SERBËT E BOSNJES NDËSHKOJNË SDS NË ZGJEDHJE

Votuesit e zhgënjyer nga nacionalistët e linjës së ashpër u kanë dhënë atyre një paralajmërim.

SERBËT E BOSNJES NDËSHKOJNË SDS NË ZGJEDHJE

Votuesit e zhgënjyer nga nacionalistët e linjës së ashpër u kanë dhënë atyre një paralajmërim.

Monday, 21 February, 2005

Rezultatet e dobta ekonomike të Partisë Demokratike Serbe dhe ajo që shihet si paaftësia e saj për të mbrojtur interesat kombëtare, duket se kanë bërë që votuesit të heqin dorë prej saj dhe të votojnë për Aleancën e Pavarur të Social Demokratëve në zgjedhjet e fundit lokale në fillim të këtij muaji.


Në zgjedhjet lokale në Republika Srpska, RS, SDS – forca dominuese politike në RS gjatë 14 vjetëve të fundit – ka humbur në disa qytete të rëndësishme, përfshirë kryeqytetin, Banja Luka, ku SNSD ka fituar garën për kryetarin e bashkisë.


Një surprizë edhe më e madhe ka qenë fitorja e SNSD në Trebinje, e cila shihej si një fortesë e nacionalistëve serbë të linjës së ashpër.


Duke gjykuar nga një anketim i IWPR, votuesit kanë preferuar SNSD sepse ata kanë humbur besimin tek SDS, dhe jo sepse ata mendojnë se opozita do të përmbushë premtimet e saj para zgjedhore.


Srdjan Puhalo, drejtor i agjensisë së anketimeve Partner, e ka përshkruar rezultatin e zgjedhjeve si “një dënim për SDS”.


Rezultatet paraprake në të gjithë RS tregojnë se SNSD ka fituar 118,000 vota, krahasuar me 115,000 vota të SDS.


Një krahasim me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të dy viteve më parë e bën edhe më të dukëshme humbjen e SDS. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara SDS ka humbur 45,000 vota, ndërsa SNSD ka fituar vetëm 7,000 vota më tepër.


“Si parti në pushtet, qytetarët e shohin SDS si përgjegjëse direkte për gjendjen tepër të rëndë ekonomike në Republika Srpska,” ka thënë Puhalo për IWPR.


Velimir Dukiq, një artisan, ka thënë për IWPR se e gjithë familja e tij ka votuar për SNSD e Milorad Dodik. “Jeta është më e mirë në bashkitë ku janë në pushtet social demokratët,” ka thënë ai. “Mund ta shihni se si drejton SDS duke parë cilësinë e jetesës në RS”.


Stojan Mariq, një votues besnik i SNSD, fermer nga Laktasi pranë Banja Lukas, ka thënë se partia, e cila ka drejtuar në qytetin e tij që prej përfundimit të luftës, ka bërë një punë të mirë.


“Kur disa miq nga Bratunac [në lindje të RS] kanë ardhur për të më vizituar në gusht, ata janë habitur se sa mirë jemi ne,” ka thënë Mariq për IWPR.


“Nuk jemi të pasur por edhe autoritetet nuk na vjedhin,” ka shtuar ai. “Ata kujdesen për njerëzit me aq sa kanë mundësi, dhe kjo përbën ndryshimin me SDS”.


Vendimi i SDS për bërë fushatë me retorikën e saj tradicionale nacionaliste, në vend që të jepte zgjidhje të reja për problemet ekonomike, natyrisht që nuk ka bindur shumë votues këtë rradhë.


Në një studim të botuar pak përpara zgjedhjeve, Instituti Ndërkombëtar për Studime në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin, IFIMES, ka parashikuar një humbje të SDS, duke fajësuar dëshirën e tyre të vazhdueshme për të luajtur kartën nacionaliste.


“Ky qëndrim ka qenë karaktereistik për periudhën që prej vitit 1990 dhe e ka çuar Bosnje Herzegovinën në izolim nga vendet fqinje dhe shtetet evropiane,” thuhej në studimin e IFIMES. “Megjithatë, mund të vihet re që qytetarët janë të ngopur tanimë me këtë qëndrim politik”.


