Koment: Unë e Njoh Vrasësin e Bullatoviqit
Vdekja e një ministri të mbrojtjes ka shtruar pyetjen: Kush e drejton Serbinë?
Koment: Unë e Njoh Vrasësin e Bullatoviqit
Vdekja e një ministri të mbrojtjes ka shtruar pyetjen: Kush e drejton Serbinë?
Vdekja e një njeriu të vetëm nuk konsiderohet më një tragjedi këtu. Në Serbinë e sotme, vdekja e kujtdo, pavarësisht se sa I rëndësishëm është, përbën thjesht një statistikë.
Një gazetar vdes - është thjesht një formë drastike e censurës. Vritet një biznesmen - është thjesht zakoni Serb i qërimit të hesapeve. Vritet një politikan është thjesht hakmarrja për një premtim të pa mbajtur ndaj një biznesmeni.
Por çfarë do të thotë kur vritet një ministër i mbrojtjes?
Ka pasur shumë spekullimë rreth vrasësve të mundëshëm të tij, dhe të dyshuarit kryesor janë radikalët Shqiptarë dhe separatistët Malazez. Megjithatë, urdhëruesi më i mundëshëm i vrasjes së Bullatoviqit, mund të jetë një grup privat i brendëshëm - një vëllazërim sekret - që kombinon përzjerjen e veçantë Serbe të politikës, biznesit dhe interesave të sigurimit që janë zhvilluar gjatë një dekade luftërash dhe shfrytëzimit të tregut të zi.
Nuk ka asnjë provë që të fajesohen Shqiptarët, të cilët ndoshta nuk do ta vendosnin Bullatoviqin në krye të listës së tyre, ndërsa Malazezët nuk kanë qenë kurrë kaq të irrituar.
Qëllimi i vrasjes së Bullatoviqit, në se me të vërtetë është një grup Serb, është i qartë - dhe pikërisht për të shtruar pyetjen se kush drejton në Serbi?
Kontrolli i monopolit shtetëror mbi dhunën fizike tashmë është shkatërruar. Dhuna dhe urrejtja e një dekade tashmë ka shpërthyer edhe brenda shtëpisë. Tanimë çdo Serb është i rrezikuar nga gjykimi i menjëhershëm prej një burimi të fshehtë fuqie, i cili jep vetëm një vendim të formës së prerë.
Me këto grupe të pushtetëshme, nuk do të ketë asnjë bisedim. Vrasësit eleminojnë njerëzit sipas kritereve të vendosura prej tyre dhe veprojnë pa asnjë frikë apo hezitim. Të dënuarit nuk kanë mundësi të kenë një gjykatës, një juri, një avokat, dhe as edhe të drejtën për të apeluar. Vdekja e të akuzuarit, me sa duket, është thjesht varianti më i lirë dhe më i sigurtë i arritjes së synimit, pavarësisht në se bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të biznesit, për të marrë hak për një tradhëti apo thjesht për të mbrojtur nderin apo reputacionin.
Ghithësecili është një lojë. Pas Bullatoviqit, nuk ka më të pavdekshëm, as edhe të paprekshëm, as edhe mbiemra të mbrojtur. Askush i përfshirë në krijimin e kësaj gjendjeje në Serbi nuk është përjashtuar nga pagimi i gjynaheve të tij.
Vrasësit kanë hedhur vështrimin përtej regjimit të tanishëm. Ata po mbajnë nën vëzhgim terrenin, dhe po vendosin kontakte me ata që mund të përbëjnë qeverinë e re Serbe. Këto grupe, të përzënë nga padronët e tyre të mëparshëm, mund ti ofrojnë mbështetjen edhe opozitës gjatë një trasferimi të mundëshëm të pushtetit - për të larë mëkatet e tyre të mëparëshme, të sigurojnë pronat e tyre dhe për të dalë në sipërfaqe si biznesmen të ligjshëm.
Tragjedia e Bullatoviqit duhet të ketë shërbyer si mbajtëse e këtij mesazhi. Ai njihej si një njeri i sjellshëm dhe i mirë, i moderuar në politikat e tij dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar - tipi i njëriut i cili gjithmonë do të ndihmonte dikë nëse mundej. Atij I pëlqente të ulej me miqtë e tij, të qetësohej në ndonjë kafene. Në ndryshim nga shumë njerëz të tjerë të rëndësishëm në Serbi, edhe gjeneralë, Bullatoviqi shëtiste nëpër qytet pa asnjë roje trupi dhe ne fakt vdiq pa pasur asnjë njeri që ta mbronte.
Diçka e rrallë për Malazezët, ai nuk shfaqte shumë ambicie. Ata që e njihnin thonë se ai asnjëherë nuk ka kërkuar postet e larta që ka mbajtur por ja kanë ofruar. Pasi kishte shërbyer si shef policie fleksibël, ai ndoshta është thirru për të marrë postin e ri nga Millosheviqi për të ringritur ushtrinë pas një periudhe disa vjeçare tensionesh të brendëshme.
Njoftimet e medias kanë theksuar se ai ishte xhaxhai i Darko Asanin, një figurë e dyshimtë i vrarë në vitin 1998. Megjithatë Asanin kiashte bërë karrierë, shumë më përpara xhaxhait të tij. Ai ishte pasuruar dhe kishte arritur në shkallët e larta të hierarkisë kriminale në Jugosllavi, në kohën që Bullatoviq ishte thjesht një profesor i parëndësishëm në Podgorica.
Ndoshta mund të dalë në dritë ndonjë fakt që mund të ofrojë edhe një motiv për vrasjen e tij. Por deri atëherë, vetë errësira e çështjes do të jetë kyçi i zgjidhjes së saj. Një vrasje në dukje e pakuptimtë me një mesazh shumë të qartë që nuk do të kalojë pa u vënë re nga ata që duhet.
Por përndryshe Bullatoviq do të harrohet. Në çdo vend Europian, vrasja e një ministri të mbrojtjes do të shkaktonte një stuhi. Në një Serbi të vënë në gjumë nga e keqja, kjo histori do të zgjasë vetëm një javë. Pas një dekade urrejtje dhe hajdutëri, kolapsi i shtetit dhe pothuajse çdo institucioni në të, ajo që mbetet është indiferenca. Lufta kundër Rendit të Ri Botëror, rindërtimi heroik, misioni historik - të gjitha janë të kota, dhe vetë Serbia është shndërruar tanimë në një morg, në të cilin ata që mbajnë frymën gjallë mbajnë zi për të vdekurit e rradhës.
Në një ambjent të tillë ky vëllazërim sekret mund të zhvillohet së tepërmi. Dhuna është bërë e pranishme në çdo formë të jetës publike: politikë, ekonomi, media, sistemin juridik, spitale, shkolla, rrugë, zgjedhje, kafene, hotel. Fatkeqësisht të dënuar, ne serbët vetëm sa qëndrojmë në rresht. E reja e Bullatoviqit është se nuk ka zgjidhje tjetër. Pas çdo suksesi, pasurive dhe pushteti, qëndron një kriminel i gatshëm për të dhënë gjykimin e tij.
Aleksandar Tijaniq është një gazetar, redaktor dhe komentator i njohur në Beograd. Një version i këtij artikulli është botuar fillimisht në gazetën e Banja Luka Nezavisne Novine, përkthyer nga Snezana Lazoviq.