Skip to main content

Ultimatumi Amerikan për Millosheviqin

Beogradi mund të paguajë një dënim të rëndë financiar nëse nuk arreston Millosheviqin brenda pak javëve të ardhëshme.

Ultimatumi Amerikan për Millosheviqin

Beogradi mund të paguajë një dënim të rëndë financiar nëse nuk arreston Millosheviqin brenda pak javëve të ardhëshme.

Uashingtoni po i kërkon Beogradit të arrestojë dhe të burgosë Sllobodan Millosheviqin deri në fund të këtij muaji ose përndryshe do të rrezikojë të mos përfitojë ndihmën financiare Amerikane aq të nevojëshme.


Kjo thirrje ka qenë një ndër shumë kërkesat e tjera që ambasadori Amerikan në Beograd, Uilliam Montgomeri, i ka paraqitur drejtuesve Jugosllavë dhe Serbë javën e kaluar. Kushtet mbështesin ultimatumin e fundit të Kongresit Amerikan i cili kishte kërcënuar se do të tërhiqte ndihmën prej rreth 100 milion dollarë nëse Jugosllavia nuk fillon të bashkëpunojë me gjykatën e Hagës deri më 31 Mars.


Përveç burgimit të Millosheviqit, SHBA po kërkon që presidenti Koshtunica të mbështesë publikisht gjykatën dhe të pranojë për të ekstraduar të dyshuarit për krime lufte, përfshirë Serbët e Bosnjes të akuzuar të cilët fshihen në Jugosllavi. Uashingtoni gjithashtu ka kërkuar lirimin e Shqiptarë të dyshuar dhe akuzuar për terrorizëm; një spastrim të njerëzve të Millosheviqit nga administrata e re; dhe dhënien fund të mbështetjes së Jugosllavisë për ekstremistët Serbë të Bosnjes dhe ushtrisë së Republika Srpska.


Beogradi nuk mundet të injorojë këto kërkesa. Ai do të humbte ndihmën financiare Amerikane dhe do ta kishte më të vështirë të anëtarësohej në institucionet financiare ndërkombëtare. Beogradi do të rrezikonte gjithashtu edhe mbajtjen e një konferencë të donatorëve perëndimorë të planifikuar për në Maj si edhe ndihmën Amerikane për zgjidhjen e krizës në Serbinë e jugut.


Qeveria Serbe ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare ndaj këtyre kërkesave, por burime të IWPR-së thonë se autoritetet ndjehen të lehtësuara që Amerikanët nuk kanë insistuar që Millosheviqi ti dorëzohej Hagës - diçka që shumë nejrëz në Beograd nuk mund ta gëlltisin.


"Kërkesat e Uashingtonit janë të lidhura vetëm me arrestimin dhe burgimin e Millosheviqit, dhe jo ekstradimin e tij në Hagë," ka thënë për IËPR-në një zyrtar i koalicionit qeveritar Serb. Nëse ky pozicion i Amerikanëve është i vërtetë, bie në kundërshtim me këmbënguljen e gjykatës që Millosheviqi të gjykohet në Hagë.


Qeveria Serbe e drejtuar nga Zoran Gjinxhiq - i cili konsiderohet nga Perëndimi si më i gatshëm për të bashkëpunuar se Koshtunica - ndërkohë vazhdon punën e saj për të mbledhur prova kundër Millosheviqit.


Ndërsa arrestimi i ish shefit të policisë sekrete Rade Markoviq nuk arriti të lidhë Millosheviqin dhe gruan e tij Mira Markoviq me vrasjet politike të viteve të fundit, ky dështim nuk i ka ligështuar autoritetet Serbe.


Në fakt, sipas burimeve të IWPR-së, Gjinxhiq ka bindur të akuzuarin nga Haga Blagoje Simiq të dorëzohet vullnetarisht në Hagë këtë javë. Ish kryetari i bashkisë në Shamac në Bosnje, Simiq akuzohet se ka drejtuar spastrimin etnik të qytetit në vitin 1992.


Të njëjtat burime kanë konfirmuar se gjatë javës së ardhëshme rreth 20 bashkëpunëtorë të ngushtë të Millosheviqit, përfshirë Nikola Sainoviq, Milovan Bojiq dhe Branislav Ivkoviq, do të merren në pyete dhe mund të arrestohen.


Autoritetet shpresojnë që njëri prej tyre të japë dëshmi të rëndësishme ndajmillosheviqit. Ambasadori i ri Jugosllav në Uashington Milan Protiq ka thënë javën e kaluar se autoritetet do të kenë nevojë edhe për dhjetë ditë kohë për të mbledhur provat e mjaftueshme për të arrestuar ish presidentin - duke përmbushur kështu afatin e vënë nga SHBA-ja për në fund të Marsit.


Pengesa më e madhe për arrestimin e Millosheviqit, duket se nuk janë përkrahësit e tij, të cilët tani përbëjnë një opozitë shumë të vogël në parlament, por qeveria federale e presidentit Koshtunica.


Koshtunica e ka qortuar Protiq për deklaratat e tij të fundit, duke thënë se ato nuk ishin në një linjë me qëndrimet zyrtare të qeverisë Jugosllave.


Përveç Koshtunicës, një nga kundërshtarët më të zjarrtë të arrestimit të Millosheviqit është edhe partia anëtare e koalicionit federal, Partia Popullore Socialiste e Malit të Zi, SNP, një ish aleate e liderit të rrëzuar Jugosllav. SNP-ja, e cila kundërshton thirrjet për largimin e Malit të Zi nga Serbia, ka frikë se arrestimi i Millosheviqit do të dëmtojë shanset e saj në zgjedhjet e planifikuara për muajin e ardhëshëm.


Disa dyshojnë që kjo është edhe arësyeja që autoritetet federale po vonojnë zbatimin e ligjeve për bashkëpunimin me gjykatën ndërkombëtare. Autoritetet federale kanë njoftuar së fundi se këto ligje nuk do të jenë gati edhe për një periudhë katër deri gjashtë mujore.


Por kjo zgjatje është ndoshta shkatërrimtare për Serbinë. Ekspertët e Beogradit parashikojnë se pa ndihmën financiare Amerikane dhe të institucioneve të tjera financiare, vendi do të përballet me një kolaps total ekonomik.


Qeveria e Gjinxhiqit nuk do të ishte në gjendje t'i rrezistonte një goditjeje të tillë, pra mund të pritet që ai do të bëjë të pamundurën për të përmbushur kërkesat Amerikane për arrestimin dhe burgimin e Millosheviqit. Kryeministri Serb mendon se arrestimi i tij është një çështje e policisë dhe drejtësisë Serbe, dhe jo e atyre federale.


Zheljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists