RAPORT INVESTIGATIV: SERBIA E PERMBYTUR NGA DROGAT PAVARESISHT PERPJEKJEVE TE POLICISE

Kërkesa e madhe si edhe pozicioni gjeografik në qendër të rrugëve të trafikimit sfidojnë përpjekjet e policisë për të luftuar këtë fenomen.

“Mund t’ju gjej heroinë, ekstazi dhe hashash. Hashashin jua sjell për pesë minuta, për të tjerat duhet të prisni pak”.

Bashkëpunëtorët e IWPR janë takuar me Sashën, një shpërndarës droge në Beograd, në një apartament në qendër të qytetit vetëm 20 minuta më parë. Na thanë se ai kishte lidhje të forta në tregun e shpërndarjes së drogave dhe mund të na gjente cfarëdo lloj droge që shitej.

Biseda jonë me të ndërpritej shpesh nga zilet e dy telefonave të tij celularë. “Kam shumë klientë, dhe jam tepër i zënë,” thotë ai duke vënë buzën në gaz.

Sasha është një ndër disa mijëra shpërndarës droge në Serbi të cilët janë arrestuar gjatë fushatës masive të policisë kundër krimit të organizuar gjatë këtij viti. Por veshjet e tij të stilistëve të njohur dhe bizhutëritë na lanë të kuptojmë se tregtia po i ecën mirë.

“Gjërat janë kthyer në normalitet,” thotë ai. “Mund t’ju gjej të gjitha llojet e produkteve me të njëjta cmime”.

Tregu i drogave të paligjëshme në Serbi po lulëzon pavarësisht një numri tepër të madh arrestimesh dhe sasive të mëdha të drogës së kapura gjatë pjesës së parë të vitit, pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq në muajin mars, për të cilën u fajësuan anëtarët e një bande të krimit të organizuar.

Intervistat e IWPR me përdorues, terapistë të rehabilitimit, zyrtarë të forcave të rendit dhe komentatorë ndërkombëtarë tregojnë qartë shkallën e përdorimit të drogave në Serbi, duke theksuar se si problemet sociale kanë shtuar shumë kërkesën ndërsa furnizimi lehtësohet nga kufinjtë e pakontrolluar, sistemi i dobët i kontrollit doganor dhe prodhimi vendas.

KERKESA E LARTE NE NJE SHOQERI NE DEPRESION

Dr Ivana Aleksiq, e cila drejton qendrën më të madhe private të rehabilitimit të të droguarve, mendon se arësyeja kryesore për përdorimin e drogave nga të rinjtë janë mosmarrëveshjet familjare për shkak të problemeve sociale.

“Trashëgimia e viteve të Millosheviq – lufta, sanksionet, shkatërrimi i shtetit të ish Jugosllavisë dhe i shoqërisë në përgjithësi – kanë pasur një efekt tepër të madh mbi familjen,” thotë ajo për IWPR.

“Përdorimi i drogave lidhet me shkatërrimin e familjes. Vështirë të gjesh ndonjë të droguar i cili vjen nga një familje normale. Në shumë raste në familjen e tij do të ketë një të alkolizuar, zakonisht babai. Shpesh prindërit e kanë më të vështirë se sa fëmijët e tyre të pranojnë se kanë një problem. Familjet jo të rregullta crregullojnë edhe jetën në përgjithësi”.

Por jo të gjithë të droguarit vijnë nga familje me probleme – një gazetare nga Beogradi ka thënë për IWPR se ajo njihte shumë përdorues droge nga familje të respektuara.

Dr Spomenka Ciriq, një psikologe e cila punon në spitalin e Beogradit për sëmundjet e varësisë nga barnat dhe drogat dhe që drejton edhe grupin e punës së qeverisë për të rinjtë dhe drogat, mendon se përdorimi i drogave është një gjë e re në Serbi. “Ashtu si në kohën e Millosheviqit, problemet sociale ‘mjekohen’,” thotë ajo. “Gjatë kohës së Millosheviqit, njerëzit me depression të cilët humbisnin punën për shkak të luftës dhe sanksioneve kuroheshin me mjekime si diazepam 9Valium). Tani, të rinjtë vetë kurohen në mënyrë ilegale me ekstazi, e cila është më e lirë se sa udhëtimet apo edhe një e shkuar në kinema”.

