Eksodi i Kosovës Vazhdon
Tani që janë ndërruar faqet në Kosovë, serbët në qytetin lindor të Gjilanit po shesin dhe po largohen nga Kosova njëherë e përgjithmonë.
Eksodi i Kosovës Vazhdon
Tani që janë ndërruar faqet në Kosovë, serbët në qytetin lindor të Gjilanit po shesin dhe po largohen nga Kosova njëherë e përgjithmonë.
Po erret në fshatin e vogël të Cernicas, Kosovë.
Në një kamp pikërisht mbi fshatin janë ushtarët e KFOR-it me marinsat amerikanë. Lugina të vogla dhe kodra rrethojnë kampin e tyre dhe e bëjnë të vështirë që ushtarët të shohin fshatin.
Kanë kaluar shtatë muaj që kur trupat paraushtarake serbe, policia dhe ushtria u larguan nga Kosova dhe mbërritën forcat ndërkombëtare. Rreth 450 serbë e 3,000 shqiptarë jetojnë në Cernica, në komunën e Gjilanit. Ata janë të mbushur me frikë, zemërim dhe me mendimet e hakmarrjes.
Dy autoblindë amerikanë të KFOR-it janë të vendosur mbi një kodër, ditë e natë, 50 metra larg shtëpive të serbëve. Por pavarësisht se sa afër janë ushtarët e KFOR, sulmet kundër serbëve janë bërë diçka gati e përditshme.
Gjatë natës së 14 janarit, kisha ortodokse serbe e Shën Ilija u dëmtua rëndë nga një shpërthim. Një bombë e madhe ishte vendosur në zonën e kishës dhe shpërthimi i saj shkatërroi gjysmën e kishës dhe tre shtëpi serbësh aty pranë. Pika e kontrollit e ushtarëve amerikanë të KFOR-it ishte e vendosur vetëm 70 metra larg kishës.
Në gusht Bozidar Stojanoviq, një bari, u vra ndërsa po punonte në tokën e tij. Disa ditë më pas disa Granada dore u hodhën në oborrin e një tjetër fshatari, Milorad Simiq.
Në shtator gjashtë predha mortaje goditën pjesën serbe të fshatit.
Në dhjetor një shpërthim i fortë shkatërroi shtëpitë e dy vëllezërve, Dragan dhe Sllobodan Vasiq. Në atë moment Sllobodan po hante darkë me gruan e tij Bllagica dhe me djalin nëntëvjeçar Igor. Gruaja e tij vdiq menjëherë dhe Sllobodanit iu desh të punonte orë të tëra për të nxjerrë djalin nga gërmadhat.
Pas vrasjes së Bllagicas një grup prej 50 serbësh të zemëruar po pinin birrë në një dyqan të vogël. Sa më shumë që u hynte frika, aq më agresivë bëheshin në sjellje.
Me sy të kuq burrat thanë se po prisnin që presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq "të jepte urdhërin" për "çlirimin" e Kosovës.
"Është vetëm çështje kohe para se të vijë ushtria jonë. Pastaj do t'jau tregojmë atyre. Do ta bëjmë me siguri," tha njëri prej burrave. "Nëse nuk besoj te kjo, atëhere duhet të vras veten."
"Nuk do të largohemi nga këtu. Ne lindëm këtu, do të qëndrojmë këtu," tha Sllobodan Vasiq, por ai dukej si më pak i bindur.
Serbët në komunën e Gjilanit tani jetojnë në masë të madhe në një geto - dhe ata janë duke u larguar nga Kosova. Ekziston një model. Pas një seri shpërthimesh u bë e qartë se KFOR-i nuk mund t'i mbonte banorët serbë. Atëhere serbët filluan të largohen në grup nga fshati. Pas largimit, prona e tyre plaçkitej dhe shtëpitë digjeshin.
Ky ishte një model gati i njëjtë me fatin e shqiptarëve gjatë dy viteve të fundit kur "vizitoheshin" nga policia dhe personeli i ushtrisë serbe.
