sy.


Sipas tij, ndjekja e emigrantëve dhe kriminelëve të cilët i trafikojnë ata është një lojë e pafund si ajo e maces dhe miut. Policia ngre prita në vende të ndryshme, ndryshon rrugët e patrullimit të kufirit dhe ngre pika kontrolli në thellësi të territorit të Serbisë, por trafikantët janë shpesh një hap para tyre.


Mungesa e pajisjeve moderne të monitorimit dhe e stafit bën që njësitë e kontrollit të kufirit në Serbi të mos kenë mundësi të mbledhin informacione rreth aktivitetit dhe planeve të rrjeteve kriminale.


KINEZËT SYNOJNË KUFINJTË E SERBISË


Policia serbe dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë thënë për IWPR se kufiri jugor i vendit po bëhet me shpejtësi një pikë gjithnjë e më e rëndësishme tranziti për nënshtetasit kinez të cilët përpiqen të mbërrijnë në BE.


“Kinezët po rikthehen përsëri. Ata janë të organizuar në këtë fushë dhe emigrantët kinez mbështeten tek bashkëkombësit e tyre,” ka thënë për IWPR një burim ndërkombëtar. “Po të shikosh hartën do të vësh re se kinezët në Serbi janë përqëndruar në qytetet përgjatë rrugëve të trafikut, e cila kalon përmes Prishtinës në Novi Pazar, Beograd dhe Sarajevë”.


Predrag Zlatiq i ministrisë së brendëshme të Serbisë e pranon këtë, duke thënë se administrata ndërkombëtare në Kosovë e ka keqësuar edhe më tepër problemin duke hequr kërkesën për viza për nënshtetasit e huaj të cilët hyjnë në territorin e administruar nga UNMIK. Kjo, ka thënë ai, ka inkurajuar kinezët, kurdët dhe të tjerë të përdorin Kosovën si pikë e parë në rrugën drejt Serbisë dhe pastaj për në Evropën perëndimore.


Fluksi i qytetarëve kinez të cilët hyjnë në BE nëpërmjet Serbisë ka shkaktuar shqetësim në Bruksel në vitet kur Sllobodan Millosheviq ka qenë në pushtet. Falë marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Beogradit dhe Pekinit, nënshtetasit kinez lejoheshin të hynin në Serbi lirisht dhe të merrnin leje qëndrimi, dhe shumë prej tyre kanë kaluar në vendet e BE.


Në atë kohë, në mesin dhe fundin e viteve nëntëdhjetë, disa media te huaj dhe lokale kane njoftuar se rreth 60,000 kinezë kane perfitur leje qëndrimi në Serbi. Kjo shifër është e fryrë dhe tani shumë ekspertë thonë se vetëm rreth 10,000 kinezë kanë marrë leje qëndrimi.


Për të ndaluar këtë valë, qeveria e re pas rrëzimit të Millosheviqit në vitin 2000 ka vendosur një rregjim të rreptë vizash i cili ka ndikuar në uljen e numrit të kinezëve që vijnë në Serbi.


Por policia thotë se gjatë dy vjetëve të fundit ka pasur një fluks të ri, dhe kinezët tani ndihmohen nga bashkëkombësit e tyre të cilët janë vendosur në vend.


BRUKSELI PARAQET PLANET


Ndihma evropiane do të drejtohet nga reformimi dhe modernizimi i policisë kufitare serbe, duke e përgatitur atë të bëhet e aftë për të marrë përsipër detyrën e cila deri më tani kryhet nga ushtria, dhe modernizimi i pikave kufitare.


Disa institucione si OSBE, Agjensia Evropiane për Rindërtim, AER, agjensia për ndihmën ndërkombëtare e qeverisë britanike, DFID dhe organizma të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare janë të përfshira. Ndihma për Serbinë po jepet edhe nga programi i BE-së për vendet e ballkanit perëndimor, i quajtur CARDS – Ndihma komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim – në dy fusha të rëndësishme të bashkëpunimit, dhe pikërisht në drejtësi dhe ndërtimin e kapaciteteve administrative.


Një rol veçanërisht të rëndësishëm në reformimin dhe modernizimin e policisë kufitare po luan edhe OSBE, Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, sepse ky organizëm është i ngarkuar me koordinimin e të gjitha aktiviteteve të organizatave ndërkombëtare të përfshira në këtë proces.


Alessandra Manuguerra, drejtuese e Programit të Policisë Kufitare në zyrën e OSBE në Serbi e Malin e Zi, ka thënë për IWPR se detyra kryesore është të ndihmojnë policinë të marrë përsipër ruajtjen e kufirit nga ushtria, si edhe të ndihmojë në fusha të tjera si trajnimi dhe përmirësimi i teknologjisë.