Dr Ciriq viziton 1000 pacientë të rinj cdo vit, pjesa më e madhe përdorues heroine. “Pacientët janë gjithnjë e më të rinj në moshë. Skenari i zakonshëm është që ata fillojnë të pinë dhe të përdorin mariuanë ose amfetamina që në moshën 13 vjecare. Më pas i vjen rradha ekstazi ose heroinës. Heroina është e lirë për të rinjtë këtu. Ata e nisin me një qese të vogël të cilin e quajnë “një të pestën” e cila përmban një të pestën e gramit. Kjo kushton shumë pak dhe shumë shpejt bëhet doza e tyre e rregullt e përditëshme…. Përdorimi i drogave është një problem i madh social,” thotë ajo.

Një gazetar nga Beogradi i cili e njeh cështjen e drogës thotë se heroina tani shitet me një cmim rreth 30 euro për gram, ndërsa “një e pesta” kushton 10 euro ose edhe më pak.

IWPR ka folur edhe me disa vëzhgues të tjerë të mirë informuar, thëniet e të cilëve konfirmojnë ato që thotë Dr Ciriq.

“Ekstazi po bëhet më popullore këtu për arësye të ndryshme nga ato në BE,” thotë jë ish përdorues i drogës. “Të rinjtë i marrin pilulat për të hequr mendjen, për të harruar problemet e tanishme dhe mungesën e të ardhmes”.

“Shpesh këtu të rinjtë që shkojnë në klubet e kërcimit janë të ndryshëm nga ata në vendet e BE,” konfirmon një shpërndarës droge i cili ka udhëtuar shumë në europë. “Këtu sheh të rinj që kërcejnë nën efektin e ekstazi, të veshur me rroba të vjetra dhe këpucë të grisura. E vërteta e hidhur është që ata më mirë preferojnë të shpenzojnë paratë që kanë për drogë sesa për të blerë veshje për tu dukur mirë”.

Një përdorues i marjuanës thotë për IWPR se “Njerëzit kërkojnë një rrugë dalje, një gjë që ti qetësojë. Deri në vitin 2002 mund të blije diazepam në cdo farmaci pa recetë. Tani nevojitet një recetë mjekur për të blerë diazepam, kështu që kam filluar me marjuanë, e cila është edhe më e mirë”.

NJE SPASTRIM I SUKSESESHEM APO VETEM PER SHOE

E gjithë kjo mendohej se do të fshihej nga operacioni Spata, fushata masive kundër krimit të organizuar – përfshirë trafikantët e drogës – e cila pasoi vrasjen e Gjingjiq.

Pas vrasjes së kryeministrit, autoritetet fajësuan anëtarët e organizatës më të madhe kriminale, të njohur si banda e Zemunit, duke përmendur kryetarin e saj Dusan “Siptar” Spasojeviq dhe bashkëpunëtorin e tij Milorad “Legija” Lukoviq, ish komandnat i forcës se zgjedhur policore, Njësia e Operacioneve Speciale, të njohur ndryshe si Berretat e Kuqe, se kanë koordinuar skuadrën e cila ka kryer vrasjen.

Spasojeviq është vrarë nga policia më 27 mars, mesa duket pasi ka kundërshtuar arrestimin. Lukoviq është zhdukur ditën e vrasjes së Gjingjiq dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Në kuadër të këtij operacioni të madh gjatë të cilit u arrestuan mijëra vetë, policia ka kryer edhe operacionin më të madh anti drogë në historinë e vendit. Pasoja e menjëherëshme e këtij operacioni ka qenë mungesa e drogave në treg, gjë e cila bëri që shumë të droguar të drejtoheshin tek qendrat e trajtimit apo në farmaci. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2003 janë bllokuar sasi të mëdha droge, dhe vetëm gjatë muajve janar deri qershor është bllokuar më tepër drogë se gjatë shtatë vjetëve të fundit.

BANDA E ZEMUNIT

Operacioni Shpata ka përfunduar me arrestimin e mijëra trafikantëve dhe shpërndarësve të drogës dhe ka dëmtuar rëndë rrjetin e bandës së Zemunit, e cila kontrollonte pjesën më të madhe të trafikut të drogës në Serbi. Prokurori i përgjithëshëm ka thënë se përpara operacionit, të paktën 50 përqind e tregut të heroinës në vend kontrollohej nga klani i Zemunit. Sipas ministrisë së brendëshme, banda kontrollonte rrjetin më të madh dhe më të suksesëshëm të drogës në qytetet e mëdha.

Autoritetet thonë se banda ka siguruar pozitën e saj duke përdorur njerëzit e Berretave të Kuqe për të spastruar rivalët, dhe nëpërmjet aktiviteteve kriminale fitimprurëse si rrëmbimi, vjedhja e makinave dhe trafiku i drogës.