Në të vërtetë 100 metra larg dyqanit ku vendasit pijnë birrë, në vendin ku takohen pjesët shqiptare e serbe të qytetit, qëndron një xhami e djegur - dëshmi e krimeve të kryera kundër shqiptarëve nga paraushtarakët serbë gjatë sulmeve ajrore të NATO-s.
Në komunën e Gjilanit, në fshatin Zhitin, kishte 136 shtëpi serbësh dhe 100 shtëpi shqiptarësh para sulmeve ajrore të NATO-s. Tani në fshat nuk ka më serbë. Shtëpitë e serbëve janë djegur dhe ish-banorët e tyre tani jetojnë në fshatrat aty përreth, ose janë larguar për në Serbi. Goran Dimiq, një serb nga Zhitin, tani jeton në Cernica, duke thënë se serbët u larguan në gusht pasi u vranë katër vetë.
Në fshatin Zheger, serbët u larguan në qershor. Zoran Trajkoviq, refugjat nga Zheger, thotë: "Ata na qëllonin çdo mbrëmje dhe ne nuk kishim armë. Pastaj erdhi kapiteni amerikan i KFOR-it dhe na tha: "Është më mirë të largoheni, nuk mund t'ju mbrojmë.'"
Serbët ishin 10 për qind e popullsisë së Kosovës, por shumica e tyre në fakt janë dëbuar që prej largimit të policisë e ushtrisë jugosllave dhe mbërritjes së KFOR-it. "Ne nuk kemi patur mundësi të mbronim serbët," pranoi Bernar Kushner, shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, në një konferencë shtypi që shënoi gjashtëmujorin e pranisë së KFOR-it në Kosovë.
Në qytetin e Gjilanit shumica e banorëve serbë banonin zakonisht përgjatë rrugës që të çon në Prishtinë, një rrugë që ka ndryshuar shumë gjatë muajve të fundit.
Shumë pak serbë kanë mbetur dhe ata e kalojnë shumicën e kohës së tyre duke pritur jashtë shtëpive të tyre për blerësit potencialë. Shenjat e tyre që lexojnë "Për shitje - cilido i interesuar për të blerë, ju lutem më kontaktoni në kishë" dhe janë ngjitur në disa dyer kryesore. Shqiptarët po i blejnë ato shtëpi, por shumica e blerësve tregohen të kujdesshëm për të diskutuar për këtë çështje.
Serbët, që nuk ndjehen më të sigurtë për të qënë së bashku me shqitarët në tregun e qytetit, kanë improvizuar një vend të vogël për treg të vetin pranë kishës.
Serbët vendas nga fshatrat përreth qytetit vijnë për të shitur produktet e tyre çdo të hënë e të enjte. Fshatarët i sjellin gjithnjë agjencitë e OKB-së, UNHCR-ja.
"Unë kam një grua, një djalë e një vajzë. Gruaja dhe unë kemi qëndruar, ndërsa fëmijët tashmë janë në Serbi," thotë Branko Ziviq, serb nga Gjilani. "E gjithë familja ime ka shkuar në Serbi. Unë vetëm po pres dikë që të blejë shtëpinë time."
Deri tani asnjë nuk është ofruar për të blerë shtëpinë e tij.
"Kam qënë në marrëdhënie të mira me shqiptarët, turqit e romët. Por tani kanë ndryshuar gjërat," thotë Ziviq. "Edhe pse ne ende nuk jemi sulmuar nga ndokush, për ne këtu nuk ka siguri."
Ziviq kërkoi që të zhvillohen gjyqe të drejta për ata që akuzohen për krime kundër shqiptarëve. "Të gjitha krimet kundër popullsisë shqiptare duhet të ndëshkohen ashpër, " tha ai. "Të gjithë ata që kryen krime janë larguar nga Kosova, ndërsa ata prej nesh që nuk kanë bërë asgjë janë ende këtu. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, edhe ne kemi për t'u larguar."