Fondet për këtë qëllim nuk janë të vogla – dhe kjo është një masë e cila tregon shqetësimin e evropës. Në vitin 2003, EAR ka përcaktuar 12 milion euro në mbështetje të agjensive të ruajtjes së rendit në Serbi. Pjesa më e madhe e këtij fondi, rreth shtatë milion euro është përcaktuar për policinë kufitare.


Ndihma përfshin blerjen e mjeteve të transportit, dhe sisteme të vëzhgimit të lëvizjeve në lumenj dhe liqene, duke pakësuar kështu nevojën për patrullimin e lumenjeve me mjete lundruese. Shumë i rëndësishëm është instalimi i kamerave të cilat lejojnë policinë të zbulojë njerëzit e fshehur brenda kamionëve të transportit, veçanërisht atyre me targa TIR. Sistemi TIR lejon shoferët e kamionëve të mbyllur me vula të kalojnë pa humbur kohë nëpër vendet e tranzitit, duke shmangur kështu kontrollin doganor nga ana e autoriteteve për të bërë kontrollin fizik.


Përveç modernizimit të policisë, BE po investon edhe në Programin e Integruar të Menaxhimit të Kufirit, i cili do të bëjë kalimin e njerëzve dhe mallrave nëpërmjet Serbisë më efikas dhe në të njëjtën kohë më të kontrolluar. Në vitin 2004, AER ka përcaktuar gjashtë milion euro për këtë program në Serbi.


Përgjatë arterjes më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar në Serbi, të njohur ndryshi si Korridori 10, i cili nis nga Hungaria në drejtim të Maqedonisë, fondet e dhëna nga Komisioni Evropian janë përdorur për të rinovuar dhe përmirësuar zyrat në Horgos – një pikë e rëndësishme e kalimit kufitar me anëtarin më të ri të BE-së, Hungarinë. Pika e kalimit kufitar në Batroviq me Kroacinë është përmirësuar gjithashtu.


AER po planifikon tani të modernizojë pikën e kalimit kufitar të Preshevës në Serbinë e jugut, e cila të çon në Maqedoni dhe pastaj në Greqi. Kjo pikë kufitare tani është një pengesë për trafikun ndërkombëtar që kaolin përmes Korridorit 10. Pika e kalimit kufitar në Preshevë do të ketë një kapacitet më të madh dhe mjete më të mira për policinë dhe kontrollet doganore.


Përveç ndihmës ndërkombëtare, Beogradi ka ndërmarrë hapat e tij për arritjen e standardeve evropiane.


Për të goditur trafikun e qenieve njerëzore, Serbia ka vendosur një bashkëpunim më të ngushtë me rrjetin ndërkombëtar të policisë, Interpol. Serbia ka marrë gjithashtu pjesë në veprimtari të përbashkëta policore rajonale ndaj trafikimit. Një prej tyre – Operacioni Mirazh 2003 – ka bashkuar policinë e Serbisë dhe Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje Herzegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Greqisë, Hungarisë, Moldavisë, Rumanisë dhe Sllovenisë, të cilat kanë kryer disa mijëra kontrolle në të gjithë rajonin, duke bllokuar disa qindra trafikantë.


Përveç se ka intensifikuar përpjekjet në këtë fushë, Serbia ka vendosur edhe shërbimin e vizave për shtetasit nga vende të identifikuara si burim i emigrantëve të paligjshëm, si Moldavia.


Ndërkohë, trafiku vazhdon si zakonisht.


Predrag Zlatiq i policisë serbe thotë se për shkak të krizës së vazhdueshme ekonomike në Serbi, forcat e ruajtjes së kufirit do të duhet të mbështeten edhe për disa kohë në metoda të vjetëra deri sa ndihma evropiane të arrijë deri në vende si Zajecar.


“Ne kemi nevojë për pajisje të reja për pikat e kalimit kufitar dhe profesionistë të mirë të cilët të bëjnë punën,” ka thënë Zlatiq. “Ne kemi nevojë për pajisje kompjuterike dhe pajisje zbulimi të cilat ndjejnë ngrohtësinë e trupave të njerëzve”.


Kostoja e një kamere të tillë, një mjet i domosdoshëm për të zbuluar njerëzit e fshehur në makina dhe diçka standarde në përdorimin e forcave policore në perëndim, mund të kushtojë deri disa dhjetra mijëra dollarë amerikan – shumë e shtrenjtë për buxhetin e policisë serbe.


Analistët e sigurisë pranojnë se asnjë sistem efikas i kontrollit të kufinjve nuk mund të krijohet në Serbi pa një mbështetje të fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Sinjalet që vijnë nga BE dhe komuniteti ndërkombëtar tregojnë se kjo ndihmë tanimë do të jepet shumë shpejt.


Daniel Sunter është një bashkëpunëtor i IWPR në Beograd.


Africa, Middle East
Frontline Updates
Support local journalists