Një shpërndarës i cili e ka njohur mirë veprimtarinë e bandës shpjegon se si ajo ka filluar të trafikojë heroinën: “Në fillim të vitit 1996, Dusan Spasojeviq ka filluar të merret seriozisht me trafikun e heroinës. Ai ka filluar të udhëtojë shpesh në Bullgari, ku blinte drogën me paratë e siguruara nga vjedhja e makinave.

“Fillimisht bëhej fjalë për sasi relativisht të vogla – një deri një kilogram e gjysëm. Por tregu ishte shumë fitimprurës, dhe fitimet ishin më të mëdha se sa nga vjedhja e makinave. Spasojeviq dhe bashkëpunëtorët e tij më pas bënë marrëveshje me shqiptarët në Maqedoni, duke shtuar kështu sasinë e drogës, dhe në këtë moment ata filluan të shtrinin rrjetin e tyre në të gjithë vendin”.

Rrjeti i bandës u zgjerua me shpejtësi në Serbi në fund të viteve 1990.

Zëvendës prokurori publik i Beogradit, Dragoljub Stankoviq, i ngarkuar për të hetuar rrjetin e drogës së bandës së Zemunit, ka thënë për IWPR se banda ka qenë e para që ka krijuar rrjetin shpërndarjes së heroinës në shkallë të gjerë në Serbi.

“Banda e Zemunit ka qenë tepër efikase. Ata kanë punuar me parimin se cdo sasi droge mund të shpërndahej në rrugë shumë shpejt. Shpërndarësve nuk u lejohej të merrnin më tepër drogë se sa mund të shpërndanin. Spasojeviq dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë zbatuar me ashpërsi këtë disiplinë,” ka thënë ai.

Në kohën kur operacioni Shpata i dha fund dominimit të tregut nga kjo bandë, rrjeti i saj i madh i shpërndarjes dhe importimit kishte arritur të ulte cmimin e heroinës në 20 euro për gram, më pak se një e katërta e cmimit tetë vjet më parë.

Shkatërrimi i këtij rrjeti të sofistikuar gjatë operacionit Shpata është përshëndetur nga qeveria si një fitore e madhe në luftën ndaj drogave – një pikpamje kjo e cila mbështetej edhe nga numri i madh i të droguarve të cilët filluan të dyndeshin në klinikat e trajnimit dhe të sulmonin farmacitë për shkak të mungesës së drogave.

Megjithatë, intervistat e kryera nga IWPR me shpërndarës, tregojnë se kjo mungesë në treg ka vazhduar pak kohë, dhe se nuk bëhej fjalë për shkatërrimin e plotë të rrjeteve të trafikimit.

“Rëndësia e bandës së Zemun u fry shumë. Ata kanë pasur kontroll mbi një pjesë të madhe të tregut, por nuk kanë qenë furnizuesit e vetë,” thotë një shpërndarës, i cili ashtu si kolegët e tij në këtë industri preferon të mbetet anonim.

“Problemi i vërtetë gjatë operacionit Shpata ka qenë se policia ndodhej gjithkund dhe ata ndalonin e kontrollonin njerëzit, dhe nuk dihej se ku do të kontrollonin më pas,” ka thënë një tjetër shpërndarës për IWPR. “Kur filloi gjendja e jashtëzakonëshme, ne menduam, e cfarë pastaj, “nuk mund të jetë më keq se lufta dhe sanksionet’ – p[or ishim gabuar. Policia filloi të kontrollonte njerëzit kudo, dhe pa asnjë arësye. Kështu që shpërndarësit u larguan nga rruga, dhe për këtë arësye disa nga të droguarit të cilët nuk kishin lidhje të forta u gjetën shumë keq”.

Sipas Dr Ciriq, numri i përdoruesve të drogës të cilët kërkuan ndihmë tregonte se ndryshimi i tregut ishte një gjë momentale dhe jo një pakësim i përherëshëm i sasisë së drogës në qarkullim.

“Në fund të marsit dhe fillim të prillit, në vumë re një rritje të numrit të njerëzve që vinin në klinikën tonë për trajtim. Megjithatë, nga fundi i muajit prill numri i njerëzve të cilët ishin të vendosur për tu rehabilituar u pakësua në nivelet e mëparëshme. Njerëzit po blinin përsëri drogë me të njëjtat cmime dhe sasi si më parë,” thotë ai.

Ajo cfarë duket të ketë ndodhur ka qenë se shumë shpërndarës të vegjël kanë mbushur boshllëkun e lënë nga shkatërrimi i bandës së Zemunit.

“Kriminelë më të vegjë janë rimarrë pozicionet e tyre në treg dhe kanë filluar të furnizojnë tregun,” ka thënë për IWPR një zyrtar ndërkombëtar i cili ka njohuri të mira për tregun e drogave në Serbi.