Zivana Olujiq, një studente nga Banja Luka e cila ka votuar për herë të parë, ka thënë se të rinjtë si ajo kanë votuar për ndryshim. “Është e rëndësishme të votohet për parti të cilat nuk kanë të bëjnë me luftën dhe kriminelët e luftës,” ka thënë ajo. “Ne të rinjtë jemi të vendosur të hyjmë sa më parë në Evropë dhe ajo mund të arrihet vetëm duke larguar politikanët e vjetër”.


Megjithëse rezultati i SNSD është inkurajues, dhe tregon se skena politike në vend ka filluar të ndryshojë, disa analistë paralajmërojnë se ky rezultat mund të mos jetë një shkëputje e plotë nga nacionalizmi i linjës së ashpër.


“Më në fund stomaku ka fituar mbi zemrën e serbëve,” ka komentuar Puhalo. “Kjo është arësyeja që për herë të parë pas 14 vjetësh edhe votuesit në lindje të vendit të cilët normalisht votojnë për nacionalistët, këtë herë kanë votuar për SNSD”.


Puhalo ka thënë se standarded më të larta të jetesës në qytetet e drejtuara nga SNSD në perëndim kanë qenë “motivimi më i madh për një pjesë të zgjedhësve për ti besuar SNSD, me idenë se kjo parti do t’u sjellë edhe atyre progres ekonomik”.


Puhalo ka thënë se qëndrimet për çështjen “kombëtare” nuk kanë ndryshuar shumë, dhe nuk mund të thuhet se pakësimi i mbështetjes për SDS duhet të shihet si një kthim i njerëzve drejt ideve social demokrate.


Tanja Topiq, një analiste politike me fondacionin Frierdich Ebert, është e të njëjtit mendim. “Qytetarët e RS janë të pakënaqur me gjendjen ekonomike dhe natyrisht që fajësojnë partitë në pushtet, dhe kryesisht SDS,” ka thënë ajo.


Branko Todoroviq, kryetar i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në RS, ka thënë se edhe ai nuk është i bindur që rezultati i zgjedhjeve përbën një hap të rëndësishëm drejt demokratizimit të vërtetë.


“Dodik nuk i ka fituar zgjedhjet duke folur për parimet socialdemokrate,” ka thënë Todoroviq. “Në RS, ku nacionalizmi së bashku me frikën dhe mungesën e tolerancës ndaj të tjerëve janë ndjenjat dominuese, një pjesë e njerëzve thjesht kanë menduar se SDS nuk ishte më e aftë të mbronte interesat kombëtare serbe”.


Todoroviq e ka lidhur humbjen e besimit të njerëzve ndaj SDS me vendimin e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar, Paddy Ashdoën, në muajin qershor, për të përjashtuar nga politika 57 zyrtarë të lartë të SDS, duke përmendur rolin e tyre në bllokimin e bashkëpunimit me gjykatën e Hagës.


Todoroviq ka thënë se shkarkimet u kishin kujtuar shumë qytetarëve se SDS ishte nën presion të vazhdueshëm nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të së kaluarës së saj gjatë luftës.


“Njerëzit kanë menduar se Dodik, i cili ka dalë i papërlyer nga lufta…është më i aftë për të përfaqësuar interesat e tyre kombëtare,” ka përfunduar Todoroviq.


Sipas Puhalo, zgjedhjet nuk shënojnë një ndryshim të plotë të qëndrimeve negative të shumë serbëve të Bosnjes ndaj Bosnje Herzegovinës si një shtet i përbashkët.


“Serbët e kanë dënuar SDS por nuk kanë ndryshuar besimet e tyre kryesore,” ka ngulur këmbë Puhalo. “Ata ende ëndërrojnë se RS do ti bashkohet Serbisë”.


Gordana Katana është një korrespondente e Radios Zëri i Amerikës në Banja Luka.


Frontline Updates
Support local journalists