Kosova bashkon rivalët politikë në Serbi
Drejtuesit e opozitës serbe kanë të njëjtin mendim me Millosheviqin për qëndrimin në Kosovë - disa shkojnë edhe deri aty sa e konsiderojnë atë "tepër të butë".
Kosova bashkon rivalët politikë në Serbi
Drejtuesit e opozitës serbe kanë të njëjtin mendim me Millosheviqin për qëndrimin në Kosovë - disa shkojnë edhe deri aty sa e konsiderojnë atë "tepër të butë".
Udhëheqësit perëndimorë të cilët po punojnë për një paqe të qëndrueshme në Kosovë do të ishin këshilluar keq nëse varin shpresat e tyre për këtë qëllim në opozitën politike në Serbi.
Shumë njerëz mëendojnë se rrëzimi i Sllobodan Millosheviqit nga pushteti do të zgjidhte edhe problemet e Kosovës menjëherë. Por ata duhet të kenë parasysh se si pasuesit e mundëshëm të presidentit ashtu edhe rivalët e tij kanë të njëjtin mendim për Kosovën se ajo është - dhe duhet të jetë gjithmonë - territor serb.
Në fakt, edhe tani, drejtuesit e opozitës serbe janë tepër të gatshëm të përsërisin slloganet e përdorura nga regjimi për të ushqyer makinën e tij të propagandës. Përmendja e pavarësisë së Kosovës vazhdon të konsiderohet si një herezi.
Muajin e kaluar, Vlladan Batiq, i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe, SPO, nuk ka humbur kohë për të dënuar daljen e njësive guerrilase shqiptare në Serbinë jugore. "Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar t'i japë fund terrorizmit shqiptar dhe të mbrojë viktimat e pafajëshme në vend që të kërcënojë Ushtrinë Jugosllave," ka thënë ai.
Ndërkohë Predrag Simiq, këshilltari politik i drejtuesit të SPO-së Vuk Drashkoviq, e ka quajtur Kosovën si "çështjen kryesore në politikën serbe" - më të rëndësishme ka thënë ai, edhe se reforma ekonomike, marrëdhëniet me Europën dhe progresi i demokracisë.
Politikanët e të gjithë spektrit politik janë të zellshëm të paraqesin veten e tyre si patriotë, që luftojnë për mbrojtjen e serbëve në Kosovë.
Kjo ndjenjë e opozitës është kryesisht rezultat i asaj që ata e konsiderojnë si dështim i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, për të mbrojtur serbët nga dhuna e shqiptarëve. Ata e quajnë UNMIK-un si "një dështim" dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it si "urrejtës të serbëve".
Shumë njerëz e konsiderojnë shefin e UNMIK-ut, Bernar Kushner, si një lake të amerikanëve i cili flet me shqiptarët radikalë por nuk bën përpjekje për të gjetur serbët e humbur gjatë luftimeve.
Aleanca për Ndryshim, një koaliacion i partive të opozitës i kryesuar nga drejtuesi i Partisë Demokratike Zoran Gjingjiq, ka ushtruar presion së fundi ndaj Kushner që ata të lejohen të vizitojnë Kosovën - një ftesë që ai nuk e ka pranuar për arësye "sigurie". Kjo është interpretuar si një refuzim direkt për të lejuar hyrjen në bisedime më forcat demokratike serbe.
Ndërsa KFOR-i përpiqet me vështirësi të ruajë paqen në Kosovë, valë refugjatësh vazhdojnë të dynden në Serbi, duke vënë në provë të vështirë durimin dhe burimet e vendit. Pas dhunës më të fundit, numri i serbëve të zhvendosur mendohet të ketë arritur numrin rreth 1 milion.
Politikanët e opozitës argumentojnë se komuniteti ndërkombëtar nuk po kupton se Serbia është i vetmi shtet multi etnik në Ballkan, ndërsa rajonet që dikur mbroheshin nga trupat paqeruajtëse ndërkombëtare, si Krajina në Kroaci, janë spastruar krejtësisht etnikisht. Një nga arësyet kryesore të këtij qëndrimi është edhe mungesa e një informacioni objektiv.
Megjithatë, çështja e serbëve në Kosovë ka mundësi të bëhet pika kryesore e zgjedhjeve lokale në Serbi të planifikuara për këtë vit, dhe politikanët nga të gjitha partitë përpiqen të shfaqen sa më tepër patriotë.
Ky konsensus nuk është diçka e re: Opozita politike në Beograd ka përkrahur menjëherë shtypjen me dorë të ashpër nga Millosheviqi në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, duke interpretuar veprimet e tij si provë të rilindjes së Serbisë së fuqishme.
Kosova dhe miti i tokës së shenjtë serbe janë disa nga pak çështjet për të cilat të gjithë politikanët në Beograd janë në një mendje. Në fakt, opozita ka kritikuar Millosheviqin se ka qenë shumë i "butë" ndaj shqiptarëve dhe se "ka shitur" apo ka humbur Kosovën përpara fuqive perëndimore.
Deri më tani, vetëm disa fraksione të vogla të Social Demokratëve kanë treguar dëshirë të vendosin lidhje me drejtuesit politik shqiptar dhe serbë në Kosovë. Nenad Canak, i Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës, ka propozuar që zonat e brishta etnike si Vojvodina, Sanxhaku dhe Kosova duhet të kenë statusin e republikave në kuadrin e shtetit serb.
Ndërkohë Zharko Koraq, i Bashkimit Social Demokrat, u ka bërë thirrje serbëve që të kenë një qëndrim më pozitiv ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe të pranojnë kërkesat për të jetuar në një shoqëri të integruar. Koraq mendon se interesi i serbëve të Kosovës duhet të përfaqësohet nga organizatat jo-qeveritare.
Asnjë nga pjestarët e opozitës nuk ka formuluar ndonjë strategji realiste për të ardhmen e Kosovës. Aleanca për Ndryshim mbështet inisiativat demokratike të propozuara nga Peshkopi i moderuar serb në Kosovë Artemije dhe Momçillo Trajkoviq, por nuk ka asnjë ide se si të çarmatosë bombën etnike me sahat në provincë.
Në çdo rast, edhe nëse opozita ka sukses në rrëzimin e Millosheviqit, ajo nuk ka marrë ndonjë garanci nga ndërmjetësit ndërkombëtarë se Kosova do të mbetet pjesë e shtetit serb.
Zvonko Tarle është drejtor dhe krye redaktor i Radio Kontakt në Prishtinë.