Cmimet e shitjes në rrugë të konfrimuara edhe nga IWPR tregojnë se pas një rritje të cmimit të shkaktuar nga mungesa e përkohëshme e drogave në treg, është rritur furnizimi në mënyrë që të plotësohej kërkesa dhe të uleshin cmimet.

Kjo gjë ka vazhduar tendencën disa vjecarë të uljes së madhe të cmimeve të drogave në shitjen me pakicë. Një shpërndarës shpjegon rënien në terma ekonomike: ndërsa marijuana është bërë më popullore, është shtuar sasia e cila futet në treg dhe shtimi i konkurencës ndërmjet numrit gjithnjë e më të madh të shpërndarësve ka sjellë edhe rënien e cmimeve.

“Cmimi i tanishëm i heroinës është si më parë,” thotë Milos Oparnica, drejtor i Interpol në Beograd. “Ndryshimi është se që prej operacionit Shpata janë ndërruar kokat e trafikut”.

Rezultati i kërkimeve të IERP në këtë fushë tregon se problemet të cilat lejojnë rritjen e tregut të drogave në Serbi mbeten të pazgjidhura, dhe se disa faktorë që nxisin këtë treg ende nuk janë zgjidhur ashtu si duhet.

KUFINJTE NUK PERBEJNE PENGESE

Një zyrtar ndërkombëtar ka thënë për IWPR se kufinjtë jo të kontrolluar mirë të Serbisë lehtësojnë importimin e drogave, duke ushqyer kështu tregun e paligjshëm.

Drogat vijnë në vend kryesisht nëpërmjet dy rrugëve. Heroina – pjesa më e madhe e së cilës me origjinë nga Afganistani – vjen nga jugu nëpërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë. Marjuana, e cila prodhohet kryesisht në Shqipëri, vjen në Serbi nga Mali i Zi në perëndim. Një kategori e tretë drogash, ajo e drogave sintetike kimike – si ekstazi dhe të tjera – shpesh prodhohen në Serbi.

Marijuana transportohet nga Shqipëria në Malin e Zi nëpërmjet Liqenit të Shkodrës në kufirin ndërmjet dy vendeve. “Marijuanë me cilësi të mirë vjen nga Shkodra dhe përfundon në tregun serb ose edhe në atë të vendeve të Bashkimit Europian,” thotë Oparnica.

Një shpërndarës marjuanës ka treguar për IWPR se si droga e cila rritet kryesisht në Shqipëri hyn fillimisht në Malin e Zi. “Shqiptarët mund të sjellin 300-400 kilogramë marijuanë me një varkë të vetme në Liqenin e Shkodrës, duke udhëtuar natën,” thotë ai. “Ata përdorin disa trape prej alumini, të cilat mund të futen deri në thellësi në ujëra të cilat janë me shumë bimësi dhe pothuajse kënetë. Me këto mjete ata transportonin më parë edhe dy makina të vjedhura njëkohësisht, dhe më pas cigare, kështu që mund të ngarkosh sasi të mëdha marjuane në një prej tyre”.

Ndërsa furnizimi nga Shqipëria është shtuar, cmimet kanë rënë dhe trafikantët janë përpjekur të transportojnë sasi më të mëdha droge në të njëjtën ngarkesë për të ulur shpenzimet, ose kanë hedhur shikimin nga droga të tjera më fitimprurës.

“Në vitin 1998, ne transportonim marjuanën në gomat rezervë të makinës – 3.5 kilogramë në një Audi, 2.5 në një Volksëagen Golf. Por kjo mënyrë nuk është më fitimprurëse,” thotë shpërndarësi. “Tani për shkak se tregu është i tejmbushur, njerëzit po largohen nga marijuana dhe po shkojnë drejt drogave të tjera si ekstazi dhe heroina, sepse fitimet janë më të mëdha, dhe këto droga janë më të lehta për t’u transportuar dhe për tu fshehur”.

Një zyrtar ndërkombëtar i cili e njeh mirë rajonin shpjegon se përse liqeni është një mënyrë e mirë për të trafikuar mallra të cdo lloji: “Problemi me liqenin e Shkodrës është se ka shumë vende ku mund të ndalojë një varkë, disa prej tyre janë të bëra nga njerëzit dhe disa janë natyrale. Banorët vendas në të dyja anët e kufirit e njohin shumë mirë liqenin, dhe prej vitesh janë mësuar të shkelin sanksionet”.