Një serb tjetër, Predrag Daniq, po bën përgatitjet e fundit para se të largohet nga Gjilani bashkë me gruan e tij, Vesna, dhe djalin 18-vjeçar, Denislav. "Po largohemi, sepse për ne nuk ka më jetë këtu," thotë Vesna me sytë e mbushur me lotë. Para luftës Pedrag punonte në fabrikën e baterive në Gjilan, kurse gruaja e tij në një uzinë tekstilesh atje.
"Kemi jetuar në këtë shtëpi për 25 vjetë. Të gjithë janë larguar për në Serbi. Nëna ime u largua tre ditë më parë," thotë Vesna. Familja është përpjekur të shesë shtëpinë para se të largohet për të shkuar të jetojë tek xhaxhai i Vesnas në Kraljevo.
Ata kanë patur dy oferta për shtëpinë, por çmimet kanë qënë të ulëta. Vesna ia hedh fajin politikanëve prë situatën e tanishme. "Çfarë kemi gabuar?", thotë ajo. "Por gjithnjë ka qënë kështu dhe janë njerëzit e mirë që vuajnë për shkak të të këqinjve."
Stojana, 70, ka të njëjtin mendim me Vesnan. "Unë jam vetëm këtu. Ne jemi të izoluar. Kam dy vajza që janë martuar e jetojnë në Kragujevac. Më kanë thënë që të shkoj tek ato, por unë po pres që më parë të shes shtëpinë." Ajo tha se disa të panjohur e kishin kërcënuar. "Vetëm në saj të forcave të KFOR-it unë mund të qëndroj ende këtu."
Rela Nisiq, ish-manaxher në hotel Kristal Europa, thotë: "Jetoj me nënën time të vjetër. I çova gruan dhe fëmijët në Serbi. E gjithë familja është kthyer atje. Unë vetëm po pres të shesë shtëpinë time para se të bashkohem me ta."
Fshatrat përreth si Pasjani, Budrike e Parteshi banohen nga serbët. Popullsia shqiptare vendase beson se këta serbë janë përgjegjës për dëbimin e tyre nga fshatrat e Llashtices, Zhegerit e Uglares.
Vlastince është një fshat në komunën e Gjilanit i banuar vetëm nga shqiptarët. Fshati u shkatërrua krejtësisht nga njësitë ushtarake e paraushtarake serbe. Banorët e fshatit vuajtën tmerrësisht shumë në duart e paraushtarakëve serbë nga Pasjani, një fshat që ndodhet vetëm pak kilometra poshtë rrugës së Vlastinces.
Një dëshmitar, Mustafe Berisha, burrë 75 vjeçar nga Vlastince, kujton se "më 27 mars, rreth orës 7.30 në mëngjes, u lëshuan Granada nga Pasjani. Vazhdoi deri në orën 2 të mëngjesit tjetër. Për fat atë ditë nuk pati viktima. Të gjithë fshatarët ishin larguar në mallet e Likovates.
"Një javë më pas, banorët serbë nga fshati i Pasjanit erdhën në fshatin tonë dhe filluan të plaçkisin e të djegin shtëpitë. Dy javë më pas ata sulmuan civilët që ishin të fshehur në pyje. Vranë pesë vetë, tre burra e dy gra.
"Të njëjtën ditë ata përzunë disa fshatarë nga Preshevo, dhe ata që kishin mbetur në Vitin. Në fshat mbetën vetëm dy familje dhe kushëriri im i parë. Dy javë më pas ata u masakruan në shtëpinë e Rifat Shabanit."
"Ne nuk kemi ndërmend të jetojmë bashkë me ta. Ata na kanë vrarë dhe kanë plaçkitur shtëpitë tona. Ne presim që ata të largohen për në Serbi."
Bashkëfshatarë të tjerë shqiptarë nga fshati Zheger, Lladove dhe kudo tjetër përsërisin pikëpamjet e plakut. "Jemi këtu për të dëshmuar për komunitetin ndërkombëtar se ne nuk mund të jetojmë me kriminelë dhe se për ne së bashku nuk ka të ardhme," thonë ata.
Ridvan Berisha është gazetar nga Gjilani. Kontribuoi gjithashtu edhe Gordana Igric.