Mungesa e burimeve financiare për kontrollin policor gjithashtu është një arësye që liqeni është shndërruar në një parajsë për trafikantët. “Varka e patrullës së doganave në Shkodër është prishur, dhe nuk është zëvendësuar,” thotë zyrtari. “Dhe megjithëse është një varkë e policisë e cila patrullon, është shumë e vështirë të kontrollohet një liqen i tërë me vetëm një mjet lundrues”.

Sipas shpërndarësit të intervistuar nga IWPR, kalimi i paligjëshëm i mallrave tani është bërë më i lehtë. “Gjatë periudhës së Millosheviq dhe më pas, kufiri ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi ka qenë më i tensionuar, dhe patrullohej vazhdimisht nga policia dhe doganat e Malit të Zi nga njëra anë dhe nga forcat serbe nga ana tjetër. Rreziku i kontrolleve ishte shumë i madh,” thotë ai. “Tani, për shkak të marrëdhënieve më të mira ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit, nuk ka më probleme në kalimin e kufirit”.

Ai shpjegon se si droga transportohet më pas nga Mali i Zi për në Beograd: “Ne blejmë marjuanë të presuar, e cila është pak më e shtrenjtë sepse është kompakte dhe mund të fshihet më lehtë në hapësira më të vogla. Ne paketojmë 40 kilogramë në gomën rezervë të një kamioni, dhe cojmë dy kamionë deri në rrethinat e Beogradit, ku gomat shkarkohen”.

POLICIA DHE DOGANAT

Aftësia e autoriteteve doganore dhe policore të Serbisë për të ndaluar trafikun e drogave për në vend është rritur kohët e fundit. Por ende ka shumë për të bërë, dhe dështimi i institucioneve ende përbën një prej arësyeve kryesore që qarkullon kaq shumë drogë në treg.

Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare po investojnë shumë tani në sistemin serb të doganave dhe në infrastrukturën e policisë kufitare në përpjekje për të shtuar sasinë e detyrimeve doganore që mblidhen dhe parandalimin e trafiqeve të drogave, armëve të zjarrit, dhe mallrave të tjera – si edhe qenieve njerëzore – të cilat kalojnë nëpërmjet Serbisë për në vendet e BE.

Një ligj i ri do të miratohet nga qeveria serbe, dhe do ti japë përgjegjësinë për kontrollin e pikave të kalimit kufitar zyrtarëve të doganës, dhe jo më policisë. Një njësi e shërbimeve sekrete të doganave do të krijohet së shpejti, dhe do të ketë oficerë rajonalë në të gjithë vendin. Duke përdorur një model të nisur fillimisht në Suedi, shpresohet se do të arrihet të kapen sasi më të mëdha DROGE.

Statistikat e doganave dhe policisë serbe tregojnë një përmirësim të ndjeshëm në konfiskimin gjatë shtatë muajve të parë të vitit. Në gjysmën e parë të vitit 2003, policia ka bllokuar 432 kilogramë droga – më tepër se 40 herë më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në shifrën e vitit 2003, përfshihet edhe 189 kilogramë heroin, shtatë kilogram më tepër se sa sasia e përgjithëshme e kapur në shtatë vjetët e mëparëshme.

Autoritetet e doganave, si edhe policisë, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në bllokimin e këtyre sasive droge. “Policia ka bllokuar shumë sasi të vogla droge gjatë Operacionit Shpata, por shumë sasi të mëdha janë bllokuar falë punës së mirë hetuese të doganave,” ka thënë një zyrtar ndërkombëtar i cili kërkon të mos përmendet me emër.

“Tani ekziston një shkëmbim i mirë informacionesh ndërmjet disa zyrtarëve në doganat serbe dhe kolegëve të tyre në Bullgari, dhe bashkëpunimi po shtohet edhe me Hungarinë,” ka thënë një këshilltar ndërkombëtar, duke theksuar se shumë nga ngarkesat e bllokuara kohët e fundit janë rezultat i bashkëpunimit të përbashkët ndërmjet shërbimeve të ndryshme doganore.

Richard Fiano, drejtor për europën i Administratës Amerikane për Luftën ndaj Drogave, DEA, ka thënë për IWPR se ai është shumë i impresionuar me disa nga zyrtarët e policisë dhe të doganave serbe me të cilët është takuar. “Disa nga oficerët e rinj të policisë dhe doganave kanë mentalitetin e nevojëshëm për të cuar gjërat përpara. Ata janë të vendosur dhe agresivë, dhe po shihen tanimë shenja të një progresi të qartë,” ka thënë ai.

Megjithatë, bllokimi i sasive më të mëdha të drogave në kufi duket se nuk ka pasur një ndikim të madh në tregun vendas. Një zyrtar ndërkombëtar ka thënë për IWPR se cmimi i shitjes me pakicë të heroinës në Serbi mbetet i pandryshuar, pavarësisht bllokimit të sasive të mëdha të drogës përgjatë kufirit, duke sugjeruar në këtë mënyrë se sasia që arrin të hyjë në vend është ende e madhe.

“Problemi i forcave të rendit të Serbisë,” thotë ai, “është se sasitë e mëdha të drogave të bllokuara tregojnë se Serbia është shndërruar përsëri në një rrugë të rëndësishme tranziti. Eshtë përmirësuar aftësia e zbulimit të drogave, por vetëm po ti hedhim një sy pikave kufitare ku bllokohen këto sasi, shihet lehtësisht se pjesa më e madhe e këtyre dërgesave janë të destinuara për në tregun e BE”.

Pjesa më e madhe e drogës është bllokuar në pikat e hyrjes nga Bullgaria dhe Maqedonia, si Gradina dhe Presheva, apo në pikat e daljes tranzit për në BE si Horgos në kufirin me Hungarinë.

Shefi i departamentit të policisë kriminale Mile Novakoviq ka konfirmuar në një konferencë për shtyp se shtimi i sasisë së drogës së bllokuar është kryesisht për shkak se rruga e mëparëshme e trafikimit të heroinës nga Afganistani për në tregjet perëndimore nëpërmjet ballkanit ka filluar të përdoret përsëri. Kjo rrugë – e cila kalon nëpërmjet Iranit, Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë – për disa kohë nuk ishte përdorur për shkak të luftërave që pasuan shpërbërjen e ish Jugosllavisë, sanksioneve, kontrolleve më të forta kufitare dhe mungesës së trafikut tregtar, pengesa të cilat e kanë bërë trafikimin e drogës më të vështirë.

Richard Fiano mbështet thëniet e Novakoviq, duke thënë se DEA ka vërejtur një rritje të sasive të heroinës nga Azia jug-perëndimore që kalon nëpërmjet Serbisë në rrugën e ballkanit të veriut.

“Që prej 11 shtatorit ka pasur një rritje të prodhimit të heroinës që vjen nga Afganistani,” ka thënë ai. “Heroina është bërë më e lirë dhe më e lehtë për tu transportuar, dhe për këtë arësye është logjike të mendohet se sasi më të mëdha do të tranzitojnë nëpërmjet Serbisë për në tregjet e europës perëndimore”.

Në kufirin perëndimor, përmirësimi në praktikat doganore të Serbisë është dëmtuar sipas disave nga dështimi i institucioneve në Malin e Zi dhe mungesa e bashkëpunimit me autoritetet e atjeshme. “Ndërsa shërbimi doganor në Serbi po përmirësohet në shumë drejtime, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Malin e Zi,” ka thënë një zyrtar ndërkombëtar për IWPR, duke folur në kushte anonimiteti.

Një tjetër zyrtar ka thënë se “shërbimet doganore të Serbisë dhe Malit të Zi nuk janë të unifikuara dhe në faza të ndryshme zhvillimi, dhe bashkëpunimi i policive nuk është në nivelin e kërkuar. Zyrtarë të Beogradit dhe Podgoricës duhet të komunikojnë më tepër nëse dëshirojnë të kufizojnë importimin e drogave”.

Një këshilltar tjetër ndërkombëtar flet më haptazi: “doganat e Serbisë po përmirësohen ndërsa ato të Malit të Zi jo”.

Suzana Sukoviq, zëvendës drejtore e shërbimit doganor të Malit të Zi, i kundërshton kritika të tilla, “Nuk është e vërtetë që doganat serbe janë më të zhvilluara se të Malit të Zi”. Por ajo pranon se mungesa e teknologjisë e bën të vështirë luftën ndaj trafiqeve.

Policia në Malin e Zi thotë se vendi mbetet rrugë kalim kryesor i drogës që vjen nga Shqipëria për në Serbi ose në vendet perëndimore. Policia thotë se ka pasur disa suksese në luftën ndaj trafiqeve, duke bllokuar mbi 500 kilogramë drogë në gjysmën e vitit 2003, sipas një raporti të botuar në gazetën Danas të Beogradit në muajin dhjetor. Por ata konfirmojnë se shkatërrimi i bandës së Zemunit nuk ka pasur ndonjë efekt në furnizimin me drogë apo cmimin e saj.

Përvec aftësive të kufizuara të agjensive të zbatimit të ligjit për të ndaluar furnizimin me drogë në pikat e hyrjes, ka edhe shqetësime në lidhje me disa metoda të përdorura nga policia serbe në luftën ndaj drogës.

“Qëndrimi i policisë ndaj përdoruesve të drogës nuk është i mirë,” thotë Dejan Anastasijeviq, një analist i kriminalitetit me të përjavëshmen e respektuar të Beogradit Vreme. “Ekziston një tendencë për të siguruar informacione nga shpërndarësit e vegjël të drogës me metoda jo në përputhje me një polici demokratike”.

Një zyrtar ndërkombëtar ka thënë për IWPR se ai ka dëgjuar këto ankesa edhe më parë, duke mbështetur kështu akuzat e dëgjuara në intervista me mediat nga përdorues të drogës të cilët ankohen se policia ka përdorur metoda tepër të ashpra për të siguruar informacione prej tyre.

Rade Todoroviq, zëvendës shef i departamentit të drogës në policinë serbe i kundërshton akuzat për abuzim me të drejtat e njeriut duke thënë se “Nuk janë të vërteta. Vetë fakti që ne i arrestojmë ata dhe u gjejmë drogë do të thotë që mund të ngremë akuza kriminale ndaj tyre dhe mund ti cojmë në gjyq”. Ai shton se sipas ligjit të ri të ndaluarit gjithnjë kanë të drejtë të kenë avokatin të pranishëm gjatë marrjes në pyetje.

PRODHIMI NE VEND

Nëse drogat natyrale si heroina dhe marijuana trafikohen në vend, prodhuesit vendas duket se luajnë një rol në prodhimin e drogave me bazë kimike si ekstazi.

Në shkurt 2003, shefi i policisë së Beogradit Milan Obradoviq njoftoi se forcat e tij kishin marrë pjesë në një sulm ndaj një fabrike të drogës sintetike në rajonin e Vojvodinës në veri të Serbisë. Ky ka qenë laboratori më i madh për prodhimin e drogave i zbuluar në europë. Por operacioni duket se nuk ka bërë shumë për të ulur prodhimin e drogave në Serbi.

Tridhjetë vetë janë arrestuar gjatë sulmit të policisë në Vojvodinë, përfshirë edhe drejtuesin e këtij grupi kriminal, Milan Zarubica, i cili gjendet tani në burg. Policia ka thënë në atë kohë se kishte bllokuar dy milion pilula ekstazi dhe ka llogaritur se për kohën që laboratori ka punuar, ai ka prodhuar drogë me vlerën prej rreth 50 milion euro.

Ky ka qenë operacioni më i madh me pjesëmarrjen e disa agjensive. “DEA amerikane ka marrë pjesë, së bashku me bordin tonë të kontrollit të prodhimeve farmaceutike,” ka thënë Oparnica. “Përvec Interpol dhe policisë serbe, edhe Shërbimi i Sigurimit dhe Zbulimit të Serbisë, BIA, ka dhënë ndihmesë me aparaturat e përgjimit për këtë operacion”.

Pavarësisht mbylljes së kësaj linje kaq të madhe prodhimi, cmimi i drogave në rrugët e Serbisë vazhdon të mbetet ndër më të ultit në europë. IWPR ka pasur mundësi të sigurojë pilula në klube të ndryshme në Beograd për katër deri pesë euro. Nëse dëshiron të blesh me shumicë mbi 100 pilula, atëherë cmimi shkon në vetëm një euro.

“Ndërsa operacioni Zarubica ka qenë një sukses, ai nuk e ka ndërprerë prodhimin e vendit, sepse Zarubica prodhonte për tregjet e huaja,” ka thënë një zyrtar ndërkombëtar i zbatimit të ligjit.

“Zarubica prodhonte për eksport dhe tregu i tij kryesor ishte Lindja e Mesme,” ka konfirmuar Oparica nga zyra e Interpol. “Atje, ekstazi shitet si një ilac që shton dëshirën seksuale, dhe jo një drogë për të kërcyer”.

Shifrat tepër të ulta të bllokimit të sasive të ekstazi në kufinjtë e Serbisë tregojnë se kjo drogë nuk importohet në sasi të mëdha, dhe kjo së bashku me cmimin e ulët të saj në Serbi, duket se mbështesin idenë se ekstazi prodhohet brenda vendit.

Një numër informatorësh – nga shpërndarës të vegjël deri drejtues të botës kriminale si edhe zyrtarë ndërkombëtarë – kanë thënë për IWPR se ende ekzistojnë fabrika të tjera për prodhimin e ekstazi në vend, dhe këto vazhdojnë të furnizojnë tregun e vendit.

“Ne nuk kemi dijeni për fabrika të reja, por tani mund të kontrollojmë më mirë se kush importon lëndë të cilat mund të përdoren si lëndë e parë për prodhimin e drogave si heroina, ekstazi apo amfetamina,” thotë Oparnica.

“Një nga problemet në këtë fushë, është se pas vitit 1993, Interpol nuk ka qenë prezent në Serbi, dhe nuk ka pasur një bashkëpunim të mirë me komunitetin ndërkombëtar, gjë e cila ka vështirësuar kontrollin ndaj importimit të lëndëve të tilla. Për më tepër, nuk ka pasur edhe shumë informacion dhe njohuri në këtë fushë. Deri pak kohë më parë, shumë zyrtarë të doganave thjesht nuk dinin se cfarë drogash përdoreshin për prodhimin e heroinës”.

PERMBUSHJA E KERKESES

Një numër komentatorësh kanë sugjeruar për IWPR se metodat e përmirësuara të mbylljes së kanaleve të furnizimit, nuk do të mjaftojnë për të luftuar problemin për sa kohë që kërkesa për droga mbetet e lartë.

Ish përdorues të drogave dhe specialistë të rehabilitimit pranojnë se kultura e përdorimit të drogave ka të bëjë me kërkesën e lartë të krijuar nga problemet sociale po aq sa me lehtësinë e furnizimit.

“BE mund të mbështesë më tepër policinë dhe infrastrukturën doganore për të kufizuar importimin e drogave, por e vërteta është se asnjë vend në botë nuk e ka fituar luftën ndaj drogës. Për sa kohë që ekziston kërkesa, trafikantët do të gjejnë një mënyrë për të ofruar mallin,” thotë Anastasijeviq.

Fiano i DEA ka konfirmuar këtë mendim: “Gjatë karrierës sime 33 vjecare në këtë fushë, kam mësuar se një sistem i mirë i drejtësisë nuk mjafton. Duhet të punohet shumë në parandalimin dhe rehabilitimin e viktimave të drogës, pra nevojitet të pakësohet kërkesa.

Dr Aleksiq pranon se më tepër përpjekje duhet të bëhen për të edukuar të rinjtë me rreziqet e drogës. “Një pjesë e madhe e të rinjve kriminalizohen për arësye se përdorin drogë dhe janë më të frikësuar ndaj autoriteteve në përgjithësi. Kjo i izolon ata edhe më tepër duke e bërë trajtimin e tyre më pak të mundur,” thotë ajo.

“Ne duhet që si shoqëri të promovojmë një informim të vërtetë për këtë problem. kjo është një luftë, por jo një luftë ndaj drogës, por një luftë ndaj padijes. Të rinjtë nuk i njohin rreziqet e drogës.

“Pavarësisht nëse droga është ekstazi apo heroinë, ajo nuk është e pastër. Heroina vecanërisht është një mall i lirë, por ajo përzihet me shumë substanca të tjera – zakonisht me paracetamol, por ndonjëherë edhe me kimikate vdekjeprurëse si ilac për minjtë”.

Dr Ciriq po ashtu thotë se burimet e caktuara për parandalimin nuk mjaftojnë. “Grupi ynë vullnetar, Hap pas Hapi, përpiqet të afrojë të rinjtë dhe ti bëjë ata të ndërgjegjëshëm për rreziqet e drogave përpara se ata të fillojnë përdorimin. Por gjendja këtu kërkon më tepër bashkëpunim ndërkombëtar dhe mbështetje,” thotë ajo.

PUSHIME NE PLAZH PER TRAFIKANTET

Ndërkohë, shpërndarësi me të cilin IWPR është takuar në fillim po përgatitet për pushime me disa shokë në plazhet e Malit të Zi. Ai prêt me padurim një festival të muzikës që do të zhvillohet për katër ditë me rradhë në Budva me pjesëmarrjen e shumë Disk Jokey të njohur nga Britania.

“Vitin e kaluar, policia na kontrolloi kur dëgjuan të folurën tonë nga Beogradi,” thotë ai. “Ne ishin shtrirë në plazh. Nuk kishim drogë.

“Unë vetëm qeshja kur mendoja për ato qindra kilogramë marjuanë që vijnë nga liqeni i Shkodrës më pak se 40 kilometra larg dhe ata dy policë malazez të cilët hapnin telefonin tim cellular për të parë nëse kisha fshehur brenda drogë”.

Hugh Griffiths është një koordinator i programeve investigative për IWPR.

Daniel Sunter është një ndihmës redaktor i IWPR në Beograd.

Boris Darmanoviq, drejtues i projektit të IWPR në Podgoricë ka ndihmuar për këtë raport.


Also in this issue

Kërkesa e madhe si edhe pozicioni gjeografik në qendër të rrugëve të trafikimit sfidojnë përpjekjet e policisë për të luftuar këtë fenomen.